Vrasjet e grave, 139 vajza të vrara në 10 vite: As sistemi i drejtësisë nuk është çliruar nga mentaliteti patriarkal

139 vajza dhe gra janë vrarë përgjatë dekadës së fundit nga dora e bashkëshortëve ose partnerëve, ndërsa mijëra të tjera kanë rënë pre e dhunës fizike. Ekspertët e drejtojnë gishtin e përgjegjësisë, jo vetëm tek indiferentizmi i institucioneve shtetërore, por edhe te një lloj mentaliteti patriarkal, nga i cili nuk po çlirohet as sistemi i drejtësisë, dhe te korrupsioni në dhënien e së drejtës.

Autor: Eljona Ballhysa

Pas dy dekadash dhunë nga bashkëshorti, Marjana. H., nga Vithkuqi i Korçës, iu drejtua gjykatës për zgjidhjen e martesës, vetëm kur desh humbi të birin nga dhuna, por divorci nuk e shpëtoi, pasi ajo vazhdon të jetojë në një banesë me ish-burrin dhunues.

“Ishte tenxherja në zjarr, në një moment sherri ai e gjuajti me shkelm dhe ra mbi djalin, duke e djegur, aq sa iu rrezikua jeta, – rrëfen ajo historinë e vazhdueshme të dhunës. – Nga ai çast kërkova divorcin dhe 3 muaj rresht kërkova nga prefektura të më gjenin një banesë dhe të largohesha së bashku me tre fëmijët, por ata nuk e bënë”, – akuzon ajo, ndërsa pohon se nuk kishte pará për gjyqin, ndaj shpenzimet ia ka paguar një punonjës i Seksionit kundër Dhunës e Trafikimit në prefekturë.

E detyruar të flejë me thikë nën jastëk për shkak të dhunës, të gjitha institucionet dështuan për t`i gjetur strehim, por u mjaftuan me lëshimin e një urdhri mbrojtjeje, duke e detyruar të jetojë në të njëjtën shtëpi me ish-bashkëshortin dhunues.

“Do e marr urdhrin e mbrojtjes, iu thashë, po më thoni, ku do shkoj të jetoj? A mund të jetohet në një shtëpi me një burrë, prej të cilit t`i kalon jetën me thikë nën jastëk?! Burrë që më ka tërhequr zvarrë, aq sa djali ka marrë sëpatën! Ai do bëhet me keq se ç’është. Unë iu kërkova që të më largonin ose së paku të largohej njëri nga ne, se nuk i dihet, si shkon puna, por asnjë zgjidhje nuk m’u dha”, – tregon Marjana, e cila burimin e të gjithë konflikteve e sheh te konsumi i tepërt i alkoolit nga bashkëshorti.

E gjendur e vetme dhe pa zgjidhje, ajo rrëfen për Investigative Network Albania se nuk i ka ngelur gjë tjetër, veçse të vetësakrifikohet.

“I kam dërguar mesazh edhe Edi Ramës. I kam shkruar se do blej një shishe benzinë dhe do i vë flakën vetes para Kryeministrisë, nuk kam çfarë të humbas më”, – thotë ajo e pashpresë.

Marjana rrëfen se gjithë jetën e ka kaluar nën dhunën e bashkëshortit, viktima të së cilit shpeshherë kanë qenë edhe fëmijët.  Për të nuk ka funksionuar asnjë hallkë e strukturës për mbrojtjen e grave të dhunuara.

“Mos më zër në gojë pushtetin vendor. A ekziston?, – pyet e inatosur ajo – Dëgjo kryetarin e bashkisë, Sotiraq Filon, shko pyete! E kam marrë dhe i kam thënë: Hajde me mua, shiko ku jetoj. Kur pa shtëpinë, tha: “Obobo”. Më ndihmo, sa të kesh mundësi, i thashë e deri më sot s’ka bërë asgjë”, – tregon Marjana.

“Me kë shoqatë të lidhesh? I telefonova njërës dhe po më jepnin këshilla. Unë nuk kam nevojë për këshilla, pasi vuajtjet më kanë bërë eksperte, unë dua zgjidhje, por askush nuk bëhet merak”, – rrëfen ajo.

Njësoj si Marjana, janë me qindra gra që çdo vit përpiqen t’i shpëtojnë dhunës nga bashkëshortët, nëpërmjet urdhrit të mbrojtjes.

Shifrat tronditëse të dhunës, qindra gra çdo vit kërkojnë urdhër mbrojtjeje
139 gra e vajza janë vrarë në Shqipëri përgjatë 10 viteve të fundit për shkak të marrëdhënieve familjare.

Sipas statistikave të Policisë së Shtetit, nga vitit 2010 e deri në vitin 2019, numri i vrasjeve ka qenë mesatarisht me 11-12 vrasje në vit, përjashtuar vitin 2011, me 15 vrasje dhe vitin 2013, që shënuan një numër rekord, plot 17 gra u vranë nga partnerët e tyre.

  1. S., nënë e dy djemve të mitur, sapo ka lënë pas një martesë 10-vjeçare, problematike. Ajo nuk e ka të lehtë, teksa tregon për vragat e zeza, të përhershme mbi trup, presionin psikologjik që e çoi deri aty, sa të mendonte dhe vetëvrasjen.

35-vjeçarja rrëfen se duroi dhunën, madje fali edhe tradhtinë, deri në momentin kur bashkëshorti vuri dorë mbi djalin e vogël.

“Aty s’durova dot më. Sapo ai iku në punë, ishte data 27 maj 2020, mora vetëm dy rroba të fëmijëve dhe ika me vrap nga sytë këmbët te prindërit e mi, ku jam edhe sot e kësaj dite”, – rrëfen O. S., edukatore në një kopsht privat në Tiranë.

Sidorela i dha fund martesës tre vite më parë, pas dy urdhrave të mbrojtjes, kur vajzën e kishte vetëm 6-muajshe. Me profesion juriste, ajo pësoi dhunë fizike e psikologjike gjatë lidhjes së saj martesore.

“Kam vuajtur shumë. Pas çdo episodi dhune flisnim, “sqaroheshim”, por përsëri vijonte e njëjta situatë. Ai nuk po ndryshonte dhe unë e denoncova për dhunë. U pajisa me urdhër mbrojtjeje dhe iu thashë prindërve të më merrnin”, – rrëfen e reja.

Fatmirësisht, Sidorela dhe O. S. dolën mbi dhunën dhe e denoncuan atë, ndryshe nga Sabrina Bengaj, vetëm 23 vjeç, nënë e një fëmije të vogël, e cila mbeti viktimë e ish-bashkëshortit të saj.

Sabrina u vra në shtëpinë e prindërve të saj, më 10 shtator të këtij viti, duke shënuar gruan e 10 të vrarë gjatë vitit 2021.

Tetë ditë pas saj, Fëllënxa Rrasa, 45 vjeç, u vra me armë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvra. Më herët gjatë këtij viti u vra Irvana Hyka në Fier, vetëm 29 vjeç, nënë e dy fëmijëve. Ndërsa ishte 6-javëshe shtatzënë, u godit jo pak, por 31 herë me thikë nga bashkëshorti. Ngjarja ndodhi më 17 mars, ndërsa më 10 prill vritet Fëllënxa Shirja në Kavajë.

45-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, u gjet e shkrumbuar në makinë. Pak metra më tutje, i vetëvarur në një pemë, u gjet bashkëshorti i saj, i cili, pasi i vuri flakën bashkëshortes, u vetëflijua.

Më 11 prill nusja e djalit vjet me thikë vjehrrën 74 vjeçaren Nazife Markja në Dibër dhe për disa orë mban të fshehur trupin e pajetë.

Më 6 maj vritet në mes të Elbasanit Luljeta Buzo, e cila sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit në Gjykatën e qytetit të Elbasanit, kur bashkëshorti e qëlloi fillimisht me thikë dhe më pas 7 herë me kallashnikov pas shpine.

Diana Vukaj erdhi nga Gjermania për t’i mobiluar shtëpinë vëllait në Shkodër por ai e vrau më 6 qershor vetëm si i kërkonte paratë në dorë për të luajtur bixhoz.

Më 7 qershor vritet Lumturie Bici në Librazhd. 53-vjeçarja u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i alkoolizuar, të cilin më herët e kishte kallëzuar në polici për dhunë.

Klarita Ismalaja, nënë e dy djemve, u vra më 5 korrik nga bashkëshorti, i cili e goditi me thikë brenda makinës në Fushë-Krujë, pas një konflikti për shtëpinë.

Më 18 gusht 79-vjeçari Fadil Bandulla vrau me automatik gruan e tij, 83-vjeçaren Sanije Bandulla e më pas qëlloi dhe veten.

Më 2 tetor masakrohet me thikë shtetasja ganeze Jawsackie Jaboah nga i dashuri i saj në Tiranë.

Jo pak, por 10 gra janë vrarë përgjatë 11 muajve të 2021 shumica nga dora e bashkëshortëve, të tjerët nga familjarët e afërt. Dramatike janë edhe shifrat e raportimit të dhunës në familje. Nga fillimi i janarit e deri në shtator, Policia e Shtetit konfirmon se janë konstatuar 3563 raste të dhunës, ndërsa janë lëshuar 2205 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje në të gjithë vendin. Vendin e parë e mban kryeqyteti.

Sipas të dhënave nga Gjykata e Tiranës, nga janari deri më 20 shtator janë bërë 614 kërkesa të reja për urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje.

“Ne shohim që gratë, që janë edhe me urdhër mbrojtjeje, o vriten, ose vazhdojnë të jenë të kërcënuara, ose janë të detyruara në shumë raste të ndajnë shtëpinë me dhunuesin. Kemi struktura që mund t’i mbështesin këta njerëz, por janë jo-eficiente”, – thotë Ina Kasimati, mësuese biologjie në shkollën “Çajupi” në Tiranë, e cila vetë ka qenë viktimë e dhunës në familje, por prej shumë vitesh ndihmon gratë dhe vajzat në nevojë.

Por, rastet e përsëritura të dhunës tregojnë se në një pjesë të konsiderueshme urdhrat e mbrojtjes janë nul e nuk garantojnë siguri.

Se sa formal është urdhri i mbrojtjes, e konfirmon edhe përgjigjja e mbërritur nga Bashkia e Kamzës, ku gratë e dhunuara janë të detyruara të jetojnë nën të njëjtën çati me dhunuesin.

“Ju informojmë se, në bazë të pamundësive ekonomike, 54 raste të grave me urdhër mbrojtjeje jetojnë në të njëjtën banesë me dhunuesin, nga 84 raste dhune në total, që vazhdojnë të jenë në menaxhimin tonë”, – është kjo përgjigjja për INA MEDIA-n e Bashkisë Kamëz.

“Ka një lloj formalizmi me pasoja të rënda. Lëshohen urdhrat e mbrojtjes, por nuk i ndjek njeri për t’i zbatuar. Ky është shkaku kryesor që na ndodhin raste fatale”, – vë gishtin mbi plagë avokati Idajet Beqiri.

Ai akuzon institucionet shtetërore, polici-prokurori-gjykatë, se nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

“Kur bëhet fjalë për bashkëpunim, ai është i imponuar dhe formal. Plotësohen dokumente për të lënë gjurmë që nesër të mos kem përgjegjësi. Jo të punojnë për parandalimin, por punojnë që, kur të ndodhë nesër, unë të jem në rregull me letra. Ndërsa në terren, për t`i ardhur në ndihmë një gruaje me urdhër mbrojtjeje, ky bashkëpunim thuajse nuk ekziston”, – tregon avokati.

Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, Tirana renditet ndër qytetet, ku kanë ndodhur më së shumti rastet fatale të vrasjes së grave e vajzave.

Nga viti 2017 e deri tani, në Tiranë janë vrarë 9 gra e vajza; pasuar nga Durrësi me 8 raste fatale, Vlora me 7 të tilla, Fieri me 5, Elbasani me 4, Korça me 4, Shkodra me 3, Lezha e Dibra me 2 dhe Gjirokastra e Kukësi me një rast.

“Dhuna është kudo. Natyrisht, ka ndryshim konteksti shoqëror që mund të ndihmojë disi, por baza vjen nga familja dhe është parë që tradita e dhunës është një gjë e trashëguar, mësohet kryesisht në familje. Unë do ta bëja dallimin me disa tregues: gjendja ekonomike, edukimi dhe brezat. Kjo e fundit mendoj se po, bën disi ndryshimin edhe në ciklin e dhunës”, – shpjegon Elsa Ballauri.

“Fajin e ka femra”, paragjykimi që i përndjek

 

Të dala nga historitë e dhunës, asgjë nuk është e lehtë për një grua të divorcuar dhe me fëmijë.

35-vjeçarja O. S., rrëfen se u ndje e paragjykuar dhe e diskriminuar nga punonjësit e policisë në Komisariatin nr. 4, në Tiranë, ku u drejtua për të bërë denoncimin ndaj bashkëshortit dhe u pajis me urdhër mbrojtjeje.

 

“Në Shqipëri ka mbetur ende mentaliteti që “fajin e ka femra”. Nëse një femër denoncon, ajo konsiderohet, sikur po prish familjen. Jam ndjerë keq nga pyetjet e policisë, sepse për fat të keq ato vinin në dyshim vetë fjalët që unë thosha dhe nuk kishte një zonjë police që t`i tregoja vragat e zeza që kisha në trup e që ishin mjaft të dukshme”, – tregon ajo për INA MEDIA-n.

“Kam urdhër mbrojtjeje pa afat, madje jam ndjerë e diskriminuar si femër, që në momentin që e kam akuzuar në polici. Më kanë ngacmuar, por nuk dua të flas me emra”, – rrëfen Sidorela historinë e saj të përballjes edhe me dyshimet nga ana e policisë.

Për shkak të numrit të lartë të raportimit të dhunës në familje, në janar të vitit 2020, dy deputete të Partisë Socialiste në atë kohë, Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka, propozuan një paketë ndryshimesh ligjore, që synuan ashpërsimin e dënimeve për agresorët.

Konkretisht, projektligji solli ndryshime në nenin 130/a të Kodit Penal, duke bërë që rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Më herët dënimi për këtë vepër ishte burgim deri në dy vjet dhe nuk ishte vendosur një kufi për dënimin më të ulët, duke krijuar hapësira që dhunuesit t`i shpëtonin ndëshkimit.

Në tetor të vitit 2020, parlamenti miratoi ndryshime në ligjin nr. 9669, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, ku u sanksionua si masë e parë dhe kryesore e mbrojtjes ndaj dhunës në familje largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga banesa.

Me gjithë rezultatet zhgënjyese edhe pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja, ish-ministrja Gjermeni kërkon më tepër kohë dhe e lidh me faktin se në Shqipëri ende po punohet për të ndërtuar sistemet.

“Ne jemi më se të ndërgjegjshme se vetëm ndryshimet ligjore, nuk e parandalojnë dhe nuk e minimizojnë dhunën. Paralelisht me ndryshimet ligjore ka nevojë të jashtëzakonshme për edukim, ndërgjegjësim, që duhet të fillojë që në moshë të hershme për vajzat dhe djemtë”, – thotë Eglantina Gjermeni për INA MEDIA-n.

Idajet Beqiri, avokat, i cili ka ndjekur në seancat gjyqësore jo pak raste të dhunës ndaj grave, thekson se vrasjet e vajzave e grave në Shqipëri vijnë si pasojë e shoqërisë thelbësisht patriarkale, madje edhe në sistemin e drejtësisë.

“Kur shkon një grua në polici dhe thotë, jam e dhunuar, të jeni të bindur që në më shumë se gjysmën e rasteve policët, që i marrin kallëzimet penale, e para gjë që iu thonë grave e vajzave është: “Hë tani, se edhe burri të bërtet, edhe të qëllon njëherë, nuk u bë kiameti i madh”. Kjo situatë është edhe në prokurori, edhe në gjykatë”, – akuzon avokat Beqiri.

Përtej ndryshimeve ligjore, ekspertët e kësaj fushe ngrenë alarmin se “thembra e Akilit” qëndron në mënyrën se si mekanizmi i referimit të dhunës i përgjigjet një denoncimi. Madje ata akuzojnë se, shpeshherë ata që e kanë për detyrë të japin drejtësi, kanë ngritur një skemë të mirëfilltë korrupsioni, duke e anuar peshoren e drejtësisë nga më i forti.

“Krimineli, dhunuesi arrin ta blejë drejtësinë. Ai e bën, duke blerë prokurorin dhe gjykatësin, pra me korrupsion të hapur”, – thotë avokat Idajet Beqiri.

“Për çudi në Shqipëri ai rrjet që duhet të ekzistojë, punon në mënyrë perfekte – pra, ai mes gjykatave, policisë, pushtetit vendor, por me një ndryshim, në vend që të luftojë dhunën, ai është i mirorganizuar për të përfituar ryshfetin dhe për të forcuar kësisoj rrjetin e korrupsionit”, – akuzon aktivistja Elsa Ballauri, e cila sugjeron se duhet të ketë hetim të thelluar për çdo grua të vrarë me urdhër mbrojtjeje.

Për ish-ministren Eglantina Gjermeni, faktori që ndikon dhe që mban gjallë dhunën ndaj gruas, është mentaliteti tradicional që ekziston në shoqëritë tona.

“Por, trajtimi i grave dhe i vajzave si pronë është thelbi i problemit të dhunës ndaj grave”, – këmbëngul ajo.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj kërkesës së INA MEDIA-s për informacion lidhur me strategjinë e re për luftën kundër dhunës në familje, e cilësuar si prioritet për mandatin e ri qeveritar.

 

Mekanizmi i dobët i referimit të dhunës

 

Referuar vendimit të qeverisë Nr. 327/2021, ka një hartë të qartë se si ngrihen në këmbë të gjitha strukturat, në mënyrë që të funksionojë “mekanizmi i bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare”.

I gjithë mekanizmi duhet të ofrojë mbrojtje, por edhe mbështetje për gratë e dhunuara, që në shumicën e rasteve kanë edhe fëmijët me vete. Por, realiteti është krejt tjetër. Pa mbështetje dhe pa ndihmë, shpeshherë të braktisura edhe nga familjet, gratë e dhunuara braktisen edhe nga shteti.

“Kam trokitur në shumë dyer për punë. Kam aplikuar edhe te portali. Kam shkuar te zyra arsimore, por nuk më kanë pritur. Pra, jo thjesht ligje e fjalë të bukura në letër, por implementimi i tyre, ku është?”, – thotë O. S., e cila ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi dhe punon si edukatore, por pagesa prej 18 mijë lekësh e ish-bashkëshortit është sa për të mbijetuar.

Edhe Sidorela thotë se të vetmen mbështetje e ka gjetur te prindërit.

“Ia kam dalë vetë në çdo aspekt. Pa familjen time do të kisha “vdekur”. Shteti nuk do t’ia dijë çfarë ndodh me ne”, – tregon Sidorela.

Altin Hazizaj, drejtor i CRCA, ngre alarmin për mungesën e shërbimeve nga pushteti vendor në drejtim të grave dhe vajzave të dhunuara.

“Bashkia duhet t`i ndihmojë këto gra dhe vajza, t’iu japë një shtëpi me qira, që të fillojnë të ndërtojnë jetën. Në botën perëndimore këto shërbime janë standarde, ndërsa te ne nuk ofrohen në mes të Tiranës, jo më në qytete të tjera. Pra, qeveria duhet t`i ndihmojë me fonde që ato të mbulojnë kostot dhe nuk i lë njerëzit të vriten”, – thotë Hazizaj.

Që prej vitit 2006 në Shqipëri është ngritur Mekanizmi i Koordinuar i Referimit të Rasteve të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, në të cilin bëjnë pjesë jo pak por 15 institucione, që duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë të gjitha veprimet me qëllimin parësor mbrojtjen e grave, vajzave e fëmijëve nga dhuna në familje. Në kuadër të këtij mekanizmi funksionon dhe Linja Kombëtare e Këshillimit 24-orëshe në numrat 116/117, këshilluese dhe referuese e rasteve të dhunës në familje.

Por, Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend me rreth 850 mijë banorë, ka vetëm një koordinatore vendore të dhunës në familje, e cila është njëkohësisht nëpunëse gjinore. Sipas hulumtimit të INA MEDIA-s, në 14 bashki të vendit ka vetëm 1 koordinator vendor për dhunën në familje (1 koordinator për bashki) dhe ka mungesë fondesh.

“Për shkak të një numri në rritje rastesh dhune dhe në pamundësi për ta përballuar fluksin e rasteve, duke filluar në muajin prill të vitit 2021, Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve në 27 njësitë administrative janë ngarkuar dhe me detyrën e Specialistit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, – thotë për INA MEDIA-n Anjeza Bojaxhiu, koordinatorja vendore e Tiranës.

Bojaxhiu ngre si shqetësim mungesën e bashkëpunimit nga ana e prokurorisë, sa i takon mekanizmit të referimit të dhunës.

“Me përjashtim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, së cilës i janë drejtuar një numër shkresash zyrtare për pjesëmarrje në këto mbledhje, të gjitha institucionet e tjera marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e ETN-së ose në aktivitete të tjera të përbashkëta”, – thotë Bojaxhiu, e cila thekson se viktimat e dhunës nga Bashkia e Tiranës ndihmohen përmes programeve të strehimit social.

Por, ndërsa Bashkia e Tiranës thotë se ofron bonuse strehimi apo mundësi punësimi për viktimat e dhunës në familje, ndryshe rrëfen Ina Kasimati.

“U takova me një grua rreth 27 vjeç, me urdhër mbrojtjeje, me një foshnje 7-muajshe dhe menjëherë u interesova që ajo të futej në të tilla hallka, pra të përfitonte shërbime falas, të mund të punësohej, por nuk i gjeta këto shërbime”, – thotë Kasimati, e cila tregon se vajzën në fjalë e adresoi në strehëzën e Kamzës, ku ndenji 4 ditë dhe iku e tmerruar.

“E kam mbajtur në shtëpi, e kam çuar në qendrën e punësimit, u interesuam për kurse profesionale. Ndërkohë që ishte me urdhër mbrojtjeje, i kërkohej që të paguante pará. Më pas aplikoi 3 herë për të fituar strehimin social, se nuk ia jepnin as atë”.

Marinela Sota, pedagoge në Universitetin e Tiranës, e cila realizoi një studim në maj të këtij viti, të cilin e prezantoi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, shprehet se, ndonëse ligji për strehimin social ka hapësira në teori, kur vjen puna në praktikë burokracitë e vogla bëhen pengesë dhe kosto shtesë për gratë. Sipas saj, janë të paktën tri programe, nga të cilat mund të përfitojnë strehim gratë e dhunuara, por duhet të kalojnë një kalvar të gjatë procedurash.

“Pra, sipas ligjit, një grua e dhunuar, që është me urdhër mbrojtjeje, aplikon te programi dhe bashkia paguan një pjesë të qirasë ose 100% të qirasë, por duhet që shtëpinë ta gjejë gruaja”, – sqaron ajo, duke shpjeguar se kjo e ngurtëson procedurën.

Erisilda Shpata, e cila punon si avokate në Shoqatën e Grave me Probleme Sociale në Durrës dhe që prej vitit 1999 punon me viktimat e dhunës në familje, thotë se mekanizmi i referimit të dhunës nuk funksionon në qytetet e vogla.

“Këto mekanizma kanë funksionuar kryesisht në qytete të mëdha, por kanë qenë gati inekzistente në qytete më të vogla apo në bashkitë e reja. Pjesa më e madhe e mbledhjeve kanë qenë pothuaj inekzistente, për sa kohë që nuk kishte pjesëmarrje të të gjithë aktorëve”, – thotë juristja, e cila thekson se problematikë kryesore vijon të mbetet mungesa e specialistëve të dhunës në familje.

Ekspertët sugjerojnë fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave dhe edukimin e tyre, që askush të mos ketë më fatin e Sabrinës.

“Fuqizimi ekonomik i vajzave dhe i grave, edukimi i tyre, si dhe në anën tjetër puna që duhet bërë me dhunuesit njëkohësisht, janë e vetmja zgjidhje në eliminimin e dhunës në marrëdhëniet familjare”, – sugjeron juristja Shpata.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin