SHARRA MBI PYJET E SHQIPËRISË!

Shfrytëzimi i pyjeve për arsye ekonomike është ndaluar prej 5 vitesh, përmes një moratorium i miratuar në vitin 2016 nga qeveria Rama. Por sopata e krimit ka punuar pa mëshirë edhe këto vite duke shkatërruar qindra hektarë masive pyjore në Shqipëri. Problematika fillon shumë vite më parë. Prej 30 vitesh pyjet e Shqipërisë shfrytëzohen në kundërshtim të plotë me ligjin. 15 vitet e fundit shqipëria ka humbur 30 % të sipërfaqës së pyjeve dhe vlera e saj llogaritet në rreth 1 miliard dollarë fitime nga kompanitë e liçensuara nga shteti, që në të vërtetë i shfrytëzojnë pyjet në kundërshtim me ligjin. Emisioni “Vetting” ka udhetuar në disa masivë pyjore në Prrenjas, Librazhd, Ersekë dhe Bulqizë për të sjellë në vëmendjen e publikut masakrën që ka ndodhur e po ndodh në pyjet e Shqipërisë.

Në këtë dokumentar, do të njiheni me personazhe mjaft interesantë që kanë sakrifikuar për të ruajtur pyjet pranë fshatrave të tyre. Burrat e fshatit Dushaj në Bulqizë u përballën me dhunën policore për të mbrojtur pyllin e fshatit. Kur kompania private e liçensuar nga shtetit u nis drejt pyllit për të vënë sharrën mbi të, në mes të rrugës u bënë mburojë burrat e fshatit Dushaj. Më pas, Policia e Shtetit mbështeti kompaninë private duke i dhunuar ata. Atëherë, gratë dhe fëmijët u bënë mburojë të pyllit dhe e ndalën aty udhëtimin e keqbërësve të pajisur me liçensë shtetërore. Është një ndër historitë impresionuese. Në këtë dokumentar, do të njiheni me një tjetër personazh si Ilir Çerri. Ai është nga fshati Shqiponjë në Prrenjas dhe është gjobitur me 65 milionë lekë vetëm për shkak se ka prerë drurë të thatë në pyllin mbi fshat, me lejen e kryeplakut. Ndërkohë, dora e krimit sharron pa mëshirë drurë shekullorë pikërisht aty ku Ilir Çerri merr drurë të thatë për tu ngrohur në dimër. Do të gjeni në këtë dokumentar statistika të 70 viteve të fundit të menaxhimit të pyjeve në Shqipëri. Cila është përvoja që na vjen nga komunizmi kur përmes parullës “tu qepemi maleve, t’i bëjmë ato pjellore si fushat”, u shkatërruan qindra hektarë pyje të Shqipërisë. Masakra vazhdon deri në ditët e sotme, kur dora e krimit sharron pa mëshirë pyjet e Shqipërisë.

Ky dokumentar është një produkt i abcnews.al, zbatues i projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, Institutit Shqiptar të Medias dhe Qendrës FOL, mbështetur nga Ambasada e Sheteve të Bashkuara në Tiranë, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin