SPAK: E kemi të pamundur të vërtetojmë korrupsionin

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion në zgjedhje ndaj Jani Andonit, në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Pustec në Qarkun e Korçës, u pushuan me argumentin se hetimet “sugjeronin” pamundësinë e verifikimit të vërtetësisë së njoftimit për veprën penale të kallzuar, të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

Çështja u regjistrua pas kallëzimit të Edmond Spahos, në cilësinë e drejtuesit politik të Partisë Demokratike në  Korçë.

Në kallëzim, Spaho pretendonte se nënkryetari i Bashkisë Pustec, ka mbledhur karta identiteti të personave të ndryshëm në zonën e Bashkisë, duke u premtuar dhe siguruar banorëve se do t’i ndihmojë ata për të marrë pasaporta të shtetit të Bullgarisë, duke premtuar se këto veprime i ka kryer me qëllim marrjen e premtimit për të votuar për subjektin politik Partia Socialiste.

Pas regjistrimit të çështjes, SPAK thotë se kreu një sërë verifikimesh nëpërmjet policisë gjyqësore, por nuk arriti të provonte se kishte pasur korrupsion duke e gjetur veten në pamundësi për ta vërtetuar.

Më tej Prokuroria e Posaçme thotë se, megjithatë është konstatuar se ka prezencë të elementeve të veprës penale të “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit” dhe për këtë, duhet të hetohet më tej nga Prokuroria e Korçës.

Por ashtu si me korrupsionin zgjedhor nga ana e SPAK, Prokuroria e Korçës kërkoi pushimin e hetimeve edhe për këtë vepër me argumentin se “fakti nuk provohet se ekziston”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin