E nisim këtë takim me rrëfimin e një fëmije që për disa vite ka përjetuar dhunë në familje. Nga traumat e ngjarjeve që pa mes prindërve, me urdhër të gjykatës i mituri po trajtohet nga psikologët. Fjalët e tij janë dëshmi që provojnë se si dhuna lë pasoja të shumëfishta, jo vetëm ndaj viktimës por edhe ndaj fëmijëve të tyre apo kujtdo anëtari që është dëshmitar në atë shtëpi. Agjensia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës deklaron se për katër vitet e fundit 625 minorenë u dhunuan fizikisht nga njëri prej prindërve dhe 1217 të tjerë u mbështetën nga Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës mbas abuzimit psikologjik që përjetuan në familje. Për herë të parë ligji që duhet të parandalojë dhe reduktojë dhunën në familje në të gjitha format e saj hyri në fuqi në viti 2006 dhe prej atëherë 33 mijë e 628 gra kanë marrë urdhër mbrojtjeje. Policia vlerëson zyrtarisht se në masën 80 përqind të kësaj shifre të dhunuarat janë keqtrajtuar nga një burrë si bashkëshorte, ish-partnere apo bashkëjetuese.

Fëmija: Kisha frikë se mos godiste mamin ose mos i bënte ndonjë gjë mamit. Kur je fëmijë dhe shikon prindërit që zihen është një ndjenjë e keqe dhe është shumë ndryshe nga gjërat e tjera.

Anila Hoxha: Për çfarë ke më shumë frikë në ato momente?

Fëmija: Në ato momente kam shumë frikë sepse mund të bëjë ndonjë krim ose ndonjë gjë se mund të marrë ndonjë thikë dhe mund të plagosë mamin ose mund të godasë. Prej 3-4 vitesh që kam frikë për këtë. Isha me panik dhe kur dilja nga shtëpia thoja ishalla nuk i bën gjë mamit, kur hyja në shtëpi ishalla nuk shikoj ndonjë gjë që nuk pritet dhe gjëra të tilla.

Anila Hoxha: Çfarë bëje?

Fëmija: Në këto raste kur ziheshin mami me babin largoja thikat dhe gjërat që ishin të mprehta, gjërat që mund të bëjnë gjërat që nuk mund të priten.

Anila Hoxha: Kur hynte babi në shtëpi çfarë mendoje?

Fëmija: Kur hynte babi gjithmonë e shikoja nga sytë se mendoja se mund të ishte normal.

Anila Hoxha: Kur ishte normal ti lumturoshe?

Fëmija: Po ndihesha i qetë dhe nuk kisha panik.

Anila Hoxha: Si i shprehje ti ato momentet e dhunës? Pikturoje çfarë bëje, i tregoje shokëve apo nuk i thoje askujt?

Fëmija: Nuk i thoja askujt vetëm një shoku që e kam në klasë, e kam për besë, i kam treguar.

Anila Hoxha: E di se çfarë numri ka policia?

Fëmija: Po, ka 112, ose 129.

Anila Hoxha: I ke telefonuar ndonjëherë?

Fëmija: Po, vetëm kur babi bënte ndonjë gje shumë të madhe

Anila Hoxha: I kishe thënë ndonjëherë mësueses, që po unë kam parë që ka dhunë në shtëpinë time?

Fëmija: Në klasë të pestë po. Unë besoja se kur mund të vijë një ditë ndryshe dhe mund të ndryshojë gjithcka në jetën tonë.

Anila Hoxha: Kjo gjë nuk ndodhi?

Fëmija: Jo.

Anila Hoxha: Çfarë do bëhesh kur të rritesh?

Fëmija: Do bëhem polic ose gjykatës.

Anila Hoxha: Po pse polic ose gjykatës?

Fëmija: Sepse dua të mbaj drejtësinë në vendin ku do jem dhe të mos lë asnjë dhunë në familje apo ndonjë gjë tjetër.

Rrëfimi i parë është ai i një gruaje që duroi për vite me radhë, nuk denoncoi dhe që në fund e kuptoi se jeta e saj ishte në rrezik.

Albana Dedaj: Jam Albana Dedaj, jam 45 vjeçe, 32 vjeçe jam martuar.

Anila Hoxha: Sa kohe ke me urdhër mbrotjeje?

Albana Dedaj: Në 1 nëntor kam marrë urdhër mbrojtjeje.

Anila Hoxha: E dije si merrej urdhri i mbrojtjes?

Albana Dedaj: Jo nuk i kam ditur këto gjëra. E kam bërë me shkrim, me kërkesë.

Anila Hoxha: Cila ka qenë marrëdhënie juaj me bashkëshortin?

Albana Dedaj: Ai për të punuar ka punuar jashtë mase. Kur pinte nuk donte të dinte as në ka grua, as në ka fëmijë. Kur ishte i papirë donte të harronte gjithë ato që kishte bërë një ditë para.

Anila Hoxha: Si u njohe me bashkëshortin?

Albana Dedaj: Jo nuk e kam njohur vetë. Më ka njohur të tjerët me të.

Anila Hoxha: Kur e kuptove ti që bashkëshorti ishte i dhunshëm?

Albana Dedaj: E kam ditur që në fillim. Nuk i kam bërë tre ditë martesë kur jemi kapur për punë telefoni.

Anila Hoxha: Pra të kontrollonte?

Albana Dedaj: Po, vetëm se çfarë thoshte ai. Po nuk ia hapa telefonin në momentin e parë kur ai i binte ziles, unë e shikoja veten që kur të shkoj në shtëpi vetëm luftë do kem me të. Ku ta di thonte se je në shtepi dhe jam çuar Anilë dhe janë mpirë këmbët dhe i kam rënë sharkisë sepse thoshte nuk je në shtëpi. Ti e di që unë të dua fort thoshte. Unë ti bëj këto gjëra. Një kohë ia nisi me këto. Në fillim nuk mbeta shtatzanë. Dhe aty filluan grindjet se thoshte Zoti e di se çfarë ke bërë më përpara. Mbeta shtatzanë, e merr vesh edhe më ka çuar më ka nxjerrë për drekë.

Anila Hoxha: Ti ndërkohë punoje?

Albana Dedaj: Po, edhe pasi më ka nxjerrë për drekë më ka çuar tek shtëpia kam bërë fjalë me të dhe duke hyrë në banjë ka ardhur dhe më ka shtyrë biles në banjë dhe jam rrëzuar.

Anila Hoxha: Ti kishe vendosur që nuk e ndaje do e mbaje familjen?

Albana Dedaj: Jo, unë i kam pas thënë që edhe nesër nëse ndahem me ty, unë sa të kem shpirtin e gjallë, burrë nuk do të marr. I kam thënë jo një herë por njëzet herë në sy të vjehrrës sime. I mendova të gjitha edhe pasi u martova vonë, thashë ashtu janë të gjithë, shumica e grave kështu jetojnë. Edhe unë po jetoj me të.

Anila Hoxha: A ndryshoi kur linde djalin?

Albana Dedaj: Jo, jo nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Vetëm çfarë ka ndryshuar për keq. U çova u ndava me të. Ia tregova familjarëve të tij, ka qenë djali në çerdhe në atë kohë. Më ka marrë në telefon pas tre-katër ditësh dhe më kanë thënë nëse e ke bërë në plan të ndahesh me mua, për 24 orë të vish të heqësh të gjitha teshat çfarë ke në shtëpi. Nëna e tij më qëndronte shumë afër, shkonte e merrte djalin në çerdhe, unë shkoja me e marr dhe nuk e gjeja në çerdhe dhe i thoja edukatores pse ia ke thënë dhe thoshte: qe i pirë dhe nuk mund ta ndalonim.

Anila Hoxha: Pra ky ishte divorci që zgjati 6 muaj por nuk shkove në gjykatë?

Albana Dedaj: Jo nuk kam shkuar në gjykatë, as kam shkuar kurrkund. Vetëm kam shkuar tek nëna ime dhe në punë. Se thoshte unë s’mund të rri pa djalë. Sa u kujtova që u qetësova me shtëpi erdhi i zoti i shtëpisë dhe thotë duhet me dalë.

Albana Dedaj: Dilja të blija bukën dhe e shikoja në klub.

Anila Hoxha: Filloi të pinte alkool?

Albana Dedaj: Në fillim kur isha njohur me të nuk e pinte. Aty e mbrapa më ka ndryshuar djali totalisht. Ishte i trembur dhe nuk më kallëzonte gjërat. Në sy të djalit më ka rënë me çantë të djalit në kokë. Bëri fjalë me çunin, bëri fjalë me mua dhe i thashë “Besim, unë kështu s’mund të duroj më dhe unë i thërras policinë.”

Anila Hoxha: Çfarë numri njoftove?

Albana Dedaj: Me 129, kemi shkuar në polici, ka ardhur kunati më ka thënë “Albanë, çfarë do bëjmë”. Thashë si të jetë më e mira për ne dhe për atë. E kanë marrë prej në polici e kanë larguar, e kanë çuar në spital për mjekim alkooli.

Anila Hoxha: More urdhër mbrojtjeje?

Albana Dedaj: Jo, po edhe e pavetëdijshme sesi duhet me ta ndjekë edhe kështu. Edhe ata më qëndronin shumë afër dhe nuk ia nisa hiç. Mbas dy javësh e bënë mjekimin e alkoolit dhe më thotë kunati “Albana duhet të bëjmë çmosin se ai ka nevojë për ty dhe për djalin. Se në sado ti japim afrimitet, sado ti japim respekt, ai ka nevojë për familje”. Qëndroi një muaj. I lija lekët, i thoja dil pi kafe dhe shëtit.

Anila Hoxha: Ti ikje në punë?

Albana Dedaj: Po shkoja në punë, vija nga puna, krejt normal. Na bënte për të ngrënë. Si doni, ku doni edhe kështu.

Anila Hoxha: Gjatë kësaj kohe ti në asnjë moment nuk mendoje më që të denoncoje, të kërkoje urdhër mbrojtjeje. Vazhdoje të dhunoheshe dhe ti duroje.

Albana Dedaj: Jo unë qëndroja me të. Mirë Besim, po Besim. Mirë Besim, po Besim. Kur bënim fjalë, ikja dhe qëndroja tek nëna ime dhe ashtu e kisha bërë llogarinë. Çdo mëngjes më merrte vjehrra ime në telefon kur e dinte se kisha bërë fjalë me të. Vetëm duke i bërtit djalit tha ne a e kishim lënë si burrat me u bë bashkë  për të shkuar për të blerë gjëra dhe i ra me të dyja duart në të dyja anët e faqeve dhe unë nuk e shkëputa telefonin, veç i thashë pse nuk i kallëzon babit, mam se ke qënë pas sportit, thashë se kjo video këtu në Spanjë shkon, tek vëllezërit e këtij. Në moment e kam shkëputur videon, kam shkuar e kam kapur djalin dhe e kam marrë telefonin dhe njeriut të parë ia kam çuar vjehrrës time. I jam me kërkue falje sepse mua më ka dashtë jo vetëm ajo, por gjithë familja si më i madhi deri tek më i vogli. Jam borxhlie ndaj tyre.

Anila Hoxha: Pra ndodhi një akt dhune. Ty nuk të shkoi ndërmend as të telefonosh policinë, vendose sërisht të durosh.

Albana Dedaj: Jo lajmërova familjen e atij. Si po bëjmë por nuk kishte asnjë për me thënë do ta çojmë në polici. Se na u dhimbte edhe si njeri. Ndërkohë tjetër kunat që ishte këtu u merrej me të dhe i thoshte jo ju doni me më ik robtë duarsh, se unë i dua, unë pa ata nuk kam jetë. Ashtu i kanë thënë edhe avokatëve të vet.

Anila Hoxha: Ti qëndrove, prapëseprapë?

Albana Dedaj: Ndejta. Atë kohë vinte i pirë. Bënte fjalë. Djali nuk u afrohej më me të. Vetëm sa vinte, sa me marr libra, me pa libra kështu dhe i thoja “more Besim a të vjen mbarë, djalin e kam më të gjatë se vetja se është i rritur shumë, djali tjetër. A të vjen mbarë I thoja të të marrin dy djemtë për krahu më të sjellë brenda. Në datën 30 gusht ka ikur djali për në Francë, djali tjetër. Më 30 gusht e ka marrë djalin e vogël dhe i ka thënë hajde në Laprakë dhe merrëm se unë nuk mund të vij tek shtëpia.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi?

Albana Dedaj: Hajde dhe merreni iu thashë se shikojeni se ku është. Ne po shkojmë tek shtëpia iu thashë. Erdhëm unë dhe djali tek shtëpia. Erdhën ata, e sollën me makinë, kishte shkuar motra e vet dhe i kishtë folur. Pa hyrë burri brenda vjen dhëndri dhe më thotë “Albanë merre djalin dhe hajde tek nëna jote. I thashë a është e drejtë. Sa herë të pi Besimi, sa herë të bëj fjalë Besimi me shku tek nëna?”

Jam ngritur, pa folur hiç me të, as e kam parë hiç. Kam marrë djalin për dore dhe kam shkuar tek nëna ime. Më 31 në mëngjes kam ardh në shtëpi. E kam gjetur këtu. Kam thënë Besim, kështu nuk e shtyj më jetën. Mos me e pas nënën ku kisha ndenjur mbrëmë. Unë rrugëve nuk mund të qëndroj më. Ti që je fajtor për të gjitha gjërat, ti me ma lëshue shtëpinë. Unë nuk mundem me e shty tjetër kështu. Nesër fillon data 1 shtator, shtëpia është paguar. Për këtë vit që ka shkuar dhe unë nesër do nis një jetë tjetër me djalin tim. Debat pas debatit, një për që kisha bërë letrat e policisë që kishte qenë më përpara. Në atë kohë është çuar, ka marrë një çantë me dy tre rroba dhe është nisur me dalë. Kur ka dalë tek porta ka futur çelësat me hap portën. I kam thënë Besim, çelësa nuk ke më, asnjë derë mos më thuaj më sa të jesh gjallë. Ky nisi atëhërë dhe e avit portën për me më ra dhe i kam thënë “Besim ashtu është puna dhe kam hyrë direkt brenda menjëherë dhe kam marrë policinë. Se djali nuk ishte këtu. Thashë mam, ne jemi nisur për në polici. Merre biçikletën dhe hajde tek policia “ky nuk e dinte se ku është policia. Kur ka parë një makinë policie aty në Don Bosko, vetëm mori dhe më tha “Mam të kam parë dhe jam pas jush”. Kemi shkuar në polici. Kur kam shkuar në polici i kam thënë djalit “Ku je mam?” Tha unë jam në qendër, por tek cila polici je? Jam duke dalë me marrë djalin, thashë, sepse ju nuk më dëgjuat me ma marrë dhe nuk e di se ku ka ngatërruar rrugën. Vetëm dua të dal ta shikoj. Kena marrë djalin dhe kemi shkuar në polici, kemi ndenjur aty. Ka ardh një polic dhe më ka thënë ku të ka ra? Pse? A duhet me kenë e thyeme për me ardh këtu? Me besu ju? Në atë kohë është çuar djali prej stoli dhe i ka thënë më ka rrahur edhe mua babi.

Anila Hoxha: Të thanë që duhet të merrje urdhër mbrojtjeje?

Albana Dedaj: Po në datën 3 shtator kam shkuar së bashku me djalin në orën 12:30 e kam patur urdhërin e mbrojtjes.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi me bashkëshortin? U arrestua?

Albana Dedaj: Po. Nuk e kam takuar asnjëherë në burg. Më ka kërkuar ta takoj.

Anila Hoxha: U dënua?

Albana Dedaj: Po, më datën 24 dhjetor ka marrë dënimin. Një vit. Ka hyrë në datën 1 shtator 2022 dhe ka dalë në 25 korrik 2023.

Anila Hoxha: Ti ndërkohë jetoje në shtëpi pa urdhër mbrojtjeje. Kishe frikë?

Albana Dedaj: Jo nuk kam patur frikë. Doli nga burgu, i kam çuar për të ngrënë, i kam çuar gjërat. Ka shkuar djali, e ka takuar në burg.

Megjithëse Mekanizmi i Koordinuar i Referimit përfshin një sërë institucionesh që adresojnë dhunën në familje dhe me bazë gjinore, Albana e cila mbijetoi vetëm nga rastësia, nuk fitoi as mbështetje ekonomike. As strehim social. Nga muaji nëntor kur bashkëshorti i saj u arrestua për herë të dytë për dhunë në familje, vec dy numrave pa pagesë 112 dhe 129, gruaja nuk disponon asnjë informacion tjetër. Aktualisht ajo është me urdhër mbrojtje nga gjykata.

Albana Dedaj: Më kishte thënë më përpara që po më fute në burg nuk kemi jetë bashkë. I bëri, s’kisha ku të shkoja. Dilja nga shtëpia dhe ecja në njërën anë të rrugës. Se thoja edhe nëse vjen me makinë të më përplasë biles të kem ku të mbështetem diku. Atë natë ai, kishte nxënë vend në atë drejtim që kaloja rrugën unë. Kishte parkuar makinën, ka dalë shumë i qetë nga makine dhe ka ardhur drejt meje sa kam kaluar unë rrugën dhe dalë krahun tjetër po ka ardh krejt i qetë, mirëmëngjes tha moj bukuroshe. Nuk mendova asnjë gjë, se thashë më mirë me ik po më rrëzon dhe po më bën ndonjë gjë të rrëzueme. Thashë më mirë po i ndalem. Vetëm ia kam parë në dorë një shishe dhe më ka kap për krahu me dorën tjetër që kishte çakmak. Mos kujtove se me erdhi keq tha. Duke fol, ka nxjerrë benzinën në trup. E kam kapur shishen në dorë. E kam ndalë benzinën i kam thënë Besim. Ai e ka ditur se çfarë është duke bërë. Tha: “Unë jam i mbarur, veç tani do biesh edhe ti me mua.” edhe ia ka kthyer vetes. Kam tentuar me e heq dorën që ma kishte kapur krahun. Kam ikur atëherë me vrap duke e parë mbrapa. Kur e pashë që nuk ishte asgjëkundi u qetësova pak, thashë të marr veten dhe eca më normal sa arrita në fabrikë tjetër. Vetëm kur vjen një zë dhe tha: të rren mendja kot, se asht kështu. Kur jam kthye e kam parë duke i dhënë makinën. Thashë mirë o Besim, vec kaq i kam thënë. Çfarë të thuash ti bëhet. Thashë nëse merr kthesën dhe vjen të më ndalojë po hyj tek klubi dhe po kërkoj ndihmë. Ky nuk ka marrë kthesën, vetëm ka shtie më shumë marsh makinë dhe ka shkuar përplas me klubin. Unë jam kthyer për mbrapa makinës së tij dhe kam ikur tek puna. Kam shkuar tek puna. I kam gjetur të gjitha gratë pa filluar ende punë. Të gjitha gratë u çuan dhe thanë çfarë është kjo erë benzinë, uuu na mbyti. Ishte mëngjes. Kam shkuar afër banjës. Kam hequr të gjitha rrobat. Kam veshur përparësen e punës. Unë i mora të gjitha rrobat që i pata veshur, i vendosa në një qese dhe i çova në fund të të gjithë repartit tek dhoma e keqe që të mos mi shikojë asnjë. Nuk i kam thënë askujt, pasi kam marrë përjashta vjehrrën. Në orën 8 kam marrë avokatin e Besimit dhe i kam thënë. Më tha nuk ke më çfarë të më thuash vetëm me i thënë policisë. Mora policinë jam e lyer me benzinë dhe ai është i lyer me benzinë se ka dashtë me na djegë të dyve bashkë. Tha ti je e kërcënuar me jetë dhe je prapë tek vendi i punës. I thashë që jam tek vendi i punës, se nuk e di nëse ka shpëtuar apo jo. A mund të vish tek vendi i punës dhe me më marrë mua.

Nuk jemi taksist tha, por jemi policë. Po pate mundësi tha merr një taksi ose një linjë urbane dhe hajde tek policia. I mora rrobat me vete i them përgjegjëses nuk e di a të kthehem mbrapsht. Kam shkuar tek policia dhe më tha çfarë problemi ke. I thashë që jam e lyer me benzinë se më ka lyer bashkëshorti. Hajde me mua tha, nuk më ka lënë asnjë sekondë tek vendi i policisë dhe ma ka shtie në një vend në vete dhe më ka çuar në kat të dytë.

Anila Hoxha: Kur telefonove policinë, telefonove 129? 129 të tha që nuk jemi taksi?

Albana Dedaj: Po, ata më thanë që nuk jemi taksi. Se e dija veten se thoja po të ketë shpëtuar ai, ose më ruan tek dera e punës kur të dal.

Anila Hoxha: Nuk erdhën?

Albana Dedaj: Jo, jo.

Anila Hoxha: Iu tregove që ishe me rrobat me benzinë dhe ata nuk erdhën?

Albana Dedaj: Jo, nuk erdhën.

Anila Hoxha: Shërbimet sociale, psikologë për ty dhe për djalin?

Albana Dedaj: As psikologë, as na ka marrë njëri në pyetje. Vetëm pardje kam qenë tek gjendja civile, më ka marrë një punëtore e gjendjes civile e njësisë 11 dhe më ka thënë Albanë duhet me u paraqit këtu për atë urdhër mbrojtjeje që ke.

Anila Hoxha: Ti e di se cilat janë të drejtat e tua, ku të shkosh, ku të kërkosh ndihmë. Të ka lënë një numër telefoni. Ndihesh e mbrojtur?

Albana Dedaj: E mbrojtur ndihem prej Zotit se tjetërkush smë ka ardhur në ndihmë deri tani. As më ka marrë kush në telefon, përjashto atë të gjendjes civile dhe me ngjarjen që më ka ndodhur së pari nuk më ka ardh kush tek dera me më thënë për çfarë ke nevojë.

Anila Hoxha: Çfarë do bësh ti pas këtij momenti?

Albana Dedaj: Vetëm për këtë djalë do të jetoj. Vetëm të kem jetën e sigurtë me këtë djalë. Dhe me ec përpara. Një jetë ka një njeri. Vija në shtëpi dhe nuk e dija gjë si do e gjejë bashkëshortin.

Përgjatë vitit 611 persona u arrestuan për dhunë në familje. Nga 2010 raportohet se u vranë 159 gra. Albana mund të kishte qenë një prej tyre sa kohë Prokuroria e Tiranës e akuzon të shoqin “për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare të mbetur në tentativë”. Përballë fushatave ndërgjegjësuese dhe 16 ditëve “të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, pyetja që nuk do përgjigjje është vetdijësimi në rritje për të mos heshtur e për të kërkuar ndihmë duke nisur nga linja e këshillimit pa pagesë 116-117. Por kur ligji është ashpërsuar dhe e dënon vrasjen në familje deri në burg të përjetshëm, kur shërbimet e specializuara në nivel vendor duhet të ofrojnë ndihmë për të mbijetuarat, ka ende sfida të papërmbushura. Një ndër to punësimi i grave. Ne jemi me gjyqtarin Adriatik Bocaj që ka shpallur qindra urdhëra mbrojtjeje dhe 30 vjet në gjyqësor janë mjaftueshëm për të thënë se ku dështuam, ku ja dolëm, cila është hallka më e dobët dhe çfarë duhet ndryshuar tek koordinatori lokal. Si fillim cili është potreti i një dhunuesi?

Adriatik Bocaj: Përshëndetje, dhuna në familje ka të bëjë me këtë që nuk varet se nga vjen, kush je, çfarë arsimi ke, çfarë statusi ke, ke lekë, s’ke lekë, i varfër, e të gjithë me radhë. Dhuna në familje ekziston aty. Është ndërmjet dy njerëzve, ndërmjet prindërve – fëmijëve, burrit – gruas e të gjitha. Kemi patur raste të deputetëve në Parlament kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortëve të tyre. Në këto raste ne flasim pa emra. Emrat ekzistojnë në gjykatë, janë vendimet që janë të pasqyruar. Në momentin që është dhënë urdhëri i mbrojtjes ka qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Mënyra e sjelljes më bëri që në një rast tha “jam deputet” dhe i thashë edhe pastaj se je deputet. Ligji është i barabatë për të gjithë. Nëse vërtetohet se ti ke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes do të zbatohet ligji si për të gjithë të tjerët. Dhe de Facto urdhëri i menjëhershëm brenda 24 orëve u dha, u largua nga shtëpia mos të afrohej e të gjitha. Por çudi më të madhe në seancën e vërtetimit ne i kuptojmë se çfarë ndodhi, gruaja vjen dhe kërkoi të mos miratohet urdhëri i menjëhershëm i mbrojtjes “sepse ne jemi të rregulluar. Nuk ka më dhunë e të gjitha”.

Anila Hoxha: Pra deputetët kanë imunitet dhe kur ushtrojnë dhunë në familje?

Adriatik Bocaj: Ky ligj kalon përtej asaj që ne e quajmë imunitet. Ne nuk marrim parasysh ke imunitet apo jo. Nuk e përjashton ligji. Në rastet kur ska dëshmitarë, kur ska prova të tjera, atehërë unë ndjek një praktikë atë të kqyrjes së jashtme të viktimës, e jep urdhërin e mbrojtjes edhe me bindjen e vet edhe nqs prova të dukshme nuk ka, por nga shpjegimet e palëve dhe nga mënyra sesi flasin dhe acarohen në seancë gjyqësore krijon atë bindje se ka dhunë dhe ne e japim.

Dhe siç rezulton dhuna ekonomike dhe varësia ekonomike e gruas është një nga problemet e pazgjidhura edhe në nivel institucional. Ende nuk është rregulluar me ligj pronësia mbi tokën bujqësore që do të garantonte barazi gjinore. Dhoma Kombëtare e Noterisë pranon fenomene të tjera si heqja dorë nga pronësia duke ja kaluar një burri dhe për tre vitet e fundit 5853 gra firmosën një dokument të tillë. 795 gra hoqën dorë nga e drejta e trashëgimisë. Noterja Eliona Saliaj ka një denoncim për situatën ku përfshihen edhe regjistrimet e pasurive në emër të burrave.

        Elona Saliaj

Noterja Elona Saliaj: Toka bujqësore është një problematikë që ne gjithë kohën e kemi bërë prezente dhe ende nuk është zgjidhur. Do të duhet në mënyë emergjente të përcaktohet se kush janë bashkëpronarë të tokës bujqësore për ti dhënë hisen atje ku është edhe motrës, edhe nënës edhe gruas shqiptare. Në një studim të bërë në zyrat noteriale evidentova që në zyrat noteriale në 95 përqind të rasteve paraqitet vetëm mashkulli i familjes për të blerë pronën. Fenomen tjetër i cili është shqetësues është fakti që gratë nëpërmjet dhunës psikologjike pa dëshirën e tyre sepse askush nuk të jep pronë të heqi pronësinë me dëshirë, janë raste të grave në prag divorci dhe bashkëshortët bëjnë çmos që ajo të japë deklaratë që nuk i do pronat e tij, të japë kontratë dhurimi që gjithë pronat e fituara nga martesa të jenë në pronësi të bashkëshortit. Nga ajo që kuptoj në zyrat e noterisë një fenomen tjetër është heqja dorë nga e drejta e trashëgimisë së përfituar nga babai, nga nëna apo nga trashëgimtarët të tjerë të grave të motrave, të nënave për shkak se ato thonë që linja mashkullore duhet të shkojë pasuria dhe pasuria duhet të mbajë, duhet të trashëgojë mbiemrin. Për këtë arsye ne heqim dorë në favor të një personi tjetërr, në mënyrë që të mos përfitojmë dhe të mos jemi ne trashëgimtarë sepse nuk na takon. Fenomen tjetër të cilin kemi evidentuar janë të gjitha legalizimet që janë rregjistruar vetëm në emër të bashkëshortit. Aty ka patur një tentativë që përcaktohet se bashkë me deklarimin duhet të përfshihej edhe certifikata familjare për të evidentuar edhe bashkëshortin e prezumuar. Por kjo gjë nuk është zbatuar në asnjë rast dhe në të gjtiha organizimet dhe takimet që kam bërë në 36 zyra vendore të rregjistrimit të pasurive evidentova që asnjëri prej tyre nuk e rregjistronte, por rregjistronin vetëm bashkëshortin si pronar.

Kthehemi në studio me gjyqtarin Adriatik Bocaj. Për këtë vit morën urdhër të menjëhershëm nga policia 2327 gra, që sipas ligjit i pajis të dhunuarat me një mbrojtje të tillë derisa çështja të përfundojë në gjykatën civile. Por ndërkohë që ju gjyqtarët jepni vendime që më pas sjellin përfshirjen në mekanizëm të të dhunuarës, në gjykimin penal gratë tërhiqen. Pse nuk ndodh kjo?

Adriatik Bocaj

Adriatik Bocaj: Gratë zakonisht, por edhe fëmijët por gratë janë të lidhura nga ana ekonomike nga të ardhurat që realizon burri dhe ky është ndër shkaqet përse tërhiqen, në rastin kur ka dhunë. Ose kemi raste të tjera që stimulojnë për shkak të mungesës së të ardhurave për të përfituar të ardhura dhe për të përfituar të ardhurat që Bashkia e Tiranës   ka vendosur në dispozicion 90 mijë lekë të vjetra për person. Zakonisht kjo është e pjesës vulnerabël. Pjesa vulnerabël e përdor këtë gjithmonë për të marrë këto të ardhura.

Anila Hoxha: Ato familjarë që janë në vështirësi ekonomike janë gati të shpikin një dhunë ekonomike, ta paqënë për të përfituar ndihmë ekonomike. Ju e keni konstatuar këtë gjë?

Adriatik Bocaj: Po, e kam konstatuar dhe çudia më e madhe kush është, se edhe burrat në mënyrë tepër të qartë thonë e kam dhunuar e kam rrahur. Por ligji 9669, në 2018 pësoi një ndryshim ku thotë se policia dhe prokuroria në të gjitha rastet që vihet për dhunë në familje, ankim që bëjnë njerëzit për dhunë në famije ka detyrë të fillojë çështjen penale, të fillojë hetimin. Në momentin që gruaja të shpjegon dhunën dhe ti shkon në shtëpi sepse ti je policia dhe konstaton dhunën e të gjitha, ti nuk ke nevojë të thuash do kallzim apo jo? Të dalin element të dhunës penale të dhunës në familje apo jo. Është tjetër gjë hetimi, por ti e ke për detyrë ta nisësh hetimin.

Anila Hoxha: Keni patur raste kur dhuna ka kaluar me dekadë dhe aty është heshtur për arsye patriakale, të rolit të fortë të kryefamiljarit, apo kujtdo tjetër në atë familje?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Po kam patur shumë raste. Por një rast që ka qenë tipik, gruaja 62 vjeç, burri 70 vjeç, fëmijët e martuar jashtë shtetit. U shtanga dhe ndieva një lloj kënaqësie që gruaja në atë moshë ia tha hapur dhe ma tha edhe mua “boll e kam duruar që kur jam martuar deri më sot dhe nuk e duroj dot më dhunën e këtij”.

Anila Hoxha: Të tjerët ka raste që tërhiqen nga çështjet penale. Pse ndodh kjo gjë?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Tërhiqen nga çështja penale. E kam diskutuar jo pak herë në   ambientet tona ndërmjet kolegësh. Është ajo që thamë pasiguria që kanë të dhunuarat nga presioni që i bëjnë pjesëtarët e ndryshëm, njerëzit e burrit, apo edhe shoqëria. Jo, po nuk ka bërë për atë, jo për këtë. Janë shumë element që ndikojnë por kjo është gjithmonë ajo, sepse e dhunuara apo i dhunuari nuk ka garancinë e paprekshmërisë.

Anila Hoxha: A është vetëm kompetencë e policisë që viktima të mbrohet mbasi të jepet vendimi apo ka edhe institucione të tjera, që duhet të ushtrojnë kompetencën dhe duhet të jenë të përgjegjëshëm siç e kërkon ligji?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Sipas ligjit jemi të gjithë, përvec gjykatës, prokurorisë. Policia ka një rol të rëndësishëm sepse duhet të respektojë vendimin e gjykatës. Pushteti vendor ka elementët më të rëndësishëm sepse ka të bëjë me jetën e një familje, zhvillimin e një fëmije, anën psikologjike, sociale sepse i ka sipas ligjit të gjithë shërbimet vendore, ka shërbime sociale, shërbimet psikologjike. I kanë të gjitha dhe ka një detyrë tepër të vështirë por tepër të veçantë dhe e ka për detyrë sepse institucionet duhet të punojnë sepse punë nuk i thonë kur ty të vjen edhe të ankohet tjetri. Kur e vendosim atë distancën dy metra brenda shtëpisë, e vendosim distancën për mënyrën e komunikimit dhe të të folurit. Ndërsa kur e shikojmë që është një dhunë e tejskajshme që kalon caqet, ne vendosim të rrisim distancën, duhet ta largojmë. Ne themi po filluan nga 50 metra deri në 20-30 metra, duhet ta largojmë nga shtëpia.

Anila Hoxha: Vendime të tilla nuk mungojnë mbas ndryshimeve ligjore?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Ka me shumicë, ka vendime ku dhunuesi është larguar nga shtëpia. Është detyrim i policisë, ne themi të largohet nga shtëpia. Detyrim i Komisariatit ta shoqërojë teksa merr sendet personale në shtëpi. Është detyrim i policsë që atë të mos ta lejojë të afrohet. Shtojmë edhe një paragraf tjetër që nëqoftëse dhunuesi shkel një nga pikat e këtij vendimi, mban përgjegjësi penale sipas nenit 320 të Kodit Penal që parashikon moszbatim të vendimeve të gjykatës.

Anila Hoxha: Një rast që ju nuk keni për ta harruar ndonjëherë?

Gjyqtari Adriatik Bocaj:  Një rast në periferi të Tiranës. Gruaja vjen në gjykatë për urdhër mbrojtjeje. Ajo është e dhunuar nga një burrë alkoolist. Ai nuk punon, i cili gjithë jetën ka ushtruar përveç dhunë psikologjike ka ushtruar edhe dhunë fizike. Me gjithë presionet të shumta që më shpjegonte në seancë të njerëzve të burrit që i bënin asaj dhe fëmijëve ajo ishte e vendosur për urdhërin e mbrojtjes. Dhe gjykata ja dha urdhërin e mbrojtjes për një vit sepse ka një gjë që ta dinë mirë, sidomos gratë, vajzat po u dhunuan njëherë dhe nuk folën, prandaj duhet të flasin, ato do të dhunohen gjithmonë.

Anila Hoxha: Është një rast që iu shpesh e përmendni por iu ka mbetur në kujtesë.

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Më ka mbetur sepse është një gjykim tepër i vështirë. Të dyja palët pretendonin dhunën ndaj njëri-tjetrin. Gjykata vendosi të jepte urdhër mbrojtjeje për të dy sepse njëri jetonte në kat të dytë, njëri në kat të parë. Por cili ishte momenti i dhimbshëm. Sepse ne që merremi me këtë punë gjëja e parë që shikojmë themi kur ndodhin ngjarje të tilla themi “ore këtë urdhër mbrojtjeje si e kam dhënë”. Gjëja e parë që shikoj është “a e kam dhënë drejtë apo mos kam dhënë mangësira”. Kërkon të përgjigjesh një pyetjeje “more pse nuk e zbatojnë këtë vendim këta që kanë për detyrë ta zbatojnë?”.

Anila Hoxha: Që janë?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Natyrisht që e vetmja që është policia. Pra për zbatimin e këtij urdhëri përvec anës sociale që ka Bashkia.

Anila Hoxha: Kur dëgjove emrin e asaj gruas që ishte vrarë çfarë tu kujtua prej saj? Momentin që ishte në seancë dhe kërkoi ndihmë.

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Këmbëngulja që kërkonte që ekzistonte dhe në pamje të parë dukej sikur nuk ekzistonte dhunë por në fakt në fakt dukej që edhe ai e dhunonte këtë. Prandaj gjykata vendosi që të dy ti pajiste me urdhër mbrojtjeje që të ishin kundrejt njëri-tjetrit të kishin urdhërin e mbrojtjes që të mos konfliktoheshin dhe të ruanin atë distancën.  Cili është problemi në Shqipëri, duhet patjetër sa më shumë qendra. Zakonisht kur ne çojmë gratë në këto qendra janë me gjithë fëmijën. Nuk është ambienti i përshtatshëm për fëmijë që fëmijët të rriten në atë ambiente sepse aty janë të gjithë madhore. Fëmijët janë kush 5 vjeç, kush 10 vjeç dhe unë kam mendimin që i vënë përballë rrezikut që fillojnë të rriten në ambiente dhe dëgjojnë se çfarë flitet në atë ambiente, pavarësisht se mund të kenë kushte të tjera.

Anila Hoxha: U deshën shumë fushata, shumë përpjekje për ta bërë të kuptonte në radhë të parë gruan por edhe dhunuesin nga ana tjetër që dhuna nuk është gjuha e duhur dhe nuk është gjuha që përdoret mes njerëzve. Çfarë nuk shkon me ligjin? Udhërohet të qëndojnë në të njëjtën banesë edhe dhunuesit edhe viktima. A është e mundur të aplikohen vendime të tilla?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Në ligj këto lloj vendimesh, po flas për praktikën e Tiranës, ne kurrë nuk japim kurrë urdhër mbrojtjeje që të themi distancë brenda shtëpisë. Nuk është normale të thuash dhe brenda shtëpisë edhe distancë. Unë në praktikën timë zakonisht them burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave e kanë të vështirë të rrinë në shtëpitë e tyre. Ata duhet të dalin nga shtëpia. Unë vendos që burri duhet të dalë jashtë shtëpie. Gruaja me fëmijë të jetojë brenda, ai për atë pjesë që ka bërë duhet të vuajë. Të gjej mënyrën dhe të jetojë.

Anila Hoxha: Fëmijët që po ashtu janë viktima përsa kohë dëshmojnë situatë të tillë. Cila është sjellja e parë që bëjnë kur vijnë përpara një gjyqtari? Çfarë është urdhëri i mbrojtjes në vetvete?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Gratë kur vijnë janë të ndrojtura. Ka dhe raste që janë të acaruara. Ne i kuptojmë ngarkesën që kanë. Një pjesë e njerëzve vuajnë akoma nga opinioni, po ta marrin vesh që mua më rreh burri. Një gruaje, ja kam dhënë me insistim urdhërin e mbrojtjes në familje. Ajo më tha “njerëzit e burrit më bëjnë presion jo vetëm mua por edhe fëmijëve të mi për të tërhequr unë urdhërin e mbrojtjes”. I thashë që “urdhërin e mbrojtjes nuk do e tërheqësh po do ta jap unë për një vit dhe do ta jap me masat ekstreme që e quajmë largimin nga shtëpia, mos të afrohet tek shtëpia”.

Anila Hoxha: Çfarë është urdhëri i mbrojtjes?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Është një element tepër i rëndësishëm për të mbrojtur të dhunuarat nga dhunuesit. Gjëja e parë që thonë, çfarë ka një urdhër mbrotjeje, një copë letër është, nuk zbatohet. Po ta shikosh urdhërin e mbrojtjes mes pikave kryesore në pikat e fundit ka dy element kryesorë, edhe ju mediat nuk i vini shumë rëndësisë, kur ndodh një ngjarje. A ka dhënë gjykata urdhër mbrojtjeje apo jo. Janë dy element që ne themi në dy pikat e parafundit zakonisht është “për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohet komisariati i policisë numër kaq” dhe pika tjetër është “një kopje e këtij vendimi i dërgohet për zbatim shërbimeve sociale të njësive bashkiake”.

Anila Hoxha: Po por a i zbatojnë policia dhe shërbimet e Bashkisë asistencën, ndihmën, sepse ne kemi patur raste ku mjaft gra janë vrarë me urdhër mbrojtjeje?

Gjyqtari Adriatik Bocaj: Ne japim urdhër mbrojtjeje, dhe këto pika nuk i japim kot. Kur themi për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohet filan komisariat që nga ai moment ka përgjegjësi ligjore ai komisariat për të ruajtur, sepse ne atë e japim për të ruajtur, nuk e japim fasadë për të lexuar.  Zotëri, ke për detyrë duhet ta ndjekësh, jo hap pas hapi, jo ti rrish nga mbrapa. Duhet ta marrësh herë pas herë, ku je? Ku ke shkuar? Ke shkuar në gjykatë, duhet ta shoqëroje pse ka vajtur në gjykatë apo në vende të tjera, sepse ndaj quhet për zbatim. Jo ta mbajë në sirtar po ne e rregjistruam dhe e dimë se ku është.

Anila Hoxha: Ta përsërisim edhe njëherë numrin pa pagesë të policisë “telefono në numrin 112 në rast se ke nevojë për ndihmë”. Faleminderit z. gjyqtar, për mesazhet shumë të forta të cilat ne i ndamë me ju përtej asaj që thotë ligji dhe përtej gjuhës së neneve dhe legjislacionit”

 

Ky ishte takimi ynë me një gjyqtar i cili ekspozoi se ku nevojitet më tepër vëmendje dhe angazhim për të parandaluar dhunën e për ta denoncuar atë në kohë. Policia e cila duhet të kontrollojë vazhdimisht dhunuesit. Shërbimet sociale ku përfshihet edhe koordinatori lokal që duhet të mbështesin gratë e dhunuara. Për këdo që po kalon dhunë, qoftë ekonomike, psikologjike dhe fizike. Mos hesht. Kërko ndihmë!

*Podcast-i është pjesë e projektit  e Qendrës FOL që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë.Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it /ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Për më tepër klikoni në linkun e mëposhtëm;

https://www.topalbaniaradio.com/v7/ti-nuk-je-vetem-fol-me-anila-hoxhen-25-11-2023/

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS