E punësuan si ” shpërndarës” droge, gjykata e con me shërbim prove për shkak të moshës

17-vjeçari i identifikuar me inicialet V.Z. duhet të ishte duke ndjekur pasionet e moshës, por pasi u shkëput nga familja në Kavajë, ai u punësua nga një i ri në Tiranë që të shiste doza kanabisi në këmbim të 10 mijë lekëve në muaj.
V.Z., u dënua nga Gjykata e Tiranës për shpërndarje në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar nga autoritetet, me dy vite shërbim prove, ku gjykata e urdhëron atë të mos shoqërohet me persona të inkriminuar.
Adoleshenti u kap në nëntor të 2020, në Rrugën “Riza Cuka”, Tiranë, tek vendi i quajtur katrori me 5 doza kanabisi, ndërsa kishte të fshehura të tjera në një shkurre aty pranë. I riu u hetua dhe  u gjykua në gjendje të lirë për shkak të moshës, ndërsa ai ka treguar para hetuesve se ishte i punësuar te një 20-vjeçar.
Ky i fundit, u identifikua nga adoleshenti me emrin Culi, por nuk u identifikua asnjëherë nga Prokuroria e cila përmbylli hetimet për V.Z.. Nga dëshmia, mësohet se adoleshenti shiste 20 doza kanabisi në ditë dhe një dozë kushtonte 500 lekë.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin