Prostitucioni modern, si kamuflohet aktiviteti i paligjshëm në shërbime luksi

Nën petkun e shërbimeve estetike, dhjetëra qendra fizioterapie janë shndërruar në fole prostitucioni, ku mund të blihet lehtësisht edhe një akt seksual. Referuar dhjetëra vendimeve të analizuara nga Investigative Network Albania, gjykata ka konkluduar se administratorët tentojnë nëpërmjet imponimit, nxitjes për pagesa ekstra, që të sigurojnë bashkëpunimin e vajzave në aktivitetin e paligjshëm.

Autor: Bleona Metushi

Xhina, vetëm 15 vjeç, ishte një ndër vajzat më të kërkuara të “SPA Caliente” në Tiranë për masazhe erotike; kjo e vërtetuar edhe nga fotot e shumta të 15-vjeçares, që një tjetër punonjëse e kësaj qendre ua dërgonte të interesuarve, kur pyesnin: “Ndonjë gocë të re sot, shefe?”.

E mitura merrte 1 mijë lekë të reja për çdo masazh erotik që ofronte dhe shpeshherë klientët e kënaqur i linin edhe një bakshish prej 1 mijë lekësh.

Pas një sinjalizimi se qendra estetike përdorej për të fshehur aktivitetin e vërtetë, që ishte ai i ofrimit të shërbimeve të seksit, gjatë një aksioni, në shkurt të vitit 2017, shërbimet e policisë e gjetën të miturën të fshehur në tualetin e njërës prej dhomave të qendrës, ndërsa në dhomë u gjet i shtrirë në një krevat, pa rroba, i mbuluar me një peshqir në pjesën intime një 32-vjeçar turk.

Gjatë marrjes në pyetje 15-vjeçarja ka pranuar se përveç masazhit i është kërkuar nga administratorja Enkelejda I., që të kryejë dhe shërbime seksuale ndaj klientëve kundrejt pagesës dhe ajo i ka kryer këto shërbime seksuale.

Xhina nuk është e vetmja vajzë që “punësohet” si masazhatore, por kanë rënë në kompromis që do të ofrojnë edhe shërbime seksi.

Pavarësisht se ligjet shqiptare e ndalojnë një aktivitet të tillë, prostitucioni në vendin tonë po lulëzon pas shërbimeve të luksit.

Të fshehura pas shërbimeve estetike, në dhjetëra qendra masazhi mund të blihen lehtësisht edhe shërbimet seksuale.

Administratorja e “SPA Caliente”, Enkelejda I., u deklarua fajtore dhe u dënua me 4.5 vite burg për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, por më pas ky dënim iu konvertua në 5 vite shërbim prove.

Ndërkohë që dy personat meshkuj, që u gjetën në këtë qendër gjatë aksionit të policisë, u gjobitën me 120 mijë lekë.

Referuar vendimit të gjykatës, që Investigative Network Albania e disponon, administratorja iu imponohej vajzave që punësonte, që përveç masazheve të kryenin edhe shërbime ekstra.

“Në lidhje me refuzimin për shërbimet seksuale ndaj klientëve, Enkelejda më thoshte se refuzimi prish punë dhe bën që të largohen klientët. Enkelejda ishte vazhdimisht në kërkim të një vajze që ofronte shërbime seksuale”, – dëshmon një tjetër punonjëse e qendrës së masazhit.

Punonjësja I. L., e kësaj qendre, e vënë nën hetim për akuzën e prostitucionit, pas operacionit në shkurt të vitit 2017, tregoi për hetuesit se ajo vetë nuk ka ofruar shërbime ekstra për klientët, por, sipas vajzës, kolegia e saj tregonte hapur për këto lloje shërbimesh.

“Administratorja thoshte se nuk duhet ta turpërojmë me klientët, pasi ata duhet të mbeteshin të kënaqur”, – thotë ajo në dëshminë e pasqyruar në vendimin e gjykatës që disponon Investigative Network Albania.

Nga aktet gjyqësore rezulton se kolegia e I. L., hapur ka folur edhe për hetuesit. Sipas dëshmisë që ka dhënë, ajo tregon edhe 3 format e masazheve: “masazhe relaksi, masazhe terapi dhe masazhe erotike”.

Vlerat monetare, të paguara për këto shërbime, janë nga 3 mijë lekë deri në 50 euro apo më shumë, vlera që ndryshojnë nga një qendër masazhi në tjetrën.

Vendimi 1851

Prej vitit 2017 Policia e Tiranës ka organizuar mesatarisht nga 2 operacione në vit, të shtrira në disa muaj kohë, ku ka konstatuar implikimin e vajzave që punësohen si masazhatore në aktivitetin e prostitucionit.

Nga të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania, forma më e shpeshtë e shfaqjes së “prostitucionit” në vitet e fundit është në qendrat e masazheve, aty ku kamuflimi duket se është më i lehtë.

Por, jo vetëm masazhet, shitja e trupit dhe e kënaqësive seksuale u konstatuan edhe online, si dhe në formën e së ashtuquajturës eskortë.

Prostitucioni në statistikë

Nëpërmjet kërkesave për informim, Investigative Network Albania ka mësuar se, nga viti 2017 Policia e Tiranës ka referuar në prokurori 46 persona të dyshuar për veprën penale të “Përshtatjes së ambienteve për prostitucion”.

Policia e Tiranës i tha INA MEDIA-s se “nuk mban të dhëna për operacionet dhe nuk mund të specifikojë se sa prej rasteve lidhen me qendrat e masazheve”. Burime konfidenciale i thanë Investigative Network Albania-s se në vitin 2017 është zhvilluar një operacion në Tiranë, që ka goditur aktivitetin e jashtëligjshëm të prostitucionit, ku në pranga ra administratorja, 3 punonjëse dhe 3 klientë.

Në vitin 2018, rezulton të ketë pasur dy operacione, ku u zbuluan 4 qendra masazhesh, që në fakt ishin kamuflim, u arrestuan 3 administratore dhe u hetuan në gjendje të lirë 7 punonjëse për akuzën e “prostitucionit”.

Në vitin 2019, Policia e Tiranës rezulton të ketë kryer hetime 1-vjeçare për një rrjet prostitucioni, që zanafillën e kishte në një qendër estetike, ku rekrutoheshin vajza, por shtrihej më tej në ushtrimin e prostitucionit në hotele të ndryshme dhe jashtë vendit si eskortë.

Viti 2020 rezulton viti me numrin më të lartë të operacioneve që lidhen me goditjen e prostitucionit që ushtrohet në qendra masazhesh. Janë në total 3 operacione me 5 administratorë të vënë në pranga. 13 vajza u hetuan në gjendje të lirë për ushtrim të “Prostitucionit”.

Eskortë dhe online, të parregulluara me ligj

Por, krahas qendrave të masazhit një tjetër formë prostitucioni, siç është ai online, po lulëzon prej vitesh në vendin tonë.

9 vajza të reja ranë dakord të punojnë online, duke ekspozuar pjesë të trupit kundrejt pagesës nëpërmjet faqes së njohur Jasemin.com. Faqja, e cila mundëson lidhje online midis vajzave dhe djemve nga e gjithë bota, ofron shërbime, që nga njohjet nëpërmjet bisedave dhe në raste të veçanta edhe ekspozimin e pjesëve të ndryshme të trupit.

Gjysma e pagesës për shërbimet e ofruara mbahej nga shoqëria Jasemin.com, ndërsa pjesa tjetër e parave ndahej mes vajzave, bazuar në kohën e konsumuar online.

Vajzat, pasi janë njohur nga shoqja e tyre me këtë lloj shërbimi, i janë drejtuar Qendrës Kombëtare të Biznesit për të regjistruar ofrimin e këtij shërbimi, por janë befasuar, kur kanë marrë përgjigje se “aktualisht, në Shqipëri ky lloj shërbimi nuk parashikohet”, por njëkohësisht iu është thënë se nuk ndalohet ligjërisht.

Në këtë mënyrë vajzat, duke vlerësuar se ky veprim nuk është i kundërligjshëm, pasi është i përafërt me profesionet si puna në “call center” apo në lokalet e “striptizmit”, të cilat funksionojnë pa asnjë pengesë ligjore në Shqipëri, kanë nisur takimet online.

Të bindura se puna që po kryenin së bashku nuk është e ndaluar nga ligji, ato kanë vepruar hapur, pa pasur asnjë dyshim se kjo punë është e ndaluar.

Kjo është e vetmja dosje në Prokurorinë e Tiranës, që lidhet me arrestime të kryera për atë që konsiderohet si prostitucion online dhe që përfundoi në gjykatë me pafajësi.

Prokuroria ka ngritur akuzë për njërën nga vajzat për kryerje të veprës penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe vajzat e tjera, parashikuar nga neni 113/1 i Kodit Penal.

8 vajzat dhe personi që kishte hapur rrjetin online, ku ofroheshin shërbime seksuale, treguan para hetuesve se në fakt askush nuk i kishte detyruar, por kishin zgjedhur vetë të punësoheshin në të konsideruarat hotline.

Gjykata vlerësoi se “këto veprime janë shprehje e lirë e vullnetit të tyre për një veprimtari, e cila nuk përfshihej në rrethin e veprimtarive, për të cilat QKB ofron regjistrimin e një biznesi, si e tillë ngelet një veprimtari e parregulluar ligjërisht për efekt tatimor, por edhe një veprimtari e padënueshme penalisht”.

Por, ky rast ngriti edhe një debat mes ekspertëve të fushës. Ata sugjerojnë se është e nevojshme që të analizohet vepra penale e “Prostitucionit”, parashikuar nga 113/1 i Kodit Penal, nën këndvështrimin e jurisprudencës dhe doktrinës shqiptare dhe evoluimi që e ka ndjekur këtë vepër edhe në praktikën ndërkombëtare edhe për shkak të zhvillimeve të teknologjisë.

“Jurisprudenca jonë deri më tani është ndodhur përpara rasteve të veprës penale të prostitucionit, të cilat kanë plotësuar kriterin e kontaktit fizik ndërmjet subjekteve. Pavarësisht se jurisprudenca e huaj ka evoluar në kuptimin e marrëdhënies seksuale, duke mos e limituar kuptimin e marrëdhënies seksuale vetëm me atë fizike, vlerësojmë se, të zgjerosh kuptimin e marrëdhënies seksuale për të kriminalizuar një veprim, i cili vjen ndesh me moralin, por jo me ligjin, nuk është në pajtim me normat kushtetuese dhe parimet themelore të procedurës penale”, – thotë Bledar Meminaj, jurist.

Një grup personash siguronin vajza, kryesisht nëpërmjet imponimit, duke i rekrutuar në një qendër estetike dhe më pas ua dërgonin klientëve të ndryshëm në hotele dhe udhëtime jashtë vendit.

Gjykata e Tiranës dënoi 2 personat që merreshin me rekrutimin e vajzave për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe 3 të rejat me akuzën e “Prostitucionit”, ndërsa hetimi 9-mujor, i ndjekur me përgjime dhe vëzhgime, tregoi një aktivitet të gjerë, që përfshinte shoqërime luksi në takime jashtë vendit, por edhe ushtrim të prostitucionit. Edhe në këtë rast dënimet e të pandehurve u konvertuan në shërbim prove.

Juristi Meminaj shpjegon se ka një ngërç mes ligjit shqiptar, që konsideron ushtrim prostitucioni, vetëm kur përmbush kriterin e kontaktit fizik, dhe metodave se si ka evoluar zhvillimi i prostitucionit, siç është ai hotline.

“Madje, edhe doktrina ka të njëjtën qasje, duke përkufizuar si marrëdhënie seksuale vetëm ato sjellje që karakterizohen nga kontakti fizik i një pjese çfarëdo të trupit të njërit prej partnerëve me një zonë gjenitale të partnerit tjetër”, – shpjegon ai, duke e lënë të parregulluar ligjërisht atë që konsiderohet si prostitucioni online.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 39 përcakton: “Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj… që njihet me parimin latin “Nullum crimen, nulla poena sine legge”, d.m.th., nuk ka krim, nuk ka ndëshkim pa ligj”, – sqaron më tej ai.

I ndeshur shpesh me raste të klienteve të akuzuara për “Prostitucion” apo edhe për “Mbajtje të lokaleve dhe ambienteve për prostitucion”, Meminaj thotë se ka vend për ndryshime ligjore dhe përshtatje me ndryshimet shoqërore.

Ai i referohet dosjes së Prokurorisë së Tiranës, ku u akuzuan disa vajza për prostitucion, të cilat sipas prokurorisë e kryenin atë online, por më pas morën pafajësi, për shkak se ky aktivitet nuk është rregulluar me ligj.

“Nga njëra anë, reforma që ka ndërmarrë tashmë Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi i Shqipërisë për të parashikuar si vepër penale Ushtrimin e prostitucionit nëpërmjet platformave online, ka ndodhur pikërisht për t’iu përgjigjur kushteve të reja nën dritën e zhvillimit të teknologjisë dhe zgjerimit të konceptimit të marrëdhënies seksuale”, – shpjegon juristi Meminaj.

“Kërkohen masazhatore me dhe pa eksperiencë” 

Skema e punësimit të vajzave është e njëjtë dhe e zakonshme tashmë. Nga rrjetet sociale dhe faqet online administratorët publikojnë njoftime të shpeshta pune, ku kërkohen vajza të reja “me ose pa eksperiencë”.

“Prej 5 muajsh është puna e M. Qendra”; e gjeta rrjeteve sociale. Intervistën e punës e kam bërë me administratorin.”, – tregon hetuara K. B., e cila nuk kishte pasur eksperienca të tjera në masazhe apo fizioterapi.

Vendimi 2316

“Më 16 gusht të vitit 2020 kam filluar punë në qendrën e masazhit “I. SPA”. Unë takova administratorin, i cili më shpjegoi se në varësi nga zgjedhja, mund t’iu ofroja klientëve shërbime ekstra, si masturbim, seks oral, të cilat do të kishin pagesë ekstra”, – ka dëshmuar para grupit të hetimit një tjetër masazhatore, e hetuar për ushtrim prostitucioni.

Vendimi 1777

Për hetuesit vajzat kanë treguar se kanë zgjedhur ta kryejnë këtë punë “për shkak të kushteve ekonomike dhe pamundësisë për të gjetur punë tjetër. Dua të them se nuk kam ndonjë kualifikim specifik në fushën e masazheve”.

Nga disa vendime të analizuara nga Investigative Network Albania, gjykata ka konkluduar se administratorët tentojnë nëpërmjet imponimit, nxitjes për pagesa ekstra, që të sigurojnë bashkëpunimin e vajzave në aktivitetin e paligjshëm. Jo në të gjitha rastet kjo marrëveshje arrihet, por administratorët, të cilët e fshehin aktivitetin e vërtetë nën petkun e qendrave të masazheve, janë gjithmonë në kërkim të vajzave që bien dakord për këtë marrëveshje.

 

Ndëshkimi në “shërbim prove”

Ligji shqiptar është mjaft i qartë, kur vjen puna për ushtrimin e prostitucionit, që sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Për “Shfrytëzim prostitucioni” ndëshkimi varion nga gjoba deri në burgim gjer në 5 vjet, ndërsa për “Mbajtjen e lokaleve për prostitucion” parashikohet një dënim me gjobë ose burgim deri në 10 vjet.

Marzhi i gjerë i dënimit në akuzën e fundit bën që kryesisht dënimet për këtë vepër penale të shkojnë deri në 1 vit burgim dhe më pas pezullim, duke kaluar në shërbim prove.

Në 5 vendime të analizuara nga Investigative Network Albania, vetëm një prej administratorëve u dënua me 1 vit burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në rastet e tjera dënimi i fajësisë kaloi në “shërbim prove”.

Vajzat, të cilat u gjetën fajtore për ushtrim të prostitucionit, nuk u dënuan më shumë se 3 muaj burgim, i kaluar edhe ai në “shërbim prove”.

Gjykata mbyll sytë: Pafajësi administratorit 

Një operacion, i cili vuri në pranga administratorin e qendrës së masazheve “M. Center” dhe nën hetim 1 nga 4 punonjëset në shtator të vitit 2018, nxori në dukje, sipas gjykatës, se prostitucioni në këtë qendër ushtrohej pa dijeninë e administratorit.

Megjithëse punonjësja A. D., e cila u dënua për prostitucion dhe pranoi që këtë aktivitet e ushtronte në ambientet e “M. Center”, por edhe një tjetër punonjëse, deklaruan se administratori iu kishte kërkuar, herë në mënyrë direkte dhe herë indirekte të kënaqnin klientët edhe me shërbime ekstra, Gjykata e Tiranës vlerësoi se nuk provohet fajësia.

“Unë nuk e kisha diskutuar ndonjëherë me administratorin këtë fakt, pasi më vinte turp dhe ka qenë thjesht një marrëveshje në heshtje midis meje dhe klientit”, – është shprehur ndër të tjera e bashkëpandehura para hetuesve.

Kjo e fundit flet për sigurim të klientëve nga administratori dhe një kërkese të tij që ata të mbeteshin të kënaqur.

Por, dëshmia e punonjëses tjetër, e cila mohon t`i ketë dhënë këto shërbime, flet për dijeni të administratorit.

“Nëse klienti kërkon shërbime ekstra, si masturbim ose seks oral, ti bëje njëherë, se nuk të gjen gjë”, – kështu pretendon K. B., se i është imponuar punëdhënësi për ushtrim të prostitucionit. Ndërkohë, në ambientet e qendrës u gjetën sende të përdorura për akte seksuale, megjithatë provat për fajësinë e administratorit nuk ishin bindëse në vlerësimin e gjykatës.

Vendimi 1568

Një efektiv policie, i cili foli në kushtet e anonimatit për Investigative Network Albania, tha se, pavarësisht se qendrat e masazhit po përdoren masivisht për të fshehur veprimtarinë e vërtetë, atë të ushtrimit të prostitucionit, kjo nuk duhet përgjithësuar.

“Ka shumë qendra masazhesh që ofrojnë vetëm masazhe, pa shërbime të tjera dhe përqendrohen tek aktiviteti i tyre i ligjshëm, por disa nga këto qendra kryejnë shërbime të jashtëligjshme”, – tha A. I., me iniciale të tjetërsuara për shkak të ruajtjes së identitetit.

Duke u nisur nga rastet konkrete, A. I., ngre edhe shqetësimin se këto qendra po kthehen në baza të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

“Në këto qendra përveç prostitucionit është vënë re edhe shpërndarja dhe shitja e lëndëve narkotike, kokainë dhe hashash”, – thotë ai për Investigative Network Albania.

Por, si bihet në gjurmët e këtyre qendrave?! Punonjësi i policisë tregon për Investigative Network Albania se gjithçka nis nga kontaktet.

“Çuna të rinj, të cilët tregojnë se në qendra masazhesh nuk kryhet vetëm procesi i masazhit, por edhe prostitucioni. Kryesisht ndodh që të jenë në brendësi të lagjeve, ku shumica e banorëve në pallat janë familjarë dhe kanë shqetësime”, – thotë ai.

Më tej këto indicie apo edhe denoncime shqetësimesh ndiqen në terren në të shumtën e rasteve me efektivë të infiltruar.

Legalizimi i prostitucionit, si mundësi

Për ekspertët fshehja e këtij aktiviteti nëpërmjet qendrave të masazhit vjen si rezultat i ndryshimeve sociale dhe ekonomike.

Sipas tyre, me ndryshimin e mentalitetit tashmë “qendrat estetike dhe të masazhit” frekuentohen për shërbime të ndryshme estetike, jo vetëm nga femrat, por edhe nga meshkujt.

Bledar Meminaj, Jurist

Për juristin Meminaj ky fakt ka krijuar lehtësi në blerjen e aktit seksual, por edhe deklarimin e fitimit nga një aktivitet i ligjshëm.

Në kuadër të rasteve moderne të shfaqjes së prostitucionit, juristi Bledar Meminaj thotë se ka ardhur momenti që vendi ynë të ketë një qasje tjetër për këtë veprimtari. Ai sugjeron që ndoshta nuk është hap i pamundur legalizimi i prostitucionit apo edhe ndërhyrje të tjera ligjore, ku të penalizohet blerja e aktit seksual.

“Nën efektin e shumë faktorëve të natyrës sociale, ekonomike e kulturore tashmë ka ardhur momenti që edhe vendi ynë të ketë qasjen e disa vendeve të tjera dhe ushtrimi i prostitucionit mund të jetë i ligjshëm nën regjimin juridik të veprimtarisë ekonomike ose mund të trajtohet nën një regjim tjetër juridik, ku të penalizohet blerja e aktit seksual dhe të dekriminalizohet shitja e aktit seksual”, – tha Meminaj për Investigative Network Albania.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin