Mijëra klandestinë “zhduken”, si po kthehet Shqipëria në trampolinë për të kaluar gardhin e Bashkimit Evropian

Përgjatë viteve 2018-2020 rreth 13 mijë klandestinë, që aplikuan si azilkërkues, “avulluan” pa pritur nisjen e procedurave. Ndërkohë, aktualisht në qendrën kombëtarë pritëse të Babrrusë strehohet vetëm një familje siriane, duke shtuar dyshimet se Shqipëria po përdoret si trampolinë nga mijëra migrantë, që aspirojnë një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Autor: Nevila Dervishi

Muadi, djaloshi 20-vjeçar nga Maroku, i cili para një muaji sillej në ambientet e Xhamisë së Madhe të Durrësit, dërgoi mesazh nga Italia. Ia kishte dalë mbanë. Kalvari i tij i ecejakeve gati dyvjeçare në disa shtete të Ballkanit Perëndimor mori fund.

“Në Shqipëri njerëzit ishin të mirë. U sollën mirë me ne. Na ndihmuan. Edhe policia nuk na shqetësoi… Për dhunë nuk bëhej fjalë…, se në Serbi më kalbën në dru…”, – rrëfeu për Investigative Network Albania Muadi, pak para se të niste udhëtimin e shpresës.

Muadi, klandestini nga Maroku, pranë Xhamisë së Madhe në Durrës

Muadi është vetëm një nga mijëra refugjatët e Lindjes së Largët, që përdorin Shqipërinë si trampolinë për të mbërritur në Evropë, tokën e tyre të premtuar.

Të gjithë migrantët, të cilët para një muaji frekuentonin ambientet e xhamisë, nuk gjenden më aty. Sheshi para xhamisë është sërish plot, por ata janë të rinj, të ardhur së fundmi.

Sillen vërdallë rreth portit, nga ku presin shansin të arratisen drejt Italisë evropiane, ose duke u lidhur me trafikantët, ose të provojnë fatin, duke u futur fshehurazi në kamionët e mallrave që nisen me tragete në drejtim të porteve italiane.

“Një biletë, që iu paguhet trafikantëve, ndonjëherë shkon deri në 5 mijë euro për person”, – thotë për INA MEDIA-n një grup të rinjsh klandestinë, që po presin çastin e duhur.

Shqipëria, shtegu drejt Evropës

“I am from Syria… Please, give me some money to buy bread!”

Që pas valëve të para, të mëdha të migrantëve për shkak të luftës në Siri, një pjesë e tyre u shfaqën nëpër semaforë, duke lypur të holla për bukë.

Sirianët e semaforëve ishin në fakt vetëm pjesa më e dukshme e një ushtrie prej mijëra klandestinësh, një fenomen që shënoi një rritje galopante në mesin e vitit 2016.

Ylli Kumrija, shef i Sektorit për Imigracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pranon për Investigative Network Albania se përgjatë viteve të fundit shifrat e flukseve të klandestinëve kanë një rritje të madhe, deri në 20 mijë në vit.

“Gjatë vitit 2019 kemi pasur 11.890 migrantë të parregullt, nga të cilët 6.706 azilkërkues. Në vitin 2020 kemi rritje me 18.843 migrantë, nga të cilët 2.208 azilkërkues…”, – thotë drejtuesi i lartë, duke sqaruar se “në çdo rast ata mund të jenë subjekt trajtimi në një qendër pritëse, i kthimit mbrapsht në territorin e Greqisë, i largimit në mënyrë vullnetare ose i dëbimit nga territori.”

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, flukset migratore kanë ruajtur të njëjtin trend edhe gjatë vitit 2021. Kështu, në 9 muajt e parë, policia ka kaluar nëpër duar 15.621 migrantë të paligjshëm, nga të cilët 90% kanë kaluar dhe janë kapur pranë kufijve tokësorë me Greqinë.

Por, të dhënat zyrtare duket se janë vetëm maja e “ajsbergut” e atyre që shkelin në Shqipëri, pasi në këto shifra përllogaritet vetëm pjesa që kalon në rrjetën e policisë shqiptare.

Operacionet e shumta të policisë, dëshmitë, por edhe videot që shpërndajnë vetë në rrjetet sociale, këta “vizitorë ilegalë” tregojnë se janë me mijëra të tjerë, që arrijnë të futen në thellësi të territorit shqiptar, duke ecur në këmbë apo me mjete të ndryshme, për të cilët policia nuk ka një shifër zyrtare.

“Nuk mund të numërohen personat (që gjenden aktualisht në territorin shqiptar), pasi duhen shifra zyrtare për të thënë që ekzistojnë kaq apo aq”, – pranon drejtuesi Ylli Kumrija.

Si “avullojnë” mijëra migrantë

Ndonëse çdo vit policia raporton se në vendin tonë futen mijëra migrantë të paligjshëm, ata shumë shpejt zhduken.

Matësi më kuptimplotë i “avullimit” të migrantëve është numri i atyre që ndodhen në qendrat e azilkërkuesve.

Aktualisht, në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru strehohet vetëm një familje siriane me shumë anëtarë, megjithëse kapaciteti i saj është për 180 persona.

INA MEDIA hulumtoi të dhënat dhe rezulton se, më shumë se 13 mijë azilkërkues të regjistruar në vitet 2018-2020 kanë avulluar pa lënë asnjë gjurmë.

Më konkretisht, përgjatë vitit 2018 ka pasur 4.386 azilkërkues, pra që janë regjistruar në sistem, në vitin 2019 ishin 6.706 të tillë dhe një vit më pas, 2.208.

Por, asnjëri prej tyre nuk ka pritur procesin e gjatë të verifikimit apo të pajisjes me dokumentacionin përkatës dhe aktualisht janë “zhdukur” nga territori i Shqipërisë.

Zyrtari i policisë, Ylli Kumrija, e justifikon numrin e vogël të azilkërkuesve me aplikimin e një politike që ka vështirësuar kushtet e pranimit.

 “Janë vështirësuar politikat dhe kriteret që duhet të plotësojnë për t’u pranuar dhe për të marrë kështu statusin e azilkërkuesit”, – sqaron Kumrija.

Referuar të dhënave zyrtare, përgjatë vitit 2020 nga 18.843 migrantë që kaluan në sitën e policisë, vetëm 2.208 morën statusin e azilkërkuesit. Pjesa tjetër, rreth 16.635, ose janë kthyer mbrapsht në Greqi, ose janë lënë të lirë në brendësi të territorit shqiptar, pasi kapacitetet akomoduese, që gjenden vetëm në Gjirokastër dhe Korçë, janë minimale – vetëm për 160 persona.

“Zhdukja” e klandestinëve dëshmon se sirianët e të tjerë të huaj të lënë të lirë pas pajisjes me urdhër-largimi vullnetar, edhe ata që kanë aplikuar për të marrë statusin e azilantit, e kanë përdorur qëndrimin në Shqipëri si trampolinë për t`u larguar në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Në pamundësi apo për paaftësi për të kontrolluar dhe bllokuar lëvizjen drejt vendeve të Evropës Perëndimore të të dyja kategorive, policia e ka shtrënguar lakun, vetëm atje ku e ka më të thjeshtë – tek azilkërkuesit. Faktin e pranon edhe drejtuesi Ylli Kumrija.

“Në vitin 2019 kishte 6.700 migrantë që kërkuan azil, por nga këta shumë pak mbetën deri në fund të procedurës së aplikimit për azil, sepse abuzuan me sistemin e azilit. Kjo kategori e përdorte sistemin e azilit për t’u tranzituar…”, – pranon zyrtari i policisë dështimin e skemës së azilit.

Panorama e mjegullt në lidhje me fatin e atyre që futen në Shqipëri, qoftë ata që bien në rrjetat e policisë dhe më pas lihen të lirë, qoftë ata që nuk identifikohen fare nga strukturat policore, ka rritur në mënyrë të ndjeshme tregun e atyre që kërkojnë shpëtim te trafikantët.

Këtë vërteton edhe raporti fundit (10 maj 2021), i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI), që thotë se tregu i trafikimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor vlen të paktën 50 milionë euro në vit dhe se Shqipëria është kthyer në pikën e tyre të preferuar për të kapërcyer portat e Bashkimit Evropian.

Sipas këtij raporti, duke mundësuar kalimin e kufijve të Greqisë me Shqipërinë, trafikantët përfitojnë nga 7.5 deri në 11.5 milionë euro në vit.

Raporti i Nismës Globale (10.05.2021) dhe harta shoqëruese

Kalimin në qendrat e pritjes apo procedurat e tjera migrantët e konsiderojnë kohë të humbur, pasi qëllimi është Evropa.

Për të nisur aventurën e tij në drejtim të Evropës, Muadi shfrytëzoi lëvizjen me avion pasagjerësh për në Turqi, pa pasur nevojë për vizë hyrëse. Ai përfitoi nga një marrëveshje e përkohshme mes dy shteteve për studentët marokenë që donin të studionin në universitetet turke.

Por Muadi nuk kishte për qëllim shkollimin.

Me të zbritur në Stamboll, nisa të siguroj informacionin dhe të gjej një mundësi për të emigruar drejt Evropës”, – rrëfen për INA MEDIA-n Muadi.

Migrantët që kalojnë nëpër territorin shqiptar, edhe ata nga Azia, edhe ata që vijnë nga Afrika e Veriut, kryesisht rrahin atë që quhet “linja jugore e trafikut drejt Evropës Perëndimore”, që nis nga Turqia, vazhdon në Greqi, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Austri dhe që zakonisht përfundon në Gjermani.

Klandestinë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës (foto e marrë nga videot që ata vetë postojnë në rrjetet sociale.)

Udhëtimi i Muadit drejt tokës së premtuar vijoi në këmbë dhe me mjete të rastësishme nëpër Greqi deri në afërsi të Kapshticës, pranë kufirit me Shqipërinë.

“Aty u bllokova për gati dy javë, sepse policia shqiptare më kapte dhe më kthente mbrapsht, por një ditë arrita të kaloja. Nga Korça erdha në Tiranë me një makinë të rastësishme. Drejtuesi i automjetit nuk më kërkoi të holla, por, i sugjestionuar, i dhashë 60 euro. Të tjerët iu paguajnë trafikantëve edhe 200 euro për të shkuar nga Korça në Tiranë, ndërkohë që ka të tjerë që e bëjnë në këmbë”, – rrëfen ai aventurën e tij.

 Porti bujar i Durrësit, shpresa drejt Evropës

Pasi mbërrin në Tiranë, Muadi bie në kontakt me një numër të madh migrantësh që flisnin gjuhën e tij, atë arabe. Në marrëveshje me ta ai vendos të tentojë Gjermaninë. Fillimisht kalon në Malin e Zi, përmes Shkodrës. Aty kujton policët shqiptarë të kufirit në Han të Hotit, në vendin e quajtur Gryka e Shegëve, të cilët iu kërkuan nga 10 euro për person që t`i lejonin të vazhdonin udhëtimin. Pasi paguajnë dhe futen në Mal të Zi, rrugëtimi vijon në Serbi.

Muadi rrëfen se si dy herë radhazi ka arritur të kalojë kufirin me Hungarinë dhe se në të dyja rastet e kanë kapur dhe e kanë kthyer. Në një rast tjetër e kanë kthyer mbrapsht, edhe kur ka hyrë në Rumani.

Muadi dhe autorja e shkrimit gjatë intervistës së marrë pranë Xhamisë së Madhe në Durrës

Ndërkohë afrohet dimri i vitit 2020 dhe migranti nga Maroku vendos të kthehet pas, në Kosovë. Këtu kalon 5-6 muajt e ftohtë dhe të papërshtatshëm për udhëtim. Me largimin e të ftohtit plani më i ri në mendjen e tij do të ishte kthimi në Shqipëri dhe tentativa për të kaluar në Itali përmes portit të Durrësit.

“Mes shqiptarëve jemi ndier mirë, na kanë ndihmuar. Ndonjëherë ndalojnë makinat dhe na zgjasin të holla pa i kërkuar. Edhe xhamia këtu në Durrës gjithmonë ofron ushqim. Për të fjetur jemi strehuar në ambiente që nuk janë të banuara apo të dëmtuara nga tërmeti”, – tregon ai, ndërsa pohon se policia nuk i ka keqtrajtuar.

Migrantë nga Azia dhe Afrika në ambientet e Xhamisë së Madhe në Durrës

Xhamia e Madhe, që vendoset në qendër të qytetit portal të Durrësit, është shndërruar prej kohësh në stacionin e ngrohtë të migrantëve që synojnë Evropën Perëndimore.

Pas orës 1200 aty mund të gjesh deri në 30 klandestinë. Grupe-grupe bisedojnë, bëjnë ndonjë punë të vogël, falen dhe ushqehen. Synimi i të gjithëve është të gjejnë rastin për t`u imbarkuar në tragetet që nisen drejt Italisë.

Pamje e sheshit të trageteve në portin e Durrësit nga pika e vëzhgimit të klandestinëve (foto e marrë nga videot që ata vetë postojnë në rrjetet sociale.)

Janë kryesisht nga Siria, Pakistani e Afganistani, por kohët e fundit më të shumtë janë shfaqur afrikano-veriorët, sidomos marokenët dhe algjerianët. Shumica nuk kanë mundësi financiare për të paguar trafikantët, kështu që rruga e vetme mbetet aventura e futjes fshehurazi në kamionët e mallrave që imbarkohen në tragete.

Abarfi, një sirian, i cili e shfaq më tepër se të tjerët në fytyrë stresin e të qenit në një vend të huaj, ka të njëjtën histori.

“Po qëndroj këtu, sepse në Serbi më kanë kërkuar shumë pará për të shkuar në Evropë. Këtu kam folur me shumë persona që mund të më ndihmojnë. I fundit që kam folur, më ka kërkuar 4.500 euro. U nisa një herë nga porti, por më kapi policia. Pastaj më la të lirë. Tani po mendoj të tentoj përsëri. Nëse do kisha mundësi punësimi, mund të jetoja këtu, por është pamundur”, – thotë ai, ndërsa rrëfen se synimi i tij është të shkojë në Gjermani.

Jusufi nga Maroku rrëfen se migrantët që gjenden në Durrës në tentativë për t`u larguar përmes portit, janë të dështuarit apo ata që janë kthyer mbrapsht, pasi nuk ia kanë dalë mbanë të shkojnë në Gjermani përmes linjave tradicionale që përshkojnë gjithë Ballkanin.

“Nga Turqia udhëtova në Greqi dhe pastaj në Shqipëri. Kam tentuar disa herë që të largohem nga këtu, por më kapën në Bosnjë. Aty më kanë dhunuar shumë. Më pas u ktheva prapë këtu. Këtu jetoj keq, në rrugë, por jam mirë. Zoti më ndihmon. Xhamia na ndihmon, na jep ushqim. Këtu ka shumë njerëz që të ofrojnë ndihmë për të kaluar kufirin. Me sa duket, i pëlqejnë shumë paratë. Kam gjetur një person që kërkon 3 mijë euro për të më ndihmuar të shkoj në Itali. Po qëndroj këtu, sepse mendoj se porti është shans i mirë për mua”, – thotë ai.

Abarfi nga Siria (djathtas) dhe Jusufi nga Maroku (majtas) dhe autorja e shkrimit (në qendër) gjatë intervistës në qendër të Durrësit

Për migrantët periudha e artë e largimit përmes portit ishte gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, por fati u ndrin tek-tuk edhe tani. Ka një numër të madh videosh, që migrantë të ndryshëm kanë ngarkuar në internet dhe që ilustrojnë atë që policia shqiptare nuk e sheh të ndodhë në portin e Durrësit. Herë në anglisht, herë në italisht e më shpesh në gjuhën arabe, ata filmojnë veten në lartësitë e ndërtesave përballë portit, ndonjëherë duke përcaktuar edhe kamionin, ku, pasi të kalojë mesnata, do të tentojnë të futen.

 “Po provojmë fatin tonë për të shkuar në Itali. Jemi në Shqipëri dhe jemi ngjitur në katin e 7, po shohim… Do përfitojmë nga momenti i ndërrimit të rojeve… Do futemi me not nga andej (tregon me dorë)… Pastaj do kalojmë atë barrierën që është 2 metra, pastaj do kalojmë dhe pengesën tjetër dhe do futemi brenda atij kamionit atje… Tek ai me ngjyrë të bardhë. Pastaj, në mbrëmje, përafërsisht rreth orës 1900 do hyjmë në anijen e madhe që shkon drejt e në Itali.”, – është ky përkthimi nga italishtja i ligjërimit të një migranti në njërën nga videot. ( Këtu link-u i videos)

Në vijim, video të tjera i paraqesin ata duke u futur ose të fshehur në brendësi të kamionëve të parkuar në sheshin e trageteve, si pjesë e një bote të padukshme, por që i përket realitetit shqiptar.

Trafikimi, mijëra euro për të kaluar kufirin

Mikpritje me bukë e kripë e zemër, asnjë pengesë e ndëshkim nga policia, mundësi të ndryshme për të shkuar në shtetet më të zhvilluara ekonomikisht të Evropës Perëndimore… duket këto janë mundësitë që po shtyjnë klandestinët e ndryshëm të përzgjedhin itinerarin që kalon nga territori shqiptar.

Klandestinë duke udhëtuar nëpër territorin shqiptar me autobus (foto e marrë nga videot që ata postojnë në rrjetet sociale.)

Sipas shifrave zyrtare të policisë, gjatë 9 muajve të vitit 2021, në territorin shqiptar janë regjistruar rreth 300 raste të kontrabandimit të migrantëve, të shkuara për gjykim me akuzën “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Dëshmi të ndryshme të migrantëve klandestinë flasin edhe për shifra, tashmë të fiksuara, që trafikantët kërkojnë kundrejt shërbimeve të tyre.

Kështu, transporti i një migranti nga toka greke në atë shqiptare është rreth 50-60 euro për person. Më pas, nga pika hyrëse në Shqipëri deri në Tiranë, Durrës apo Shkodër kushton nga 50 deri në 200 euro. Kalimi i kufirit nga Kukësi për në Prizren, varësisht pazarit të trafikantëve, kushton nga 50 deri në 200 euro.

Për dërgimin në Itali përmes territorit shqiptar trafikantët kërkojnë si shumën më minimale 5 mijë euro, ndërkohë që për kalimin nga porti i Durrësit shifrat e trafikantëve variojnë nga 3 deri në 4.5 mijë euro.

Migrantë të ndryshëm, të cilët kanë postuar në rrjetet sociale video që tregojnë se si i kalojnë kufijtë shqiptarë, se si udhëtojnë të qetë në autovetura, furgonë, autobusë apo se si fshihen në kamionët që gjenden në portin e Durrësit, bombardohen me pyetje nga të interesuar që duan edhe ata të kapin ëndrrën evropiane. Shpesh e më shpesh fatlumët, të cilët kanë sosur në Itali apo në Gjermani, i këshillojnë që për informacione më të hollësishme të kalojnë në komunikim privat.

Njëkohësisht, në internet është shfaqur një numër i përfillshëm website-sh dhe faqesh më të thjeshta, në gjuhën arabe, ku ofrohen të dhëna për emigrimin në Shqipëri, shoqëruar me lehtësirat që ka legjislacioni shqiptar. Mes të tjerash, për të joshur klientë, pasqyrohen edhe aplikime që tashmë janë bërë realitet.

Pas një muaji dhe 20 ditësh pritjeje Muadi ia doli të futej e të fshihej në një kamion mallrash që ishte parkuar në sheshin e trageteve.

Sipas tij, në mesnatë ata ishin futur me not në det, me qëllim për t`u afruar te sheshi i trageteve. Më pas, me zvarritje iu ishin afruar kamionëve të mëdhenj të mallrave. Kështu, me shumë fat, Muadi mbërriti në Itali, siç e shkruan vetë në gjuhën angleze: Without a smuggler and without money (pa ndihmën e ndonjë trafikanti dhe pa paguar lekë).

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin