Postieri që mbushi pakot me gurë, nën akuzë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën

Korrieri Mikel Zeneli, kishte  detyrë të shpërndante kutitë postare te klientët dhe tarifën monetare te këtij shërbimi,  t’ia dorëzonte kompanisë.

Por 49-vjecari për shumë muaj, mbajti vlerat monetare për vete dhe deklaroi te punëdhënësi se klientët nuk i kishin tërhequr porositë.

Për ta bërë më të besueshme, i pandehuri kthente kutitë duke i mbushur me sende të tjera. Sipas dosjes hetimore, Mikel Zeneli kishte vendosur në kutitë që kthente, gurë dhe në një rast tjetër bluzën e tij.

 

Historia e vjedhjes është zbuluar nga punonjësit e postës private gjatë një komunikimi me klientët dhe më pas, vendosën të hapnin kutitë e kthyera, duke konstatuar në dy kuti që kishte sende të tjera.

Ekonomisti i kompanisë ka kallëzuar se punonjësi Mikel Zeneli, në pozicionin e korierit për shpërndarjen e postës në kohë të ndryshme i ka shkaktuar dëm këtij subjekti në shumën rreth 3000 (tre mijë) Euro.

Mikel Zeneli është duke dhënë llogari para drejtësisë për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, ndërsa po gjykohet në gjendje të lirë nga Gjykata. Për një muaj, Zeneli qëndroi në burg, derisa pagoi borxhin prej 3 mijë euro kompanisë dhe rregulloi marrëdhëniet me ta.

Mikel Zeneli ka pranuar para hetuesve ngjarjen dhe ka bashkëpunuar me hetuesit deri në shlyerjen e borxhit. Ndërkohë, rezulton të jetë babai i dy fëmijëve dhe jetonte më qira.

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin