Qytetarët janë të shqetësuar nga korrupsioni në institucione të larta si drejtori dhe ministri, duke bërë kallëzime në organet kompetente sa i përket hetimeve penale për këtë problematikë.
Sipas një raporti të Qendrës “Fol”, rezulton se 39% të kallëzimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm, por edhe hetime të nisura nga Prokuroria dhe Policia kryesisht, për dyshime korrupsioni dhe shpërdorim detyre shkojnë pikërisht për drejtoritë përgjegjëse dhe ministritë e linjës e zyrtarët e tyre.
Në vendin e dytë, qytetarët në Tiranë, kallëzojnë në Polici dhe Prokurori, Kadastrën dhe zyrtarë të saj me dyshimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës për çështjet e pronave. Kallëzimet e tjera shkojnë për Policinë dhe efektivët, institucionet bankare, transportin rrugor e ajror, si dhe njësitë Administrative.
Më konkretisht, sipas raportit të Qendrës “Fol” për monitorimin e punës së trekëndëshit Polici-Prokurori-Gjykatë, që përfshin një periudhë 6-mujore monitorimi të veprave penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës rezulton se më shpesh të kallëzuar janë:
“Përfaqësues të institucioneve publike si Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë rajonale, agjensi të posaçme pranë Ministrive të linjës, ARRSH (Autoriteti Rrugor Shqiptar), OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), punonjësit e institucioneve të ndryshme të sistemit penitenciar (burgjeve) etj., si dhe përfaqësues të subjekteve private si banka të nivelit të dytë dhe fondacione mikrofinanciare, rezultojnë të kallëzuar nga ana e shtetasve të ndryshëm fizikë ose BKH si autorë të dyshuar të veprave penale në fushën e korrupsionit”, bëhet e ditur në raport.