Të rinjtë braktisen nga shteti, 12 herë më shumë pará për një të burgosur se për një nxënës shkolle

Larg shkollës dhe pranë krimit nxënësit shqiptarë janë të ekspozuar ndaj veprave penale në mungesë të investimeve në edukim. Përgjatë vitit 2020 buxheti i shtetit shpenzoi 240 lekë në ditë për çdo nxënës që ndjek shkollën, ndërsa kostoja ditore për një të burgosur ishte 2600 lekë në ditë, duke u klasifikuar në grupin e vendeve në Europë që kanë kosto të larta për të burgosurit, por për arsimin japin vetëm “kacidhe”.

Autor: Marjo Brakaj

Më 22 dhjetor 2015, 16-vjeçari Ergent Tafaj nga fshati Kutë i Mallakastrës, tre muaj pasi kishte nisur vitin e parë në gjimnazin “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit, u largua për në Itali. Iu bashkua atje mijëra bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë në qendrën për të mitur të huaj në bulevardin “Regina Margherita” në qytetin e Torinos.

Qendra për të mitur të huaj, “Regina Margherita”, në rajonin e Torinos

“Pasi përfundova 9-vjeçaren në shkollën “Ismail Shehaj”, babai aplikoi për ndihmë sociale. Edhe pse ishim vërtet keq, ai dhe mami pa punë, kërkesa nuk u pranua. Gjithsesi, shkova në gjimnaz. Pastaj… librat për shkollën, transporti nga Kuta në Fier, ndonjë lek për të ngrënë. Më vriste fakti që familja ime ishte e varfër dhe unë me ato që iu merrja, ua shtoja edhe më shumë atë”, – tregon 5 vite e gjysmë më pas Ergenti, tashmë 22 vjeç, teksa ndodhet në qytetin e Pamplonas në Spanjë.

Pas gati tri vitesh burg, si fillim 13 muaj nën akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në Itali e më pas 20 muaj në Spanjë për “Trafikim të lëndëve narkotike”, Ergenti pret gjyqin e fundit që të mund të largohet nga aty ku ndodhet.

  1. A., ishte në pritje të ditëlindjes së 17, kur befas e gjeti veten në Institutin e të Miturve në Kavajë. I riu, aktualisht 25 vjeç, deri në klasën e katërt kishte qenë nxënës i mirë në shkollën 9-vjeçare “Hekuran Maneku” në qytetin e Patosit, e kishte mbyllur marrëdhënien me arsimin në klasën e nëntë.

“Bashkë me tre shokë, njëri mosha ime e dy të tjerët më të mëdhenj, pasi përfundova provimet e lirimit, u nisëm drejt Greqisë nga dogana e Kakavijës. Tentuam të kalonim nga pjesa me shkurre që të çon më pas në një pyll, por na kapën dhe na kthyer pas. Për të ikur tutje, iu kisha marrë lekë atyre të shtëpisë e nga kjo isha mërzitur edhe më shumë. Me po të njëjtët shokë vodhëm rreth 120 mijë lekë te një market. Mua dhe një nga djemtë na identifikuan nga kamerat”, – tregon historinë e vitit 2013 i riu, histori që e përplasi në dyert e institucioneve të riedukimit.

I riu u mbajt për tre muaj në Institutin e të Miturve, Kavajë me qëllim riedukimin e tij dhe rikthimin në shkollë, por kjo nuk ndodhi kurrë.

  1. A., mori edhe dy dënime të tjera. Në vitin 2014 për “Vjedhje me dhunë” dhe në vitin 2016 për “Plagosje me sende të forta”, ndërsa sot jeta e tij vërtitet mes të punuarit me ditë dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi.
Një ditë burg, 12 herë më shumë lekë se një ditë shkollë

Varfëria dhe distanca e largët me shkollën janë ndër faktorët kryesorë që i detyrojnë të miturit të lënë dyert e klasës e të përplasen në rrugë.

Për të kuptuar se sa larg jemi drejt orientimit të politikave kah arsimimi, mjafton t’iu hedhim një sy shpenzimeve të parashikuara për arsimin dhe atyre për një të dënuar.

Ilustrim

Pas një kërkese për informacion lidhur me shpenzimet individuale për çdo të paraburgosur apo të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se kostoja mesatare e trajtimit të një të dënuari në vend është 2,583 lekë në ditë. Kostoja mesatare e trajtimit të një të paraburgosuri në vend është 2,841 lekë në ditë.”

