I moshuari mbrohet në gjykatë: Nuk është drogë, është ilaç !

 

69-vjeçari Ahmet Gryka i hapi derën punonjësve të Policisë, të cilët i shkuan herët mëngjesin e 6 qershorit 2021 në banesë.

Pas përshëndetjeve të zakonit, pa hezituar, pyetjes nëse kishte dijeni për 60 bimë kanabisi  të mbjella pas banesës, iu përgjigje se “po”, por shtoi se ato ishin bimë mjekësore.

Janë disa bimë narkotike por janë mjekësore, pasi unë vuaj nga një sëmundje e rëndë e këmbëve dhe fryrje e  damarëve nga të cilët rrezikoj trompozë pra është shumë e rrezikshme për jetën“, i tha Gryka agjentëve që kishin marrë informacion në rrugë operative për ekzistencën e kanabisit.

Me të njëjtën qetësi, Ahmet Gryka vijon tu shpjegojë policëve se “…unë i kam dëgjuar në televizor që bimët narkotike mjekësore janë të rekomanduara dhe nga mjeku dhe vendosa ti mbjell ca në mes bimëve të tjera që kisha prodhime kopshti që mbjell çdo vit pas shtëpisë time. Madje mos ti tregoja askujt pasi nuk doja ta dinin se unë i kisha vetëm për veten time” deklaron në fashikullin që iu vu në dispozicion Qendrës ”Fol”.

Faktin se  canabis sativa dhe hashashi, siç quhet rëndom në zhargon janë e njëjta gjë, pretendon se e dëgjoi për herë të parë prej tyre. Të njëjtën gjë i rrëfeu edhe Prokurorisë gjatë hetimeve. “Nuk e dija, që kjo bimë quhej, “cananbis sativa”. Unë e dija që, hashashi është bimë mjekësore . Aty e mora vesh që cananbis sativa dhe hashashi janë e njëjta gjë“, përfundon ai.

Prokuroria e hetoi 69 vjeçarin në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak të moshës dhe sëmundjeve. Ndërkohë në përfundim, Gjykata e gjeti fajtor për kultivimin, por pranoi se ai nuk ishte i rrezikshëm, kishte bashkëpunuar dhe pranuar veprën penale. Gryka përfundimisht u dënua me 4 vjet kusht, kohë kur sipas gjykatës ai duhet të shmangë kontaktet me personat me precedentë kriminalë. Deklaratat e 69 vjeçarit përkojnë me të njëjtën kohë kur qeveria po kryente anketimin për liberalizimin e hashashit për tu mbjellë në mënyrë të kontrolluar dhe për arsye mjekesore.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS