Thoma Gëllçi kërkon pafajësi në Gjykatën e Lartë

Thoma Gëllçi, ish drejtori i Radio Televizionit Shqiptar kërkon në Gjykatën e Lartë pafajësi.

Ai ka dorëzuar rekurs ndaj vendimit të Apelit të Posaçëm, që la në dhjetor të 2022, në fuqi vendimin e fajësisë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e tij me 1 vit e 4 muaj burg.

Gjatë gjithë procesit, Gëllçi edhe pse kërkoi të gjykohej me procedurë të shkurtuar, mohoi akuzat dhe kërkoi nga dy Gjykatat ti rrëzonte pretendimet e SPAK.

Rekurs kundër verdiktit të dy shkallëve të gjyqësorit kanë bërë edhe 3 të bashkëpandehurit e Gëllçit, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, të cilët u gjetën fajtor dhe u dënuan me nga 1 vit burgim.

Të gjithë të hetuarit në këtë dosje, tashmë kanë shlyer dënimet e dhëna nga  Gjykatat e Posaçme dhe janë liruar.  Beteja në Gjykatën e Lartë mbetet vetëm për pafajësinë dhe heqjen e dënimit plotësues, atë të përjashtimit për 5 vite nga funksione publike.

Ish drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, ka pretenduar se ka zbatuar vetëm ligjin në tenderin e hapur për plotësimin me pajisje të kanalit RTSH Agro, ashtu si edhe 3 zyrtarët e tjerë.

SPAK këmbënguli se me në krye Gëllçin, 3 zyrtarët e tjerë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer shkelje ligjore në procedurën e prokurimit, për blerjen e materialeve për hapjen e kanalit RTSH Agro.

Ish drejtori i RTSH- së  dhe 3 punonjësit e tjerë u arrestuan në tetor të 2021, pas një hetimi të nisur fillimisht nga Prokuroria e Tiranës dhe më pas ndjekur nga SPAK.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin