PODCASTI “RRËFE…” EPISODI 3:”Kur burri të merr gjithçka”, avokatja: Unë ju mbroj falas!

PODCASTI ” RRËFE…” EPISODI 3:”Kur burri të merr gjithçka”, avokatja: Unë ju mbroj falas!
Një fenomen i përhapur, por shpesh i padukshëm, po prek një numër të konsiderueshëm grash: dhuna ekonomike gjatë martesës dhe pas zgjidhjes së saj. Në një rrëfim të drejtpërdrejtë, Teuta Hoxha, ish gjyqtare dhe avokate hedh dritë mbi sfidat me të cilat përballen gratë për të përfituar nga pasuritë që u takojnë ligjërisht, duke e cilësuar këtë formë diskriminimi si një ndër më të zakonshmet e dhunës me bazë gjinore.
Sipas saj, megjithëse mund të duket e vështirë për një grua në situatë dhune për të gjetur një avokat falas ajo u sugjeron “të mos bien pre e mentalitetit që proçedurat janë të gjata dhe kushtojnë”, pasi për këtë kategori ligji garanton mjaft lehtësi.
Në një rrëfim për “Qendrën FOL” ajo vuri theksin tek një nga praktikat më problematike; transferimi i pasurive nga ana e ish-bashkëshortëve tek të afërmit e tyre, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore ndaj grave apo mundësinë që edhe bashkëshortet e tyre të mund ta trashëgojnë apo përfitojnë nga kjo pasuri. Këto veprime, ndonëse të kundërligjshme në shumë raste, mbeten të vështira për t’u provuar dhe ndëshkuar, duke e lënë gruan në një pozitë të pafavorshme ekonomike.
Kjo situatë përkeqësohet veçanërisht në momentet e ndarjes apo divorcit, kur shpesh ato përballen me vështirësi serioze për të siguruar pjesën që u takon nga pasuria e përbashkët.
Ekspertët theksojnë se dhuna ekonomike nuk duhet parë si një çështje dytësore, por si një formë e mirëfilltë e dhunës gjinore, me pasoja të rënda për pavarësinë dhe mirëqenien e grave, shpeshherë duke i kufizuar edhe të zgjedhin një avokat. Rritja e ndërgjegjësimit, përmirësimi i mekanizmave ligjorë dhe mbështetja institucionale mbeten thelbësore për të garantuar barazi dhe drejtësi.
Në një shoqëri që synon barazinë gjinore, adresimi i dhunës ekonomike është një hap i domosdoshëm për të siguruar që asnjë grua të mos mbetet pa të drejtat që i takojnë.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë në youtube:

Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias Qendra Fol dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin