Trendi i moskompetencës për korrupsionin: Hetohen qytetarët , drejtësia përplaset për zyrtarët

Nga Ermal VIJA

Lekë Kola vazhdon në kërkim prej 2019. Qytetari nga një fshat i Rrëshenit  kallëzoi në policinë  e Durrësit , një punonjës të policisë  pyjore . Por edhe ai përfundoi i pandehur, dhe jo nga një prokurori e zakonshme, por nga SPAK.  Akuza ndaj tij është ajo e korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Së bashku me të,  janë nën akuzë edhe Renato Demerxhiu, i dyshuar si punonjësi që kërkonte para dhe  një i tretë që akuzohet se nuk kallëzoi korrupsionin. Ajo që përshkruhet në dosjen që Qendra “FOL” e disponon, është shqetësimi i Kolës që kishte paguar para për të transportuar lëndë drusore me shuma nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë me kushtin që ai të lihej i lirë, sa herë që transportonte ngarkesat pa dokumentacion shoqërues. I lodhur nga ky presion Kola deklaron se i jepte policit pyjor paratë që kishte ne xhep. Por durimi iu sos ,  kur në një nga ditët denoncuesi nuk kishte të holla . Ai u la i lirë me kushtin që  më pas iu shkrua në messenger , “paratë lëri  tek pika e grumbullimit”. Nën gjykim në Gjykatën e Posacme për  Korrupsionin është  një polic i pyjores, personi që kishte pronësinë e grumbullimit të lëndës drusore i cili duhet të kallzonte sipas SPAK dhe vetë qytetari. Cështja është kthyer në një nga simbolet e hetimit të korrupsionit në vend. Avokati Artan Simoni këmbëngul për Qendrën “FOL” se kjo cështje duhej hetuar dhe gjykuar nga gjykata e Durrësit dhe aspak nga SPAK.

Kjo është një dosje që si kompetencë nuk i përket as kësaj gjykate dhe as SPAK. Duhet të gjykohet në Durrës, pasi individi nuk është subjekt i veprës penale të parashikuar nga ligji. Ai nuk është zyrtar. Qytetarit ryshfetin ia kërkuan nëpunësit dhe nuk ka qenë qytetari iniciatori’, këmbëngul avokati.

Si  u rrëzuan akuzat për  ish-drejtoreshën e OSHEE?

Nga monitorimi i Qendrës “FOL” për periudhën  nga muaji gusht 2022 e deri në fund të marsit të këtij viti,  vërehet se lufta e kompetencave midis prokurorive që hetojnë korrupsionin dhe SPAK është kthyer në një trend . Një nga  dosjet është ajo e ish drejtoreshës së OSHEE, Albana Ferraj, e cila e arrestua me bujë nga SPAK për dyshimet se u përfshi në korrupsion duke favorizuar një kompani italiane për një tender. Por teksa dosja u hetua për korrupsion dhe pastrim parash , në dhjetor 2022, gjykata e posacme shpalli moskompetencën , duke pushuar akuzën e SPAK me kërkesë të prokurorisë së posacme për të pandehurin Alessandro Pedrini  dhe personit juridik “Com Metodi” të dyshuar për korrupsion . Të pafajshëm  u konsideruan nga kjo gjykatë për shkelje të barazisë në tendera edhe  Elis Bushati, Athinta Papa , Irma Dërguti  që ishin anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave . Monitorimi i mëpasshëm i Qendrës “FOL”, për ish drejtoreshën Ferraj, tregon se si vetëm ajo u shpall fajtore mbas shpalljes së moskompetencës dhe për një vepër ndryshe nga dosja e bujshme e hapur e SPAK . Ish zyrtarja u dënua nga gjykata e Tiranës,  për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dënimi me burg iu konvertua me gjashtë muaj punë me interes publik.

Dhe teksa ky vendim u shpall në datën 17 mars 2023, një tjetër dosje moskompentence me një qytetar që u përfshi në korrupsion jo në nivele zyrtarësh të lartë   iu përcoll SPAK.

Shtetasi Ardian Miceli është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka kallëzuar se për të vendosur në banesë një matës elektrik ka dhënë ryshfet një punonjësi të OSHEE shumën prej 1550 lekë të reja. Gjatë një bisede të kryer me një faturist ka mësuar se personi që merrej me lidhjen e matësave ishte Bujar Llakaj, punonjës i OSHEE. Ardiani është takuar me punonjësin e OSHEE Bujar Llakajn dhe ky i fundit  ka thënë se do ti mbaronte punë kundrejt vlerës prej 100 000 lekë të reja pasi 80.000 lekë të reja duheshin për të dhe 20.00 lekë të reja nevojiteshin për kabullin elektrik. Gjatë bisedës, Bujari i ka thënë kallëzuesit se, kjo ishte mënyra më e mirë për të mbaruar punë sepse, në të kundërt do të sorollatej dy muaj nëpër zyra lart e poshtë.”

Ky është një nga rastet e hetuara fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, por gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi që çështja të dërgohet për kompetencë në gjykatën e posaçme për shkak të përfshirjes në korrupsioin të një zyrtari siç është edhe punonjësi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Bujar Llakaj. Qendra  FOL iu drejtua me kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme për të siguruar informacion mbi çështjet e tjera të korrupsionit që prokuroritë e rretheve kanë deleguar dosjet në SPAK, për shkak të kompetencës lëndore. Nga periudha 01.08.2022 deri më 01.03.2023 në Prokurorinë e Posaçme janë transferuar  për kompetencë 39 procedime nga prokuroritë e rretheve. Deri në këtë fazë, për 23 çështje është vendosur pranimi i akteve dhe është kryer rregjistrimi penal. Ndërsa për 12 çështje është vendosur mospranim aktesh dhe janë ridërguar sërish në prokuroritë e rretheve. Për 4 procedime,  SPAK thotë se është vendosur bashkimi me procedime të tjera të rregjistruara më herët në këtë prokurori. Po kështu Qendra “FOL” siguroi zyrtarisht nga SPAK se për periudhën kohore nga muaji gusht i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit ka dërguar 5 procedime penale për kompetencë lëndore që lidhen me korrupsionin,  në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

Ping-pong i prokurorive për dosje korrupsioni

Në tjetër dosje hetimore që ka siguruar Qendra “FOL” është edhe hetimi i SPAK, për ish-kryetarin e Bashkisë Vorë, Gentian Picari në lidhje me abuzimet për rindërtimin pas dëmeve të shkaktuara në banesat e bashkisë Vorë gjatë tërmetit të 2019-tës. Ai u kallëzua në SPAK, për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit” dhe “Grupi strukturuar kriminal” me dyshimin se ka ndryshuar kategoritë e dëmtimit të banesave nga DS1-DS2 në DS3-DS4 me qëllim që të përfitojnë dëmshpërblim më të lartë monetar disa familje. Fillimisht SPAK, pushoi hetimet me argumentin se nuk është kryer vepër penale, por pas ankimimit, Gjykata e Posaçme urdhëroi prokurorinë të nisë hetimet. Pas verifikimeve, rezultoi se Picari nuk ka kryer shkelje, por 3 anëtarët e komisonit të verifikimit të ankesave mund të kenë kryer shkelje dhe për këtë shpallën moskompetencë duke deleguar dosjen në prokurori të Tiranës. Ishte kjo e fundit që zhvilloi hetime dhe rezultoi se, me urdhër të Picarit është ngritur një grup pune që ka verifikuar dokumentacionin e dosjeve të aplikimit, por gjatë kësaj procedure, janë evidentuar shkelje.

Ky bashkëpunim konsiston në atë që tre anëtarët e komisionit kanë rënë dakord me kryetarin e bashkisë që të nënshkruajnë aty për aty vetëm një dokument, listën me akt ekspertiza të para dhe të dyta, të cilat nga marrja e detyrës më datë 03.02.2021 deri në paraqitjen e propozimit për ndryshim prej kryetarit të bashkisë më 05.02.2021, pra në vetëm dy ditë, kanë bërë ndryshimin e 43 akt-ekspertizave të para “fituese”, ku për të mbajtur këto akt ekspertiza grupeve të ndryshme të Institutit të Ndërtimit i ishte dashur kohë prej datës 22.01.2020 deri më 17.08.2020”, përmendet në dosjet hetimore të siguruar exclusivisht nga Qendra “FOL”

Dosja u transferua sërish në SPAK,  për shkak se prokuroria e Tiranës evidentoi disa shkelje të ish kryetarit të Bashkisë që rezulton se është subjekt i Strukturës së Posaçme kundër  Korrupsionit. Më pas,  në seancën paraprake gjyqtari i posaçëm,  Erjon Bani i la disa detyra prokurorisë, duke urdhëruar  vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin