Troll-et e PD-PS, ushtri komentuesish per te deformuar opinionin publik ne zgjedhje

Dy kampet kryesore politike, PS dhe PD, aktivizuan “ushtritë e maskave” për të ndryshuar perceptimin e opinionit publik përgjatë fushatës së 25 prillit. Me super-redaksi dhe strategji PR ato bëjnë “komentet që duam” për të shumëfishuar popullaritetin e liderit apo për të goditur me komente denigruese kundërshtarët politikë nga kampi tjetër.

Autor: Admir Hoxha

Arditi u shpërblye me një bursë ekselence pranë Universitetit të Tiranës, pasi u përfshi në “grupin e gatshëm” të Partisë Socialiste, që shpërndan masivisht në rrjetet sociale arritjet e qeverisë Rama.

25-vjeçari, që iu bashkua skuadrës së propagandës së PS-së thuajse tre vite më parë e që ndodhej në Pallatin e Kongreseve, pranon për Investigative Network Albania se bëhet fjalë për një strategji të mirëfilltë, me qëllim “manipulimin” e publikut nëpërmjet shumëfishimit të postimeve me arritjet e qeverisë, por edhe komente fake që demonizojnë kundërshtarin.  Madje, në objektivat e tyre ishte edhe bllokimi i faqeve të mëdha, që publikonin postime kundër qeverisjes socialiste.

“Detyra jonë ishte të shpërndanim nëpër grupe postimet e kreut të PS-së apo edhe të të tjerëve. Një nga objektivat tona ishte të bllokonim me report adresat fake të PD-së dhe faqet e mëdha, si Lolita, Brryli apo edhe faqen e avokatit Altin Goxhaj”, – thotë për Investigative Network Albania në kushtet e anonimatit Arditi, por ai mohon të kenë marrë urdhër për t’i bërë report faqes JOQ Albania, faqe e cila pretendon se është mbyllur disa herë nga qeveria.

“Ishte faqe shumë e madhe dhe nuk mund të mbyllej me report-e, por urdhri ishte që ta bombardonim me komente poshtë çdo postimi për t’i dëmtuar besueshmërinë”, – pohon ai.  “Sa herë ndodhte ndonjë arritje objektivi, si p.sh., mbyllja e faqeve, kishim shpërblim tek Skara apo në ish-Bllok, – pranon ai.

Fushata zgjedhore e 25 prillit u shoqërua me një betejë të ashpër edhe në rrjetet sociale. Dy kampet kryesore, politike në vend, të majtët dhe të djathtët, hodhën në sulm njerëzit e tyre, duke krijuar një mjedis të helmuar virtual dhe duke servirur një imazh të deformuar të liderit.

Një hulumtim i Investigative Network Albania-s dëshmon se ushtria e simpatizantëve, që herë pas here jep mbështetje të verbër, në shumicën e rasteve ka të bëjë me adresa të rreme. Ata funksionojnë sipas një strategjie komentesh të koordinuara në zyrat e propagandës së partive politike.

Dhjetëra të rinj e të reja, të punësuar nga dy kampet kryesore, qëndrojnë pas “komenteve që duam” në rrjetet sociale. Ata njihen ndryshe si farm troll-e. Kjo “ushtri” aktivizohet nga selitë e partive, kur ka ngjarje të rëndësishme, si zgjedhjet apo kur politikanë të caktuar janë në vështirësi dhe kanë nevojë për propagandë mbështetëse për pastrimin e imazhit.

Në fakt, kjo praktikë aplikohet prej vitesh edhe në Shqipëri, por vitet e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Ata punojnë në këto zyra propagande kundrejt pagesës apo premtimeve për një vend pune.

Troll farm-et e PD, 30 të rinj pas “komenteve që duam”

Skuadra e të besuarve të PD-së, që qëndrojnë pas komenteve, përbëhet nga 30 të rinj, që punojnë me dy turne. Të vendosur në katin e dytë të godinës së Partisë Demokratike, tek ish-Zyra e Shtypit, kur ajo drejtohej nga gazetari Edi Lesi, ata kanë punuar full-time deri më 13 qershor, kur Basha u rikonfirmua në krye të PD-së.

Ndryshe nga kampi socialist, që u tregua shumë i kujdesshëm, fytyrat e troll-eve brenda kampit demokrat i dekonspiroi zëdhënësja e selisë blu, Floriana Garo, në një postim të datës 22 prill. Zyrtarisht, pas tastierave në Zyrën e Shtypit të PD-së janë këta të rinj që bëjnë “komentet që duam”.

Floriana Garo, me troll-sat e PD-së

Dëshmitari nga kampi demokrat, një ish-punonjës pranë selisë qendrore të PD-së, tregon se, ndryshe nga socialistët, troll-et e PD-së paguheshin shumë pak.

“Shumica ishim vullnetarë të sjellë nga njëri-tjetri, me shpresën se do të futeshim në punë pas fitores së 25 prillit. Punonim nga 5-6 orë dhe na sillnin vetëm drekën. Urdhri më i rëndësishëm e që na theksohej shpesh nga supervizori, Rogert Blloshmi, ishte që gjithë propaganda të bëhej për Bashën si kryeministër europian”, – rrëfen ai.

Dëshmitari po ashtu thotë se, “në zyrat elektorale të PD-së secili merrte laptop-in me vete, pasi nuk kishte kompjuterë funksionalë dhe komentonim nga adresa fake që kishim hapur apo shpërndanim në Facebook postimet e fushatës”.

Sipas hulumtimit të Investigative Network Albania, kjo zyrë u krijua për herë të parë nga Lulzim Basha në vitin 2011 dhe ndodhej te dy kullat në qendër të Tiranës. Asokohe kjo zyrë i ishte besuar Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës. Burimet konfirmojnë se aktualisht kjo “zyrë besnikësh” drejtohet nga Odeta Malaj, nga gazetarja Desada Metaj, drejtoresha e Zyrës së Shtypit, Elona Meço dhe Endri Hasa, që ka përgjegjësinë për IT-në e Partisë Demokratike.

Transparenca e faqes në facebook mbi historikun e krijimit dhe administrimit të faqes së Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha

Troll Farm i PS, një super-redaksi

Duke përfituar nga lehtësitë që krijon pushteti, kampi socialist i paguan mirë, i shpërblen, madje organizon festa për t’i mbajtur të motivuar troll-sat e saj. Burimet shpjegojnë se ata kanë kontraktuar edhe kompani PR për rrjetet sociale, që i konsulton. Të njëjtat burime brenda kësaj strukture rrëfejnë për Investigative Network Albania se puna organizohet vertikalisht, ku urdhri i dhënë nga koordinatori digjital shkon në bazë, te Sekretariati digjital. Burimet sqarojnë se ekzistojnë tri rrjete të pavarura celulash: një në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, e cila ndodhet brenda kësaj godine, një në Kryeministri dhe tjetra është e lëvizshme.

Struktura e fryrë e PR në Bashkinë e Tiranës u dekonspirua nga BIRN në vitin 2017, ku zyrtarisht Bashkia e Tiranës pranoi se kishte 43 punonjës, ku përfshihen 3 drejtorë, 5 përgjegjës sektori dhe 34 specialistë.

Për Partinë Socialiste zyra e propagandës i ka fillimet në vitin 2009, në katin e parë të selisë rozë; asokohe një zyrë tejet modeste me 3-4 vetë që drejtohej nga Armela Krasniqi. Më pas drejtimi i saj iu besua Etjen Xhafajt. Sot është shndërruar në një super-redaksi nën menaxhimin e gazetarit Flogert Muça. Burimet sqarojnë se të gjithë drejtuesit kanë marrë dhe marrin direktiva nga Endri Fuga, këshilltari i kryeministrit Rama dhe njeriu që drejton strategjinë mediatike të qeverisë socialiste.

Burimet konfidenciale sqarojnë se kjo redaksi “në kohë të qetë shkon deri në 30 veta, ndërsa në kohë fushate rekrutohen edhe deri në 50-60 persona, kryesisht të rinj”. “Këta të rinj zgjidhen me kujdes, pasi duhet të jenë të besueshëm. Më pas shpërblehen, duke u punësuar pranë universiteteve, institucioneve shtetërore apo shpërblehen me anë të bursave”, – na rrëfen ai.

Ai na jep edhe një detaj interesant për luftën brenda llojit në PS.

“Ka patur raste, kur IT në këto zyra ka haker-uar edhe faqe të eksponentëve të lartë të PS-së për të parë çfarë mesazhesh shkëmbenin”, – rrëfen ai për Investigative Network Albania.

Pavarësisht se kush i drejton, porosia është një dhe e vetme: gjithçka të bëhet në heshtje të plotë.

Asgjë nuk bëhej publike, nuk ka foto në Instagram, nuk ka foto në rrjetet sociale.

Askush nuk i njeh troll-sat tanë”, – na thotë Arditi. Megjithatë, ai pohon se kanë patur edhe raste, kur mund ta kuptosh qartë se kush punon në këto redaksi partish. “Kur doli skandali i ministrave te Nusreti, lajmin e parë, zyrtar se përfaqësuesit shqiptarë janë në darkë pune, e nxori portali Lexo.al”, – na thotë ai, portal i cili menaxhohet nga Flogert Muça, të cilit i është besuar aktualisht drejtimi i zyrës së PS-së.

Përftimet e ndryshme duket se janë arsyet që i detyrojnë këta të rinj t’iu bashkohen skuadrave të komentuesve me strategji. “Ka pasur raste, kur të rinjtë që punonin në këto zyra, kanë ndërhyrë që tatimorët në rrethe të mos shkojnë për kontrolle në bizneset e familjarëve të tyre”, – na thonë ata që punojnë për kampin socialist.

Si i zbulojmë në “terren” troll-et?

Investigative Network Albania hulumtoi disa nga postimet më të ndjekura të liderëve të partive kryesore, PD dhe PS, gjatë fushatës elektorale të 25 prillit. Konkretisht vëzhguam se si janë sjellë komentuesit në faqen zyrtare të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në postimet e tyre, që pasqyrojnë hapjen e fushatës elektorale, mbylljen e fushatës dhe ditën e votimit.

Të dhënat janë shumë interesante.

Postimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e hapi fushatën zgjedhore më 25 mars në sheshin Nënë Tereza mes mijëra simpatizantëve dhe që u transmetua live në Facebook, mori 9.200 komente në total; nga këto 878 janë komente lavdëruese, të prodhuara në troll farm-et e Partisë Demokratike, ndërsa 123 janë komente të prodhuara nga troll farm-i i Partisë Socialiste, që tentojnë të formojnë shumicën e manipuluar. Për të dalluar komentet fake nga ato reale është eksploruar një më një çdo adresë.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi një tjetër formulë për nisjen e garës elektorale. Ai e hapi fushatën zgjedhore pa praninë e publikut te sheshi Skënderbej, por gjithçka ishte live. Në lumin e komenteve vihet re se një pjesë e tyre janë adresa fake, me foto profili të kandidatëve për deputetë. Të tillë si profili i Ana Joana, e cila ka foto profili kandidaten me nr. 16, Klotilda Bushka, janë me shumicë.

Foto 3.

Nga gati 18.000 komente, pasi shumë nga komentet janë filtruar dhe nuk shfaqen, 1.655 janë komente lavdëruese dhe që shajnë opozitën, ndërsa 276 komente janë troll-e të PD-së.

Kryeministri Rama zgjodhi të njëjtën strategji edhe ditën e votimit, më 25 prill. Nga 9.200 komente, gati 905 janë komente lavdëruese dhe 308 troll-e që e ofendojnë dhe bëjnë thirrje që të mos votohet. Komentet, që shajnë apo diskreditojnë kundërshtarin, në këtë rast troll-et e PD-së, ironizojnë kryeministrin për veshjen Yamamoto.

Foto 4.

Postimi në Facebook nga momenti i votimit i kryedemokratit, Lulzim Basha, mori 4.700 komente. Investigate Network Albania hulumtoi një më një të gjitha këto komente dhe rezulton se 539 janë lavdërime troll-esh dhe 78 janë kundërsulme nga fabrika e troll-eve të PS.

Foto 5.

Në daljen e fundit televizive të Bashës në emisionin Zonë e Lirë, për fushatën zgjedhore të 25 prillit vihet re një mobilizim më i madh i makinerisë së propagandës së troll-eve nga të dy kampet. Nga 8.800 komente në total, 1.065 janë troll-e të PD-së. Çfarë e shton aktivitetin në natën e fundit të fushatës, është numri i lartë i replys i troll-eve te komentet negative që vijnë nga personat realë, por edhe me troll-et e kundërshtarit. Troll-et e PS-së kanë qenë 128 komente.

Kryeministri Edi Rama, në intervistën e mbylljes së fushatës mori 9.300 komente në total, nga të cilat 861 janë pozitive dhe 330 janë troll-e të PD-së, që paralajmërojnë për humbjen.

Surpriza është profili i Agim Sejdos, i cili ndjek një strategji, që synon të ngatërrojë socialistët e vërtetë. Ai thotë: “Votoni Partinë Socialiste, numrin 9”, ndërkohë që PS është numri 12. Nuk bëhet fjalë aspak për ngatërresë, por për një marifet për të “deformuar” votën. Agim Sejdo ka bërë plot 139 komente të tilla.

Foto 6-7

Sipas hulumtimit të Investigate Network Albania, në 5 postimet me më shumë aktivitet të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, rezulton se: Basha ka marrë 32.051 komente, nga të cilat 2.914 janë troll-e pozitive dhe 446 troll-e negative. Kryeministri Rama ka marrë 50.400 komente, nga të cilat 4.651 janë troll-e pozitive dhe 1.461 troll-e negative. E përkthyer në përqindje rezulton se në postimet e marra në shqyrtim, Basha 9% të komenteve i ka troll-e ose lavdërime fake dhe 1.3% sulme nga kundërshtarët. Nga statistikat e kryeministrit Rama rezulton se 9.2% e komenteve janë troll-e që i thurin lavde për tetë vitet në pushtet dhe 2.8% e komenteve, sulme nga troll-et e PD-së.

Kompani PR për propagandën në Facebook

Të dy liderët, Edi Rama Dhe Lulzim Basha, kanë kompani të specializuara PRTimes of Israel pak para zgjedhjeve të 25 prillit publikoi një shkrim se si këshilltarët izraelitë orkestruan fushatën politike të PS dhe të PD.

Duket se të dy liderët kryesorë, politikë iu besojnë atyre. Jonatan Urich këtë herë ishte në anën e humbjes, duke këshilluar Bashën së bashku me Asaf Shariv, një ish-këshilltar i komunikimit i kryeministrit të ndjerë, Ariel Sharon dhe ish-konsulli i Izraelit në Nju Jork; Israel Einhorn, një ekzekutiv i reklamave dhe këshilltar i Netanyahu-t; dhe Adi Timor, një konsulent komunikimi me ekspertizë në fushatat ndërkombëtare, përfshirë Afrikën”, – thuhej në shkrim.

Ai që ndihmoi fushatën e Ramës ishte Tal Silberstein, i cili shërbeu si këshilltar strategjik i Gideon Sa’ar në fushatën e marsit 2021 dhe ka qenë një shtyllë kryesore e fushatave të tjera në Europë. Gjithashtu, në anën e tij ishin Assaf Eisen, i cili ka punuar për shumë vite në Shqipëri dhe shumë vende të tjera; Ido Stossel, i cili këshilloi laburistët në mars dhe Shuki Shapira, i cili ishte zëdhënës i ish-Meretz MKIlan Gilon. Sipas Times of Israel këta janë kokat e strategëve që kanë drejtuar fushatën e PS dhe PD.

Në Izrael, për shembull, të dy, Timori dhe Silberstein, punuan për Sa’ar, por në Shqipëri ata ishin në anët e kundërta të kutisë së votimit. Rezultat i këtij këshillimi konsiderohet edhe numri i ndjekësve në rrjetet sociale. Kreu demokrat, Lulzim Basha, numëron 650 mijë ndjekës në rrjetin social Facebook, përkundër 1.5 milionë ndjekësve të kryeministrit Rama.

Administrata, “ushtria me detyrim” e komentuesve

Andi (emri nuk është i vërtetë), është pjesë e administratës së Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, të shpërndash postimet e kryetarit të bashkisë nuk është zgjedhje, por urdhër. I ndjerë në siklet dhe për t’i shpëtuar turpërimit, ai rrëfen për Investigative Network Albania se fillimisht aktivizoi opsionin që këto postime me detyrim të ishin private. “Kur e kuptuan, më bënë presion hapur për heqje nga puna”, – thotë Andi.

Andi rrëfen se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit kanë dalë çdo ditë në terren dhe vetëm të hënave shkonin në bashki për të raportuar për mbledhjet dhe strategjinë javore. Një rast flagrant është edhe se si kryebashkiaku Veliaj përdori administratën e Bashkisë së Tiranës për të sulmuar Grida Dumën, rivalen e tij si drejtues qarqesh në këto zgjedhje lokale. Kur dolën përgjimet e `Ndrangheta-s dhe u përfol lidhja e kryebashkiakut me grupin mafioz, Grida Duma ishte e para që reagoi, madje edhe më fort se opozitarët e tjerë. Administrata u hodh në sulm, madje edhe me nota seksiste. Nga një vëzhgim i faqes në rrjetet sociale të autorëve të këtyre komenteve, kuptohet se, ose janë punonjës të Bashkisë së Tiranës, pasi bëjnë share çdo postim të Veliajt, ose janë adhurues të tij dhe kanë foto profili me Erion Veliajn.

Komentues kunder Grida Dumes
Profili në rrjetet sociale i dy prej shumë komentuesve kundër Grida Dumës

Detyrimi i administratës për të bërë share postimet dhe arritjet e qeverisë, nuk është një fenomen që ka prekur vetëm Bashkinë e Tiranës. Thuajse të gjithë punonjësit e administratës shtetërore e kanë për detyrë që të bëjnë edhe like-t e share-t e postimeve të qeverisë. Një vëzhgim i BIRN, sipas të cilit në rang kombëtar Partia Socialiste ka një ndërveprim më të lartë në rrjetet sociale në krahasim me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, ia atribuon këtë edhe përdorimit të administratës, por edhe fake account-eve ose troll-save, të cilët janë aty për të shumëfishuar propagandën.

Për efektin e mashtrimit që prodhojnë troll-sat në vendin tonë, prestigjiozja The Guardian realizoi një hulumtim, ku ndër të tjera thuhej se “një hetues i Inteligjencës së kërcënimeve gjeti prova se rrjeti shqiptar, i cili po prodhonte komente jo-autentike, ishte i lidhur me individë në qeveri dhe më pas hoqi dorë nga çështja dhe nuk ndërmori asnjë veprim”.

Aty shpjegohej se si qeveria shqiptare kishte përdorur Facebook-un për të mashtruar qytetarët dhe për të shtrembëruar diskursin politik; kishte përdorur adresat fake për të bërë “komentet që duam”, duke shumëfishuar propagandën dhe duke komentuar pozitivisht në profilin e kryeministrit, por edhe duke kritikuar opozitën. Skema është e thjeshtë: Sa më shumë komente pozitive, aq më të shumta shanset për një imazh më pozitiv. Edlira Gjoni, eksperte komunikimi, e sheh si shqetësim serioz gjuhën e përdorur nga troll-sat, duke filluar që nga kërcënimet me varje, pushkatim të politikanëve apo personave që komentojnë një mendim ndryshe nga ai i troll-save.

Ajo këmbëngul që duhet patjetër një rregullator dhe tërheq vëmendjen të mos e ngatërrojmë me cenimin e fjalës së lirë.“Duhen filtra. Disa e sulmojnë këtë qëndrim, duke e ngatërruar me cenimin e lirisë së fjalës. Në fakt, pa to bëhet vrasja më flagrante e fjalës, duke e keqpërdorur apo mbytur me metoda të tilla fyese, manipuluese dhe urrejtjeje. Troll-sat janë sot ndër burimet e problemeve të shëndetit mendor, uljes së vetëbesimit dhe tërheqjes nga jeta aktive e personave të sulmuar”, – sugjeron ajo.

Skema, si e rrisin aktivitetin e faqeve adresat fake

Algoritmet e Facebook-ut funksionojnë në mënyrë të tillë që sa më shumë share, komente apo pëlqime të ketë një postim, (ndërveprime), aq më shumë personave iu del postimi në mur. Supozojmë se një person i ka dhëne like faqes së kryeministrit Rama në vitin 2017 dhe prej atëherë nuk ka parë asnjë postim të kryeministrit. Papritur një ditë i shfaqet në mur një video propaganduese. Për t`u shfaqur në wall-in e këtij personi kjo video, përveç aktivitetit që gjenerohet nga militantët, punonjësit e administratës apo simpatizantët, një dorë ia japin edhe adresat fake me komentet, like-t, dhe share-t nëpër grupe apo edhe në murin e tyre.

Në luftë për të pastruar realitetin virtual, Facebook i ka bërë më inteligjente algoritmet, duke fshirë shumë fake accounts që shumëfishojnë propagandën për një qëllim të caktuar. Por, si pasojë e këtyre algoritmeve, janë fshirë edhe adresa të personave realë, pasi kishin të njëjtën foto profili me adresat fake.

Gent Progni, programues në Techzero1.com, thotë se “Facebook mashtrimin me komentet e kishte nuhatur më parë dhe 4 ditë para nisjes së fushatës lajmëroi se do t`i eliminonte këto adresa të pakonfirmuara dhe ashtu bëri. Shumë adresa fake nuk ekzistojnë më. Kjo strategji e propagandës me anë të komenteve fake nuk është e mirëmenduar. Harxhon shumë energji dhe nuk targeton shumë persona”, – mendon ai.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin