Nga rreth 10 mijë ashensorë në vendin tonë, vetëm 1.200 e kanë kaluar kontrollin teknik, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e 7.800 ashensorëve të tjerë. Personi që duhet të ndjekë të gjithë procedurën ligjore për sigurinë e ashensorit, është administratori i pallatit, por të dhënat e INA MEDIA-s tregojnë se shumë pallate nuk kanë administrator. Nga ana tjetër, autoritetit kontrollues, IMSHT-i, do t’i duheshin së paku 15 vite për të kontrolluar të gjithë ashensorët në vend.
Autor: Albana Agolli
Adem Cemurati është administrator me kohë të plotë i disa hyrjeve në një bllok pallatesh në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet, ku banon edhe vetë.
Si rregull, kontrata e administratorit rinovohet çdo vit, por këtë vit Ademi nuk e rinovoi kontratën me banorët e njërës prej hyrjeve të pallatit. Shkak u bë mosdakordësia e banorëve për të paguar kostot shtesë, që do të mundësonin modernizimin e ashensorit, gjë që është domosdoshmëri në godinat e ndërtuara përpara vitit 2000.
“Kompania e mirëmbajtjes më njoftoi se ashensori ishte jashtë kushteve teknike. Duke qenë se është një ashensor i vjetër, duhej ndërhyrë për ndërrimin e disa pjesëve të tij. Banorët nuk ranë dakord për kostot shtesë, edhe pse iu thashë se kjo ishte për sigurinë e tyre. Nga ana tjetër, edhe unë si administrator kam përgjegjësi, nëse ndodh një aksident, prandaj, pasi më përfundoi kontrata me banorët e kësaj hyrjeje, unë nuk e rinovova më”, – shpjegon Ademi për Investigative Network Albania.
Po ashtu, edhe kompania e mirëmbajtjes ndërpreu marrëdhëniet kontraktuale me banorët, duke e konkretizuar aktin me një shkresë që ia paraqiti administratorit, përpara se ky i fundit të dorëhiqej.
Referuar ligjit, kompanitë e mirëmbajtjes së ashensorëve duhet ta bllokojnë ashensorin, në rastet kur ai nuk i përmbush kushtet teknike.
Edhe në këtë rast inxhinieri që merrej me mirëmbajtjen e ashensorit, tentoi të ndërpriste funksionimin e ashensorit, por ndeshi në kundërshtinë e fortë deri në kërcënime të banorëve.
“Nuk më lejuan ta bllokoja. Ishte e pamundur të bëja punën time, prandaj vura në dijeni Inspektoratin Shtetëror të Mbrojtjes së Tregut”, – thotë Enkeledi Groballi, inxhinier që merret me mirëmbajtjen e ashensorëve.
Banorët vijojnë ta përdorin ashensorin, edhe pse kanë kaluar muaj, nga koha kur janë vënë në dijeni se ashensori duhej modernizuar.
“Ne kemi paguar çdo muaj për mirëmbajtjen, nuk ka pse të mos jetë i sigurt ashensori ynë”, – thotë i pashqetësuar një prej banorëve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 643, 2.10.2019 “Për sigurinë e ashensorëve në përdorim” përcakton se çdo ashensor duhet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit teknik nga një trupë e autorizuar.
“Afati për regjistrimin e ashensorëve është i menjëhershëm. Nuk duhet të jetë në përdorim një ashensor që nuk ka kaluar certifikimin nga një trupë e akredituar dhe nuk është regjistruar pranë ISHMT-së. Procesi i certifikimit është një proces i domosdoshëm. Nëse nuk e ka kaluar atë proces, ashensori nuk duhet të jetë në përdorim”, – thotë Julian Llupo, drejtues i Drejtorisë së Sigurisë së Produkteve pranë ISHMT-së.
Vetëm një në 10 ashensorë, i kolauduar
Sipas të dhënave të ISHMT-së, nga mbi 10.000 ashensorë në të gjithë vendin, vetëm 1.200 janë të regjistruar dhe akoma më pak janë të kolauduar.
Gjatë viteve të fundit janë regjistruar dy aksidente në ashensor. Rasti i fundit daton në shtator të vitit 2021, kur në zonën e Astirit në kryeqytet një ashensor u shkëput me 5 veta brenda. Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ndërsa në janar të vitit 2017, një grua 29 vjeç humbi jetën, pasi ashensori u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi në zonën e Freskut në Tiranë.
Më të shumta janë rastet e bllokimeve në ashensorë. Efektivëve të zjarrfikësve iu duhet të ndërhyjnë të paktën një herë në javë për të nxjerrë persona të bllokuar në ashensor. Përgjithësisht shkak bëhet mungesa e mirëmbajtjes apo luhatjet e energjisë elektrike.
Në Shqipëri pas vitit ’90 nisën të ndërtoheshin pallate të pajisura me ashensorë, por vetëm vitet e fundit është ngritur një mekanizëm për të garantuar sigurinë e tyre.
“Pjesa e kontrollit të ashensorëve është një punë që nuk është bërë për 30 vite dhe vitet e fundit ka nisur të përmirësohet. Shumë problematika janë të akumuluara prej vitesh”, – thotë Enkeledi Groballi.
Vetë banorët e pallatit, të organizuar në asamble, duhet të zgjedhin kryesinë dhe më pas administratorin, një ndër detyrat e të cilit është edhe regjistrimi i ashensorit pranë ISHMT-së, lidhja e kontratës me një kompani mirëmbajtëse, si dhe lidhja e kontratës me një trupë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik, periodik.
Por, në mjaft raste administratorët janë të pacertifikuar nga njësitë vendore e për rrjedhojë të patrajnuar për t`i përmbushur këto detyra.
“Problemi më i madh është tek administratorët e pallateve, që janë të palicencuar nga bashkia dhe që nuk zbatojnë rregullat që i përcakton ligji për të bërë kolaudimin e ashensorit dhe për të bërë rregullisht pagesat e mirëmbajtjes çdo muaj. Në shumë pallate hasim vështirësi për pagesat. Lidhim kontratën, një muaj paguajnë, muajin tjetër nuk paguajnë”, – ankohet Enkeledi Groballi, mirëmbajtës ashensorësh.
Në vitin 2018, me vendim të Këshillit të Ministrave u përcaktua detyrimi që të gjithë ashensorët duhet të regjistroheshin dhe të kolaudoheshin (ashtu siç ndodh edhe me automjetet). Po ashtu, çdo muaj ashensori duhet t’i nënshtrohet kontrollit periodik nga kompania e mirëmbajtjes.
Nga njëra anë, ndërgjegjësimi për ta kryer këtë procedurë është i ulët, në anën tjetër edhe më të kufizuara janë kapacitetet për të kryer kontrolle.
“Gjatë periudhës 3-vjeçare, që sektori përkatës pranë ISHMT-së, që përbëhet nga 8 persona, ka nisur kontrollet, janë kryer rreth 2 mijë inspektime dhe i gjithë procesi është mbyllur me certifikimin e ashensorëve dhe me regjistrimin e tyre pranë ISHMT-së. Më pak se 1.200 janë të regjistruar dhe vazhdon procesi me regjistrimin e ashensorëve të tjerë”, – thotë Julian Llupo, drejtues i Drejtorisë së Sigurisë së Produkteve pranë ISHMT-së.
ISHMT nisi të ndërtonte bazën e të dhënave të ashensorëve rreth 3 vite më parë. Deri tani figurojnë të regjistruar 1.137 ashensorë, nga rreth 10 mijë që janë në përdorim.
Në harkun kohor të 3 viteve janë inspektuar rreth 1/5 e ashensorëve që janë në përdorim. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, do të duhen së paku 15 vite që ISHMT të kontrollojë të paktën një herë të gjithë ashensorët në vend. Gjatë 10 muajve të vitit 2021 janë kryer 274 inspektime, në 31 raste janë paralajmëruar subjektet për të përmbushur detyrimet dhe në 26 raste janë gjobitur.
“Ne funksionojmë me të njëjtën logjikë që funksionon kontrolli i kolaudimit të automjeteve. Pra, nëse të ndalon një punonjës policie, ai të kërkon dokumentin e kolaudimit; edhe ne të parin kryejmë kontrollin e dokumentacionit. Nëse ashensori nuk është i regjistruar, nuk është i kolauduar, i lihet administratorit një afat që nuk kalon 30 ditë. Gjatë kësaj kohe duhet të kryejë patjetër certifikim, përndryshe ashensori bllokohet”, – tha Julian Llupo.
Adem Cemurati thotë se i ka regjistruar ashensorët e hyrjeve që administron, por nuk ka kryer kolaudimin e tyre, pasi banorët nuk kanë bërë pagesat shtesë që nevojiten.
“E kam njoftuar kryesinë e banorëve për të kryer kolaudimin dhe mendoj se jemi në proces. Sapo të mblidhet kuota që duhet paguar, do ta kryejmë dhe kolaudimin”, – tha Adem Cemurati.
Kontrolli teknik (kolaudimi) duhet të kryhet nga një prej pesë organeve të miratuara. Ky shërbim kushton 20.000-30.000 lekë, por shpesh pas kontrollit teknik mund të lihet detyrë që ashensori të modernizohet apo t’i ndërrohen pjesë të caktuara, gjë që do të kërkonte sërish pagesë shtesë të banorëve.
“Vështirësia më e madhe haset, kur ashensorëve duhet t’iu bëhet një modernizim. Zakonisht bëhet fjalë për ashensorët e vendosur para vitit 2000, të cilët janë të amortizuar dhe kanë nevojë për ndryshim të pjesëve të këmbimit. Nëse kompania mirëmbajtëse ose ajo që kryen kolaudimin konstaton se ashensori ka nevojë për ndërhyrje, ia paraqet administratorit dhe administratori ia paraqet asamblesë ose kryesisë, të cilat duhet të marrin masa për mbledhjen e kuotave për të bërë pagesën. Kjo është pjesa më e vështirë, sepse nuk gjendet mirëkuptimi me banorët, duke qenë se është plus pagesës mujore”, – thotë Ademi Cemurati, administrator pallati.
Në kushtet kur institucioni kontrollues nuk ka kapacitete të mjaftueshme për inspektime, që do të detyronin kryerjen e regjistrimit dhe kolaudimit të ashensorëve, administratorët mbeten të vetëm në betejën për të bindur banorët.
“Vetë banorët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm; duhet të jenë të parët që të interesohen që ashensori t’i ketë kaluar të gjitha kontrollet e mundshme. Nuk mjafton mirëmbajtja mujore. Është njësoj si me një makinë, që ti e mirëmban për shumë vite dhe pastaj vjen një moment që duhet t’i këmbesh edhe pjesët. Unë si administrator i kam duart e lidhura pa përkrahjen e asamblesë apo kryesisë së banorëve”, – thotë Adem Cemurati.
Shumica e godinave janë pa administrator
Elona F., e cila banon prej 13 vitesh në një pallat të ri në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, tregon vështirësitë në administrimin e ambienteve të përbashkëta.
“Në shkallën tonë ne kemi administrator prej më shumë se 12 vitesh, por me këtë punë fillimisht janë marrë banorë të pallatit, kryesisht pensionistë. I kemi ndryshuar disa herë administratorët. Unë mbaj mend të paktën 4 herë dhe tani kemi një administrator të certifikuar nga bashkia. Por, herë pas here, kur kalonim nga një administrator te tjetri, kemi qenë edhe pa administrator. Në këto kohë krijoheshin dhe problemet më të mëdha për mbledhjen e kuotave”, – thotë Elona.
Ndonëse ligji “Për Administrimin e Bashkëpronësisë” është i vitit 2009, vetëm në vitin 2017 kanë nisur të certifikohen administratorët.
Pikërisht në ligjin “Për Administrimin e Bashkëpronësisë”, neni 20, përcaktohet se administratori duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për mirëmbajtjen e ambienteve në bashkëpronësi, ku përfshihet edhe ashensori, duhet të ndërmarrë kontrollet periodike të ashensorëve, duhet të kryejë regjistrimin e ashensorëve pranë strukturave përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut.
Po ashtu, nëse gjatë inspektimeve konstatohet mospërmbushje e këtyre detyrimeve, administratori dënohet me gjobë.
Ligji i miratuar 10 vite më parë ka nisur të zbatohet vetëm në vitin 2017, kryesisht në Bashkinë e Tiranës. Të dhënat e mbledhura përmes një kërkese për informacion drejtuar disa prej bashkive më të mëdha në vend, tregojnë se një numër i konsiderueshëm i godinave të banimit me ashensor nuk kanë administratorë.
Edhe pse Tirana ka më shumë administratorë të certifikuar, sërish mbeten njësi banimi me ashensor, që nuk kanë një administrator, i cili do të duhej të kujdesej edhe për të garantuar sigurinë e ashensorëve.
Në Bashkinë e Durrësit janë të certifikuar vetëm 7 administratorë, qartazi të pamjaftueshëm për të administruar të gjitha godinat e banimit në këtë qytet.
Bashkia e Fierit, Bashkia e Korçës dhe ajo e Vlorës pranojnë se nuk kanë asnjë administrator të regjistruar në Librin e Administratorëve. “Nuk është paraqitur asnjë kërkesë për certifikim administratori”, – thuhet në përgjigjet e tyre.
Bashkia e Shkodrës nuk e konsideron detyrë të vetën certifikimin e administratorëve. Në përgjigjen zyrtare të kësaj bashkie thuhet: “Bazuar në Kreun II, “Bashkëpronësia në Tërësi” të ligjit nr. 7850, datë 29.07. 1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr. 10 112, datë 9.4.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, administratorët e pallateve e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur.”
Por, në fakt, ligji “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” specifikon në nenin 19, pika 2: “Çdo person, fizik apo juridik, privat, që ka për objekt veprimtarie administrimin e ndërtesave, regjistrohet në Librin e Administruesve pranë bashkisë, komunës, në juridiksionin e së cilës do ta ushtrojë këtë veprimtari.”
Pra, njësia vendore duhet të ketë një informacion të plotë për personat fizikë apo juridikë që e ushtrojnë këtë veprimtari, pasi ligji i ngarkon ata edhe me përgjegjësi.
Adem Cemurati është ndër të parët që e ka marrë certifikatën nga Bashkia e Tiranës për ta ushtruar këtë veprimtari.
“Më është dashur të bëj një kurs të posaçëm për t’u njohur me detyrat dhe përgjegjësitë që ka një administrator. Mendohet si punë e lehtë, por nuk është kështu. Duhet t’i njohësh detyrimet që ke”, – thotë Adem Cemurati.