Në koston ditore për çdo të dënuar apo të paraburgosur në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend përfshihen shpenzimet për ushqim, trajnimi i stafit policor, shërbimi shëndetësor dhe social, mbajtja e të burgosurve dhe paraburgosurve në kushte sigurie, si edhe trajtimet specifike për çdo kategori të të dënuarve. Shqipëria klasifikohet në grupin e vendeve në Europë që kanë relativisht kosto të larta për të burgosurit. Sipas të dhënave nga Eurostat, Greqia shpenzon 5 dollarë në ditë për një të burgosur, Lituania, 18 dhe Polonia, 21 dollarë në ditë.

Edhe sipas Penal Reform International, platformë e cila trajton trendet globale të burgjeve, Shqipëria është ndër vendet që shpenzon më shumë për të dënuarit apo të paraburgosurit.

Kur vjen puna tek arsimi, Shqipëria renditet te vendet që shpenzojnë më pak.

Qeveria e Shqipërisë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, akordoi për arsimin në vitin e shkuar 40 miliardë e 748 milionë lekë (rreth 333 milionë euro), ose, thënë ndryshe, sa 2,27% e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), ndërsa në vitin 2019 shuma e akorduar për arsimin ka qenë në vlerën e 2,24% të PBB-së. Shumica e shpenzimeve të dedikuara arsimit gjatë vitit të shkuar shkuan për paga dhe infrastrukturë.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e fundit. Të gjitha vendet e rajonit shpenzojnë së paku 4% të PBB-së për arsimin, ndërsa vendi ynë ka ngecur te 2% i totalit të të gjithë parave që ka në dispozicion, duke e bërë arsimin një sektor prioritar vetëm në premtime.

Në vitin akademik 2019-2020, të dhënat nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë tregojnë se morën pjesë në arsimin parauniversitar 480,798 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4.2 për qind, krahasuar me vitin shkollor 2018-2019 dhe 10.4 për qind krahasuar me vitin shkollor 2016-2017.

Duke marrë në analizë makro-raportin e krijuar mes buxhetit dhe numrin e të regjistruarve në arsim, rezulton se për çdo nxënës dhe student gjatë vitit 2020 u shpenzuan rreth 59 euro në muaj ose rreth 2 euro në ditë (240 lekë). Pra, në një analizë makro qeveria shpenzon rreth 12 herë më shumë për një të burgosur se për një të regjistruar në arsimin parauniversitar.

Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë gjithsej në arsimin parashkollor 77.858 fëmijë, duke shënuar një ulje prej 1.4 për qind krahasuar me vitin paraardhës dhe 4 për qind krahasuar me vitin 2016-2017. Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë në arsimin 9-vjeçar 294.879 nxënës, duke shënuar një ulje prej 3,8 për qind krahasuar me vitin paraardhës dhe 10,1 për qind krahasuar me vitin 2016-2017.

UNICEF, një organizatë e njohur ndërkombëtare, që është e pranishme prej vitesh në Shqipëri, sugjeron se, nëse paratë që shpenzohen për ata që marrin dënime, do të shpenzoheshin në fuqizimin e familjeve në vështirësi ekonomike apo përmirësimin e sistemit arsimor, atëherë panorama do të ishte krejt ndryshe.

“Ajo që shteti shpenzon sot për të dënuarit dhe paraburgosurit, do të kishte shumë më tepër dobi në parandalimin e kriminalitetit te të miturit, nëse shpenzohet për programe të mbështetjes apo përfshirjes sociale, që pa hyrë fëmija në konflikt me ligjin, për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj kundër fëmijëve, për ngritjen e programeve për prindërimin e mirë dhe për mobilizimin e të gjitha strukturave publike për mbrojtjen e fëmijës dhe luftën ndaj krimit të organizuar që i shfrytëzon fëmijët, situata do të ishte krejt ndryshe, – thotë për INA Media-n, zyra e UNICEF-it në Shqipëri.

Ekspertët e ekonomisë e shohin daljen nga ky rreth vicioz, ku rrezikon të futet vendi ynë për shkak të numrit të lartë të të miturve që braktisin shkollën, rritjen e buxhetit për arsimin, duke e kthyer një prioritet kombëtar, jo vetëm në premtime.

“Sistemi arsimor ka nevojë imediate për politika mbështetëse dhe suport më të madh financiar, duke qenë se formimi i kapitalit njerëzor është një ndër shtyllat kryesore të rritjes dhe zhvillimit afatgjatë ekonomik. Investimet e nevojshme janë, si në aspektin e infrastrukturës në arsim (ndërtimet/riparimet e godinave, pajisja me laboratorët përkatës, pajisja me logjistikën përkatëse për mundësimin e mësimit online, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në zonat rurale), ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Përmirësimi i cilësisë së arsimit është një investim afatgjatë me impakt në zhvillimin ekonomik e social të vendit, si dhe minimizimin e problemeve sociale/kriminalitetit që lidhet me mungesën apo cilësinë e ulët të arsimit”, – argumenton studiuesja e ekonomisë, Dorela Beqaj.

Larg të nxënit, afër thyerjes së ligjeve

Braktisja e shkollës, veçanërisht gjatë arsimit fillor, e më pas orientimi drejt akteve joligjore, është një fenomen i përhapur në vend dhe jo vetëm. Pas një kërkese për informacion mbi nxënësit braktisës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raportoi se trendi i braktisjes, ndonëse ka pësuar luhatje nga viti në vit, vijon të mbetet në nivele të larta.

Sipas të dhënave të raportuara nga MASR, viti akademik 2016-2017 regjistroi numrin më të lartë të nxënësve që e lanë shkollën.

“Një sërë faktorësh ndikojnë në braktisjen e shkollës nga nxënësit. Disa prej tyre janë: gjendja e rëndë ekonomike; probleme shëndetësore dhe aftësia e kufizuar; niveli i ulët arsimor i prindërve; largësia e shkollave nga qendrat e banuara; emigracioni i prindërve; lëvizjet demografike të popullsisë; migrimi; situata e azilantit; statusi i refugjatit; mentaliteti; gjakmarrja; probleme sociale; shfrytëzimi i fëmijëve për punë brenda e jashtë familjes; papërgjegjshmëria e mësuesve dhe e drejtuesve të shkollave; rrethanat familjare, ekonomike dhe sociale të prindërve romë e egjiptianë etj.”, – janë faktorët që sipas Ministrisë së Arsimit ndikojnë në braktisjen e arsimit të detyruar nga nxënësit.

Ekspertët pothuajse janë të bindur se, sa më larg shkollës, aq më shumë rritet mundësia që të shndërrohen në kontingjent të veprave të ndryshme penale.

Arjana Muçaj, përgjegjëse e Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, argumenton se braktisja e shkollës nga fëmijët rrit mundësinë që ata të përfshihen në akte kriminale.

“Braktisja e shkollës do të thotë që fëmija do ketë më shumë kohë. Nëse ai apo ajo këtë kohë nuk e mbush duke u edukuar dhe arsimuar, ai është tërësisht i ekspozuar ndaj mjedisit. Për fatin e keq në vend nuk mbizotërojnë shembujt e mirë. Madje, në shoqërinë shqiptare po merr gjithë e më shumë hov ideja e “pasurimit të shpejtë” dhe kjo e fundit në shumë raste shoqërohet nga kryerja e akteve joligjore”, – argumenton Muçaj.

Nga ana tjetër, numri i të miturve, pjesë e sistemit të detyrueshëm arsimor, të proceduar për kryerjen e veprave penale ka pësuar rritje nga vit në vit. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, 1,856 të mitur janë proceduar penalisht në 4 vitet e fundit.

“Shteti duhet të investojë në forcimin e institucioneve bazë të edukimit, duke rritur financimin. Adoleshentët nuk edukohen në burgje. Përkundrazi, degradimi i tyre bëhet i sigurt dhe pothuaj i pakthyeshëm.”, – thotë sociologu Gëzim Tushi.

Në një linjë të ngjashme shkon edhe sociologia Entela Binjaku.

“Që të kemi rezultate konkrete, nevojitet një punë e përbashkët, e pandërprerë dhe e njëkohshme nga Policia e Shtetit, Ministria e Arsimi, Sportit dhe Rinisë, organizmat e shoqërisë civile, hartimin e programeve edukuese për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të denoncuar personat me prirje kriminale etj. Shtrirja e shërbimeve sociale në komunitet do t’iu vinte në ndihmë mjaft familjeve, mbikëqyrja në mënyrë të vazhdueshme e të miturve me këto prirje me qëllim rehabilitimin e tyre nëpër shkolla, njohja e personalitetit, dëshirave apo interesave të tyre etj.”, – argumenton Binjaku.

Trendi në rritje i procedimeve penale ndaj të miturve vijoi edhe në 6 muajt e parë të këtij viti. Në harkun e muajve janar-qershor, 312 të mitur u proceduan penalisht nga 254 që ishin në të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve mendon se jemi ende shumë larg një zgjidhjeje, për sa kohë që institucionet publike, për shkak të investimeve tepër të ulëta te fëmijët dhe të rinjtë, vijojnë të merren ende me pasojat që sjell krimi dhe kriminaliteti në tërësi dhe jo me parandalimin, që kërkon një qasje tërësisht ndryshe nga kjo e sotmja.

“Rreziku që vjen nga kjo, është krijimi i getove të kriminalitetit, ku kriminelët më të vjetër shtyjnë në krim dhe kontrollojnë grupe të fëmijëve dhe të rinjve, në zona tipike të depresuara e të varfra, ku ka shumë pak apo aspak mundësi për një fëmijë apo të ri që të zhvillohet. Në këtë aspekt, vjedhja, grabitja, kërcënimi apo dhuna në grup mbeten disa nga veprat kryesore që të miturit kryejnë, e shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të shpërndarjes së substancave të paligjshme”, – tha në një ftesë për koment Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, CRCA.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, deri në fundin e muaji qershor, në Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale gjendeshin 23 të dënuar dhe të paraburgosur të moshave nga 14-18 vjeç.

Edukimi si strategji kombëtare për uljen e kriminalitetit te fëmijët
 

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), zyra në Shqipëri mendon se shteti shqiptar duhet të ndryshojë komplet strategji, nëse dëshiron ta luftojë këtë fenomen me kosto të mëdha sociale, siç është braktisja e shkollës.

 “Ato fonde që deri më tani janë shpenzuar për të miturit në burg apo paraburgim, hallka e fundit e zinxhirit, duhet të zhvendosen drejt programeve parandaluese, mbrojtëse, arsimore, edukative, rehabilituese dhe riintegruese me bazë komunitare, pra që në hallkat e para të zinxhirit të vëmendjes shtetërore që duhet të marrin këta fëmijë”, – sugjeron UNICEF.

Problematika është konstatuar ndër vite edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, pranë Avokatit të Populli. Duke filluar nga viti 2018, në raportet e Avokatit të Popullit janë të përfshira edhe një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës së fëmijëve.

“Ngritjen e shërbimeve të reja në ndjekje të dinamikës së nevojave të fëmijëve; hartimin e politikave gjithëpërfshirëse sociale në nivel vendor, të bazuara në një bazë të dhënash të sakta mbi numrin e familjeve në nevojë, si dhe kategoritë e fëmijëve me probleme sociale; konsolidimin e mekanizmave shtetërore, përgjegjëse, që garantojnë realizimin efektiv të mbikëqyrjes, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, si dhe krijimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Institucionet duhet të punojnë çdo ditë për të forcuar sistemin e denoncimit dhe të referimit të rasteve”, – thuhet në një përgjigje të KMPDF.

Historia e Ergentit dhe e të riut tjetër, E. A., jashtë dyerve të shkollës është e ngjashme me qindra histori të tjera.

Sot, ata janë të bindur se shkolla do t’i kishte ndihmuar që jeta e tyre të kishte një tjetër trajektore.

Isha nxënës i mirë e mbase do kisha një punë në profesion. Nuk do të isha i detyruar të bëja asgjë nga këto që kam bërë. E për më tepër, unë jam vetëm 25 vjeç dhe nuk e di se çfarë do të bëj në jetë. Profesion nuk kam, zanat nuk kam, e vetmja shkollë që kam bërë është ajo e riedukimit, por si mund të riedukohesh në mes të varfërisë?!”, – pyesin me të drejtë të rinjtë, ndërsa pranojnë se largimi nga shkolla i shkëputi përfundimisht nga rruga që me siguri do ishte më e lehtë nga ajo që ndoqën.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin