Autor: Redaksia Investigative Network Albania

Të mërkurën e datës 23 qershor, rreth mesditës, në MAK Hotel Tirana (ish-Sheraton), u zhvillua pa zhurmë një ceremoni inaugurimi. Ishte hapja e kazinosë më të re në Tiranë. E quajtur Royal Eagle Casino kjo është kazinoja e tretë në Shqipëri dhe e dyta që hapet brenda më pak se një viti.

“Unë jam i bindur se me stafin, që kemi trajnuar këtu në Royal Eagle Casino, do të përsërisim suksesin e arritur në Grand Casino Tirana”, – deklaroi Petr Kulhánek, menaxheri i përgjithshëm, para të ftuarve në ceremoni.

Nuk kanë kaluar as tre vjet që nga koha, kur qeveria shqiptare i shpalli luftë kumarit për shkak të përhapjes së frikshme, por edhe kriminalizimit të thellë të kësaj industrie, por ato kohë tashmë duken shumë të largëta.

Tirana është duke u shndërruar me shpejtësi në një nga qendrat më të mëdha të bixhozit në Ballkan. Në heshtje kazinotë po mbijnë me shpejtësi njëra pas tjetrës, ndërsa tregu po monopolizohet në mënyrë të dyshimtë, jo nga kompanitë e njohura ndërkombëtare të këtij sektori, as nga brandet e hoteleve botërore që do të sillnin investime në turizëm, siç u justifikua ligji nga qeveria në vitin 2019. Tregu i ri i kumarit po shkon sërish në duart e bosëve të vjetër, të cilët, duke shfrytëzuar vakumet e qëllimshme ligjore, iu rikthyen biznesit nga dera e pasme.

Boom licencash

Deri një vit më parë Shqipëria kishte vetëm një kazino. E vendosur afër qendrës së Tiranës, te godina e njohur si Tajvani, licenca për Regencey International Casino Tirana ishte dhënë nga qeveria e Fatos Nanos, në prill të vitit 2005. Por, më 19 maj të vitit të kaluar, AMLF miratoi lejen për një tjetër kazino, e vendosur në hotel Plaza MaritimGrand Casino Tirana ishte kazinoja e parë në hotele me 5 yje në Shqipëri, sipas përcaktimeve të ligjit, por përfitues i licencës nuk ishte Hotel Plaza, as grupi Maritim. Aplikuese dhe përfituese e licencës 10-vjeçare për kazinonë ishte kompania Adria Entertainment.

Licenca për ushtrimin e aktivitetit “lojëra fati” për Adria Entertainment sh. a.

Kaq mjaftoi dhe loja e licencave u hap. Po në qershor të vitit 2020, qeveria rinovoi licencën edhe për kazinonë e Tajvanit, e cila zotërohet nga Skënder Sulaj dhe Avni Braçaj. Licenca e kësaj kazinoje përfundonte në fund të qershorit të vitit 2020, por u rinovua edhe për 10 vjet të tjera.

Dhe, më 15 prill të këtij viti u dha licenca për kazinonë e tretë, këtë herë në Mak Hotel Tirana, ish-Sheraton. Edhe këtë herë përfituesi i licencës nuk është hoteli. Kompania përfituese e licencës është Infinity Investment. Edhe kjo zotërohet në masën 100 për qind nga ish-pronarët e Apex-it, Bledar Sinani dhe austriaku Johannes Weissengruber. Ky i fundit i kontrollon aksionet në kazinotë shqiptare përmes një fondacioni privat, të vendosur në Linz të Austrisë, me emrin Fondacioni për Rigjallërimin e Kështjellës së Tannbach-ut.

Ekstrakt i regjistrit të Fondacionit “Rigjallërimi i Kështjellës së Tannbach”-ut, i cili zotëron një pjesë të interesave të kazinove në Tiranë. Ky fondacion kontrollon në masën 100% kompanitë APEX Holding GmbH dhe APEX Invest GmbH, vetë kompani me interesa në kompani të tjera lojërash fati, të regjistruara në Austri dhe Europë

Brenda 1 viti tri licenca për kazino. E megjithatë, vala e lulëzimit të kumarit nuk ndalet këtu. Pranë Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit (AMLF) janë në fazë aplikimi dhe po shqyrtohen një licencë tjetër kazinoje në Tiranë në hotel me 5 yje dhe dy licenca të tjera për kazino në Vlorë. Aplikues për një nga licencat e Vlorës është një grup shqiptar me lidhje dhe interesa të forta, financiare në Meksikë. Të pyetur mbi numrin e aplikimeve ende në pritje të vlerësimit dhe miratimit nga ky institucion, AMLF nuk dëshiroi të komentojë.

