“Të përjashtuara nga pasuria”: Si i mban pabarazia ekonomike gratë shqiptare në ciklin e dhunës

Përgjatë 14 viteve martesë, për Evën, i vetmi vend ku duhej të shfaqej ishte kuzhina e lokalit të familjes poshtë shtëpisë.

“Pavarësisht se punoja 16 orë në ditë, bashkëshorti me kujtonte shpesh se unë mbijetoja vetëm për shkak të tij dhe se çdo pasuri ishte e tija”, – rrëfen ajo, e cila shton se të gjitha pasuritë e përfituara gjatë martesës ishin regjistruar në pronësi të bashkëshortit.

Njëjtë si Eva, një pjesë e madhe e grave në Shqipëri vijojnë të jenë të përjashtuara nga pronësia mbi pasuritë, duke kufizuar sigurinë e tyre financiare. Kjo i bën ato më të cenueshme në raste divorci, dhune në familje apo vështirësish ekonomike, pasi shpesh nuk përfitojnë nga asetet e krijuara gjatë jetës familjare, pavarësisht kontributit që ato mund të kenë dhënë.

E martuar që 17 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, pas 14 viteve martesë dhe punë me dy turne në biznesin e familjes, Eva nuk kishte asnjëherë para të saja për të shpenzuar, duke u privuar nga gjithçka. Privimi prekte edhe marrëdhënien me familjes e saj të cilën e takonte shume rrallë dhe vetëm  në prani të burrit.

“Ish bashkëshorti ushtronte vazhdimisht dhunë psikologjike, me qëllim që të bënte të ndihesha e pavlerë. Dhe në një farë mënyrë ia arriti”, – rrëfen Eva.

Si pasojë, në vitin 2017, për shkak të presionit të madh psikologjik ajo kërkon të divorcin. Këtu filloi një tjetër kalvar vuajtjesh.

“Bashkëshorti pranoi divorcin, por me kushtin që të nënshkruaja një dokument ku hiqja dorë nga çdo pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme, hiqja dorë nga kujdestaria e fëmijëve”, – rrëfen ajo.

“E nënshkrova këtë dokument nën dhunën dhe kërcënimin e tij. Më ka mbajtur të mbyllur 2 muaj në shtëpi deri sa u bë divorci”, – thotë më tej ajo.

Pas divorcit, Eva, u braktis edhe nga familja e saj.

“Menjëherë pasi mori letrat e divorcit, ish bashkëshorti më nxorri nga shtëpia, mi flaku rrobat nga dritarja. Shkova tek familja ime, por ata nuk më pranuan pasi më fajësojnë mua për divorcin dhe “për turpin” që u shkaktova”, – rikujton gjithë dhimbje Eva.

E mbetur mes katër rrugëve, fillimisht u strehua tek disa të afërm të saj dhe më pas iu drejtua një qendre për mbrojtjen e grave kundër dhunës, ku asistohet për një vit nga psikologë.

“Më është dashur shumë kohë të ngrihem në këmbë. Gjatë kësaj periudhë ish bashkëshorti nuk më linte as ti takoja fëmijët dhe kjo është e padurueshme për një nënë. Kjo ishte ajo pika që mbushi kupën”, – rrëfen Eva mes lotësh.

“Që prej vitit 2019 kam hapur nisur betejën ligjore për të kërkuar të gjitha pasuritë e përfituara gjatë martesës. Është e vështirë ta provosh, se duhen dokumente, pagesa, por unë nuk kam asgjë… por unë jam e vendosur ti shkoj deri në fund. Kam punuar për vite me radhë 16 orë në ditë tek ai biznes dhe nuk do ta fal djersën time”, – thotë Eva e vendosur.

Për shumë gra në Shqipëri, ky realitet i ashpër është normalitet, duke e bërë largimin nga dhuna në familje shpesh herë një sfidë ekonomike.

“Dhuna ekonomike është një nga format më pak të dukshme të dhunës, por një nga mekanizmat më të fortë të kontrollit që ushtrohet ndaj grave. Ajo mund të shfaqet përmes ndalimit të punësimit, kontrollit të të ardhurave, mohimit të aksesit në para apo detyrimit të gruas të varet plotësisht nga partneri për nevojat bazë”, – shpjegon Marsela Allmuça nga strehëza “Edlira Haxhiymeri”.

Edhe të dhënat e raportuara janë dramatike duke e bërë dhunën në familje “krimin” më të zakonshëm në Shqipëri. Të dhënat e Instat flasin për një realitet mjaft tronditës. Vetëm në 6 vite, më konkretisht për periudhën 2020-2025 në polici janë raportuar 28 933 raste të dhunës në familje dhe janë lëshuar 17 535 urdhra mbrojtjeje. Për të njëjtën periudhë, 71 gra dhe vajza kanë humbur jetën.  Ajo që është shqetësuese është fakti se rastet kanë ardhur në rritje.

Ndërsa Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm kuadrin ligjor për mbrojtjen e grave dhe luftën kundër dhunës në familje, ekspertët, juristët dhe organizatat që punojnë me viktimat ngrenë alarmin se mijëra gra  vazhdojnë të qëndrojnë në marrëdhënie abuzive, jo sepse nuk e kuptojnë dhunën, por sepse nuk kanë siguri ekonomike për të ndërtuar një jetë të re.

Sipas Marsela Allmuçës varësia ekonomike është në fakt një nga arsyet kryesore pse shumë gra vonojnë raportimin e dhunës ose rikthehen tek autori i dhunës edhe pasi kanë kërkuar ndihmë.

“Frika se si do të sigurojnë strehimin, ushqimin, kujdesin për fëmijët apo mbijetesën e përditshme shpesh bëhet më e fortë se vetë vendimi për t’u larguar nga dhuna” – sqaron ajo.

Edhe ekspertët ligjorë konfirmojnë se konfliktet më të ashpra pas divorceve lidhen pikërisht me çështjet e pronësisë, banesës dhe burimeve financiare. Në shumë raste, gratë përfundojnë duke u larguar nga martesa pa asnjë aset në emrin e tyre dhe pa mundësi reale për të siguruar strehim për veten dhe fëmijët.

Elona Saliaj, notere, thotë se ligji shqiptar garanton mbrojtjen e të drejtave pasurore të grave, por në praktikë, shumë prej tyre përfundojnë të përjashtuara nga pasuria familjare, pa strehim dhe pa mundësi financiare për të mbajtur fëmijët. Sipas saj pikërisht këtu nis zinxhiri që lidh varësinë ekonomike me dhunën psikologjike, fizike dhe sociale.

“Moszbatimi dhe mosaplikimi i saktë i ligjit, sjell pasiguri dhe konflikte në familje, dhunë psikologjike dhe fizike për gratë, të cilat nuk marrin guximin të denoncojnë sepse nuk kanë ku të jetojnë”, – thotë Saliaj, e cila ka pritur në zyrën e saj me qindra gra që janë përjashtuar nga pasuritë e familjes.

 Alarmi përtej shifrave

Sipas të dhënave të gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, të vënë në dispozicion të Qendrës “FOL”, nga 1 nëntori 2025 deri më 20 prill 2026 janë lëshuar 1143 urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje. Nga këto, 1057 ose 92 % e tyre janë kërkuar nga gra. Policia e Shtetit, nga ana tjetër, për periudhën nëntor 2025 – maj 2026 i tha Qendrës “FOL” se ka kërkuar urdhra mbrojtjeje në gjykatë për 1491 raste.

Gjeografia e këtyre urdhrave mbrojtës ekspozon edhe qarqet ku dhuna është më prezentë apo e raportuar. Përgjatë këtij harku kohor prej 6 muajsh,  në Fier janë lëshuar 234 urdhra mbrojtje, ndërkohë në Tiranë, që ka edhe popullsinë më të madhe në vend janë lëshuar 240 urdhra mbrojtje. Më pak dhuna është raportuar në Gjirokastër dhe Vlorë me përkatësisht 22 dhe 30 urdhra mbrojtje të lëshuar.

Por ekspertët besojnë se këto shifra tregojnë vetëm majën e ajsbergut dhe ata sugjerojnë se duhet politika konkrete për të ndihmuar këto kategori.

“Mbrojtja nga dhuna nuk mund të kufizohet vetëm tek urdhrat e mbrojtjes apo shërbimet psiko-sociale. Ajo duhet të shoqërohet me masa konkrete për fuqizimin ekonomik të grave, si punësimi, formimi profesional, mbështetja për strehimin dhe aksesimi i skemave sociale”, – sugjeron Allmuça.

“Në praktikën tonë kemi parë se kur një grua arrin të ketë të ardhura dhe siguri ekonomike, rritet ndjeshëm aftësia e saj për të marrë vendime të pavarura dhe për të ndërtuar një jetë të sigurt larg dhunës”, – thotë më tej ajo.

Kur prona përcakton lirinë

Në zyrën e saj noteriale në Tiranë, Elona Saliaj thotë se ka pritur me qindra gra, viktima të dhunës, të përjashtuara nga pasuritë e familjes. Ato kërkojnë këshillim juridik.

“I kam pyetur këto gra se pse nuk denoncojnë dhunën, pse nuk kërkojnë divorc? Përgjigjja ka qenë e njëjtë: nuk kam pasuri dhe të ardhura që të rris fëmijët! Dhe kjo është një kambanë alarmi”, – thotë Saliaj, e cila shpjegon se kjo përgjigje nxjerr në pah një problem që shpesh mbetet jashtë statistikave të dhunës në familje: mungesën e fuqizimit ekonomik të grave.

“Zbatimi korrekt i legjislacionit për të drejtat pasurore të grave u jep atyre siguri, pavarësi dhe mundësi për të marrë vendime pa u ndjerë të kërcënuara nga varfëria. Por kur ligji nuk zbatohet ose interpretohet gabim, pasojat shkojnë përtej një konflikti pronësie”, – shpjegon ajo.

“Ato shndërrohen në konflikte familjare, varësi ekonomike dhe, në shumë raste, në dhunë”, – saktëson më tej ajo.

Në strehëzën “Edlira Haxhiymeri”, historia e grave të dhunuara tregon një realitet të ashpër. Sipas drejtuesve të qendrës, format më të zakonshme të dhunës nuk janë domosdoshmërisht ato fizike dhe dhuna psikologjike, kontrolli i vazhdueshëm, izolimi social dhe kontrolli ekonomik mund të zgjasin me vite përpara se të shfaqet një episod i dhunës fizike.

“Dhuna ndaj grave mund të marrë forma të ndryshme: fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike dhe, së fundmi, gjithnjë e më shumë edhe dhunë digjitale. Shumë gra përballen me fyerje, kërcënime, izolim nga familja dhe miqtë, kontroll të lëvizjeve, kontroll të telefonit apo rrjeteve sociale, si dhe kufizim të aksesit në të ardhurat familjare”, – thotë Allmuça.

“Shqipëria vazhdon të jetë një kontekst ku dhuna ekonomike dhe veçanërisht dhuna seksuale mbeten forma të nënraportuara të dhunës. Normat kulturore, stigma sociale, turpi, frika nga gjykimi dhe perceptimi se marrëdhëniet intime janë çështje private bëjnë që shumë gra të mos i identifikojnë ose të mos i raportojnë këto forma të abuzimit”, – sqaron më tej ajo.

Sipas ekspertëve që punojnë me gratë e dhunuara fuqizimi ekonomik nuk është vetëm një instrument zhvillimi social, “por një element thelbësor i mbrojtjes dhe parandalimit të dhunës ndaj grave”.

Fëmijët, viktimat që nuk përfshihen në statistika

Në shumicën e rasteve, pas çdo episodi dhune qëndrojnë edhe fëmijët. Sipas anketës kombëtare të dhunës ndaj grave, i publikuar nga Instat, rreth 86% e fëmijëve të grave që kanë përjetuar dhunë kanë qenë dëshmitarë të saj. Psikologët paralajmërojnë se efektet e këtij ekspozimi zgjasin për vite.

“Ankthi, pasiguria, problemet emocionale dhe vështirësitë në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme janë vetëm disa prej pasojave”, – shpjegon Marsela Allmuça.

Për këtë arsye, ato insistojnë se dhuna ndaj grave duhet trajtuar si një problem që prek të gjithë familjen dhe jo vetëm viktimën.

Shqipëria ka forcuar ndjeshëm kuadrin ligjor për mbrojtjen e grave. Mekanizmat e koordinuar të referimit, strehëzat, ndryshimet e fundit ligjore të miratuara me ligjin Nr. 11/2026 kanë forcuar më tej detyrimet e institucioneve, kanë zgjeruar format e dhunës që adresohen nga ligji dhe kanë vendosur standarde më të qarta për mbrojtjen e viktimave.

Por pavarësisht këtyre ndryshimeve ligjore, veçanërisht gratë në zonat rurale po përballen me pengesa të shumta për të raportuar dhunën dhe për të marrë ndihmën që u nevojitet.

“Ekzistenca e mekanizmave nuk garanton automatikisht akses të barabartë për çdo grua. Përvoja jonë tregon se vendbanimi, statusi ekonomik, niveli i informacionit dhe normat sociale vazhdojnë të ndikojnë në mundësinë e grave për të kërkuar dhe përfituar mbështetje”,  – thotë Allmuça.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë që jetojnë në zona rurale apo të largëta, ku shërbimet janë më pak të aksesueshme, transporti është i kufizuar dhe stigma ndaj raportimit të dhunës mbetet e lartë”, – sqaron më tej ajo.

Ekspertët theksojnë se suksesi i sistemit nuk matet nga numri i ligjeve, por nga aftësia për të mbrojtur realisht çdo grua që ka nevojë për ndihmë.

“Përvoja na tregon se ligjet, sado të mira të jenë, nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me investime në shërbime cilësore. Ende kemi nevojë për më shumë punonjës socialë, psikologë, shërbime të specializuara në nivel vendor, mbështetje për strehimin dhe programe të fuqizimit ekonomik, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta”, – përfundon Allmuça.

 

 

Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias Qendra Fol dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin