Në këtë episod trajtojmë problemin e shpërndarjes së drogës, alarmin që përdorimi ka zbritur tek të miturit. Problemet me ligjin, mungesën e qendrave dhe të dhëna që dalin për herë të parë. Përfshin intervista me një përdorues, një gjyqtar të lartë, shefin e antidrogës dhe shefin e toksikologjisë.

Gert Boçi sot është 38 vjeç. Nga një avokat që mbronte të arrestuarit, mes tyre edhe shpërndarës droge askush nuk e ka të qartë se si përfundoi në një përdorues droge. Humbi punën, më pas u denoncua për dhunë në familje dhe për këtë shkak provoi prangat për herë të parë. Kur doli prej andej u rikthye sërish në burg, në atë të Fushë Kosovës. Kallzimet kundër avokatit flasin për një përdorues droge, i cili vazhdimisht ishte në kërkim të parave për të blerë doza. Do të flasim për këtë plagë të shoqërisë që ka kthyer në përdorues të rritur dhe fëmijë, që ka prodhuar fenomene të reja mbasi policia raporton arrestimin e përdoruesve si autorë ngjarjesh kryesisht dhunë dhe vjedhje. E nga ana tjetër vërehet se trajtimi i tyre në qeli mbetet i vështirë.

600 persona u arrestuan së fundmi si shpërndarës droge në të gjithë vendin e megjithatë ky është vetëm njëri aspekt. Nuk disponohen të dhëna se sa është numri i përdoruesve qoftë dhe përafërsisht. E nisim me Klajdin, përdorues heroine, i cili ditën që u gjend pa para u rekrutua si shpërndarës për të siguruar të ardhura për dozat. Është arrestuar 3 herë dhe së fundmi është kthyer në një nga bashkëpuntorët e shumë që policia po i angazhon si blerës të infilturuar për frenuar fenomenin.

Anila Hoxha: Klajdi, përshëndetje.

Klajdi: Përshëndetje.

Anila Hoxha: Sa vjeç je?

Klajdi: 44 vjeç.

Anila Hoxha: Vazhdon të përdorësh drogë?

Klajdi: Tani kam një periudhë që jam shkëputur, të shohim sa do ta mbaj.

Anila Hoxha: Klajdi, si e nise drogën?

Klajdi: E kam nisur me kokainën, jashtë shtetit faktikisht. Kam qenë 19-20 vjeç. Pastaj kur jam kthyer nga Italia, pas kokainës kam filluar edhe heroinën.

Anila Hoxha: Në Tiranë?

Klajdi: Po, në Tiranë. Po vete gati 20 vjet që jam përdorues i rregullt i heroinës dhe mbas shumë tentativash të mia tek Spitali Ushtarak, tek Toksikologjiku jam shtruar disa herë, por që herë kam fituar, herë kam humbur, përderisa jam rikthyer prapë. Tani të shohim sa do të arrij ta mbaj. Herën e parë e kam përdorur heroinën, pa e ditur që çfarë lloj droge ishte. Thjesht ma kanë servirur shokët dhe e kam provuar. Të them të drejtën e kam përdorur për një muaj pa e kuptuar, pa e ditur se çfarë lloj droge pi. Me folie, me varakë. Mbasi e kam filluar.

Anila Hoxha: Dhe sa e blije?

Klajdi: Si fillim, më kanë qerasur shokët, pastaj kur kam ngecur në atë, normalisht që e kam blerë me lekë. Dhe kam bërë burg për atë. Arrin një moment që nuk e përballon dot rritjen e dozës, 4 gram-5 gram dita dhe fillon edhe ta trafikosh. Detyrimisht pastaj kalon në nivel tjetër.

Anila Hoxha: Sa burg ke bërë, Klajdi?

Klajdi: Kam bërë 4 vjet burg.

Anila Hoxha: Për shpërndarje?

Klajdi: Po, për shpërndarje. Duke qenë edhe përdorues, por më tepër domethënë, detyrimisht shpërndarës u bëra në atë kohë flas sepse nuk e përballoja dot gjendjen ekonomike duke blerë 4-5 gram dita, e rrita shumë dozën e konsumimit.

Anila Hoxha: Shokët e tu ishin përdorues apo shpërndarës?

Klajdi: Shokët e mi ishin përdorues. Pastaj detyrimisht kjo nuk ka një gjë statike. Domethënë mund të jesh një periudhë vetëm përdorues pastaj kalon në nivel tjetër bëhesh përdorues dhe shpërndarës, pastaj kalon prapë vetëm në përdorues. Është një gjë dinamike, si mund ta quaj?

Anila Hoxha: Tani je edhe përdorues dhe shpërndarës apo vetëm përdorues?

Klajdi: Tani nuk jam as shpërndarës as përdorues, kam hequr dorë.

Anila Hoxha: Nga të dyja?

Klajdi: Nga të dyja. Sot është problem i lekut, i cash-it .

Anila Hoxha: Se kuptoj. Sa kollaj e gjen?

Klajdi: Shumë kollaj.

Anila Hoxha: Ne shkojmë tani. Ku mund të blejmë?

Klajdi: Në çdo vend, në çdo cep të Tiranës mund të blihesh.

Anila Hoxha: Policia çfarë bën?

Klajdi: Policia i merr masat, i bën punët e veta. Por që kapen ata që shesin, mbas atyre do të dalin të tjerë. Detyrimisht që policia punën e bën, por kjo është një zanafillë që nuk ka fund.

Anila Hoxha: Dhe sa kushton një dozë heroine?

Klajdi: 10 mijë lekë (të vjetra). Një dozë është 1/5, 1/6 e gramit. Shumë gjë e vogël. I shkon 60-70 mijë lekë grami (të vjetra). Ta llogarisësh në gram.

Anila Hoxha: Po kokaina?

Klajdi: Kokaina shkon tek 100 mijë lekëshi (të vjetra). Një gram kokainë e ndaj në 3 doza, 0.33 . Disa e shesin 30 mijë lekë (të vjetra), disa 40 mijë lekë (të vjetra). Shkon midis 100-120 mijë lek grami.

Anila Hoxha: Ke qenë pjesë e rrjeteve të shpërndarjes së drogës apo…?

Klajdi: I kam bërë të gjitha në jetë.

Anila Hoxha: I nisim. Çfarë ke bërë?

Klajdi: Çfarë s’kam bërë?! Detyrimisht që unë nga do i nxirrja, sepse unë nuk pija vetëm 5 doza.

Anila Hoxha: Për heroinë?

Klajdi: Po, për heroinë . Unë pija me hundë. Unë pija 4-5 gram në ditë. Pastaj mund të pija edhe një gram kokainë.

Anila Hoxha: Cilat kanë qenë momentet e tua më të vështira gjatë përdorimit të heroinës?

Klajdi: Momentet e lënies… Momentet kur kam bërë burg që e kam lënë, që i kam kaluar ato sikletet.

Anila Hoxha: Pse të arrestuan? Ku po shisje?

Klajdi: Në flagrancë. Në zonën “e Bllokut”. Faktikisht s’kam qenë vetëm. Kam qenë me një person tjetër. Dhe në shtëpinë e tij jemi kapur. Të them që shpërndaja përditë dhe disa persona më manipuluan do ishte një ekzagjerim. Normalisht që e merrja tek dikush dhe e shpërndaja për interesat e mia.

Anila Hoxha: Dhe sa fitoje në ditë?

Klajdi: Fitoja mjaftueshëm. Hiqja shpenzimet e mia. Mos t’i hyja në borxh dikujt.

Anila Hoxha: Nuk kthehet përdorimi i përdoruesve në një shfrytëzim nga ata që drejtojnë rrjete të shpërndarjes së drogës?

Klajdi: Po, do isha dakord nëse do kapej ai kryesori i rrjetit. Ai që furnizon shpërndarësin. Sepse ai që furnizon shpërndarësin unë të siguroj që ai nuk e pi fare drogën. Është tjetër nivel. Do ketë gjithmonë krijime të tilla të shpërndarësve, përdoruesa që kapen, dalin arrestohen, ngelen në burg, por kryesorët mbeten gjithmonë të paprekur. Sepse nuk kapen dot. Jo, sepse policia nuk ka dëshirë t’i kapë. Tani bëni një resume, kur bëhet goditja që kapen 300 veta çdo 3 muaj në Tiranë. Janë bërë “2 Tempull” deri tani, tani pritet të bëhet “Tempulli 3”. Nuk do të thotë që janë kapur të gjithë. Domethënë është kapur një pjesë e mirë, një pjesë e madhe. Po qysh në momentin që janë kapur 100 veta, të jesh e sigurtë 100 të tjerë kanë dalur brenda javës.

Anila Hoxha: A ke patur shokë përdorues që kanë ndërruar jetë nga droga?

Klajdi: Po, 2-3 i kam pasur shokë. Njëri ka vdekur nga ata, ka djalë. Tjetri nga overdroza. Shumë persona kanë vdekur, shumë fare.

Anila Hoxha: Përdorues heroine apo kokaine?

Klajdi: Heroine dhe kokaine.

Anila Hoxha: Po kokaina, si shpërndahet në Tiranë dhe në qytetet e tjera?

Klajdi: Si shpërndahet edhe heroina, ashtu shpërndahet edhe kokaina.

Anila Hoxha: Me doza apo në lokale?

Klajdi: Me doza. Ka njerëz që e shpërndajnë në lokale, ka njerëz që e shpërndajnë në rrugë. Ka njerëz që vijnë ta servirin, ta sjellin në shtëpi. Ka njerëz…Ka lloj-lloj mënyrash.

Anila Hoxha: Po si ta sjellin në shtëpi ?

Klajdi: Ka njerëz që kanë pikë. Pikë do të thotë që hapin një zonë, hapin një lokal ose një tabakino që shesin cigare dhe aty kur të japin paketën të japin edhe copën e mallit.

Anila Hoxha: Po heroina si shpërndahet?

Klajdi: Heroina pak më ndryshe. Nëpër lagje periferike ose…Domethënë nuk ta sjell tjetri ty me makinë, do shkosh ti gjithmonë tek pikat, tek zonat ku shpërndahet.

Anila Hoxha: Ku shpërndahet heroinë në Tiranë, në cilat zona?

Klajdi: Në të gjitha zonat.

Anila Hoxha: Që janë tipike?

Klajdi: Pak a shumë zona më e madhe, zonat domethënë që kanë qenë gjithmonë problematike është kjo zona nga Shkolla e Bashkuar, Allias, Kinostudio. Ky pellgu këtu ka qenë gjithmonë problematik.

Anila Hoxha: Po kokaina?

Klajdi: Kokaina në të gjithë Tiranën. Po thashë gjithë Tiranën, domethënë duke filluar nga Astiri, Kombinat, Bllok, Tiranë të Re, në…. Unë kam parë, kam rastisur që pinë kokainë me bidon edhe ata që mbledhin kanaçe. Dhe kjo është një absurd. Kjo është një çmenduri. Të pi një njeri që s’ka bukë të hajë kokainë, është çmenduri. Diku e pinin VIP-at, tani e pinë çdo lloj.

Anila Hoxha: Je duke thënë për krapin?

Klajdi: Për krapin. Kraku, kokainë është, por që pihet. Ti kur e zien i heq komplet papastërtitë dhe pi vetëm ajkën.

Anila Hoxha: E di familja që përdorje drogë?

Klajdi: Po, po e di . Gjithmonë e ka ditur në fillim. Unë faktikisht tani kam disa kohë që nuk po përdor më.

Anila Hoxha: Sa herë ke tentuar ta lësh drogën?

Klajdi: Unë ato herë që kam tentuar e kam lënë të them të drejtën. Po problem është që e kam lënë 2-3 vjet  deri 4 vjet, por problemi është që mbas asaj periudhe e kam rifilluar prapë. Ky është problemi. Jam shtruar tek Zihni Sula.

Anila Hoxha: Sa kohë je shtruar?

Klajdi: Vajta kohë që nuk kam qenë më tek ai.

Anila Hoxha: Sa qëndrove aty?

Klajdi: Herën e fundit, 2 javë. Pak muaj kam që e kam lënë.

Anila Hoxha: Çfarë të bën më shumë përshtypje përsa i takon përdorimit të drogës në Shqipëri dhe shpërndarjes?

Klajdi: Që njerëzit nuk i tremben më ligjit. Bëjnë blerje fiktive nga burime të sigurta në bashkëpunim me prokurorinë, të autorizuara që normalisht edhe nga prokuroria. Ti ke mbaruar edhe si shpërndarës. Je për burg. Dhe sikur kur të vijë dita që do arrestohesh dhe të mos të të gjejnë gjë me vete, ti ke mbaruar. Shumica e përdoruesve nuk e kanë qejf ta përdorin drogën, kanë ngecur. Do të të tregoj një sekret. Ka qenë një periudhë e imja që unë nuk dija ku ta blija e kisha lënë faktikisht nuk e pija, nuk dija ku ta blija sepse nuk kisha njohje ngaqë kisha ardhur nga jashtë. Mbas 4 vjetësh dhe thashë shyqyr që nuk s’njoh njeri. Isha një moment i qetë.  Rastësisht më del përpara një i njohur. Kisha vite. Që pasi më doli ai, u fika. U preva. Sepse e dija që do më fuste në lojë prapë.

Anila Hoxha: Si ua shpërndaje drogën ?

Klajdi: E shpërndaja, nuk pyesja. E shpërndaja vetë me makinë. Qe dicka që e zgjodha vetë ta bëja me dëshirë.

Anila Hoxha: Sa shpërndaje dhe çfarë droge shpërndaje?

Klajdi: Të dyja i shpërndaja unë. Edhe kokainën, edhe heroinën.

Anila Hoxha: Të vinte keq për ata që…?

Klajdi: Unë helmoja edhe veten time. Kur s’më vinte keq për veten time.Është një pyetje retorike. Dihet se kush është përdorues.

Anila Hoxha: Si dihet?

Klajdi: Dihet, se njihen. Po zë një shembull. Unë jam shpërndarës. Unë njoh 5 veta që janë klientë të mi. Këta të 5 secili nga këta më sjell 2-3 klientë të tjerë të rinj. Këta 2-3 të tjerë sjellin nga 2-3 të tjerë.

Anila Hoxha: Një metastazë e madhe.

Klajdi: Po, zinxhir. Kështu funksionon.

Anila Hoxha: Si të arrestuan?

Klajdi: Këtë dua të them unë. Kur shteti do të fik, nuk të lë . Nuk më kapën asnjë gjë mua. Thjesht kapnin atë që vinte të blinte tek mua dhe ai hidhte firmën. Me 3 firma unë mbeta në burg. Bëra 4 vjet burg. Mua s’më kapën asnjë gjë në shtëpi.

Anila Hoxha: Ka shpërndarës të mitur në fushën e drogës?

Klajdi: Të mitur jo. Unë nuk njoh, të them të drejtën. Mund të ketë. Nuk ja kam idenë.

Anila Hoxha: Po përdorues të mitur ?

Klajdi: Ka plot, sa të duash. Është fushata ime. Jam një me policinë.

Anila Hoxha: E ke nisur ?

Klajdi: Po, e kam nisur.

Anila Hoxha: Je bërë partner me policinë apo je bërë ndihmësi i tyre?

Klajdi: Partner jam.

Anila Hoxha: Në cfarë kuptimi?

Klajdi: Në kuptimin që e kam personale tani. O do pastrohet vendi, o s’ka.

Anila Hoxha: Cili ka qenë momenti më i vështirë që ti e ke parë veten keq nga ana shëndetësore?

Klajdi: Edhe rrufën tani prandaj e kam. Vetëm me hundë, ngaqë s’pi. Vajta kohë që nuk pi. Më ka ngelur pak. Duam kohë të marrim veten ne tani.

Anila Hoxha: Familja çfarë thotë? Të mbështesin?

Klajdi: Më mbështesin, por ata nuk e dinë që unë e rifillova dhe jam në lënie tani. Unë i kam provuar të dyja periudhat. Me vite, kohë. Periudha të gjata dhe 4 vite pa përdorur drogë dhe 4 vjet duke përdorur drogë. 4 vjet që kam përdorur drogë, nuk je i ndërgjegjshëm. Se ke idenë se cfarë bëhet. Të ikën dita vetëm me drogë. Nuk shijon asnjë gjë. As familje, as shoqëri. As restorante, as të shkosh të pish një gotë me familjen, a me shokët. Asnjë gjë. Është një jetë…Të ikën jeta kot. Në ankth, në stres, për të gjetur dozën, për të blerë dozën e drogës.

Anila Hoxha: Faleminderit shumë Klajdi.

Ky ishte rrëfimi i Klajdit dhe mos e harroni apelin e tij…Gjatë këtij investigimi ne konstatuam se për 4 vitet e fundit emrat e 10176 shtetasve të arrestuar me doza të vogla u dorëzuan për analiza toksikologjike pranë mjekësisë ligjore në Tiranë. Kjo e dhënë konfirmohet nga instituti gjatë këtij investigimi për Qendrën “FOL”. 85 përqind e rasteve kanë rezultuar pozitivë, pra përdorues. Problemi i parë për të minimizuar shpërndarjen e drogës vjen nga vakumi në ligj që po shfrytëzohet nga grupet kriminale, të cilat po angazhojnë përdorues për tu shitur drogë e për të futur në kurth viktimat e radhës.

Sandër Simoni – Gjyqtar i lartë

Anila Hoxha: Kam nderin të kem të ftuar gjyqtarin e lartë z. Sandër Simoni. Mirëmbrëma dhe faleminderit shumë që pranuat ftesën në podcastin “Fol me Anila Hoxhën”. Ju i ndoqët intervistat mbi përdorues dhe statistikat, të gjitha shifrat e policisë dhe të prokurorisë shqiptare mbi këtë problem. Tani do të shqyrtojmë  për dëgjuesit dhe për ata që na ndjekin se cilat janë problemet reale që ndeshen në gjykata mbi përdoruesit apo edhe shpërndarësit e dozave të vogla?

Sandër Simoni: Faleminderit Anila. Ligji e ndëshkon shitjen, ofrimin për shitje, dhënien apo marrjen në çdo formë shpërndarjen, tregtimin, transportimin, dërgimin, dorëzimin  si dhe mbajtjen përvec rasteve të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla të substancave narkotike dhe psikotrope, si dhe të farërave të bimëve narkotike. Depenalizimi i lëndëve narkotike për përdorim vetjak dhe në doza të vogla në mungesë të një përcaktimi të qartë ligjor të masës për përdorim vetjak mund të sjellë si pasojë që shpërndarësit e lëndës narkotike, tregtarë të lëndës narkotike t”i shpëtojnë përgjegjësisë penale duke u sjellë si përdorues të saj. Kufiri i paqartë midis shpërndarjes së drogës dhe përdorimit personal, kultivimit në familje për përdorim personal, raportet sasiore dhe cilësore të lëndës narkotike të përdorur për konsum, mungesa e dallimit në legjislacion të llojit të drogërave apo substancave të përdorura, drogërave të forta apo të dobëta, janë disa çështje të diskutueshme në praktikën gjyqësore, të cilat po bëhen diskutim tashmë në Gjykatën e Lartë. Detyra e vështirë e gjyqtarit për t”i evidentuar çështje fakti nëse kemi të bëjmë me përdorues apo me tregtarë të lëndës narkotike dhe detyrimin për t’i verifikuar nëse rrethanat specifike janë simptomë e tregtimit të lëndës narkotike apo përdorimit të saj vjen nga fakti që legjislacioni ynë në përkufizimin e sasisë së vogël, ka një paqartësi. Përgjegjësimi i lëndës narkotike dhe mungesa e dallimit në mes të substancave narkotike si heroinë, kokainë, ekstazi, kanabis, atyre psikotrope si antidepresiv apo barna të tjerë të substancave të rrezikshme për jetën apo të sasisë së tyre, është një çështje që vështirëson punën e gjyqtarëve në trajtimin e çështjes. Pamundësia e imponimit të varura nga përdorimi i drogës nëpërmjet masave administrative terapautike shëndetësore për të luftuar varësinë nga droga për shkak të depenalizimit të përdorimit të lëndës narkotike është një çështje që lidhet me diskutime nëse duhet penalizuar apo jo përdorimi apo mund të ishin përdorur masa alternative dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale në raste të veçanta. Rregullimi ligjor, ligji penal dhe i veçantë mbi lëndët narkotike si dhe praktika gjyqësore garantojnë dhe sigurojnë që shpërndarësit e lëndës narkotike ti shmangen përgjegjësisë penale duke u sjellë e trajtuar si përdorues të lëndës narkotike.

Sander Simoni

Anila Hoxha: Po flasim për depenalizimin e dozave të vogla?

Sandër Simoni: Të dozave të vogla.

Anila Hoxha: I referoheni një vendimi të Gjykatës së Lartë? Çfarë do të thotë dozë e vogël dhe çfarë falsifiteti shkakton ky depenalizimi për shpërndarësit, duke u fshehur mbas përdoruesit?

Sandër Simoni: Fillimisht sipas Kodit Penal të  vitit 1995 dënohej secila formë e përgatitjes së prodhimit, mbajtjes së lëndës narkotike dhe forma të tjera. Në vitin 2001 u bë një shtesë në nenin 283 të Kodit Penal. Ky ka qenë momenti ku ligji ka depenalizuar përdorimin e lëndës narkotike, por në raste të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla.

Anila Hoxha: Dhe nga 2001 nuk pati asnjë rregullim?

Sandër Simoni: Nuk ka patur ndryshim tjetër. Meqënëse në këtë rast, nga pikëpamja legjislative ligji ishte evaziv dhe lindte mundësi për trajtim të ndryshëm nga ana e gjyqtarëve apo nga ana e operatorëve të procedimit penal, në këtë rast Gjykata e Lartë  ndërhyri me një vendim unifikues në vitin 2008, me anë të të cilit arriti në konkluzionin se doza e vogël në kuptimin ligjor të saj konsiderohet jo ndarja fizike në raste të tilla, por sasia e lëndës apo substancës narkotike dhe psikotrope që ajo përmban si e tërë dhe që sipas ekspertëve vlerësohet si dozë e vogël.

Anila Hoxha:  Çfarë quhet një dozë e vogël?

Sandër Simoni: Pikërisht në lidhje me këtë…

Anila Hoxha: Në praktikë? Pra kapet një qytetar, një shtetas me një dozë të caktuar. Në reflektim të kësaj, çfarë konsiderohet? Do të duhet patjetër të bëhen akt ekspertizat dhe çfarë fenomeni sjell pikërisht ky përcaktim i dozës së vogël ?

Sandër Simoni: Në mungesë të përcaktimit ligjor dhe të reflektimit në një ligj të veçantë të asaj se ëfarë konsiderohet dozë e vogël për përdorim vetjak, do ishte në detyrim të organeve shëndetësore që të përcaktonin në bazë të kritereve juridiko-mjekësor se kush konsiderohej dozë e vogël. Kjo në fakt nuk është bërë që me futjen e kësaj norme në Kodin Penal. Për rrjedhojë Gjykata e Lartë për të mbushur këtë boshllëk ligjor që në fakt nuk është prerogativë e saj por është prerogativë e ligjvënësit, që të kemi një ligj penal të përcaktuar qartë, i cili nuk lejon mundësinë e trajtimeve të ndryshme nga ana e zbatuesve të tij. Gjykata e Lartë në përcaktimin e asaj se çfarë konsiderohet dozë e vogël, i thotë që përdoruesit e lëndës narkotike të cilin e mban atë për përdorim vetjak qoftë edhe në doza të vogla kur shpërndarja e saj është një nga format që parashikon neni 283/1 i Kodit Penal ka përgjegjësi penale sipas kësaj dispozite dhe për përcaktimin e dispozitës të dozës së vogël të lëndës narkotike dhe psikotrope për efekt të zbatimit të dispozitës të nenit 283 të Kodit Penal duhet të bëhet me ndihmën e specialistëve të fushës toksikolog të thirrur si ekspertë dhe rast pas rasti, jo vetëm sipas llojit të lëndës narkotike dhe psikotrope por edhe të cilësive fizike,  biologjike dhe shkallës së varësisë nga droga të personit konkret, mbajtës të lëndës narkotike dhe psikotrope.

Anila Hoxha: Zoti gjyqtar, ju jeni i mendimit që ka ardhur koha që të penalizohet edhe ai shtetas, i cili është përdorues droge apo si mund të frenohet pikërisht ky boshllëk që vazhdon të jetë aktual dhe që në fakt është rregulluar vetëm me një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2008?

Sandër Simoni: Unë mendoj se ka dy zgjidhje . E para, është që në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal. Duke parë tendencën e gjithë legjislacioneve të tjera të së drejtës kontinentale që është përcaktimi dhe referimi sipas kriterit juridiko-mjekësor të sasisë dhe llojit të lëndës narkotike, e cila duhet të prezantohet në norma të caktuara rregullative dhe jo të lihet në mënyrë evazive në formulime të përgjithshme ligjore, siç janë këto  që përmendëm dhe komentuam ne më sipër. Një mundësi tjetër është penalizimi sërish i veprës penale të përdorimit të lëndës narkotike siç ka qenë më përpara, duke ndryshuar, duke përcaktuar masa dënimi të lehta që të lënë mundësi aplikimin e masave  alternative të pezullimit të ekzekutimit me burgim  dhe masave alternative siç janë ato për shembull të detyrimit për t’iu nënshtruar programit terepautike-mjekësore. Për shkak, sepse mungesa e penalizimit të përdorimit të lëndës narkotike nuk lejon mundësinë që përdoruesit e lëndës narkotike t’i nënshtrohen masave detyruese të cilët mund t’i pengojnë ato për të përdorur më tej lëndën narkotike. Duhet që në kuadër të këtyre ndryshimeve në Kodin Penal është e këshillueshme që të mos kemi të njëjtën parashikim në nen si të shitjes, prodhimit të substancës apo të përdorimit vetjak. Por, të vijohet me specifikimet e normave të veçanta duke bërë këtë rregullim që përcaktojnë sasinë maksimale të përdorimit të çdo lënde narkotike, duke bërë dispozitën më të plotë për të mos krijuar më tej probleme. Ky është prerogativë e ligjvënësit, por tashmë duhet bërë një analizë në qoftë se numri i përdoruesve i lëndëve narkotike është shtuar. Kjo përbën një rrezik për mjedisin social dhe kohezionin social të vendit tonë, aq më tepër që sot përdoruesit e lëndëve narkotike mund të jenë subjekte të veprave penale të tjera të shkaktuara nga gjendja psiko-fizike e tyre apo psiko-analitike e tyre që vjen nga përdorimi i lëndëve narkotike si përdorues të mjeteve, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor apo kryerjes së veprave penale të tjera. Ka legjislacione që në fakt evidentojnë qartë që kur kryhen vepra penale për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike në ushtrim të funksionit, apo në kryerjen të një shërbimi,  por është e lehtë nisur edhe nga statistikat e procedimeve penale apo nga analiza e çështjeve që ne kemi në kolegjin penal të Gjykatës së Lartë evidentohet qartë që numri i çështjeve të  personave të cilët hiqen si përdorues të lëndës narkotike dhe në fakt janë gjetur fajtorë për shpërndarjen dhe  tregtimin e lëndës narkotike është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit.

Anila Hoxha: A ka ndikuar ky vakum që pikërisht këta përdorues apo pseudo përdorues ta shfrytëzojnë vakumin ligjor dhe ndërkohë të vazhdojnë të tregtojnë drogë dhe të shpërndajnë drogë?

Sandër Simoni: Them që ka të bëjë me rritjen e fenomenit të kultivimit të lëndës  narkotike dhe të kalimit transit të lëndës narkotike të llojeve të tjera në Shqipëri. Unë më përpara siç ju e dini, kam patur eksperiencë e të punuarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe e kam drejtuar këtë gjykatë dhe jam në dijeni të statistikave që kemi patur në kompetencë të këtij procedimi të posaçëm. Kemi patur vepra penale të trafikimit të lëndëve narkotike apo kultivimit në mënyrë të organizuar të saj. Këto kanë qenë pasojat. Mendoj që në këto vite është shtuar numri i përdoruesve të lëndës narkotike pasi një pjesë e personave që merren me trafikimin e  lëndës narkotike apo me shitjen apo tregtimin e lëndës narkotike, për rrjedhojë për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale janë edhe konsumatorë të saj. Por edhe qarkullimi  i sasive të lëndëve narkotike, qoftë për tranzitim apo qoftë si vend burimor sjell në mënyrë të paevitueshme konsumimin e saj kryesisht tek të rinjtë që është një fenomen negativ për shoqërinë tonë.

Anila Hoxha: Ne e dimë të gjithë që nuk ka statistika fikse sesa është numri real i përdoruesve. Do të duhej në fakt të ishte ngritur një database, që do të evidentonte të dhënat e atyre shtetasve të cilët kanë nevojë për tu trajtuar. Nga ana tjetër, pavarësisht referimeve të policive lokale me të rinjtë të cilët konstatohen me doza të papërfillme, në përfundim çështjet ose mosfillohen ose pushohen për shkak të përgjigjeve të caktuara që mjekësia ligjore kthen pas dhe dërgon pranë organit të akuzës, duke konfirmuar se i dyshuari është një përdorues dhe siç thatë ju një posedues i dozave të vogla dhe për pasojë ndaj tij nuk duhet që të ngrihet një akuzë penale për shpërndarje të drogës. Keni ju disa raste kultivuesish që mund të ishin edhe përdorues apo të rinj të cilët ishin përdorues dhe shantazhuan njëri-tjetrin ?

Sandër Simoni: Po, kemi patur në disa raste jo vetëm në vepra penale të shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie dhe ato të kultivimit, përdorin lëndë narkotike për shkak të faktit që janë  impulvuar për shkak të kalimit transit të lëndës narkotike jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kemi patur viktima, gra, të reja, por edhe në moshën e miturisë të cilët kanë qenë të detyruar që të përdorin lëndën narkotike. Gjithashtu, në rastet e kultivimit të bimëve narkotike kemi patur persona të cilët kanë rezultuar të toksikuar për shkak të përdorimit dhe kontakteve me lëndën narkotike gjatë procesit të përpunimit, por edhe për persona të cilët kanë qenë të detyruar që ta konsumojnë lëndën narkotike pikërisht me këtë qëllim për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

Anila Hoxha: Keni hasur ju, gjatë karrierës tuaj si gjyqtar apo edhe tanimë në Gjykatën e Lartë, individë të cilët janë përdorues në moshë të mitur dhe cila është mosha më e vogël që ju keni ndeshur në këto fashikuj gjyqësor, të përdorimit të drogërave dhe a mund të na thoni shumica e atyre njerëzve që janë dorëzuar si të akuzuar në gjykatë, çfarë lloj droge përdorin më shumë?

Sandër Simoni: Mosha e përdoruesve të lëndës narkotike është bërë si gjendje fakti në çështjet që kemi ne, në gjykim. Rezulton se është ulur drejt moshës së të rinjve, por përfshin edhe moshën e miturisë, si  kriter ligjor, atë që nga 17 vjeç deri në 21-24 vjeç, fatkeqësisht. Rezulton që numri më i madh i përdoruesve lidhet me përdorimin e lëndës narkotike, atë të karakterit voluminoz të vendit tonë që është kanabisi. Por, nga çështjet që kemi në gjykim rezulton që sigurisht heroina, kokaina apo ekstazia janë akoma lëndë narkotike të cilat në një masë kanë gjetur përdorim në ambientet shoqërore tonat.

Anila Hoxha: Cilat janë qytetet që prodhojnë më tepër të akuzuar apo përdorues?

Sandër Simoni: Por kryesisht qytetet e mëdha, normalisht kryeqyteti Tirana, rezulton që ka numrin më të madh të çështjeve, të cilat diskutohen. Në diskutim nëse janë përdorues apo shpërndarës të lëndëve narkotike.

Anila Hoxha: Dhe kultivimi ?

Sandër Simoni: Harta e kultivimit është e tillë që ka patur një shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Tashmë, shpresojmë që ky fenomen është në zvogëlim nga vitet e fundit, por nga eksperienca e çështjeve që ne kemi në gjykim, ato që kanë qenë në gjykim  në Gjykatën e Krimeve të Rënda apo në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deri kur e kishte në kompetencë kultivimin e lëndës narkotike apo krijimit të grupit të strukturuar kriminal apo ato që kemi sot na rezulton që kjo hartë shtrihet në disa pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, por shpresojmë dhe duket qartë që të jetë në zvogëlim.

Anila Hoxha: Cilat kanë qenë vitet kur është shënuar më tepër bum për veprën e kultivimit të kanabisit apo edhe trafikut të kësaj droge nga Shqipëria me destinacion vendet e tjera ?

Sandër Simoni: Numri më i madh i çështjeve të ardhura në gjykatë është ai i viteve 2016-2017, ku numri i çështjeve të kultivimit të bimës narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal, por edhe të trafikimit të lëndës narkotike të kanabisit u rrit në një masë të madhe në statistikat zyrtare të cilët tashmë dihen. Ndërkohë që vitet e fundit pastaj ky fenomen ka qenë në rënie. Faleminderit ju, Anila.

Prokuroria më e madhe në vend ajo e Tiranës pranon se për të njëjtën kohë policia e kryeqytetit i referoi dosjet për gati gjysmën e këtyre çëshjeve në rang vendi me një shifër prej 4740. Por megjithë këto të dhëna, si të akuzuar përfunduan në gjykatë 663 prej tyre u ngrit akuza e shpërndarjes. Për të tjerët hetimi u pushua apo u mos fillua, sepse prokurorët konstatuan se dozat ishin të papërfillshme dhe se poseduesi ishte përdorues, një konkluzion i bazuar në përgjigjjet e Policisë Shkencore dhe të Mjekësisë Ligjore. Shefi i antidrogës Rezar Velmishi është me ne i ftuar në këtë episod, për të na treguar se çfarë duhet bërë veç ndryshimit të ligjit për narkotikën.

Rezar Velmishi – Shef i antidrogës në policinë e shtetit 

Anila Hoxha: Si ka mundësi kaq shumë të dhëna për të arrestuar dhe për të ndaluar dhe në përfundim mjekësia ligjore, po edhe prokuroria veçanërisht,  prokuroria  i mosfillon dhe i pushon hetimet? Është ky një dështim i policisë për të goditur rrjetet e shpërndarësve të drogës dhe shpërndarësit e vërtetë?

Rezar Velmishi: Faleminderit për pyetjen. Jo unë nuk do të thoja, nuk është një dështim i Policisë të Shtetit. Policia e Shtetit për çdo shkelje të ligjit, pra çdo identifikim që lidhet me veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, nuk ka rëndësia sasia e lëndës narkotike, është e detyruar sipas ligjit që këtë vepër penale, pra së bashku me autorët të lëndëve narkotike të identifikuar së bashku me autorin apo autorët ta referojë pranë prokurorive përkatëse dhe në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve të juridiksionit të përgjithshëm ato ndjekin në vijëmësi hetimin.

Rezar Velmishi

Anila Hoxha: Pse pushohen?

Rezar Velmishi: Kjo ka një sërë arsyesh juridike-penale për të cilat prokuroria mund t’i japë sqarime më të hollësishme dhe më të sakta, përsa i përket aspektit ligjor. Por, policia e ka një nga objektivat dhe nga prioritetet e saj të rëndësishme dhe vendimtare luftën kundër narkotikëve në mënyrë të veçantë . Kohët e fundit, Policia e Shtetit ka organizuar disa operacione të suksesshme si “Tempull 1” dhe “Tempull 2” duke spastruar perimetrin në mënyrë të vecantë perimetrin pranë shkollave, kjo e kthyer një nga prioritetet e policisë së shtetit, duke mbajtur shkollat dhe institucionet arsimore të pastra dhe larg drogës, larg narkotikëve.

Anila Hoxha: Pse nuk përdor policia metoda sikurse mund të jenë blerje të stimiluara, përgjimet e  antidrogës, vëzhgimet?

Rezar Velmishi: Policia e Shtetit, në punën e saj të përditshme i përdor të gjitha metodat speciale të hetimit të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Është e vërtetë që shumica ose një pjesë e personave që ne referojmë pranë prokurorive gjatë hetimeve dokumentohet që lënda narkotike, që ne ua kemi gjetur në posedim rezulton të jetë për përdorim vetjak. Dhe kjo mund të jetë një nga arsyet e pyetjes së parë. Ka një rritje. Mund të them që Policia e Shtetit është shumë e fokusuar në luftën kundër narkotikëve, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Anila Hoxha: Z.Velmishi, si funksionojnë rrjetet e shpërndarjes së drogës në Shqipëri?

Rezar Velmishi: Ka një karakteristikë, zonja Hoxha. Ata që janë përdorues, kryesisht janë edhe shpërndarës.

Anila Hoxha: Rrjetet kanë drejtues, kanë furnizues? Ju thatë pak më herët që ju pastruat shpërndarësit, ata individë që merren me…?

Rezar Velmishi: Jemi duke i pastruar.

Anila Hoxha: Jeni duke pastruar ata shpërndarës që operonin kryesisht në afërsi të shkollave?

Rezar Velmishi: Si janë të organizuar grupet e shpërndarësve, siç e thashë në grupe, në minigrupe të vogla, në grupe të vogla, por nuk përjashtohen edhe ato grupet e strukturuara, por këto janë më tepër të përfshira, në drogëra të forta dhe përtej kufijve.

Anila Hoxha: Çfarë të dhënash ju sollën dy operacione “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”?

Rezar Velmishi: Ne kemi goditur anëtarë të grupeve kriminale, pra edhe në operacionin e parë dhe në operacionin e dytë është bërë e qartë sesa individë janë arrestuar, proceduar në gjendje të lirë, shpallur në kërkim apo goditur anëtarë të grupeve kriminale. Gjithmonë tendenca e cdo lloj aspekti, pra kriminal është rekrutimi. Rekrutimi në një moshë të herët, aty synohet. Kemi shumë të rinj të përfshirë, të identifikuar të përfshirë në aktivitete kriminale, jo vetëm tek narkotikët.

Anila Hoxha: A kemi një shifër të përafërt të numrit të përdoruesve në rang vendi?

Rezar Velmishi: Policia e Shtetit administron të dhënat, mban statistika të të arrestuarve, të ndaluarve , apo në databazat e saj të personave me precedent kriminal. Ndërsa të dhënat për përdoruesit, përgjigjja më e saktë do vinte nga Ministria e Shëndetësisë.

Anila Hoxha: Për cilën kategori droge shoqërohen më shumë apo ndalohen shtetasit shqiptarë?

Rezar Velmishi: Do të rendisja marijuanën, pra rastet më të tepërta i kemi në posedimin dhe trafikimin e marijuanës. Kjo nisur edhe nga fakti sepse kjo lloj lëndë narkotike është një lloj lënde që kultivohet në territorin tonë, sikurse është i prekur nga ky fenomen edhe i gjithë Ballkani. Në vend të dytë është kokaina.

Anila Hoxha: Po kokaina pse?

Rezar Velmishi: Sepse kokaina është një lloj droge e cila vjen e eksportuar në Shqipëri, në Europë, do të rendisja në radhë të parë pastaj dhe në Shqipëri, nga Amerika Latine.

Anila Hoxha: Dhe më pas në vend të tretë?

Rezar Velmishi: Në vend të tretë janë përdoruesit e heroinës. Por së fundmi, mund të theksoj që kemi patur edhe disa raste të identifikimit të lëndëve narkotike sintetike, por këto në disa raste gjatë sezonit të verës në zonat bregdetare dhe kryesisht kemi arrestuar shtetas të huaj. “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, më lejoni të  theksoj është një nga operacionet policore më të suksesshme. Këta persona mund të kenë qenë aty. Por në të shkuarën nuk është bërë një kontroll kaq i imtësishëm dhe i detajuar.

Anila Hoxha: Pse nuk është bërë?

Rezar Velmishi: Sepse shumë gjëra vijnë me kohën, teknologjia avancon, besueshmëria në institucionin e Policisë së Shtetit është shumë i fortë. Kemi shumë informacion dhe thashë jemi të suksesshëm sepse ne kemi një partner të jashtëzakonshëm, i cili është qytetari.

Anila Hoxha: Kjo tregon që qytetarët po i japin policisë të dhënat dhe informacione ndaj shpërndarësve, ndaj çfarë ndodh në lagjen e tyre, aty poshtë pallatit, afër shtëpisë?

Rezar Velmishi: Ka një fluks të shtuar të informacioneve të ardhura nga qytetarët pasi ndoshta kanë parë që policia me informacionet që ata ndajnë vendoset në veprim, ka rezultate. E shikojnë që për ato  shqetësime, ata që kanë dalë tek lagjia, tek cepi i  shkollës ose tek muri i shkollës dikush bën disa veprime të dyshimta i ka parë që strukturat policore i kanë marrë në konsideratë edhe nëse nuk kanë arritur t’i dokumentojnë kanë dërguar njerëz kanë bërë verifikime. Se nuk domethënë që 100 të rasteve që ne dyshojmë apo marrim informacione rezultojnë ashtu siç raportohen. Operacionet “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2” ishin operacionet me fokus kryesor shkollat. Pra, në mënyrë të veçantë ato parauniversitar në gjithë vendin. Numrin më të madh të arrestuarve ne e patëm në Tiranë. Nëse flasim për një perimetër në shkollë, kuptojmë një largësi përreth 50 metra nga muri i shkollës tek lokali përballë tek kioska tek piceria, tek çdo lloj objekti aty pranë apo lulishte.

Ishim me shefin e anidrogës në Shqipëri, që na tregoi se deri në këtë fazë të aksioneve janë dërguar në pranga shpërndarës drogrash që operonin në afërsi të shkollave. Por duhet thënë lufta ndaj drogës nuk është eskluzivitet vetëm i autoriteteve të drejtësisë, që megjithatë janë hallka më e rëndësishme. Por edhe pushteti vendor është po aq i rëndësishëm pa lënë mënjanë edhe institucionet arsimore. Për rikuperimin e personave të varur nga droga, bashkohet në episodin “Thuaji jo drogës”.

Andrin Tahiri – Shefi i toksikoligjisë në spitalin Nënë Tereza

Anila Hoxha: Mirëmbrëma. Çfarë duhet të ketë parasysh kushdo i cili konstaton dhe ka dyshime se një i afërmi i tij mund të jetë përdorues droge dhe ku mund të drejtohet kushdo që është përdorues droge dhe do ta luftojë varësinë për të kërkuar ndihmë?

Andrin Tahiri: Tashmë fenomeni i drogës në Shqipëri nuk është diçka e re. Qoftë si staf mjekësor por edhe familjet shqiptare deri diku e kanë një lloj informacioni dhe janë të përgatitura. Problemi është në cilën moment ata kanë këtë lloj qasje për fëmijën e tyre? Realiteti i sotëm është që fenomeni i drogës po bëhet pjesë e kulturës të adoleshentit. Kjo mendoj se është problematika, jo droga.

Andrin Tahiri

Anila Hoxha: Doktor, kjo domethënë se ka zbritur mosha e përdoruesve?

Andrin Tahiri: Po, trendi është në ulje. Pra, trendi është në klasat e nënta. Sidomos për marijuanën.

Anila Hoxha: Po flasim vetëm për Tiranën apo në të gjithë Shqipërinë?

Andrin Tahiri: Jo, nuk mund të thuash masive. Janë raste të izoluara në këto mosha, janë raste tek-tuk që kapen ose më mirë vigjilenca e prindërve të cilët vijnë, kërkojnë të këshillohen kanë një lloj qasje për të ditur problematikat që mund të kenë fëmija e tij adoleshent. Diku nga kurioziteti, diku nga ato problematikat e pashmangshme të moshës që nuk përballen, diku tjetër nga një presion i komunitetit që kanë eksperiencat me drogat. Mund të shkojnë viktima të kësaj problematike. Por prindërit duhet të jenë ato të parët që duhet të vënë re ndryshime sjellore, të këshillohen, patjetër të orientohen aty ku duhen dhe patjetër pse jo mund të vijnë edhe të këshillohen në Shërbimin e Toksikologjisë-Adiktologjisë Klinike në QSUT. Është shërbim unik, kombëtar.

Anila Hoxha: Aty trajtohen në mënyrë periodike apo vijnë paraqiten dhe largohen?

Andrin Tahiri: Periodike. Ka raste të cilët kërkojnë hospitalizim në spital ku marrin trajtimin multidisiplinor. Ka raste të cilët trajtohen ambulatorisht, pra ne i themi sipas shprehjes tonë si pacientë të jashtëm. Në bazë të substancave që përdorin është edhe mjekimi farmako-terapia.

Anila Hoxha: Sa është numri i pacientëve që po trajtohen aktualisht?

Andrin Tahiri: Pacientët të cilët kanë marrë asistencë mjekësore të mirëfilltë, pra duke futur dhe pacientë, të cilët janë shtruar dhe kanë marrë asistencën mjekësore dhe ata të trajtuar ambulatorisht, pra që janë me follow up që i themi ne, që i ndjekim, që është e shtrirë në kohë do të jetë diçka tek 400 pacientë në vit. Por mos të harrojmë që janë pacientë kronikë. Pra, përdorues të stimulantëve, lëndës drogë kokainë, të marijuanës, të lëndës drogë heroinë. Vijnë shtrohen për të konvertuar nga lënda droge heroinë në metadon apo si alternativë në buprenorfinë, marrjen e asistencës mjekësore, nëse jemi përballë çrregullimeve sjellore ku këtu mund të nxjerr në pah dhe problematikat e shëndetit mendor, atëherë dilema jonë është pra puna është multidisplinore.

Anila Hoxha: Numri më i madh i pacientëve janë përdorues të heroinës, kokainës apo trajtoni edhe pacientë dhe adoleshentë që përdorin lëndën narkotike kanabis-sativa?

Andrin Tahiri: Nga të dhënat e fundit, përdoruesit e lëndës drogë heroinë janë në një pozicion stacionar, pra plus minus me lëvizje të vogla. Trendi është tek përdoruesit e lëndës drogë kokainë, tek njerëzit që kanë buxhet, kurse tek këto moshat e reja trendi është për marijuanën meqënëse është droga edhe më e lirë.

Anila Hoxha: Të cilës kategori janë përdoruesit e kokainës?

Andrin Tahiri: Droga nuk zgjedh. Mund të përfshijë në kthetrat e veta edhe njeriun më të pasur, njeriun më të edukuar, ashtu edhe ai  që është i pastrehë, apo homeless që i themi ne. Droga po të futi në kthetra të mban.

Anila Hoxha: Ne trajtuam historinë e një avokati i cili nga një avokat dhe mbrojtës i të dyshuarve dhe të akuzuarve ai, sot gjendet i paraburgosur në një burg në Shqipëri. Pikërisht këtij degradimit dhe të këtij robërimi nga varësia e drogës. Por pyetja ime ishte në një aspekt tjetër. Është deri diku si klishe, por në këtë bisedë do ta ndajmë së bashku. Konsiderohet si droga e VIP-ave, e të pasurve, kush e përdor kokainën sot?

Andrin Tahiri: Janë ata njerëz të cilët kanë një buxhet. Jo kushdo mund të involvohet  dhe ta blejë. Është tjetër gjë mekanizmat që detyrohesh të futesh nëpër problematika, të abuzosh, të mashtrosh, të vjedhësh për të siguruar lëndën drogë. Fillojnë mungojnë gjërat nëpër shtëpi. Për të siguruar lëndën drogë dhe kur paraqiten tek ne, për asistencë mjekësore, fillon debati midis prindërve “Jo fajin e ke ti sepse e ke përkëdhelur. Jo fajin e ke ti, se kam unë. Sepse ti i jep lekë”. Pra aty ku ka buxhet ato fillojnë dhe përsërisin ritualin e marrjes së lëndës drogë deri sa futen në një lloj rreth viciozi që bëhen përdorues kronikë. Dhe në këtë moment në mos në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, do tentojnë të sigurojnë buxhetin për të marrë lëndën drogë.

Anila Hoxha: Para pak kohësh, Policia e Shtetit nisi një test kontrolli për oficerët e policisë nëse ishin apo jo përdorues droge. Keni ju pacientë që mund të kenë qenë oficerë policie dhe që janë përdorues droge? Apo edhe politikanë?

Andrin Tahiri: Po pse moj zonja dhelpër do të them unë që bardhoshja ka ditëlindjen?

Anila Hoxha: Kështu më je përgjigjur edhe në emisionin “Exclusive”. Të njëjtën përgjigje më ke dhënë.

Andrin Tahiri: Normalisht, që unë do të ruaj profesionalizmin.

Anila Hoxha: Pa emra.

Andrin Tahiri: Mjekët i shërbejnë kujtdo. Thashë edhe më përpara arrita të mbyllja deri në 3 fjalë “që droga nuk zgjedh.”

Anila Hoxha: Doktor, Qendra “FOL” para dy vitesh monitoroi trendin e shpërndarjes së drogës dhe efiçencën e institucioneve të drejtësisë sesi ato e parandalojnë, e godasin dhe i dënojnë individët që janë të implikuar në këto fenomene. Dhe konstatuam që midis një fashë grupmoshe që janë pikërisht adoleshentët kishte mjaft të mitur të cilët ishin fëmijë oficerë policie, fëmijë edhe gjyqtarësh, fëmijë prokurorësh që kapeshin me doza të vogla. Vazhdon të jetë i njëjti fenomen? E keni ndeshur një problematikë të tillë të adoleshentëve të cilët janë fëmijë biznesmenësh, fëmijë gjyqtarësh, prokurorësh e kështu me radhë?

Andrin Tahiri: Është e vërtetë. Ky lloj fenomeni është i vërtetë.

Anila Hoxha: Nga ajo që ju prekni cdo ditë, a konsumojnë adoleshentët edhe drogëra të tjera?

Andrin Tahiri: Ka raste patjetër. Janë disa drogëra, janë disa stimulantë, është një lloj ekstazi. Ka raste për shembull me ketaminë pra këto janë raste sporadike. Por droga bazike kjo është marijuana që thashë që është pak më e lirë për adoleshentët. Kokaina për njerëzit që kanë buxhet dhe këto stimulantët e tjerë që janë droga të tjera që më shumë i përdorin për ambiente për party ose nëpër festa.

Anila Hoxha: A kemi ne qendra mjaftueshëm për rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të drogës?

Andrin Tahiri: Ky është një element për shembull që ne e kemi të nevojshëm. Madje e mendoj në të gjithë zinxhirin e  shëndetit publik. Hallka e vetme që mungon është follow up. Pra Shërbimi i Toksikologjisë-Adiktologjisë klinike është një shërbim, tashmë i konsoliduar si në staf, si në burime njerëzore, si në eksperiencë, si edhe në mundësinë që jep. Por, problemi është që një pacient duhet një trajtim. Ka një proces afatgjatë, me ndërhyrje të shumëfishta dhe me një monitorim në dinamikë. Problemi është që mbas daljes nga spitali, mbas përcaktimit të diagnozës, mbas përcaktimit të programit se çfarë do bëhet, ky pacient nxirret në tregun e rrugës përsëri dhe relapset janë të pranishme. Pra, prania e një qendre rehabilitimi multidisiplinore rezidenciale afatgjatë mendoj se do të ishte  një zgjidhje goxha e mirë për t’i ardhur në ndihmë këtij grupi, njerëzit që kanë nevojë.

Anila Hoxha: Një mesazh të fundit ndaj kujtdo që na ndjek?

Andrin Tahiri: Të rinjve, adoleshentëve, kushdo që ju ofron drogë mos i besoni. Jeni dyshues. Droga të mira nuk ka. Të gjitha janë toksike. Doja të thoja edhe prindërve. Prindër, t’i pranoni fëmijët ashtu sic janë me problematikat e adoleshencës  dhe të përpiqen të jenë sa më bashkëpunues në zgjidhjen e këtyre problematikave. Kaq mund të thoja si prind dhe si mjek.

Anila Hoxha: Ishim me zotin Andrin Tahiri. Ju falenderoj!

*Podcast-i është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it /ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Për më tepër klikoni në linkun e mëposhtëm;

https://www.topalbaniaradio.com/v7/category/fol/

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS