PODCASTI ” RRËFE…” EPISODI 6:“Dhuna ekonomike i mban gratë të varura”, Aurela Anastasi: Ligji ka mangësi!
Përjashtimi i grave nga pronësia është një nga faktorët kryesorë që i mban ato ekonomikisht të varura dhe u kufizon mundësinë për të ushtruar plotësisht të drejtat e tyre. Aurela Anastasi, pedagoge e të drejtës kushtetuese në një intervistë për podcast-in “RRËFE” thekson se ende prona mbetet “ekskluzivitet” i burrave. Mungesa e pronësisë, sipas saj, nuk ndikon vetëm te siguria ekonomike, por i bën gratë të varura nga burrat/partnerët.
Po ashtu, përjashtimi nga pronësia u mohon atyre mundësinë për të marrë kredi, për të përfituar nga fondet e bujqësisë në rastet kur janë fermere, si dhe për të lënë pasurinë e tyre në trashëgimi. Ajo shpjegon se kjo nuk është vetëm çështje mentaliteti, por në disa raste edhe vetë ligji ka mangësi.
Anastasi sjell si shembull procesin e rindërtimit pas tërmetit, ku vetë zbatimi i ligjit prodhoi efekte diskriminuese, pasi përfituesit e fondeve ishin në pjesën dërrmuese të rasteve në emër të burrave, duke lënë gratë jashtë pronësisë.
Në këtë rrëfim të gjatë, Anastasi nënvizon rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe edukimit të grave dhe burrave për të drejtat pronësore dhe bashkëpronësinë, si një hap i domosdoshëm për të garantuar barazi ekonomike, për të fuqizuar gratë dhe për të parandaluar konfliktet mbi pronën në rastet kur çiftet përballen me ndarje ose mosmarrëveshje.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë në youtube:

Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias Qendra Fol dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.



