17-vjeçari i identifikuar me inicialet V.Z. duhet të ishte duke ndjekur pasionet e moshës, por pasi u shkëput nga familja në Kavajë, ai u punësua nga një i ri në Tiranë që të shiste doza kanabisi në këmbim të 10 mijë lekëve në muaj.
V.Z., u dënua nga Gjykata e Tiranës për shpërndarje në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar nga autoritetet, me dy vite shërbim prove, ku gjykata e urdhëron atë të mos shoqërohet me persona të inkriminuar.
Adoleshenti u kap në nëntor të 2020, në Rrugën “Riza Cuka”, Tiranë, tek vendi i quajtur katrori me 5 doza kanabisi, ndërsa kishte të fshehura të tjera në një shkurre aty pranë. I riu u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë për shkak të moshës, ndërsa ai ka treguar para hetuesve se ishte i punësuar te një 20-vjeçar.
Ky i fundit, u identifikua nga adoleshenti me emrin Culi, por nuk u identifikua asnjëherë nga Prokuroria e cila përmbylli hetimet për V.Z.. Nga dëshmia, mësohet se adoleshenti shiste 20 doza kanabisi në ditë dhe një dozë kushtonte 500 lekë.
