Të pavlerësuar dhe të zhgënjyer, bashkitë emërojnë 50% të punonjësve socialë pa arsimin e duhur dhe pa licencë

Rreth 300 të rinj përfundojnë çdo vit studimet e larta, 5-vjeçare për Punonjës Socialë, por të dhënat e hulumtuara nga INA MEDIA zbulojnë një panoramë të zymtë për këtë profesion. Mbi 50% e punonjësve socialë janë pa arsimin përkatës dhe të diplomuar për Hortikulturë, Zooteknikë apo Agronomi e madje ka midis tyre që janë edhe me shkollë të mesme.

Autorë: Klaudja Karabolli dhe Klevis Paloka

“T’i dedikosh 5 vite degës së Punëve Sociale dhe të mos kesh mundësi punësimi, është zhgënjim. Unë e doja shumë këtë profesion, por institucionet shtetërore nuk ma hapën derën”, – rrëfehet Maria Kaçorri, e diplomuar për Shkenca Sociale, me mesatare të lartë pranë Universitetit të Tiranës.

Ajo nuk mundi ta ushtrojë asnjë ditë profesionin e saj, ndaj e zhgënjyer vendosi të largohet nga Shqipëria, për të punuar në një punë jashtë profesionit, në anën tjetër të Adriatikut.

Njëjtë si Maria nga Rrësheni, me qindra të rinj, që diplomohen çdo vit për Punë Sociale, e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune.

Eni Picaku e ka “kyçur” diplomën e marrë për Punë Sociale dhe aktualisht punon në call-center.

26-vjeçarja tregon se ka aplikuar disa herë për një vend pune, në përputhje me diplomën që mban, por pa mundur të sigurojë një kontratë pune.

“Problemi kryesor, që kam ndeshur, është mungesa e eksperiencës. Institucionet kërkojnë minimalisht dy vite eksperiencë, kusht i pamundur për t’u plotësuar nga një student ekselent, që sapo ka dalë nga fakulteti”, – thotë Eni.

Ndërsa qindra të rinj të diplomuar janë në kërkim të një vendi pune, institucionet vendore janë të mbushura me punonjës socialë pa arsimin përkatës e në disa raste edhe vetëm me diplomë gjimnazi.

Të dhënat e grumbulluara nga Investigative Network Albania tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e punonjësve socialë, të emëruar pranë pushtetit vendor, kanë mbaruar për Zejtari, Hortikulturë, Agronomi, Zooteknikë, Histori-Gjeografi, Teknikë Laboratori, Biologji-Kimi, Zhvillim i Integruar Rural, Marketing, Mësuesi për Ciklin e Ulët, Mësuesi e Gjuhës frënge, Gjuhë-Letërsi, Matematikë, Informatikë, Turizëm, Veterinari, Juridik, Ekonomi, Financë-Kontabilitet etj., shumë larg diplomës që ata duhet të kenë. 

Bashkitë emërojnë punonjës socialë pa diplomë

Pranë pushtetit vendor janë të emëruar 314 punonjës socialë, por, sipas hulumtimit të INA MEDIA-s, 52% e tyre janë pa arsimin përkatës.

Më konkretisht, sipas të dhënave të mbërritura nga vetë bashkitë, plot 164 të punësuar në pozicionin e punonjësit social janë pa arsimin përkatës dhe vetëm 125 (40%) janë me arsimin përkatës të punonjësit social, ndërkohë që 25 rezultojnë vetëm me arsim të mesëm.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se 36 bashki të vendit kanë punonjës socialë të diplomuar në degë të tjera, jo për Punë Sociale në periudhë 5-vjeçare.

Shkodra, njëra prej bashkive më të mëdha të vendit, ka punonjës socialë pa diplomë universitare, por vetëm me arsim të mesëm. Po ashtu, punonjës socialë pa diplomë universitare kanë edhe bashkitë Memaliaj, Librazhd, Malësi e Madhe, Mirditë, Roskovec, Mat, Himarë, Finiq, Këlcyrë, Pogradec, Peqin.

Nga një korrespondencë zyrtare me të gjitha 61 bashkitë e vendit, INA MEDIA ka përgatitur një pasqyrë të qartë të situatës. 51 bashki kanë kthyer përgjigje, ndërsa, edhe pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën për Informim, 10 bashki, Fushë-Arrëz, Has, Kavajë, Krujë, Lezhë, Përrenjas, Selenicë, Shijak, Skrapar, Tropojë, nuk pranuan të na vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara.

Të dhënat tregojnë se profesionistët e fushës janë zëvendësuar nga individë pa specializimin e duhur.

Duke iu referuar të dhënave të mbërritura nga vetë bashkitë mbi studimet dhe trajnimet e punonjësve socialë në detyrë pranë bashkive të Shqipërisë, ata pranojnë se disa prej tyre kanë studiuar për profesione të tjera, si agronom, jurist, mësuesi, zooteknik, gjuhë të huaja, turizëm, histori, filozofi, shkenca politike, matematikë etj.

Bashkitë, të cilat kanë punonjës me diplomë nga Fakulteti i Punëve Sociale, janë: Tirana, Durrësi, Shkodra, Kolonja, Patosi, Mirdita, Kamëza, Dimali, Vau i Dejës, Pusteci, Lushnja, Roskoveci, Divjaka, Konispoli, Devolli, Elbasani, Kurbini, Gramshi, Librazhdi, Peqini, Kruja etj.

Eni Picaku thotë se, për të gjetur një punë, të diplomuarit për Punë Sociale duhet të kenë, ose mbështetje, ose lidhje politike me drejtues të institucioneve.

“Nuk kam besim tek institucionet shtetërore. Varet cila parti është në pushtet dhe nëse ke referenca për te drejtuesit e institucioneve, përndryshe nuk i intereson askujt diploma apo profesionalizmi”, – shprehet e irrituar 26-vjeçarja.

Agron Haxhimali, njohës i politikave të pushtetit vendor, thotë se punonjësi social është hallka kyç për të mundësuar fuqizimin ekonomik dhe ri-integrimin e familjeve në ndihmë ekonomike apo individëve përfitues nga skema e mbrojtjes sociale. Për këtë arsye arsimimi i duhur i punonjësit social është në të mirë të qytetarëve, përveçse është detyrim ligjor.

“Në kushtet aktuale, në bashki të largëta dhe të vogla burimet njerëzore në tërësi, por edhe potenciali për njerëz të arsimuar dhe të shkolluar si duhet, është vështirë të arrihet. Në këto vende, që mbeten bosh, dikush shërben, por duhet të ketë arsimin e duhur, që ta ushtrojë si duhet kompetencën e tij, në mënyrë që të jetë ndihmë sa më e madhe për çdo qytetar që ka nevojë”, – shprehet Haxhimali. 

Kryebashkiakët po shpërdorojnë detyrën

“Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e punonjësit social, në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Punonjësve Socialë dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit, të lëshuar nga ky organizëm”, – kështu saktësohet në nenin 8 të Ligjit për “Urdhrin e Punonjësit Social”.

Në këtë Urdhër mund të regjistrohen vetëm profesionistët e kësaj fushe dhe kriter kryesor është përfundimi i dy cikleve të plota të studimeve për Punë Sociale.

Bazuar në këto përcaktime ligjore, bashkitë kanë shmangur ligjin për emërimet e punonjësve socialë pa arsimin përkatës, teksa Urdhri i Punonjësit Social prej vitesh ka mbetur pezull.

INA MEDIA kërkoi një shpjegim nga Departamenti i Administratës Publike për mënyrën e punësimeve në bashki të punonjësve socialë, por institucioni zyrtarisht ia kalon kompetencën pushtetit vendor.

Avokati Adriatik Lapaj sqaron se emërimet e punonjësve socialë pa arsimin e duhur dhe pa respektuar kërkesën për regjistrimin e detyrueshëm tek Urdhri i Punonjësit Social janë shpërdorim detyre nga drejtuesit e bashkive, edhe pse sot nuk e kemi një vlerësim të dëmit ndaj shtetit.

“Çdo institucion, që shkel ligjin, ka pasoja në raport me të. Drejtuesit e institucioneve në fjalë, sa kohë punësojnë persona tej përcaktimeve ligjore, në rast se vërtetohet se nga kjo vijnë dëme ndaj shtetit apo individëve, mund të jenë duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, –sqaron avokati.

 Punonjës socialë, 7 vite në pritje të licencës

Më 8 korrik 2021, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale rikujtoi të gjithë punonjësit socialë të regjistrohen pranë Urdhrit të Punonjësit Social.

Në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët punonjësit socialë kanë depozituar dokumentet përpara 7 viteve dhe ende nuk kanë marrë asnjë informacion për regjistrim apo licencim.

Efigena Bozo, shefe e Shërbimit Psikosocial dhe Rehabilitimit në këtë qendër, tregon se ende janë pa një përgjigje nga institucioni përkatës.

“Në vitin 2015 punonjësit socialë të qendrës kanë depozituar pranë MSHMS dokumentacionin përkatës, të kërkuar nga ministria për Urdhrin e Punonjësit Social, por nuk ka asnjë informacion apo lajmërim zyrtar për mbledhjen e Asamblesë dhe fillimin e regjistrimeve pranë këtij Urdhri për licencim”, – shprehet Bozo.

INA MEDIA kërkoi një sqarim për procedurën e ndjekur për regjistrimin e punonjësve socialë tek Urdhri dhe, nga ana tjetër, nëse ministria ka pasur trajnime për stafet aktuale, të paspecializuara për punë sociale, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk mori një përgjigje.

Nga ana tjetër, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, konfirmon se punonjësit socialë, që punojnë pranë këtij institucioni, i janë përgjigjur thirrjes për t’u regjistruar tek Urdhri i Punonjësit Social, pa dhënë detaje se si është proceduar.

Edlira Gjoni, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, e shikon të pazëvendësueshëm rolin e një punonjësi social.

“Fillimisht të ezaurohen mundësitë e ushtrimit të profesionit nga ata që kanë mbaruar Punë Sociale, përpara se sa të kërkohet ndihmë me burime njerëzore nga profilet e tjera. Asgjë nuk është e ndarë me thikë, por unë mendoj se çdo profesionist i profilizuar është shumë më mirë sesa një i përafruar”, – shprehet Gjoni.

Spitalet universitare, 7 muaj pa punonjës socialë

Edhe spitalet universitare në Tiranë e kanë neglizhuar pozicionin e punonjësit social, edhe në kulmin e pandemisë së COVID-19.

Drejtoresha e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala, sqaron se ky spital nuk ka punonjës social dhe as psikolog prej 7 muajsh. Situata bëhet më alarmante, po të kemi parasysh se kjo periudhë përkon edhe me pikun e situatës së pacientëve me COVID-19, që u trajtuan në këtë strukturë. Spitali i Traumës u përfshi në një debat të fortë për mungesën e psikologut, pasi tre pacientë me COVID-19 u vetëvranë në ambientet e këtij spitali.

“Është bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Nr. 11/149 Prot., datë 30.06.2021, për një specialist – psikolog – për nevoja urgjente të spitalit, e cila nuk na është mundësuar. Në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” nuk ka të punësuar punonjës social dhe psikolog”, – thuhet në përgjigjen zyrtare.

Po ashtu, edhe në strukturën e Spitalit universitar të Traumës nuk ka punonjës social.

Drejtoria e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Shkodër na konfirmon se kanë bërë kërkesë të vazhdueshme për trajnime, por kërkesa e tyre nuk është plotësuar.

“Gjatë periudhës kohore 2015-2020 nuk është bërë asnjë trajnim specifik për punonjësit socialë, edhe pse nga institucioni jonë shpesh është bërë thirrje për trajnime të vazhdueshme të stafeve psikosociale pranë shërbimeve tona”, – shprehet Suida Kuka, drejtoreshë te Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Shkodër.

  300 studentë në vit, ku janë?

Në Universitetin e Tiranës nga viti 2011-2021 janë diplomuar në nivelin Bachelor 1567 studentë në degën Punë Sociale dhe në degën Administrim dhe Politikë Sociale. Sakaq, në nivelin e Masterit Profesional janë diplomuar 605 studentë dhe në nivelin e Masterit Shkencor janë diplomuar 1059 studentë.

Tek Universiteti i Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, në vitet 2011-2021 janë diplomuar për Punonjës Socialë 848 në nivelin Bachelor, nga të cilët 144 studentë e kanë mbaruar me kohë të pjesshme dhe 223 studentë u diplomuan në Master Profesional “Punonjës social me fëmijët dhe familjen”.

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës janë diplomuar 197 studentë për Shërbime Komunitare e Sociale përgjatë 11 viteve.

Në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, janë diplomuar 531 studentë në nivelin Bachelor, dega Punë Sociale.

Ndërkohë, në Shqipëri, ashtu si për çdo degë tjetër, universitare, mungon një plan i detajuar se sa punonjës socialë duhen në tregun e punës; cilat institucione kanë nevojë dhe si duhet bërë shpërndarja.

Pas 8 viteve, të paqartë për punonjësit socialë

Mirgit Vataj, kryetar i Urdhrit të Punonjësit Social, sqaron se, si anëtarë të Asamblesë janë regjistruar 1066 punonjës socialë, për të cilët ende nuk ka informacione të sakta se në cilin institucion ushtrojnë profesionin e tyre.

“Ligji 163/2014, i ndryshuar, për Urdhrin e Punonjësve Socialë, në Nenin 19, pika 1, ka një dispozitë kalimtare, që specifikon, që individët, që në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë të caktuar kohe, por nuk kanë formim dhe kualifikim profesional si punonjës socialë, ruajnë vendin e punës për një afat të caktuar, por janë të detyruar të ndjekin programe të formimit dhe të kualifikimit dhe t’i nënshtrohen provimit të shtetit”, – sqaron Vataj.

Mirgit Vataj, kryetar i Urdhrit të Punonjësit Social

Pra, do të ketë një mundësi të dytë për të gjithë të emëruarit si punonjës socialë për t`u kualifikuar nga shteti dhe kjo mundësi do të jepet vetëm për të diplomuarit në universitete, pasi personat, që janë vetëm me arsim të mesëm, nuk do të kenë mundësi të punojnë si punonjës socialë.

Pavarësisht mundësisë që jep ligji 163/2014, Urdhri saktëson se mund të regjistrohen në këtë organizëm, vetëm personat që kanë përfunduar ciklet e plota të studimeve për Punë Sociale.

Pra, përplasja ligjore sjell nevojën urgjente për një zgjidhje përfundimtare për punonjësit socialë.

Eliona Kulluri Bimbashi, përgjegjëse e Departamentit të Punëve dhe Politikave Sociale, thotë se hapësira dhe kërkesa për punonjës socialë në shërbimet publike dhe jo-publike është shumë e lartë, bazuar në kuadrin ligjor dhe politik të shtetit shqiptar, por ka ende problematika.

“Realiteti na tregon që ka praktika të punësimeve të papërshtatshme, sidomos në institucionet vendore, por edhe mungesa/ mosplotësim të strukturave të shërbimeve sociale, të parashikuara në ligj”, – sqaron Kulluri.

Përgjegjësja e Departamentit të Punëve dhe Politikave Sociale shprehet më tej se zbatimi i ligjit është mënyra më e mirë për ta zgjidhur një kontradiktë të tillë, shoqëruar me ndërgjegjësimin e institucioneve dhe lobimin për të vlerësuar domosdoshmërinë dhe rolin e pazëvendësueshëm të punonjësve socialë krahas profesionistëve të tjerë, si garanci për të ofruar shërbime efektive dhe cilësore.

Ligji i miratuar në vitin 2014 ka nevojë për përmirësime dhe konsultime të vazhdueshme nga grupet e interesit me qëllim krijimin e një Urdhri efektiv dhe dinjitoz.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin