Përgjimet e SPAK, ndajnë gjykatat dhe juristët në interpretimin e ligjit

-Një dyshe do
-ëhë, po mirë
-i thashë unë, mezi i kemi mbledh i thashë. Donte dy euro, i thashë nuk kam, dy shqiptare i thashë?

Kjo është një nga dhjetëra bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, gjatë hetimeve për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka, e marrë tashmë e pandehur për akuzën e  korrupsionit.  Biseda zhvillohet mes dy qytetarëve, të cilët sipas SPAK, përpiqen që nëpërmjet avokatit, Ilir Pashaj, edhe ky i pandehur në të njëjtin proces, të zbusnin pozitat e një të hetuari në Elbasan.
Hetimet nisën pas një letre anonime pranë SPAK, të dhënat e të cilës pasi u verifikuan, sipas prokurorit rezultuan të sakta. Për të gjurmuar rastin korruptiv, Prokuroria e Posaçme, kërkoi të vendoste personat e përfshirë në këtë letër, në përgjim. Ishin dhjetëra orë përgjime, më pas vëzhgime në terren, që arritën të ndërtonin një dosje, e cila tashmë është certifikuar edhe me një vendim gjykate, që mori të pandehur Vyshkën, Pashajn dhe 2 të tjerë.
Por, vendosja në përgjim e personave që tashmë janë nën hetim në këtë dosje, vuri përballë dy gjykata, atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit të Posaçëm.
Në vendimin që Qendra “FOL” disponon, Gjykata e Shkallës së Parë, refuzoi kërkesën e SPAK për vleftësim të përgjimeve. Gjykata thotë se përgjimi nuk mund të jetë veprimi i parë hetimor i një prokurori dhe për këtë arsye, e ktheu pas.

Gjykata çmon se përgjimi sipas Kodit të Procedurës Penale, nuk mund jetë veprimi i parë hetimor. Në aktet e prokurorisë nuk rezulton që të jetë kryer asnjë veprim hetimor nga ana e policisë gjyqësore, që të ketë prodhuar ndonjë provë që t’i krijojë bindjen gjykatës mbi ekzistencën e ndonjë fakti penal dhe më pas ta lidhë këtë fakt penal me një emër konkret“, argumentohet në vendim.
Gjyqtari i hetimit paraprak, shton se vendosja e një personi nën përgjim, bëhet vetëm pasi ka prova konkrete për implikimin e tij në veprimtarinë kriminale të pretenduar.
Bazuar në nenin 222 të KPP për të autorizuar përgjimin, gjykata ose prokuroria, duhet ta bazojnë vendimin në prova të mjaftueshme, të cilat provojnë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, për ekzistencën e veprës penale dhe se kjo vepër penale është kryer nga i dyshuari. Pra, kërkohet i njëjti nivel provueshmërie, ashtu sikurse për caktimin e masave të sigurimit personal. Në rastin konkret, organi i prokurorisë e ka mbështetur kërkesën për sa i përket fakteve të pasqyruara në të, në relacionin e oficerit të policisë gjyqësore, i cili është një akt i referimit të veprës penale nga oficeri i policisë gjyqësore, i pashoqëruar me asnjë provë konkrete të përdorshme, ndërsa vetë akti i referimit të veprës penale, nuk përbën provë“, shton Gjykata e Shkallës së Parë.
Kjo e fundit gjithashtu, ngre dyshime edhe në vërtetësinë e letrës anonime, e cila në vetvete është e papërdorshme, por edhe pas verifikimeve te policisë gjyqësore, sipas Gjykatës nuk ka rezultuar e saktë.
Gjykata arsyeton se, përsa i përket fakteve të pasqyruara në të, lidhur me numrat në përdorim të këtyre personave, prokuroria duhet t’i referohet burimeve të provave dhe të pasqyrohen provat e marra, gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Pra, nuk ka asnjë provë të përdorshme sipas KPP që të provojë faktin se shtetasi Ilir Pashaj është duke ndërmjetësuar për të kryer një akt korruptiv ndaj gjyqtares Zamira Vyshka“.

Interpretimi ndryshe

Edhe pse Shkalla e Parë e rrëzoi kërkesën për përgjime, SPAK mori një aprovim nga Gjykata e Apelit, që pati një tjetër interpretim, qoftë për kallëzimin anonim, të cilin e konsideroi të përdorshëm, qoftë për funksionin e përgjimeve në një hetim penal.
Përgjimi i komunikimit është një mjet i kërkimit të provës, por rezultatet e përgjimit, pra njohja e komunikimit, është provë, pasi është ajo që jep njohje mbi faktin… . Rezulton se përgjimi lejohet kur është rasti i një vepre penale vazhduese ose i një procedimi të lidhur në të cilin pritet apo është në vazhdim kryerja e një apo disa veprave penale. Vetëm në këtë mënyrë duhet të kuptohen kushtet e nenit 222/1 të KPP, veçanërisht kushti “dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova”, pasi në të kundërt, pra, në një interpretim të ndryshëm nga ky, përgjimi do të mbetej pa vlerë. Pra, mbetet pa vlerë, nëse për veprën aktualisht të kryer të ekzistojnë apo të ketë prova, por në fakt pikërisht për kërkimin dhe gjetjen e tyre aktivizohet edhe mjeti i kërkimit të provës  “përgjim”, interpreton Gjykata e Apelit, e cila prishi vendimin e Shkallës së Parë dhe bëri të vlefshëm përgjimin e SPAK.

Një rast i ngjashëm

Edhe kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, u përgjua për disa muaj nga SPAK. Ai ra në rrjetën e përgjimeve pas një hetimi të nisur për njerëzit e afërt të tij. SPAK tha se nga përgjimet, rezultuan biseda që e gjenin atë në shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e Bashkisë.  Tushe, tashmë është dënuar në dy shkallë të gjyqësorit, por ai luftoi fortë që të shpallte përgjimet ndaj tij si të paligjshme.
Me të njëjtin argument si Gjykata e Shkallës së Parë që vlerësoi të paligjshme kërkesën e SPAK për përgjimet në dosjen ndaj ish gjyqtares Zamira Vyshka, avokati i Fatos Tushes në atë kohë, Ardian Visha, i kërkoi Apelit të shpallë të paligjshme të gjitha përgjimet ndaj ish kryebashkiakut dhe t’i asgjësoj ato.
Qartazi vendimmarrja e Gjykatës, gjyqtarit për hetimet paraprake, autorizuese e përgjimeve me vendimet të përshkruara si më sipër, verifikohet në kundërshtim (pra pa analizuar dhe vlerësuar, në ometim) me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në paragrafet e parë dhe të pestë, të nenit 222 te K.Pr.Penale, për autorizimin e përgjimit,të identifikuara në “domosdoshmërinë, e përdorimit të këtij mjeti procedural, për vazhdimin e hetimeve” dhe në “provën” e realizuar përkatësisht nga këto hetime, për kryerjen e një krimi nga subjekti i përgjimit“, argumentoi Visha përballë gjykatës së Apelit.
Por kjo gjykatë e gjeti të pa mbështetur pretendimin e avokatit, duke argumentuar në vendimin e miratimit të përgjimeve se “… përgjimi është mjet për kërkimin e provës, prandaj nuk mund të pretendohet ekzistenca e provave, mjafton të  ekzistojnë dyshime te bazuara për kryerjen e veprës penale, dyshime në drejtim të këtij personi dhe bashkëpunëtorëve të tij  të cilat janë paraqitur në mënyrë të përmbledhur në informacionin e ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier”.
Vendimmarrja e Gjykatës së Apelit për këtë çështje u prish nga Gjykata e Lartë, e cila e riktheu atë për rigjykim, megjithatë Shkalla e Dytë e gjyqësorit dha të njëjtin vendim duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që kishte miratuar përgjimet.

Përgjimet

Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara“, kështu neni 36 i Kushtetutës, në kapitullin e Lirive dhe të Drejtave Vetjake, i garanton çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, fshehtësinë e komunikimeve.  Në garantim të kësaj të drejte, vendimet e përgjimeve duhet të jenë në respektim të parashikimeve ligjore. Në një kohë që vetë gjykatat, të cilat kanë detyrën të certifikojnë një veprim hetimor si të ligjshëm ose jo, duke mos lejuar cenimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, përplasen në interpetimin e Kodit të Procedurës Penale,  dhjetëra qytetarë vendosen në përgjim nga prokuroritë në vit.
Përgjimi rezulton mjeti kryesor i SPAK në goditjen e korrupsionit, si një vepër penale, e cila provohet katërcipërisht, me kapjen në flagrancë.  Të dhënat zyrtare të Gjykatës së Posaçme tregojnë se gjatë vitit 2022, gjyqtarët e posaçëm i ka dhënë leje prokurorëve të SPAK, në 1160 raste, kanë vendosur në  përgjim mbi 2 mijë persona, që dyshoheshin si të përfshirë në krime. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor, bëri të ditur se gjatë vitit 2022 janë ekzekutuar gjithsej 1312 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 607 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Për sa më sipër, është mundësuar interceptimi për 3391 pajisje fundore në përdorim të 3089 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare të SPAK tregojnë se këto kërkesa për përgjime, janë në pjesën më të madhe për çështje të korrupsionit, rrjedhimisht në ‘lupë’ mbeten zyrtarët e administratës dhe vetë sistemit të drejtësisë.

A mjaftojnë përgjimet?

Juristët janë në një mendje kur vjen puna te përgjimet. Ato janë të nevojshme për të goditur veprimtaritë e rënda kriminale. Por gjithmonë, ka një por…
Juristi Ardian Visha, tha për qendrën “FOL” se përgjimi duhet patjetër të shoqërohet me prova të tjera që e mbështesin atë në mënyrë që të jetë i vlefshëm. “Në shkollën time të formimit, përgjimi është një mjet i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Megjithatë ka praktika të ndryshme. Praktika jonë, e SPAK-ut, nuk ka rëndësi fare çfarë është përgjuar, mjafton të kenë vënë një numër në përgjim dhe kanë prodhuar fajësi edhe pa produkt, vetëfajësues. Për mua, përgjimi duhet të jetë gjithmonë i shoqëruar me atë që latinët e quajnë “riscontro”, pra ndeshja me një fakt tjetër objektiv që e mbështet atë dhe e bën të besueshëm.”, tha Visha.                                                        Edhe për juristin, Eugen Beçi, përgjimi duhet të sjell rezultate konkrete në goditjen e krimit.

Përgjimet janë një mjet për kërkimin e provës. Për rrjedhojë, në vepra penale komplekse apo trafiqet, vetëm përgjimi nuk mund të jetë i mjaftueshëm për të ngritur një dosje hetimore dhe për të vërtetuar faktin penal apo autorësinë e veprës penale. Duke qënë se përgjimi është mjet për kërkimin e provës, në një dosje trafiku droge përshembull, përgjimi duhet të sjell kapjen e drogës që të quhet dosja e kompletuar”- tha ai për Qendrën “FOL”.
Korrupsioni duket se tregon dobësitë më të mëdha të SPAK, kur vjen puna te përdorimi i përgjimit, si një nga mjetet kryesore të hetimit.
Për juristin Ardian Visha,  shumë dosje të Strukturës së Posaçme tregojnë dembelizëm në hetime. “Ke dhjetëra raste që tregojnë dembelizmin e punës së SPAK, veçanërisht në çështje të korrupsionit, ku përgjimi ka prodhuar shumë pak gjë, ose asgjë, e megjithatë nuk është peshuar në rëndësinë e vetë, por mjafton si të thuash vetëm ky fakt, i cili as nuk dëgjohet. Shkohet në gjyqe me transkripte të pjesshme të kryera nga OPGJ që në hetimet paraprake dhe deri në verdiktin final me shumë vështirësi të japin pajisjen me përgjimet në mënyrë që ti dëgjosh vetë dhe të realizosh, të kundërtën e asaj që ka konkluduar prokuroria“, shprehet ai.
Mangësitë në hetimet për çështje të korrupsionit nga SPAK, i ka konstatuar edhe ish prokurori Eugen Beçi, i cili megjithatë pranon raste të suksesit. “Vetë natyra e veprës penale të korrupsionit , kërkon metoda speciale të hetimit e për rrjedhojë dhe përgjim telefonik. Është hapi i parë që duhet të realizohet dokumentimi me prova i korrupsionit. Në disa raste ka kaluar përtej përgjimit hetimi i SPAK duke kapur në flagrancë me paratë e korrupsionit autorët e kryerjes së veprës penale. Në shumë raste të tjera ka mbetur tek përgjimi, dhe ky fakt e vështirëson procesin e të provuarit të autorësisë. Të përgjosh e mos kapësh në flagrancë përfituesit e korrupsionit, është proces i mangët“, tha ish prokurori Beci,  për qendrën “FOL”.
Duke folur me shifra, avokati Ardian Visha, tregon pse përgjimi duhet të jetë sa më i kufizuar.
Përgjimet natyrisht që duhen bërë mbi kritere strikte ligjore, sepse është ndërhyrje shumë e dhunshme në jetën private të tjetrit. Sot nga raportimet e dy titullarëve të prokurorive që kemi, shkojmë në limitet e 6 mijë vetave të përgjuar për qëllime procedurale në vit. Për qëllime operative të paktën po kaq, i bie 12 mijë veta që i përgjohet jeta private, me të paktën 8 apo 9 veta me komunikim minimal gjithësecili, shkohet në 100 e ca apo 200 mijë veta që iu regjistrohet zëri në shiritat, po themi kështu, megjithëse nuk përdoret më shiriti në arkivat shtetërore, për arsye ndjekje penale ndaj tyre dhe jo vetëm. E gjithë kjo ndërhyrje në një masë të madhe të popullsisë, gati 10% të popullsisë aktive është shumë për një vend që premton nga ana tjetër liri dhe frymë demokratike në ndërtimin e jetës shoqërore. Ky është një argument për të forcuar atë që përgjimi duhet të jetë strikt, mbështetur në ligj dhe sa më i kufizuar i mundshëm, vetëm kur ai të jetë i domosdoshëm“, argumenton ai.
Teksa liston garancitë që jep ligji, Visha, shpreh rezerva për respektimin e tyre nga shkallët e gjyqësorit.
Ligjvënësi në përgjimet procedurale, ka përcaktuar që për të arritur te përgjimi, e para që autoriteti që vendos është gjyqtari. Prokurori ka vetëm një kohë shumë të shkurtër, 24 orëshe realizimi me iniciativë në rast urgjence, që gjithmonë duhet të vlerësohet nga gjyqtari. E dyta, përgjimi duhet të shoqërohet minimalisht me një provë te fajësisë së subjektit për veprën që i atribuohet. Ky është momenti i parë që duhet të kalohet. Pra, pa një provë tjetër, nuk duhet të shkohet në përgjim dhe kjo është jogjithmonë e kuptuar drejtë nga praktika. Momenti tjetër është që jo për të gjitha veprat përgjohet“, përfundon Ardian Visha.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin