DPODCASTI ” RRËFE…” EPISODI 5: Dhuna në familje, nënkomisarja Alkanjari: Rastet më të vështira, kur ka fëmijë në mes.
Enkelejda Allkanjari, nënkomisare dhe një ndër ekspertet e dhunës në familje në policinë e Fierit, ka treguar në një intervistë te gjatë për podcast-in “Rrëfe”, mënyrën se si funksionon sot sistemi i denoncimit të dhunës në familje, duke theksuar se reagimi i shpejtë dhe mbrojtja e viktimave mbeten prioritet kryesor i institucioneve ligjzbatuese.
Sipas saj, në shumicën e rasteve viktimat e dhunës telefonojnë fillimisht numrat e emergjencës ose komisariatin më të afërt të policisë. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, strukturat përkatëse aktivizohen për të verifikuar rastin dhe për të garantuar sigurinë e personit të dhunuar. Në raste të konsideruara me rrezik të lartë, ndërhyrja bëhet urgjentisht nga patrullat e policisë dhe paralelisht njoftohen edhe institucionet sociale apo psikologët.
Nënkomisarja shpjegon se viktimave u ofrohet mbrojtje ligjore dhe fizike përmes urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes, strehimit në qendra të posaçme, si dhe asistencës psikologjike e juridike.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas saj, është monitorimi i dhunuesve. Personat e proceduar mbahen nën survejim nga policia dhe strukturat përgjegjëse, sidomos kur ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës apo shkeljes së urdhrave të mbrojtjes. Kontrolli dhe ndjekja e tyre konsiderohen thelbësore për të parandaluar pasoja më të rënda.
Nënkomisarja ndalet edhe te risitë ligjore, duke theksuar se tashmë edhe dhuna digjitale do të trajtohet me të njëjtat masa ndëshkuese si dhuna në familje. Kjo përfshin kërcënimet, përndjekjet, publikimin e materialeve intime, shantazhet apo presionet e ushtruara përmes rrjeteve sociale dhe platformave online. Sipas saj, ligji i ri synon të mbrojë viktimat edhe në hapësirën virtuale, aty ku rastet e abuzimit janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo formë dhune, duke garantuar se çdo kallëzim trajtohet me seriozitet dhe konfidencialitet të plotë.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë në youtube:
https://www.youtube.com/watch?v=Y5hT4k8EGgw

Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias Qendra Fol dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.



