Kriza e fuqisë punëtore cenoi cilësinë e turizmit, hotelet kërkojnë staf në Nepal e në Bangladesh

Ndërsa po zgjerohet çdo vit, biznesi i turizmit po përballet me krizën e gjetjes së fuqisë punëtore, vendase. Si pasojë e mungesave të theksuara, ky shërbim mbahet në këmbë nga orë të tejzgjatura pune e stafe të pakualifikuara, që cenuan cilësinë e shërbimeve. Në jo pak raste bizneset i kanë kthyer sytë nga Nepali e Bangladeshi për të siguruar punonjës.

Autor: Merxhan Daci

Juri nga Lezha e gjeti veten verën që shkoi në Himarë, duke punuar si ndihmëskuzhinier në një hotel në bregdet. Kursi i shpejtë, profesional, që kreu pas shkollës së mesme, i hyri në punë që vitin e parë.

Do ta përsërisja si eksperiencë, pse jo”, – thotë 19-vjeçari për Investigative Network Albania.

Eksperiencë të ngjashme pati këtë verë edhe Elsoni nga Pogradeci, i cili la qytetin liqenor për Ksamilin për të punuar si ndihmëskuzhinier.

Por, i pyetur nëse ngeli i kënaqur nga puna, ai shprehet shkurt: “Pak a shumë”.

Të rinj dhe pa eksperiencë, bizneset shqiptare të turizmit po përballen me një hendek të madh në sigurimin e stafit të kualifikuar.

Ndonëse raportojnë me mijëra vende të lira, kjo lloj industrie është në krizë për sigurimin e krahut të punës, qoftë edhe i pakualifikuar.

Nexhip Sulejmani, pronar i hotelit “Nertili” në Sarandë, i cili punon prej vitesh në këtë sektor, rrëfen për Investigative Network Albania se ky ka qenë viti më i vështirë për të gjetur staf për punë nga më të thjeshtat e deri tek ato që kërkojnë më shumë specializim.

Ka pasur mungesa në staf për punë të ndryshme; që nga kamerier, staf kuzhine etj. Kemi punuar edhe vetë nga 18 orë, që të zëvendësonim krahun e lirë të punës, që t’ia dilnim”, – tha ai për INA MEDIA.

Me sa kemi pasur mundësi, kemi rritur rrogat, që të kemi fuqi punëtore. Këtë verë sidomos kemi kërkuar dhe nga fshatrat përreth”, – rrëfen ai për vështirësitë e rekrutimit të stafit.

Statistikat tregojnë se shkollat profesionale, si ajo e Lezhës, e Sarandës apo edhe dega e Turizmit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, të cilat janë edhe furnizueset e krahut të punës që ky sektor kërkon, po braktisen.

Të gjendur në këtë situatë emergjence, mjaft struktura hoteliere në Shqipëri e kanë gjetur zgjidhjen te disa kompani të huaja, që të sjellin staf nga jashtë, që nga Filipinet e deri Nepali e Bangladeshi.

Shtohen bizneset, por pa stafe të kualifikuara

Në Booking.com, agjencinë e madhe holandeze të rezervimeve, Shqipëria regjistron afro 6300 struktura akomoduese, duke përfshirë hotele, bujtina, apartamente, shtëpi me qira, hostele etj.

Megjithatë, në shtator të këtij viti, ish-ministri i Turizmit, Klosi, tha në një dalje për media se Shqipëria ka nevojë “ulëritëse” për struktura të reja, akomoduese.

Nexhip Sulejmani parashikon që situata të bëhet akoma më e vështirë në të ardhmen, pasi prenotimet do të vijnë duke u rritur.

Ai pranon se mungesa e fuqisë punëtore ka ndikuar jashtë mase edhe në cilësinë e shërbimeve që iu është ofruar pushuesve në bregdetin e Sarandës.

Në krizë për stafin janë edhe strukturat hoteliere në qytetin e Vlorës.

Burimet njerëzore, për sa iu përket qyteteve, si Vlora apo Durrësi, janë në ditët e tyre më të këqija. Shumë subjekte kanë filluar tentativat dhe kontaktet me agjenci të ndryshme, që merren me sjelljen e fuqisë së trajnuar punëtore, përveç faktit që tarifat janë shumë të shtrenjta”, – pranon Vasil Bedinaj, pronar i hotelit “Regina Blu” në Vlorë.

Si pasojë, ky biznes në çdo sezon nxjerr disa herë thirrje për staf.

Jemi në vështirësi të madhe. Hotele ngrihen përditë, struktura të reja shërbimi po ashtu, dhe fuqia punëtore është në nivele të ulëta”, – pohon ai.

Si shumë të tjerë edhe Bedinaj i ka kthyer sytë nga ata që vijnë nga jashtë, por ai shpreson që ata të sjellin eksperiencën e vendeve nga vijnë.

Fatos Cerenishti, nga “FAFA” në Durrës, nuk e ka gjë të re marrjen e stafeve të kualifikuara nga jashtë. Ai thotë se po përgatitet të marrë të tjerë.

Këtë vit ne përgatitemi që të marrim rreth 100 punonjës nga vendet e treta, vitin që kaloi kemi marrë vetëm nga Turqia, kurse për vitin 2022 po negociojmë me kompaninë e punësimit për të marrë nga India, Bangladeshi, Nepali mbi 100 punonjës, po përzgjedhim. Ne do të paguajmë kompaninë e punësimit, kemi për detyre edhe t`i akomodojmë, si dhe t`iu sigurojmë ushqimin, të gjitha kosto shtesë për ne normalisht”, – tha ai.

E gjithë kjo situatë alarmuese, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka kohë që i ka dhënë shenjat.

Zef Preçi mendon se një pjesë të madhe të “fajit” për këtë situatë e kanë edhe vetë bizneset, që nuk e vlerësojnë sa duhet fuqinë punëtore dhe as investojnë në kualifikimin e tyre.

 “Duhet kuptuar se roli i fuqisë punëtore është më i madh se sa vlerëson komuniteti i biznesit që operon në turizëm. Është e pakuptimtë që shumica prej tyre operojnë me punonjës të pakualifikuar dhe nuk shpenzojnë asgjë për kualifikimin apo shkollimin e plotë dhe profesional të stafeve të veta”, – tha Preçi.

Ai e konsideron favorizim të pakuptimtë ardhjen e stafit nga jashtë, sa kohë që nuk bëhet fjalë për staf shumë të kualifikuar, që ende nuk është përgatitur në vendin tonë.

Turizmi kërkon atë lloj përgatitjeje profesionale që mund të gjendet në vendin tonë dhe nuk bëhet fjalë, bie fjala, për inxhinierë të energjisë atomike. E shoh si një favorizim, që, në emër të hapjes së vendit, qeveria iu bën disa lobistëve dhe oligarkëve, por nuk llogarit pasojat”. Sjellja e fuqisë së pakualifikuar, punëtore nuk lejon rritjen e pagave të punëtorëve vendas, nxit prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore drejt Perëndimit dhe nuk garanton të drejtat njerëzore të emigrantëve të sjellë në Shqipëri në këtë mënyrë”, – këmbëngul eksperti i ekonomisë, Preçi.

Edhe Soraldo Nebo, drejtues i organizatës Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit, në Ksamil, thotë se një nga arsyet e mungesës së fuqisë punëtore është se vetë bizneset nuk investojnë në rritjen e kapaciteteve.

Problem është mungesa e institucioneve ose bizneseve që ofrojnë trajnime specifike në mikpritje. Po ashtu, mos-parja e punëve kamerier, banakier apo sanitare si profesione. Bizneset nuk investojnë pará për të rritur kapacitetet e stafit të tyre”, – tha ai.

Nebo pranon se kjo ndikon te cilësia e ulët e shërbimit, për të cilin shqiptarët ankohen gjithmonë.

Një nivel mediokër i profesionalizmit. Është fuqi punëtore që ka mësuar “mëso duke e bërë” në praktikë procesin dhe jo duke përfshirë edukimin edhe nëpërmjet teorisë. Në një situatë, ku mungon fuqia punëtore, shërbimi që ofrohet do të jetë i mangët dhe për rrjedhojë kënaqësia e klientit e ulët”, – tha Nebo.

Të rinjtë dhe punësimi në turizëm

Elsoni, 19-vjeçar nga Pogradeci, punoi këtë sezon në një restorant pranë detit në Ksamil.

I riu u përball me një volum të jashtëzakonshëm pune dhe i duhej të punonte deri në 16 orë në ditë.

Ishte shumë rraskapitëse të punoje 16 orë”, – tregon Elsoni, i cili ngeli i kënaqur me pagesën dhe kushtet që i mundësuan qëndrimin gjatë kohës së sezonit.

Paguhesha 500 mijë lekë të vjetra dhe kam qenë i siguruar. Kisha një shtëpi, që na e kishte siguruar pronari ku punonim”, – tha ai për INA MEDIA-n.

Pavarësisht stërmundimit me dy turne, i riu pranon se i duhet më shumë eksperiencë dhe sërish do ta provojë “fatin” si kamerier vitin që vjen.

Unë kam ëndrrat e mia, por si fillim më duhet eksperienca në shumë vende, që të marr atë që dua”.

Edhe pse shumë shokë të Elsonit kanë ikur jashtë Shqipërisë në kërkim të një jete më të mirë, ai thotë se nuk tundohet dhe se e shikon jetën në Shqipëri.

Juri nga Lezha është një tjetër 19-vjeçar që sezonin që shkoi punoi në turizëm. Ai fitoi vendin e punës në një hotel të madh në Himarë.

Unë kam punuar si ndihmëskuzhinier. Hoteli kishte 60-65 veta staf. Pagesa, me thënë të drejtën, nuk ishte shumë e mirë (350 mijë lekë të vjetra), ndoshta ngaqë unë nuk kisha eksperiencë pune, ndërsa kushtet shumë mirë ishin”, – tregon Juri.

Njësoj si bashkëmoshatari i tij, Elsoni, Juri thotë se orët e punës shumë herë ishin të zgjatura, tejkalonin edhe 10-11 orë.

Puna jashtë orarit nuk paguhej, sepse kishim rrogë mujore. Kishte mjaft të rinj, kryesisht nga Tirana dhe Elbasani.”

Ai shton se nuk ishte i siguruar dhe se lodhja e pagjumësia prej punës intensive ishte shumë e madhe. Megjithatë, ai e ka parë si një eksperiencë pozitive, pasi ka mësuar shumë gjëra nga kuzhina dhe aktualisht ka aplikuar për një vend pune në një restorant në kryeqytet.

Në dhjetë vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja. Shqipëria vazhdon të ketë një numër tepër të lartë të të rinjve që largohen jashtë për një jetë më të mirë. Ndërsa INSTAT nuk shfaq të dhëna mbi migrimin e të rinjve, studime ndërkombëtare tregojnë se ritmet e ikjes së të rinjve nga vendi ynë janë të larta.

Papunësia e të rinjve vijon të mbetet një problem madhor.

Sipas INSTAT-it, të dhënat e deritanishme të Anketës së Forcës së Punës tregojnë se 51,9% e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç janë në marrëdhënie pune. Pra, rreth gjysma e të rinjve shqiptarë rezulton e papunë. Nëse shohim grup-moshat e tjera, rezulton që kjo është grup-mosha me angazhimin më të ulët në tregun e punës.

Sa i përket punësimit në turizëm, Zyra Rajonale e Punësimit, Vlorë i tha INA MEDIA-s se në qarkun e Vlorës në sektorin e turizmit ka patur afërsisht 488 vende të lira pune dhe janë punësuar afërsisht rreth 394 punëkërkues në këtë sektor.

Ndërkaq, në Zyrën e Punës, Durrës gjatë sezonit turistik janë shpallur rreth 870 vende të lira pune në profesionet si: picajol, kuzhinier, hostes, shef pastrimi, kamerier, banakier etj.

Janë realizuar takime me nxënësit e shkollave të mesme profesionale, me qëllim dhënien e informacionit për shërbimet që ofron zyra e punësimit, orientimin e të rinjve që janë në vitin e fundit drejt vendeve të lira të punës apo kurseve të ndryshme profesionale. Rreth 50% e vendeve të lira janë plotësuar nga kontingjenti i papunë, i regjistruar në Zyrën e Punës”.

Zyra e Durrësit tha ndër të tjera se kërkesat nga punëdhënësit për të punësuar në fushën e turizmit janë më të mëdha se kërkesat e punëkërkuesve të regjistruar në Zyrën e Punës për këto profesione.

Njësitë që ofrojnë shërbime në fushën e turizmit, jo shpesh i tejkalojnë kontratat me punëmarrësit, duke i ngarkuar me orë të stërgjata pune, të pasiguruar dhe me paga minimale.

Inspektorati i Punës i tha zyrtarisht INA MEDIA-s se ka kryer rregullisht këto vitet e fundit kontrolle në subjektet turistike në vend.

Numri i kontrolleve të ushtruara nga Inspektorati i Punës

Sipas gjetjeve të Inspektoratit, në vitin 2019 ka pasur rreth dy mijë punëmarrës pa kontrata pune, por ky numër është ulur në vitin 2020 dhe 2021.

Po ashtu, numri i punëmarrësve të pasiguruar në vitin 2019 ishte rreth 1600 dhe është ulur progresivisht në 311 në vitin 2021.

Ajo çka mbetet ende problematike, është numri i punëmarrësve që paguhen me pagë minimale. Në vitin 2019 ky numër ishte 10.379, ndërkohë që është ulur në vitin 2020, por është rritur ndjeshëm në vitin 2021, duke shkuar afro 6400 punonjës, që paguheshin me pagë minimale.

Një tjetër tregues me rëndësi është numri i punonjësve të mitur ose nën moshën 18 vjeç. Në vitin 2019 janë konstatuar 80 fëmijë në punë, ndërsa këtë vit janë konstatuar 63.

I pyetur, nëse ka pasur raportime për shkelje të të drejtave të njeriut në bizneset turistike, Inspektorati sqaroi se në kategorinë “Tregti” ka pasur disa ankesa.

Kështu, në vitin 2019 ka pasur 129 ankesa ndaj subjekteve, ndërkohë një vit më pas 156 dhe këtë vit ka (deri në gusht) pasur 83 ankesa.

Braktisja e shkollave të turizmit

 

Brunilda Licaj, eksperte e turizmit, njëkohësisht pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, thotë se mungesa e stafeve të kualifikuara i ka detyruar subjektet private që të kërkojnë ndihmë nga universiteti.

Dy-tre vitet e fundit ka pasur problem, sidomos nga telefonatat në drejtim të universitetit për të gjetur studentë të Hoteleri-Turizmit, kuzhinës. Shkak për këtë është bërë fakti që një pjesë kanë emigruar, një pjesë tjetër janë larguar nga puna prej pandemisë, duke shkëputur punën dhe duke kërkuar punë tjetër”, – tha ajo.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, arsimi dhe formimi profesional në fushën e turizmit aktualisht ofrohet në 11 shkolla të arsimit profesional dhe në 10 qendra publike të formimit profesional.

Numri i nxënësve që studiojnë në profilet e turizmit është 3.200, si dhe në një vit kualifikohen dhe certifikohen për tregun e punës 1.300 nxënës në fushën e turizmit.

Gjithashtu, çdo vit certifikohen nga qendrat e formimit publik në kurset afatshkurtra rreth 1.200 persona.

Nga të dhënat e sistemit të gjurmimit të nxënësve që diplomohen në profilet e turizmit, 80% e tyre punësohen 6 muaj deri në një vit pas diplomimit.

Nga rezultatet e fundit të gjurmimit të punësimeve të kursantëve që kanë përfunduar një shkollë profesionale në vitin 2020, rreth 55% e tyre janë punësuar apo vetëpunësuar.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës tha zyrtarisht se që prej hapjes së programeve të studimit, që lidhen me turizmin e deri më sot, numri i studentëve që i kanë frekuentuar arrin në 900 studentë. Vitet e para dega konkurronte me numër dhe me profilet që ofrohen nga departamentet e tjera (60-70 në vit).

Pesë vitet e fundit nuk është ruajtur kjo tendencë dhe kjo bazohet edhe në disa arsye: Emigrimi i të rinjve, hapja e profileve të turizmit në pothuaj gjithë institucionet e arsimit të lartë dhe kurset e shpejta profesionale”, – tha UAMD.

Jemi munduar të fusim profile të reja. Këtë vit fillojmë me një ofertë të re “Guidë turistike” – studime profesionale 2-vjeçare, dhe besojmë vitin e ardhshëm me programin tjetër dyvjeçar “Menaxhim i Udhëtimeve dhe Turizëm”. Nevoja e tregut për guida turistike, lokale apo kombëtare, akoma nuk është plotësuar. Ndërkaq, agjencitë turistike kanë nevojë për menaxherë të krijimit të produkteve turistike dhe vlerësimit të tyre, financiar”, – tha ndër të tjera UAMD.

Në shkollën “Kolin Gjoka”, në Lezhë, drejtimi Hoteleri-Turizëm është hapur për herë të parë në vitin shkollor 2016-2017 dhe si fillim janë regjistruar 78 nxënës. Një vit më pas u arrit kulmi me 93 nxënës, ndërsa për këtë vit shkollor janë vetëm 39 nxënës. Shkolla ka bashkëpunim me 62 biznese që operojnë në hoteleri-turizëm.

Nxënës të shkollës “Kolin Gjoka” në Lezhë

Të gjithë nxënësit e shkollës mbi 16 vjeç janë punësuar gjatë sezonit turistik në bare, restorante e hotele në Shëngjin, Tale e gjetkë.

Kam marrë unë si drejtor kërkesa pafund gjatë verës për staf, por nuk iu gjeja dot. Turizmi po merr shumë zhvillim të madh dhe ne nuk ia dalim të plotësojmë as 2% të nevojave të biznesit për staf, por do bëjmë përpjekje që t`i rrisim numrat e nxënësve të regjistruar; të bëjmë të mundur edhe zhvillimin e kurseve disamujore në shkolla me persona të rritur, jo në moshë shkolle”, – tha ndër të tjera drejtori i shkollës Bardh Dedgjonaj.

Ndërkaq, në skajin jugor, në Shkollën e Mesme Profesionale “Antoni Athanas” në Sarandë, në vitin shkollor 2020-2021 përfunduan studimet 55 nxënës. 33,7% e këtyre nxënësve u punësuan. 12.7% e nxënësve kanë emigruar ose nuk ka patur informacion për vendndodhjen e tyre.

Shkolla ka hartuar dhe ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me 24 biznese hoteliere në qytet, duke iu përshtatur edhe nevojave të tregut, i cili kërkon multitasking employee. Një pjesë e nxënësve punësohen në mënyrë sezonale në këto biznese. Ne shikojmë një përmirësim të dukshëm në performancën e tyre gjatë punës në kabinetet e shkollës, kur kthehen nga praktika. Bashkëpunimi vazhdon dhe ne kemi kërkesa gjithmonë e më shumë nga biznesi në qytet për punonjës të kualifikuar në periudhën e sezonit turistik”, – tha drejtoresha, Katina Gjoni.

Shkolla Profesionale “Antoni Athanas”

Paradoksalisht, në qytetin e Vlorës, një ndër qytetet me numrin më të lartë të vizitorëve, degët e turizmit po shkojnë drejt mbylljes. Vasil Bedinaj, nga “Regina Blu”, pranon se shkollat profesionale dhe cilësia e tyre janë një problem më vete, përfshirë edhe qarkun e Vlorës.

Vlora ka pasur dikur Universitetin e Vlorës, që tani po shkon drejt mbylljes dhe studentët nuk kanë pikë interesi”, – përfundon Bedinaj.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin