Flet ish-kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni: Bashkëpunëtorët e drejtësisë janë të pazëvëndësueshëm për rezultatet e hetimeve

Nga Ermal VIJA

“Unë nuk isha dakord me sasitë e artikujve që u ndryshuan dhe u përcaktuan nga përgjegjësja Flutura Çekrezi dhe Edlira Naqellari, pasi cënoheshin interesat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nuk isha dakord me metodologjinë e përllogaritjes së fondit limit me çmimin mesatar në mes të procedurës”,– kjo është dëshmia e dhënë në SPAK nga Aurora Mullaj, zyrtare e policisë së shtetit gjatë hetimeve për tenderin abuziv të uniformave të policisë. Ajo u dënua me 10 muaj heqje lirie, por dënimi u pezullua dhe iu konvertua në 20 muaj shërbim prove. Një tjetër zyrtar që kundërshtoi procedurat e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara ishte Ylli Pjetërnikaj, por pa drejtuar gishtin tek përgjegjësit.

Unë si anëtar i komisionit kam konstatuar disa mangësi në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga ofruesit për këtë procedurë…

Edhe pse SPAK i tha gjykatës se tenderi për uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë ishte në shkelje të ligjit, në fund nga gjykata u dënuan 10 zyrtarë të nivelit të mesëm me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera me dënime që nuk shkuan më shumë se 1 vit burg. Asnjë nga zyrtarët nuk bashkëpunoi me prokurorinë për të treguar rolin e personave të përfshirë, por përballë prokurorëve menduan vetëm të largonin përgjegjësinë nga vetja.

Bashkëpunëtorët që folën…

Ndryshe ka ndodhur me krimin e organizuar. Një numër i madh i personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale pasi janë përballur me prokurorinë kanë filluar të flasin dhe të tregojnë bashkëpunëtorët. Shpesh herë ata kanë rrëfyer krime të rënda dhe ekzekutime personash duke treguar edhe emra kriminelësh. Me dëshmitë e tyre kanë dërguar pas hekurave njerëz që janë konsideruar të pa prekshëm. Ndonjëherë janë kthyer në bashkëpunëtorë nga frika për jetën dhe në ndonjë rast edhe për të përfituar nga mbrojtja që të ofron shteti.

Behar Sofinë e kam ndjekur disa herë nga Piramida deri tek ish-ekspozita, atje ku e priste një makinë e bardhë që drejtohej nga një femër, por e kam patur të pa mundur ta ekzekutoj. Vrasjen e bëra për 50 milion lekë, por paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes”.

Kështu e nis rrëfimin e tij në Gykatën e Posaçme 26-vjeçari Ernejt Shyti, i penduari i drejtësisë që u arrestua për vrasjen e Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur më 25 shkurt të vitit 2021. Pas arrestimit ai tregoi me emra bashkëpunëtorët e tij. I pari që u vu në pranga ishte shoku i tij Xhuliano Visha, njeriu që i siguroi lidhjet me grupin e personave që kërkonin “kokën” e Sofisë. Më pas u arrestuan edhe Leonard Xhixha, Skënder Vathi e Bujar Leza, ndërsa në kërkim vijon të jetë Jemin Shera si personi që ka organizuar ekzekutimin e Behar Sofisë. Prokuroria ka dyshime se vrasja është porositur nga një person që njihet me pseudonimin “Bajlozi”, por deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tij.

Për anëtarin e Gjykatës së Lartë Sandër Simoni dhe ish-kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, roli i bashkëpunëtorëve të drejtësisë është shumë i rëndësishëm kjo për shkak të natyrës se si funksionon krimi i organizuar në Shqipëri.

Natyra dhe tipologjia e krimit të organizuar në Shqipëri në mënyrë të veçantë në kryerjen e veprave penale të tilla si vrasjet me pagesë për llogari të grupeve kriminale apo grupeve e individëve me interesa pasurore, gjobëvënieve ndaj bizneseve karakterizohet nga strukturimi i ngushtë e hermetik, lidhjet e ngushta shoqërore, fisnore e të kultivuara në kohë, agresiviteti e besnikëria, rregullat strikte të zbatimit të “fjalës së dhënë” hermetizimi, omerta ndëshkim në rast shkelje të saj, lidhjet e ngushta në mes të anëtarëve, sofistikimi i mënyrave të komunikimit, mbi të gjitha përfitimet pasurore i një veprimtarie të tillë”, shprehet Sandër Simoni, për Qendrën FOL.

Historia e bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka nisur me Petrit Liçin, një prej anëtarve të bandës së Lushnjës që ka kryer krime  gjatë trazirave të vitit 1997-të. Rrëfimi i tij çoi pas hekurave me dënime të rënda anëtarët e tjerë të bandës, ndërsa ai vetë u dënua me 7 vjet burg. Për herë në parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i penduari i drejtësisë Petrit Liçi, tregoi me detaje për ngjarje të rënda kriminale të bandës së Lushnjës, të drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare. Për një nga ish-drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçin, ndryshimet ligjore të asaj kohe dhe forcimi i rolit të bashkëpunëtorit të drejtësisë solli edhe suksese në luftën ndaj krimit të organizuar.

Krijimi i Prokurorisë së Krimeve të rënda në janar të vitit 2004 u pasua me rregullime ligjore për sa i përket institutit të të penduarve të drejtësisë. Dhe ajo periudhë njohu të penduarit e parë, që u pasuan në vitet në vijim me një numër të lartë të penduarish. Dhe sigurisht që shënoi një hap cilësor në hetimet penale të prokurorisë. E njëjta situatë u përsërit me ndryshimet ligjore që sollën krijimin e strukturave të reja të drejtësisë. Duke qenë se në këto dy momente kohore pati ndryshime ligjore në institutin e të penduarve të drejtësisë normal që rritet dhe numri i tyre”, shprehet Beçi për Qendrën FOL.

Një tjetër bashkëpunëtor i drejtësisë, anëtar i bandës së Durrësit, Adriatik Coli, u kthye në të penduar. Në dhjetëra seanca të zhvilluara me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Coli rrëfeu me detajevrasjet e kryera nga banda e Durrësit, në disa prej të cilave ai kishte rolin e ekzekutorit. Bashkëpunimi ia uli dënimin me burg përjetë në vetëm 10 vite heqje lirie.

 “ Kjo natyrë kriminaliteti e bën të vështirë zbulimin e kësaj veprimtarie, depërtimin me veprime hetimore proaktive apo bashkëpunimin qytetar. Prandaj ” të penduarit” apo “bashkëpunëtorët e drejtësisë” nga brenda këtyre grupeve janë të pazëvendësueshëm për rezultatet e hetimeve e gjetjen e provave që nuk mund të gjenden në mënyra të tjera hetimore procedurale. Këtë ka treguar praktika e hetimit e gjykimit të grupeve kriminale në Shqipëri në mënyrë te veçantë ajo e Prokurorisë e Gjykatës për Krime të Rënda si dhe rezultatet hetimore të disa grupeve që po hetohen sot nga Prokuroria e Posaçme.”, tha Simoni, për Qendrën FOL.

Ndriçim Gjokona dhe Julian Sinanaj, të akuzuar si vrasës me pagesë në procesin ndaj bandës së tritolit, pranuan bashkëpunim. Gjatë procesit, Julian Sinanaj u tërhoq nga tre ngjarje kriminale, për të cilat fillimisht kishte dhënë sqarime. Ndihmesa e dhënë për drejtësinë e shpëtoi nga burgimi i përjetshëm, por tërheqja nga disa prej dëshmive bëri që të mos përfitonte dënim minimal,duke u dënuar me 30 vite heqje lirie. Ndriçim Gjokona u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë që prej janarit të vitit 2014. Të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.

Nga historiku i natyrës së këtyre rasteve, të penduarit e drejtësisë bëhen pothuajse gjithmonë persona të cilët kanë kryer krime shumë të rënda dhe kryesisht krime mbi jetën dhe shëndetin e njeriut”, shprehet juristi Mikel Çipi, për Qendrën FOL.

Mbrëmjen e datës 29 mars të vitit 2022, policia e shtetit në operacionin e koduar “Golden Bullet”, vuri në pranga  një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për disa vrasje, Nuredin Dumanin. Ai u kthye menjëherë në i penduar. Bashkë me të arrestuarin tjetër, Henrik Hoxha, ai rrëfeu krime të kryera të tjera të porositura por që nuk ishin realizuar.  Falë dëshmisë së tij, në maj të vitit të kaluar u realizua operacioni i koduar “Plumbi i artë”, i cili nxori në skenë shumë emra të botës së krimit.

Dëshmitë e të penduarve e bashkëpunëtorëve të drejtësisë janë një provë direkte mbi fakte të dhëna drejtpërdrejtë mbi veprimtarinë kriminale, të përceptuara saktë nga vetë autorët e tyre, mbi veprimet e tyre e të bashkëpunëtorëve të tyre që kërkojnë sigurisht një vlerësim të kujdesshëm në mënyrë të veçantë kur dhënia e tyre është bërë shkas i prishjeve të interesave apo hakmarrjeve brenda vetë grupeve kriminale”-shprehet Simoni.

Luftar Reçi, një i dënuar me 25 vite burg për vrasje u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë, me dëshminë e dhënë në Prokurorinë e Posaçme. Dëshmia e tij mori të pandehur emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri duke zbardhur 2 ngjarje kriminale të ndodhura në vitin 2005. Reçi aktualisht ndodhet në burg dhe tashmë ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ai ka mundur të japë dëshminë në Gjykatën e Posaçme, pas disa seancash të dështuara, në procesin ku janë të pandehur Emiljano Shullazi, Viktor Imeri, Lulzim Berisha dhe persona të tjerë të akuzuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005.

Por ndryshe ndodh me rastet e korrupsionit.

Edhe pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, të vetmet raste ku vërehet bashkëpunimi me drejtësinë, janë ato të krimeve të rënda ndaj jetës dhe shëndetit të personit. Asnjë rast i bashkëpunimit me drejtësinë nuk ka ndodhur për sa i përket veprave për të cilat u krijua kjo strukturë, Korrupsionit”, tregon për  Qendrën FOL, juristi Çipi.

Privilegjet e të penduarve

Koncepti i bashkëpunëtorëve dhe dëshmitarëve të drejtësisë është futur në vendin tonë në vitin 2004. Konkretisht, ky koncept u fut në mars të atij viti, kohë kur u krijua dhe Gjykata për Krimet e Rënda. Herë pas herë janë bërë ndryshime ligjore, derisa u arrit në miratimin e një ligji që është në fuqi edhe sot. Prej vitit 2009, drejtësia shqiptare përdor dëshmitarë, apo autorë të penduar për zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale. Në rastet e marrjes së statusit, i penduari dhe familja gëzojnë, përfitojnë mbrojtje të veçantë. Shteti iu siguron të ardhura për familjen, roje sigurie, shoqërime me makina shtetërore të familjarëve, apo fëmijëve. Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve parashikon jo vetëm garantimin e jetës së personit dhe familjes së tij, por edhe strehimin, trajtimin financiar, mjekësor, arsimimin e deri te trajtimi psikologjik. Lëvizjet e personit të marrë nën ruajtje dhe familjarëve të tij kryhen nën vëzhgimin dhe shoqërimin e agjentëve të zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin