Vaid Shaba, ish kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25-prillit u hetua për disa muaj nga Prokuroria e Kavajës me dyshimet e korrupsionit në zgjedhje.
Ai u denoncua nga Dega e Partisë Demokratike të këtij qyteti, me arsyetimin se Shaba, gjatë fushatës kishte shtruar një rrugë në fshatin Rrakull të Kavajës për përfitime elektorale.
Si argument kryesor i PD-së u përdor një postim në rrjetin social të Shabës. E gjitha kjo është rrëfyer nga vetë kandidati në faqen e tij zyrtare në Facebook, shkruan Dega e Partisë Demokratike, në kallëzimin e saj që e citon atë: “Pas këtij takimi në fshatin Rrakull, vura re që shqetësimi më i madh i banorëve të zonës ishte mungesa e infrastrukturës në disa lagje. Duke qenë se unë i premtova që do ja shtroja rrugën që të drejton në banesën e shtëpive të tyre, sot dërgova disa punëtorë të shtronin rrugën me çakull dhe u bë i mundur shtrimi i lagjeve etj.”.
Por hetimet e Prokurorisë treguan se postimi nuk ishte asgjë më shumë se përpjekje e kandidatit për deputet për të siguruar mbështetës, duke përvetësuar një punë që në fakt po e kryente Bashkia e Kavajës.
Gjatë hetimeve, Prokuroria siguroi shkresa nga bashkia e Kavajës që ka informuar se punimet ishin pjesë e një projekti rehabilitimi dhe asesi nuk ishin investim i Shabës sic ai deklaroi në facebook.
Ndryshe nga postimi në rrjetin social, Vaid Shaba i tha Prokurorisë se:” këto janë foto të facebook-ut të tij dhe se foto të tilla me takime me njerëzit gjatë fushatës unë kam bërë shumë. Këto foto janë bërë atë ditë që unë kam qenë në fshatin Rrakull, ku ishte duke u shtruar një rrugicë e këtij fshati me çakull nga ana e Bashkisë. “
Në këto kushte, Prokuroria e Kavajës dërgoi për pushim çështjen, pasi punimet nuk ishin investim personal i kandidatit, por i Bashkisë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra “Fol”, rezulton se Gjykata e Kavajës duke argumentuar se kjo prokurori nuk ishte kompetente pë çështje të korrupsionit zgjedhor , shpalli në janar të 2022 moskompetencën dhe e dërgoi kërkesën e pushimit në Gjykatën e Posaçme.
Por kjo e fundit nuk e pranoi dosjen, duke ngritur çështjen e konfliktit të kompetencës dhe i kërkoi Gjykatës së Lartë të vendoste se cila gjykatë duhet të pushonte hetimet.
Gjykata e Posaçme pretendoi se emri i shtetasit Vaid Shaba nuk u regjistrua asnjëhere si i hetuar dhe nuk u vërtetua korrupsioni në zgjedhje, e për këtë arsye çështja duhet të pushohej nga Gjykata e Kavajës.
Por Gjykata e Lartë e konsideroi këtë argument tërësisht të pabazuar në prova, pasi kompetenca lëndore përcaktohet nga vepra penale dhe argumenti i Gjykatës së Posaçme do vështirësonte “në mënyrë artificiale përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja lëndore”
Pasi përcaktimit të kompetencës, Gjykata e Posaçme pushoi hetimet për këtë dosje.