“Ajo që po ndodh, është marrëzi. Në qendrën e Tiranës shumë shpejt do të ketë më shumë kazino se në të gjitha qendrat e kryeqyteteve të tjera të rajonit. Ligji i vitit 2019 për të disiplinuar tregun problematik të bixhozit në Shqipëri praktikisht është deformuar”, – tregoi për INA-n një zyrtar i Ministrisë së Financave në kushtet e anonimatit.

Rikthimi i çunave të APEX-it

Zakonisht inaugurimet e këtij lloji shoqërohen me ceremoni mondane dhe publicitet masiv, por në rastin e kazinosë së re gjithçka u bë në heshtje. Me sa duket, ata që po marrin në dorë tregun e bixhozit në Shqipëri, nuk duan të ekspozohen me publicitet. Por, kush qëndron pas rilindjes së kumarit në Tiranë?

Investigative Network Albania hulumtoi të gjithë zinxhirin e kompanive të hapura në Shqipëri, Austri dhe Çeki, për të shtënë në dorë biznesin e bixhozit në Shqipëri. Dokumentet ekskluzive të siguruara sugjerojnë se përfituesit fundorë të tregut janë sërish bosët e tij të vjetër, më saktë ata që në botën e kumarit njihen si çunat e APEX-it.

Pronare e Royal Eagle Casino, që u hap në ish-Sheraton, është kompania Infinity Investments. Kjo kompani zotërohet nga WSI dhe W-CZ Holdings, të cilat kanë respektivisht 60 për qind dhe 40 për qind të aksioneve.

Licencimi i kompanisë Infinity Investment sh. a. për ushtrim aktiviteti “lojëra fati”

WSI është një kompani shqiptare, e zotëruar nga Bledar Sinani, i njohur ndryshe si Dari i APEX-it. W-CZ Holdings është një kompani e regjistruar më 26 shtator 2019, në Litvínovice të Çekisë, me përfaqësues një shtetas austriak, të quajtur Johannes Weissengruber. Të dy këta, si Sinani, ashtu dhe Weissengruber, kanë qenë ortakët e maxhorancës në ish-kompaninë APEX, e cila zotëronte pjesën më të madhe në tregun e bixhozit në Shqipëri, para se qeveria të ndalonte me ligj lojërat e fatit në vitin 2019.

Rrjeti i kompanive APEX, me të cilat ka interesa Johannes Weissengruber/Burimi rejstrik-firem.kurzy.cz

Por nuk mbaron këtu. Sinani dhe Weissengruber përmes kompanive të tyre zotërojnë 84 për qind të aksioneve edhe në kazinonë tjetër të Tiranës, të quajtur Grand Casino Tirana, që u hap një vit më parë në Hotel Plaza Maritim. Pjesa tjetër e saj, prej 16 për qindësh, zotërohet nga Kastriot Ndoja, edhe ky ish-ortak i APEX-it. Në fakt, Adria Entertainment, kompania që ka licencën e kazinosë së Plaza-s, është ish-APEX-i, thjesht ka ndryshuar emrin, ndërkohë që ortakët janë të njëjtët. Kjo kompani, në periudhën 2015-2018 sipas bilanceve zyrtare në QKR, ka fituar 44 milionë dollarë, praktikisht 11 milionë dollarë në vit. Ky është një treg me fitime kolosale, ndaj dhe interesat janë shumë të mëdha.

Nuk është rastësi, që pas ligjit që ndaloi lojërat e fatit në vitin 2019, qeveria shqiptare ka dhënë dy licenca për kazino në Tiranë dhe të dyja licencat përfunduan në të njëjtën dorë, te pronarët e ish-kompanisë APEX.

Kazino Plaza u licencua pa bazë ligjore

Ligji për kufizimin e lojërave të fatit u miratua nga maxhoranca që në vitin 2015, duke lënë dy vjet kohë për mbylljen e pjesës së tyre dërrmuese, por pas shumë shtyrjesh dhe amendimesh të dyshimta, të diktuara nga grupet e interesit, ligji hyri plotësisht në fuqi më 1 janar të vitit 2019. Me hyrjen në fuqi të ligjit u ndaluan kazinotë elektronike, bastet sportive dhe shumica dërrmuese e lojërave të fatit, duke u lejuar vetëm 3 kategori. Ato ishin: lotaria kombëtare, bingot televizive dhe kazinotë në hotelet brand me 5 yje.

Dy të parat nuk kishin ndonjë peshë të ndjeshme në tregun e bixhozit, ndaj me mbylljen e basteve sportive dhe kazinove elektronike kategoria më e synuar ishte ajo e kazinove.

Ligji ia dha Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të drejtën për të shqyrtuar dhe miratuar licencat e kazinove me afat 10-vjeçar, por vetëm pasi qeveria të përcaktonte me vendim të posaçëm kriteret dhe procedurat për licencimin.

Më konkretisht, në nenin 36 të ligjit thuhet shprehimisht: “Me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen procedurat e zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino” dhe procedurat e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence.”

Vendimi i qeverisë mori shumë kohë të dilte. “Vendimi për përcaktimin e procedurës dhe kritereve të garës u tentua të kalonte tri herë në Këshill të Ministrave, por dështoi, për shkak se kishte përplasje”, – i tha INA-s një ish-zyrtar i lartë i qeverisë. Por, ata që kishin interesa, nuk mund të prisnin.

Më 19 maj të vitit të kaluar, AMLF licencoi Grand Casino Tirana, edhe pse vendimi i qeverisë, që përcaktonte kriteret dhe kushtet për dhënien e licencës, nuk kishte dalë. Në fakt, vendimi doli vetëm në shtator të vitit të kaluar, pra 4 muaj pas licencimit të Plazës. Dokumentet tregojnë qartë se AMLF e licencoi Grand Casino në Hotel Plaza pa bazë ligjore. INA iu drejtua me pyetje AMLF-së mbi bazën ligjore, të përdorur për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të vlerësimit të aplikimit, por kjo e fundit deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk ka komentuar.

Si u deformua vullneti i ligjit

Në fund të vitit 2018, kryeministri Edi Rama u duk shumë i prerë, kur deklaronte se qeveria e tij do t’i jepte fund marrëzisë së kumarit.

“Kazinotë do jenë vetëm në struktura me 5 yje. Nuk e kemi ushtruar masivisht dhe nuk do e ushtrojmë masivisht. Në hotelet me 5 yje është me ligj, por 5 yje me brande, jo si ia vë unë emrin, EdiZahoLinda, dhe i fus 5 yje. Licencë për kazino marrin vetëm brandet ndërkombëtare”, – do të deklaronte kryeministri Edi Rama.

Sipas qeverisë, lejimi i kazinove në hotele diktohej nga nevoja për të thithur investime në turizëm, madje për këtë u dha dhe një favor i madh fiskal, pasi tarifa e licencës 10-vjeçare të kazinove për hotelet me 5 yje u ul, nga 10 milionë dollarë që duhej të paguanin, në vetëm 700 mijë dollarë.

Në përputhje me qëllimin e deklaruar nga qeveria, në ligj u përcaktua dhe se çfarë do të quhej hotel me 5 yje, që kishte të drejtë për të marrë licencë kazinoje. Neni përkatës u formulua: “Hotele me 5 yje janë hotelet, të cilat kanë marrë certifikatën e akreditimit për këtë klasifikim nga institucionet ndërkombëtare, akredituese dhe që janë mbajtëse të një marke tregtare, të regjistruar, të certifikuar dhe të njohur ndërkombëtarisht brand name.”

Por as ky filtër nuk e ndali dot shtrembërimin e vullnetit të ligjit. Sapo u miratua ligji, hotelet ekzistuese të Tiranës nisën të nënshkruanin kontrata bashkëpunimi me brandet e njohura ndërkombëtare, vetëm që të kishin të drejtë të klasifikoheshin si hotele, ku mund të hapeshin kazino. Madje, jo vetëm kaq, por në ligj u la e papërcaktuar se kush e përfitonte licencën e kazinosë, hoteli apo edhe subjekte të tjera, që mund të lidhnin marrëveshje qiraje me hotelin.

Këto dy elemente rikthyen sërish në lojë lojtarët e vjetër. Nëse kazinotë në hotele u lejuan dhe u justifikuan nga qeveria, me qëllimin për të thithur investimet e huaja në turizëm nga grupet e njohura ndërkombëtare të hoteleve, ajo që ndodhi, ishte krejt tjetër. Hotelet ekzistuese të Tiranës nga njëra anë lidhën kontrata menaxhimi me brandet e huaja, vetëm për t’u kualifikuar si vende, ku mund të hapen kazino dhe nga ana tjetër rikthyen në skenë bosët e vjetër të kumarit, duke iu dhënë me qira sallat e tyre për të hapur kazinotë.

Si rezultat, Shqipëria, jo vetëm që nuk përfitoi investime në turizëm nga brandet e njohura të hotelerisë ndërkombëtare, por e monopolizoi sërish tregun te bosët e vjetër të kumarit, tek ata që dikur qeveria i quante personazhe problematikë. Dhe e gjithë lufta që qeveria i shpalli kumarit në vitin 2019, pati vetëm një pasojë: tani bosët e vjetër të kumarit po i marrin licencat e kazinove në qendër të Tiranës falas. Vetëm 7 milionë lekë në vit. Thuajse njësoj sa tarifa e licencës së një pike tregtimi karburanti me pakicë.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS