Drejtësia i jep një shans të dytë 15-vjeçarit të kapur në mënyrë të përsëritur me drogë

15-vjeçari S.Ç.,ishte toleruar nga Policia dhe Prokuroria për shkak të moshës së re, duke i shpëtuar hetimit penal për shpërndarje të hashashit në Tiranë, por kjo vetem deri në 17 nëntor të 2020-ës.

Në 17 nëntor, vetëm pak ditë pas mosfillimit të hetimit ndaj tij për një episod të ndodhur në tetor, i riu kapet sërish në flagrancë nga efektivët e Policisë, të cilët e referojnë në gjendje të lirë, ndërsa Prokuroria vendos të regjistrojë hetimet.

Sipas të dhënave të dala nga monitorimi i qendrës “Fol”, Prokuroria pasi mbylli hetimet, për shkak të dozave të shumta të kapura, por edhe për faktin se ishte përsëritës, kërkoi shpalljen e tij të fajshëm dhe dënimin për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, me 36 muaj shërbim prove.

Avokati dhe nëna e të  miturit, shkuan me një tjetër kërkesë përballë Gjykatës, duke i kërkuar atë që konsiderohet në Kodin për të Mitur, “zbatim i masës së shmangies nga ndjekja penale “Paralajmërim me shkrim” ndaj të miturit në konflikt me ligjin”.

Gjykata urdhëroi kryerjen e një sërë raporteve që lidhen me personalitetin e të miturit, duke vendosur në vlerësim të tyre, të pranojë kërkesën e nënës dhe avokatit, për t’i dhënë një paralajmërim të miturit dhe disponuar për pushimin e hetimit.

Nëna do të mbajë përgjegjësinë që i riu të mos përfshihet në aktivitet të paligjshëm, ndërsa në paralajmërimin me shkrim, i bëhet e ditur se nëse kapet edhe një herë në shkelje të ligjit, drejtësia nuk do të jetë aq e butë me të.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin