“Nuk kisha radio e lekë në telefon”, roja nuk raportoi për grabitjen, merret i pandehur për “Shpërdorim detyre”

Të mbash detyrën e rojës, nuk është e lehtë! Ligji, por edhe kuptimi i fjalës rojë në fjalorin tonë e ngarkon atë me detyrë “të ruajtur dhe të mbikëqyrur me kujdes diçka a dikë që të mos e sulmojnë, të mos e dëmtojnë a të mos e grabitin…”.

Ndryshe ka vepruar roja i identifikuar me inicialet A.B., i marr nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për “Shpërdorim detyre”, sa kohë nga verifikimet rezultoi se nuk kishte marrë masa e nuk kishte njoftuar në kohë për një grabitje të ndodhur në kompaninë ku bënte rojë.

Nga monitorimi i qendrës “Fol”, ka rezultuar se pronari i një kompanie, që ra pre e një grabitje mesnatën e 10 prillit 2021, pasi pa kamerat e sigurisë, kallëzoi penalisht A.B. për mosveprim, edhe pse kishte parë grabitesit.

“Nga pamjet e kamerave të sigurisë konstatova se 3 persona të maskuar, pasi kanë kapërcyer murin rrethues, janë futur në ambientet e brendshme të biznesit, kanë kontrolluar në disa ambiente, derisa kanë marrë një vlerë prej 700 mijë lekësh te zyra e financës. Ata kanë vepruar me qetësi, pasi ashtu sikurse ka rezultuar nga pamjet, roja ka qendruar në kabinën e tij dhe nuk ka vepruar. Kur ata po iknin, roja ka dalë dhe i ka parë, por nuk ka bërë asnjë njoftim deri në mëngjes, kur i ka treguar administratorit”, ka kallëzuar pronari i biznesit.

Ndërkohë që Policia dhe Prokurora nisi hetimet për rastin, roja A.B., ka pretenduar se është e vërtetë që i ka parë grabitësit, madje shton se një prej tyre edhe e ka ndjekur, por pa arritur ta kap, por sipas rojës, ai nuk kishte radio dhe nuk kishte lekë në telefon për të njoftuar, e në këto kushte ka pritur mëngjesin për ta raportuar te administratori.

Këto pretendime të rojës nuk janë marrë parasysh nga Prokuroria e Tiranës e cila, pas mbylljes së hetimeve, i kërkon Gjykatës së Tiranës, ta gjykojë të pandehurin për “Shpërdorim detyre”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin