Absurdi/ Qarku i Gjirokastrës asnjë pikë mbeturinash me leje, nuk plotësojnë kushtet sanitare

Të ngritura buzë ujërave të kristalta të Vjosës, asnjë prej venddepozimeve të mbeturinave të Përmetit, Këlcyrës dhe Tepelenës janë të jashtëligjshëm pasi nuk janë të pajisura me leje mjedisore. Inspektoriati mjedisor ka ndëshkuar me gjobë kryetarët e këtyre bashkive pasi nuk plotësojnë kushtet sanitare, por zgjidhja duket shumë e largët dhe e vështirë.

Autor: Ervina Shehaj

Në dalje të qytetit të Tepelenës, vetëm 3 km larg tij, ndodhet fusha më e madhe e grumbullimit të mbeturinave, jo vetëm e qytetit të Tepelenës, por edhe të 24 fshatrave përreth. Me një sipërfaqe prej dhjetra hektarësh, tonelata me mbetje zbrazën ccdo ditë në këtë venddepozitim, e cila ndodhet në një distancë rreziku, prej vetëm 10 metra nga ujrat e kristalta të Vjosës.

Rruga që të çon në këtë vendgrumbullim është e përmbytur nga mbeturinat, ndërsa një punonjës i ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, u vënë flakën mbetjeve që hidhen në këtë fushë.

Gjendja bëhet më alarmante edhe për faktin se ky është një vendepozitim i jashtëligjshëm. Bashkia e Tepelenës pranon se nuk ka një leje mjedisore, pasi është një venddepozitim emergjence.

I miratuar me vendim të këshillit bashkiak në vitin 1998, burime pranë Bashkisë Tepelenë konfirmojnë se kanë aplikuar për leje mjedisore, por nuk ka mundur të pajiset me këtë dokument të rëndësishëm, pasi nuk i plotëson kushtet, duke qenë se është një vendgrumbullim josanitar.

Pavarësisht se është pa leje, kjo është e vetmja fushë mbeturinash e miratuar për Bashkinë Tepelenë, e cila e shfrytëzon prej më shumë se dy dekadash.

Situata pranohet edhe nga vetë inspektoriati mjedisor, i cili i ka ndëshkuar me gjobë kryetarët e këtyre bashkive.

Asnjë prej venddepozitimeve të mbetjeve në qarkun e Gjirokastrës nuk është i pajisur me leje mjedisore. Masa nga ana e Inspektoratit mjedisor janë marre njëherë në vitin 2015 ndaj kryetarëve të bashkive me gjoba nga 500 mijë të reja . Gjobat nuk i janë vendosur bashkisë si institucion, por vetë kryetarëve”, – pohojnë burime nga Inspektoratit Mjedisor në qarkun Gjirokastër.

Këto venddepozitime janë zgjedhur vite më parë me vendime të këshillit bashkiak e më pas janë miratuar nga prefekti i qarkut. Leje mjedisore nuk mund të jepet, pasi nuk plotësojnë asnjë kriter, aq më tepër që grumbullohen pranë shtratit të lumit Vjosa”, – përfundon Inspektorati.

Pa leje mjedisore

Të gjendur prej vitesh në këtë situatë të paqartë ligjore, kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, i ka shpresat tek plani i ri vendor, i cili do t’i hapte dritën jeshile një landfilli rajonal. Sipas tij, vetëm kështu do të zgjidhej problemi i ndotjes.

“Pritet që të miratohet plani i ri vendor nëse do të kemi një ndryshim të vendit të grumbullimit të tyre”, – ka sqaruar vakët ai “INA MEDIA”, ndërsa nuk ka dashur të japë detaje të tjera, e as t’i përgjigjet kërkesës zyrtare me planin e masave mbi këtë çështje.

Vetë bashkia thotë se Inspektorati i mjedisit është në dijeni për situatën, por në të njëjtën gjendje janë të gjithë venddepozitimet e bashkive të qarkut Gjirokastër.

Plani i menaxhimit te mbetjeve parashikon që pas hapjes së rrugës Kardhiq-Delvinë, mbetjet e Tepelenës të depozitohen në landfillin e Bajkaj.

“Ka patur mungesë të planit rajonal të menaxhimit të mbetjeve, në bazë të të cilit bëhet plani vendor i menaxhimit të mbetjeve. Plani i menaxhimit është hartuar në vitin 2019 dhe parashikon depozitimin në landfillin e Bajkaj. Sasia që depozitohet nga Bashkia Tepelenë qyteti së bashku me fshatrat që mbulohen me shërbimin e grumbullimit te mbetjeve është rreth 2200 ton/vit”, – është shprehur kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi.

Djegia e mbeturinave është kthyer në një kërcënim serioz për këta banorë. Gjatë verës që lamë pas, rreth 15 hektarë hektarë pyje dhe dy banesa u shkrumbuan plotësisht, si pasojë e zjarrit të rënë në fushën e mbeturinave.

Aktivistët fajësojnë bashkitë për këtë situatë, të cilat në mungesë të një landfilli miratojnë grumbullimin e mbeturinave buzë lumit dhe mbyllin sytë ndaj kujtdo që ndjek të njëjtin shembull.

Olsi Nika, drejtues i Organizatës “Eco Albania” thotë se ndotja e Vjosës nga mbetjet urbane ka ardhur duke u rritur dhe se fajin për këtë e kanë kryesisht bashkitë.

“Bashkitë e luginës së Vjosës mbetjet e tyre nuk i trajtojnë në hallkat e kërkuar, pra nuk shkojnë në landfill, nuk shkojnë për riciklim por shkojnë në lum. Ka edhe hapësira të tjera që quhen të jashtëligjshme, pranë vijave të urës dhe degëve të tjera të lumit Vjosë.”, – ngre shqetësimin me të drejtë Nika.

“Problemi i mbetjeve është i zgjidhshëm në momentin që do të ketë një vullnet që do të vendoset një sistem eficient i menaxhimit të tyre”, – sheh si zgjidhje të problemit ai.

Një tjetër aktivist i mbrojtjes së Vjosës, Aleksandër Toti ka pohuar se një problem tepër shqetësues është depozitimi i mbetjeve urbane, ndërtimi i HEC-eve, por edhe derdhja e ujërave të zeza pranë këtij lumi.

“Një sërë biznesesh, por edhe banesa të cilat janë të shtrira në afërsi të lumit, ujërat e zeza i derdhin aty. Vjosa është mes tre qyteteve; Përmeti, Këlcyra dhe Tepelena që kanë të njëjtin problem, depozitimin e mbetjeve përbri saj që është një distancë shumë e afërt”, – shprehet ai.

Pjesë prej 6 vitesh në mbrojtje të problematikave mjedisore Toti thotë se aktualisht ka një plan kombëtar ku ai shpreson fort që të bëhet diçka.

“Një nga kërkesat tona ka qenë zhvendosja e vendgrumbullimit të mbetjeve, ku ka një vendim të këshillit bashkiak të viteve të kaluara e cila i përcakton aty. Me planin e përgjithshëm vendor, që kanë ardhur si rezultat i reformës territoriale pas vitit 2015, është planifikuar edhe ndryshimi i vendit qe do të vij pasi të jetë miratuar plani i përgjithshëm vendor“, – përfundon aktivisti Toti, i cili punon pranë Bashkisë Tepelenë.

Mbeturinat përfundojnë në Vjosë

Në qytetin e vogël të Këlcyrës, mbetjet e 4 njësive administrative grumbullohen në të dalë të qytetit nga ana e djathtë e rrugës.

Grumbuj plehrash, plastikë, qelq, produkte ushqimore, goma, apo edhe inerte të ndryshme kanë zaptuar shtratin e lumit Vjosa.

Duke qenë se ky vendgrumbllim është i vogël, bashkia Këlcyrë i djeg më shpesh mbetjet duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve nga sëmundje të ndryshme.

Bashkia e Përmetit i depoziton mbetjet urbane në fshatin Kutal, shumë pranë shtratit të lumit Vjosa. Banorët shprehen se kjo situatë është bërë gangrenë për ta, por askush nuk i dëgjon.

“Jetojmë mes sëmundjeve, kemi frikën e fëmijëve, gjatë verës ra një vatër zjarri për shkak të djegies së tyre”, – thotë një banor i zonës për “Investigative Netëork Albania”.

Përcaktimi i vendit ku do të grumbullohen mbeturinat është kthyer në një patate të “nxehtë” edhe për banorët. Një projekt për depozitimin e mbetjeve të qytretit të Përmetit në fshatin Piskovë, i ka ccuar në protesta dy herë brenda muajit dhjetor 2021 banorët e këtij fshati.

Ata kanë refuzuar krijimin e një vend-depozitimi për mbetjet urbane pranë fshatit të tyre në hyrje të zonës së mbrojtur të parkut të Hotovës.

Banorët e këtij fshati kanë kërkuar me ngulm nga deputetja e zonës, Mirela Kumbaro, që është njëkohësisht edhe ministrja e mjedisit, anulimin e këtij projekti i cili dëmton rëndë mjedisin në këtë zonë dhe ndikon direkt në jetën e banorëve dhe të ujit të pijshëm që ata konsumojnë.

“Ky ujë këtu do të ndotet me mbetje toksike, uji i pijshëm ku është puseta. Kemi vreshta, toka bujqësore këtu, do mbjellim perimet dhe ujin e marrim nga lumi. Ato ndikojnë direkt në shëndetin tonë. Deputetja e zonës dhe kryetarja e bashkisë duhet të kishin bërë dëgjesë publike nuk duhet t’i kishin bërë fshehurazi. Ne jemi zonë e mbrojtur, nuk do vijnë më vizitorë në parkun e Hotovës“, – tha një prej protestuesve.

Banorët e Piskovës, kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ekstreme duke nisur me bllokimin e funksionimit të aparatit të Bashkisë së Përmetit apo dhe veprime të tjera që do të ndërmerren në varësi të situatës së krijuar. Ata betohen se plehra në Piskovë nuk do të depozitohen veçse nëse do të shkelin mbi trupat e tyre.

“Unë kam ardhur nga Amerika për të investuar në tokat e babait, por mendoj se jam i dyzuar a duhet të vazhdoj të investoj apo jo. Kryeministri trumbeton me të mëdha që të kthehen të rinjtë, dhe si mund të vij unë këtu dhe të investoj në këtë vend? Ky është paradoks, ky është cernobil! Është një hap larg një dhomë gazi! Nuk e kuptoj këtë projekt“, u shpreh një i ri.

“Këta kanë filluar punimet, po bëjnë gërmime, kemi kërkuar deputeten tonë Mirela Kumbaro, ajo na ka shpërfillur, është fshehur se i bie është palë në këtë krim”, – tha një banor.

“Po bëhet një hata këtu se kemi fëmijët që pinë nga ky ujë, ne kërkojmë të anulohet projekti. Ky venddepozitim do të ndotë ujërat nëntokësore dhe do të përfundojë në lumë. Ne nuk e lëmë, do protestojmë çdo ditë, do bllokojmë rrugën dhe do ndalojmë firmën të punojë”, shprehen ata.

Ambientalisti Sazan Guri i cili përkrah protestën e banorëve thotë se ata do të ngrenë padi ndaj bashkisë Përmet dhe Ministrisë së Mjedisit lidhur me këtë situatë.

“Bashkia Përmet kërkon të ndërtojë një vendgrumbullim për mbetjet. Banorët e Piskovës kanë protestuar shumë herë lidhur me këtë, madje do ti hapin gjyq Bashkisë Përmet dhe Ministrisë së Mjedisit”, deklaroi Guri, duke vënë gishtin tek vetë bashkitë që janë katandisur në këtë situatë keqmenaxhimi mbetjesh, pasi zgjidhjet janë.

“Të gjitha bashkitë mund të ndërtojnë pika grumbullimi me një staf që ti ndajë. Kompanitë e riciklimit i marrin dhe i përpunojnë. Ato që mbeten i çojnë në një landfill rajonal pastaj për të gjithë zonën. Këtë nuk e bëjnë bashkitë, pasi sipas mënyrës aktuale i rezulton më e shtrenjtë”- , thotë eksperti.

Por Bashkia Përmet pretendon se ky landfill është i përkohshëm, pasi landfilli për gjithë rajonin do të jetë në Bajkaj.

Sipas bashkisë Përmet, qeveria shqiptare, që prej vitit 2019 ka mbështetur këtë bashki duke investuar për rritjen e standardeve mjedisore në venddepozitimet e përkohshme.

“Qëllimi i këtij investimi konsiston në minimizimin e ndotjes së mjedisit në venddepozitimin e përkohshëm të Përmetit, duke bërë të mundur rritjen e disa standardeve me kushte sanitare që të mos ketë ndikim në burimet ujore, në tokë si dhe në anën vizuale. Themi të përkohshëm pasi me përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, Përmeti dhe gjithë qarku Gjirokastër do t’i depozitojnë mbetjet në Landfillin e Bajkajt në bashkinë e Delvinës ndërsa venddepozitimet aktuale do të mbyllen përfundimisht”, – deklaroi Bashkia Përmet për INA Media.

Sipas bashkisë Përmet, problemet kanë ardhur të trashëguara nga ish komunat, nga vetë bashkia si dhe mos pasja e kushteve minimale mjedisore në venddepozitimet aktuale, të cilat janë edhe të palicencuara nga institucionet përgjegjëse, duke sjellë ndikime jo vetëm në zonën përreth, por në tërësi për imazhin turistik të qytetit.

Landfilli rajonal u parashikua si zgjidhje për qarkun në një studim të vitit 2014.

Studimi në kuadër të “Projektit Selea”, i financuar nga Programi IPA i Bashkimit Europian, i cili nisi në vitin 2011 dhe përfundoi në vitin 2014, që parashikonte mbështetje me financime në Qarkun e Gjirokastrës për përmirësimin e sistemit të grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve, doli në konkluzionin se zonës ndër të tjera i duhej një landfill rajonal.

Projekti, i cili parashikonte që brenda viteve 2018-2020 të mbulonte me shërbim pjesën më të madhe të qarkut dhe ndërtimin e një landfilli rajonal me kosto rreth 4 milionë euro, mbeti në letër.

Si pasojë e ndotjes, lumi Vjosa nuk frekuentohet më nga banorët në këto zona as për tu larë e as për peshkim.

Bashkia Gjirokastër, e cila prodhon ccdo ditë 16 ton mbetje, po i depoziton në vendgrumbullimin e Gërhotit, i cili është tejmbushur me mbetje urbane dhe kërkon një menaxhim më të mirë që situata mos të dali jashtë kontrollit.

Bashkia sqaron se për vitin 2022 ka parashikuar disa investime që fillojnë që nga blerja e makinerive e deri tek shtimi i koshave të mbeturinave me fond 24 mln lekë, ndërsa pika e Gërhotit do të mbyllet.

“Është vendosur që kjo pikë grumbullimi për shkak të ndotjes së madhe që është krijuar nga emetimit të gazrave të ndryshme të shkaktuar nga reaksionet kimike të cilat ndotin ajrin,ujin dhe ekosistemin në tërësi është vendosur të mbyllet dhe të rehabilitohen”, thuhet në përgjigjen zyrtare për “Ina Media” të bashkisë Gjirokastër, e cila konfirmon se është vetëm kjo pikë për grumbullimin e mbetjeve.

“Në projekt buxhetin e vitit 2022 janë planifikuar dhe miratuar një sërë investimesh që do të bëhen në lidhje me të gjithë infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve nga A-ja te Zh-ja e këtij procesi”, sqaron bashkia Gjirokastër.

Bashkia Gjirokastër sqaron se brenda këtij viti do të bëjë disa investime të reja në Gërhot për hapjen e disa gropave të tjera skeptike, të cilat do të jenë të përkohshme deri në ndërtimin i landfillit të ri, që është në Bajkaj. Më pas këto gropa do të mbyllen, ashtu si edhe vendgrumbullimi aktual

Hedhja pa kriter të mbetjeve në lumin Vjosë është pranuar edhe nga institucionet vendore.

“Duke ditur që hedhja jo e ligjshme e mbetjeve në lumin Vjosë ngelet një problematike e madhe për të gjithë qarkun, evidentimi i personave apo subjekteve ndotëse dhe marrja e masave ligjore do të konsideroheshin një hap parësor mbi këtë problematikë. Në bashkëpunim me Policinë bashkiake po ndërmerren masa mbi këtë çështje. Megjithatë kërkohet një ndërveprim i përbashkët i bashkive të qarkut Gjirokastër për të arritur në mbrojtjen e lumit Vjosë”, – përfundon Bashkia Gjirokastër në përgjigjen e saj.

Edhe Bashkia Memaliaj nuk ka një venddepozitim të miratuar dhe i ka duart e lidhura për një zgjidhje përfundimtare.

“Mbetjet në bashkinë Memaliaj depozitohen në një venddepozitim larg qendrave të banuara. Nuk kemi venddepozitim tjetër veç atij ekzistues. Është një sfidë e vështirë, pasi mundësitë ekonomike të bashkisë tonë janë të pakta”, – thuhet në përgjigjen e këtij institucioni vendor.

Kjo bashki gjeneron 4-5 tonë në ditë mbetje, dhe sqaron se ka kryer një sërë aksionesh pastrimi përgjatë bregut të lumit Vjosë të mbetjeve urbane dhe inerteve.

Kemi zhvilluar disa fushata pastrimi që nga fillimi muajt Nëntor me të gjitha institucionet në territorin e bashkisë. Plani Kombëtar i Pastrimit vazhdon ende”, – përfundon në përgjigjen e saj Bashkia Memaliaj.

Bashkia Dropull lidhur me situatën e Menaxhimit të mbetjeve thotë se grumbullimi bëhet nga vetë bashkia dhe venddepozitimi do të kryhet në landfill në Bajkaj në Delvinë, teksa aktualisht ato depozitohen në një pikë provizore të hapur.

“Bashkia Dropull ka kryer një përllogaritje të kostos për depozitimin e mbetjeve, ku kostoja për 1 ton mbetje deri në landfillin në Bajkaj kushton 6 100 lekë për ton, teksa në ditë gjenerojmë 4.0-4.5 tonë. E gjitha kjo është një sfide për ne parë nga pikëpamja financiare”, – u përgjigj Bashkia Dropull.

Bashkia Përmet shprehet se mbledhja e mbetjeve urbane në territorin e kësaj bashkie kryhet nga vetë ky institucion, ndërsa në zonat rurale ky shërbim nuk aksesohet ende.

“Në zonat rurale mbeturinat zakonisht digjen në vende të hapura , duke shkaktuar ndotje të madhe në zonën përreth. Metoda më e përdorur për trajtimin e mbetjeve është ajo e groposjes, megjithëse duhet përmendur fakti që këto gropa nuk kanë një strukturë të mirë ose janë të vendosura në zona të ndjeshme”, – thotë bashkia Përmet.

Mbetjet aktualisht po grumbullohen në zonën e Braçkovës, një pikë grumbullimi me sipërfaqe 3000 metra katrorë. Venddepozitimi ndodhet në veriperëndim të Bashkisë Përmet dhe largësia nga qendra është vetëm 5 km.

“Vend-depozitimi nuk ka një proces seleksionimi, dhe mbetjet pasi mbërrijnë groposen. Venddepozitimi ekzistues ku hidhen mbeturinat nuk është i rrethuar, dhe nuk ka masa mbrojtëse për të ndaluar ujërat nëntokësore nga depërtimi dhe rrjedhimisht kalimi e çlirimi i metaleve të rënda e ndotësve të tjerë”, thekson Bashkia Përmet në përgjigjen e saj, duke nënvizuar se ndotja e Vjosës do të marrë fund vetëm në momentin kur të identifikohen prurjet e mbetjeve nga Greqia dhe atëherë kur njësitë administrative në fshatra të kenë një menaxhim më të mirë të mbetjeve, duke pasur pika grumbullimi në çdo zonë.

Lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama për sanksione për të gjithë ato bashki që nuk gjejnë një zgjidhje për vitin 2022 për menaxhimin dhe depozitimin e mbetjeve, këtë nismë ambientalisti Sazan Guri nuk e quan serioze.

“Kryeministri Edi Rama po ta kishte seriozisht një strategji të tillë për menaxhimin e mbetjeve urbane do ta bënte këtë me njerëz profesionist, me ata pak që kanë mbetur në Shqipëri. Injoranca e bashkive lexohet në ballë lidhur me këtë çështje. Në Memaliaj gjen plehra ku të duash ti. Këta persona që abuzojnë me mjedisin janë pak të quhen kriminelë”, tha ai për INA Media.

Ndërsa për drejtuesin e Organizatës Eco Albania, Olsi Nikën kjo nismë është më shumë një shtrëngim dhëmbësh ndaj bashkive.

“Kryeministri i ka shtrënguar dhëmbët bashkive që të zbatojnë një nismë që për shumicën prej tyre është e pazbatueshme, sqarojmë kështu ligjin për Vetëqeverisjen Vendore, si pasojë e reformës së famshme që u bë.”, artikulon biologu.

Olsi Nika ndalet gjithashtu edhe tek dëmet që solli reforma territoriale në bashki të vogla dhe me buxhet të pakët që mezi mbajnë veten, dhe jo më të bëjnë plane me burime të shumta njerëzore e financiare për menaxhimin e krizës së mbetjeve, e cila tanimë është kthyer në një emergjencë kombëtare.

“Nëse i referohemi rastit të mbetjeve , Bashkia e Memaliaj, Telepena, etj si bashki të vogla nuk e menaxhojnë dot mbetjet e tyre. Ato nuk kanë as rrugë të asfaltuara për të shkuar deri tek kontejnerët, nëse do të kishte kontejner. Dhe ky zinxhir do të funksionojë kështu.

Ka një mënyrë që mund të funksionojë nëse do të ketë një vullnet dhe të rriten tarifat, taksat. A do jenë të gatshme që të paguajnë zonat rurale të këtyre bashkive të vogla që të paguajnë 10-15fishin e faturës më shumë për menaxhimin e mbetjeve? Mendoj se jo. Çështja e menaxhimit të mbetjeve është një çështje që ne kërkojmë ta fshehim herë pas here.”, rrëfen Nika, duke sugjeruar një zgjidhje që në thelb duhet të vijë e adresuar nga institucionet qendrore për zgjidhjen e kësaj situate kaotike tanimë jo vetëm në bashkitë e qarkut të Gjirokastrës por edhe të qarqeve të tjera.

“Për aq kohë sa ne jemi dëshmitarë që për aksione të ndryshme pastrimi del ushtria në territor, atëherë kjo është një emergjencë kombëtare. Për aq kohë sa është një urgjencë kombëtare nuk mund të menaxhohet kjo pjesë nga bashkitë.. Nëse do më pyesni mua, vetëm dy-tre bashki mund ta bëjnë këtë, pra menaxhimin e mbetjeve, të tjerat janë të pafuqishme, nuk e bëjnë dot”, përfundon Olsi Nika nga Eco Albania.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin