Premtimi për klasat digjitale dhe degradimi i projektit 340 milionë lekë

Autor: Qendra Faktoje!

Në vitin 2015 u propagandua se të gjithë gjimnazet do të pajiseshin me klasa digjitale, një projekt teknologjik që synohej të arrihej brenda tre viteve. Nga një verifikim i Faktoje, rezulton se gjashtë vite pas këtij premtimi, nga 404 gjimnaze gjithsej në Shqipëri më pak se 60 prej tyre kanë klasa digjitale, një nmër më i ulët sesa kur nisi projekti pilot në 2015-n. Dështimi i projektit për të cilin u dhanë 340 milionë lekë, penalizoi gjithë sistemin arsimor me pasoja që shfaqën pas tërmetit dhe pandemisë. Sipas ekspertëve ky projekt nuk mund të përparojë pa mbulimin me internet të territorit dhe rritjen e buxhetit për forcimin e parametrave digjitalizues.

“Praktikisht në tre vjet, të gjitha gjimnazet e vendit tonë, do të kalojnë nga faza ku gjenden, në fazën të re, ku sot e prezantuam me të gjitha risitë dhe sfidat.”- deklaroi kryeministri Rama në vitin 2015.

Udhëzim nr.31, datë 31.08.2015, MASR

Edhe në platformën elektorale 2017-2021 të Partisë Socialiste, një ndër premtimet për arsimin ishte:

“Krijimi i një infrastrukture të qëndrueshme, gjerësisht të përdorshme si dhe të burimeve digjitale në shkolla, zhvillimit të aftësive pedagogjike të mësuesve për përdorimin e TIK-ut, përmirësimit të sigurisë në internet për fëmijët dhe të rinjtë.”

Për t’u njohur zyrtarisht me rezultatet e përmbushjes së këtyre zotimeve, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion, Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, të cilën e pyeti se sa klasa digjitale ka në të gjithë vendin, sa funksionale rezultojnë këto klasa digjitale dhe sa është shpenzuar nga viti 2015 e deri më tani për këtë projekt.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, 24 maj 2021

Pas kalimit të afateve që parashikon ligji “Për të drejtën e informimit”, Faktoje e ankimoi mosdhënien e informacionit nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit.

Ankimimi për Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, 9 qershor 2021

Pas ankimimit, MASR-ja na vuri në dispozicion informacionin e kërkuar, sipas të cilit, numri i shkollave me klasa digjitale në arsimin parauniversitar është 156 në total dhe numri i klasave digjitale është 215, ndërkohë që 1150 institucione kanë pajisje kompjuterike.

“156 shkolla digjitale, janë të shpërndarë në 40 bashki të vendit, 78 janë shkolla 9-vjeçare të cilat disponojnë klasa digjitale, 1 shkollë fillore, 11 shkolla të mesme të bashkuara dhe 59 gjimnaze të cilat sipas ministrisë së Arsimit disponojnë klasa digjitale.” – thuhet në përgjigjen e MASR që shoqërohet me tabelën përmbledhëse të informacionit.

Faktoje gjithashtu pyeti edhe përgjegjësin e Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës në DPAP, Fiqiri Çifliku  për klasat digjitale dhe funksionalitetin e tyre, sa buxhet është harxhuar për këtë projekt dhe sa gjimnaze ka në të gjithë shqipërinë ku na konfirmoi:

“Në Republikën e Shqipërisë janë 404 shkolla të mesme gjimnaze, publike dhe jopublike. Janë pajisur me infrastrukturë laboratorike  60 shkolla me 120 laboratorë në nivel kombëtar me tabletë, projektorë interaktivë, laptopë, infrastrukture të rrjetit. Sa i takon vazhdimësisë dhe  buxhetit është një e dhënë që nuk disponohet nga DPAP por mund të kërkohet në MASR”- tha ai për Faktoje

Institucioni i MASR nuk dha përgjigje se sa para janë shpenzuar për projektin e klasave digjitale që prej 2015-s.

Faktoje kërkoi në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ku në projekt-buxhetin 2016, rezulton se ishin planifikuar rreth 340 milione lekë për platformat e-learning për arsimin e mesëm.

Screenshot e Projekt buxhetit 2016, për financimin e platformave e-learning

“Financimi i platformës e-learning,  në kuadër të projektit me Qeverinë Austriake si dhe pajisja me 40 laboratorë kompiuterikë për nxënësit e klasave të 10-11-12, në arsimin e mesëm të përgjithshëm, duke përfituar drejtpërdrejtë rreth 15.000 nxënës dhe 1,200 punonjës mësimorë të këtij programi, me rreth 340 milionë lekë nga të cilat 250 milionë lekë janë financim i huaj”-thuhet ndër të tjera në informacionin e publikuar në faqen e MFE.

Kurse në projekt-buxhetin e viteve të tjera nuk na dalin të dhëna të tjera në lidhje me klasat digjitale. Në projekt Buxhetin e vitit 2015 thuhet që është siguruar shërbimi i internetit për rreth 1.200-1.350 shkolla të arsimit para universitar, për implementimin e programeve të reja digjitale dhe platformës E-learning.

Edhe në projektbuxhetin e viteve 2017/2018 nuk ka të dhëna për financim të  klasave digjitale.

Ndërkohë në përgjigjen zyrtare të Ministris së Financave për Faktoje, jepet një përshkrim I përgjithshëm I ecurisë së procsit të dixhitalizimit në arsimin parauniversitar:

Në periudhën 2015- 2017 u implementua projekti për klasat digjitale.

Realizimi i këtij projekti është bëre në disa komponentë të ndryshëm:

  • në infrastrukturën laboratorike duke pajisur 60 shkolla dhe 120 laboratorë në nivel kombëtar me tabletë, projektorë interaktivë, laptopë, infrastrukture të rrjetit dhe përdorim të sistemeve të menaxhimit dhe platformave e-learning
  • trajnimin e 200 mësuesve që do e përdornin këtë infrastrukture.

–   Sot në 1,194 shkolla me më shumë se 4,334 mësues dhe rreth 120,000 nxënës të moshës 10-15 vjeç, po zbatohet programi “Shkollat e Shekullit të 21”.

Faktoje intervistoi nxënës nga gjimnaze në qytete të ndryshme nëse kanë përfituar nga klasat digjitale. H.S nxënëse pranë gjimnazit “Sabah Sinani” në Pukë tregon:

“Në shkollën tonë është vetëm një klasë digjitale dhe ka 15-20 ipad. Klasa digjitale nuk është vënë kurrë në funksion dhe arsyen nuk e dimë ende. Ne jemi mbi 200 nxënës me nga dy klasa paralele për secilën. Edhe sikur të përdoreshin, nuk do të arrinim të gjithë të kishim akses”.

Gjimnazi “Sabah Sinani” Pukë 

Edhe për nxënësen L.S në gjimnazin “Hydajet Lezha”, në Lezhë klasat digjitale në shkollë nuk ekzistojnë.

“Ne nuk jemi në dijeni për këto klasa, nuk kemi bërë kurrë. Ne jemi një shkollë e madhe dhe në kohën e pandemisë kemi pasur shumë vështirësi në lidhje më infrastrukturën digjitale”.- tha L.S për Faktoje

Gjimnazi “Hydajet Lezha” Lezhë

 Periudha e pandemisë, kur digjitalizimi u bë mjet i domosdoshëm për sistemin arsimor dhe dhe një sfidë për nxënësit e mësuesit, nxori zbuluar klasat digjitale. Prej shumë vitesh, shkollat e mesme të përgjithshme duhej të ishin digjitalizuar, referuar premtimit të Kryeministrit Edi Rama dhe Minisrtres së Arsimit në atë kohë Lindita Nikolla, por vetë Ministria e Arsimit konfirmon se në vitin 2021 numri i klasave digjitale ka ardhur duke u ulur në krahasim edhe më numrin fillestar kur projekti ishte në fazën ekperimentale.

E pyetur nga Faktoje për arsyet e dëshmtimit të projektit për klasat digjitale, ekspertja e Arsimit Majlinda Keta tha:

“Klasat digjitale janë një objektiv i kahershëm i qeverisjeve në Shqipërinë e pas 2005-s. Ato erdhën si pjesë e angazhimeve dhe detyrimeve që sistemi ynë arsimor duhej të merrte ndaj kompetencës digjitale. Klasa digjitale  do të ishte funksionale nëse në dokumenta strategjikë të dy qeverisjeve pas 2005-s ne do vlerësonim për arsimin një buxhetim në rritje përkundrejt investimeve. Ne shkuam në drejtim të kundërt pikerisht për faktin se jo vetëm nuk shtuam nivelet e buxhetimit, por edhe sepse adresuam në mënyrë alogjike, jo vizionare edhe elementë të ndryshëm të cilat edhe në atë pak buxhet, të mirëkonceptuara, të mirëmenaxhuara mund të sillnin ndikime hap pas hapi për klasën digjitale. Ne vijojmë që në dokumentat strategjikë të arsimit në tërësi të kemi të pakonceptuar institucionin arsimor online.”

Zonja Majlinda Keta ngre disa pikëpyetje.

-Si mund të flitet për klasën digjitale kur ajo ende nuk është përcaktuar si standard arkitekturor qysh në konceptim?

-Kush mund të realizojë klasën digjitale kur politika e ‘Altertekst biznesit’ nuk e ka kthyer në standard qysh në vitin kur u pretendua ajo?

-A mund të jetësohet klasa digjitale, kur mësuesi e jo më nxënësi e ka mollë të ndaluar pajisjen me tablet, laptop apo kompjuter?

Pandemia, që detyroi mësimin online  na dëftoi dhe vijon të dëftojë se celulari personal, i çfarëdolloj cilësie, në duart e mësuesve dhe nxënësve, ishte instrumenti i vetëm i tejkalimit të emergjencës online. Për më keq, pandemitë mund të jenë sërish në prag të vjeshtë-dimrit edhe për vitin tjetër shkollor dhe kurkund nuk kemi një plan kombetar të digjitalizimit në arsim, për atë publik së pari, por edhe për atë jo publik.”

Ajo çfarë sugjeron ekspertja është që qeveria të zgjidhë dy çështje madhore, shtimin e buxhetit në favor të parametrave digjitalizues në arsim dhe mbulimin me internet të gjithë hapsirës territoriale, për akses të barabartë  për të gjithë fëmijët dhe shkollat.

Megjithë zotimet disavjeçare, klasat digjitale janë një projekt i mbetur në letër. Kjo situatë u dëshmua qartë gjatë periudhës së mësimit online në kohën e pandemisë globale, ku në Shqipëri u shfaq një mungesë e theksuar në infrastrukturën digjitale në vend dhe mungesës së aksesimit me internet tek nxënësit.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin