Humbën jetën në krye të detyrës, familjarët presin me vite të vendoset drejtësia

Të dhënat e grumbulluara nga INA MEDIA tregojnë se 463 punëtorë u aksidentuan përgjatë tri viteve në vendin e punës, si pasojë e mungesës së mjeteve mbrojtëse apo veshjeve speciale. Ekspertët flasin për shifra alarmante, ndërsa akuzojnë se me pa të drejtë shpeshherë faji i mbetet viktimës. Vetëm pak prej rasteve fatale kanë mundur të zbardhen, ndërsa familjarët presin me vite të tëra të vendoset drejtësia.

Autor: Françeska Ndoja

E ulur në stol dhe e vetme, nënë Sanijes ende nuk i janë tharë lotët për humbjen e djalit të vetëm, Kleotos Çeliku.

Më 14 korrik të vitit 2017, 33-vjeçari, punonjës në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, vdiq, pasi u asfiksua në një pusetë me thellësi 5 metra, ku ai po punonte. Ngjarja u regjistrua në lagjen “Guerrile” në Shkodër dhe për të u fajësua mungesa e pajisjeve të punës.

4 vite më pas familjarët dhe dy fëmijët e mitur të Kleotosit janë ende në pritje të drejtësisë.

“Një djalë i vetëm, pa motër, pa vëlla; e çova në punë, e çova shëndosh e erdhi i vdekur”, – rrëfen nënë Sanija, pikëllimi i së cilës ka mbuluar gjithë shtëpinë në fshatin Golem të njësisë Rrethina në Shkodër, ku edhe jetojnë.

Prindërit e Kleotos Çelikut

E dobët fizikisht, ajo akuzon institucionet shtetërore se kanë qenë inekzistente për t`i dhënë zë dhimbjes së familjes Çeliku.

E ëma nuk ka dyshime se vdekja ka ardhur si pasojë e mungesës së veshjeve speciale dhe masave mbrojtëse, që ndërmarrja duhet t`i kishte siguruar të birit.

“Ai hynte me një palë pantallona doku, me një palë kominoshe doku dhe asgjë tjetër. Që 16 vjeç nuk i kanë dhënë asgjë, vetëm doreza llastiku dhe asgjë tjetër, as kundërgaz, as maskë, asgjë”, – akuzon mes lotësh nëna e të ndjerit.

Prindërit e 33-vjeçarit kujtojnë se edhe dy kolegët e tij, që ishin me të ditën e tragjedisë, kanë konfirmuar mungesën e pajisjeve .

“Punëtorët e mbijetuar kanë ardhur në shtëpi e na kanë thënë se Kleotosi ka hyrë pa pasur asnjë kusht dhe asnjë mjet mbrojtës për të hyrë në pusetë, sepse kështu i kishte autorizuar përgjegjësi. Sa ka hyrë, nuk është ndjerë mirë dhe ka kërkuar të dalë, ndërsa ne jemi vonuar për ta nxjerrë. Nuk kemi pasur as kushte për ta nxjerrë. Kur unë kam hyrë për ta nxjerrë, ka hyrë edhe shoku tjetër. Unë kam mbetur në gjysmën e pusetës, atëherë ai ka dalë nga puseta dhe ka lajmëruar të tjerët që Tosi ka vdekur!”, – këto kanë qenë fjalët e shokëve të mbijetuar, që i kanë thënë nënës, në momentin kur janë takuar me të.

Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të plagosur edhe dy punonjës të tjerë të Ujësjellës-Kanalizimeve, Shkodër, Gjon Gjoni dhe Maliq Selja, të cilët vijojnë punën në UK Shkodër.

Të kontaktuar nga INA MEDIA nuk pranuan të prononcohen për ngjarjen, ku humbi jetën kolegu i tyre.

Sipas avokatit të familjes, çështja aktualisht është në Gjykatën e Apelit, Shkodër, ndërsa ajo Penale vendosi dënimin për njërin nga përgjegjësit e turnit me dy vite për “Pakujdesi në punë” dhe për faktin që punonjësit s’kanë pasur kushtet e pajimet e nevojshme.

“Inxhinieri i ndërmarrjes është dënuar, pasi nuk iu kanë siguruar kushtet, por prokurori nuk është dakord, pasi kërkon dënim më të madh. Tani jemi në Apel dhe presim të na caktohet seanca e parë”, – tregon avokati i tij, Ardian Dauti.

Edhe akt-ekspertiza ka konfirmuar se të riut i mungonin pajisjet speciale, me të cilat duhej të futej në pusetë dhe ia ka ngarkuar fajin institucionit.

Akt-ekspertiza i është kryer, me faj kanë rezultuar dy persona. Diskutimi ka qenë, në qoftë se janë dy apo tre persona me faj. Nuk ka qenë faji i viktimës, që është dërguar atje të punojë, faji është i institucionit që e ka dërguar, pa e pajisur më parë me mjetet e duhura”, – tregon avokat Dauti.

UKT, 100 mijë lekë “dëmshpërblim” për vdekjen

Paradoksalisht, jeta e të riut Kleotos Çeliku, i cili punonte prej 16 vitesh në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, Shkodër, vlejti vetëm 96 mijë lekë të reja. Aq është dëmshpërblimi i dhënë familjes nga UKSH për humbjen e pjesëtarit të saj.

Kleotos Çeliku me gjyshen dhe një kushërirë

Fadil Hasa, daja i të ndjerit, është personi që e ka ndjekur më së shumti çështjen me institucionet. Sipas tij, kjo familje është braktisur totalisht edhe nga pushteti vendor dhe deri më tani nuk iu është lidhur asnjë ndihmë financiare.

“Mirë që nuk i është bërë asnjë nderim apo respekt, por kemi hasur shumë vështirësi në dokumente, nuk na ka pritur askush. Ndihma më e madhe ka qenë një shumë prej 960 mijë lekësh në një zarf, ato mund t’i quaj simbolike, në momentin që ndodhi rasti. Kam shkuar për të kërkuar asistencën, por nuk e kanë dhënë”, – shpjegon ai.

Të pyetur për rastin e Kleotosit, Ujësjellës-Kanalizimet thanë se kjo çështje është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, ndërsa pranojnë se familja e të ndjerit ka marrë një shpërblim prej njëqind mijë lekësh të reja.

Kjo çështje është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, ndërsa ju vëmë në dijeni se familjarët e të ndjerit kanë marrë një shpërblim prej 100 mijë lekësh të reja”, – thotë UKSH për INA MEDIA.

Ndërkohë që dëmshpërblimet për humbjet e jetës në punë variojnë deri në 6 milionë lekë të reja, ndërsa dënimi për personin përgjegjës është jo më pak se pesë vjet.

Vlerat në rastet e humbjeve të jetës mund të shkojnë deri në 5-6 milionë lekë të reja, por sigurisht përllogaritja bëhet sipas një skeme: mosha e të aksidentuarit, paga në momentin e aksidentit, nëse ishte i siguruar apo jo etj.”, – shpjegon juristi Adriatik Lapaj për Investigative Network Albania.

Në këtë situatë, familjarët (prindërit, fëmijët dhe gruaja e Kleotosit), kanë ngritur një padi ndaj Ujësjellës-Kanalizimeve, Shkodër, të cilët kërkojnë shpërblim dëmi pasuror dhe jopasuror (biologjik, moral dhe ekzistencial).

Të pashpresë për zbardhjen e së vërtetës, prindërit e të riut thonë se do ta çojnë çështjen edhe në Gjykatën e Strasburgut, duke marrë parasysh edhe shitjen e banesës dhe qëndrimin në qiell të hapur.

“4 vite pas vdekjes së tim biri, ende Gjykata e Apelit nuk ka një vendim. Sa vite iu duhen këtyre të japin drejtësi?! Do ta shes edhe këtë vend! Edhe sikur fëmijëve të djalit mos t’i lë asgjë, të drejtën e tim biri do ta çoj deri në fund! Jam i vendosur ta çoj deri në Strasburg, në qoftë se nuk zgjidhet në Shqipëri. Le të jetojmë në plastmasë!”– shprehet Maliqi, babai i 33-vjeçarit, Kleotos Çeliku.

Të pyetur nga INA MEDIA në lidhje me numrin e punonjësve të aksidentuar, Ujësjellës-Kanalizime, Shkodër nuk dha një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij materiali.

Rregullore e re, me pajime të vjetra

Siç pranon edhe vetë administratori i Ujësjellësit, Shkodër, Mark Molla, vetëm në vitin 2019 është miratuar rregullorja e re për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe është krijuar Këshilli i Sigurimit në punë.

Çdo mëngjes bëhet instruktimi operativ i punonjësve nga inxhinieri/përgjegjësit e sektorit, sipas formularit përkatës. Çdo vit bëhet certifikimi për rregullat e sigurisë në punë, për rreziqet mekanike, rreziqet elektrike, rreziqe të zjarrit dhe të shpërthimit, rreziqet termike, kimikatet, pluhuri, rreziqet biologjike, rreziqet fizike, faktorë të mjedisit të punës, sforcim fizik, organizimi i punës, rreziqe të tjera, punonjësit që janë në prezencë të rrymës elektrike”, – shkruan në një përgjigje zyrtare, UK, Shkodër.

Drejtori i UKSH, Mark Molla

Sa i takon incidenteve në këto vende pune, UK shprehet: “Është e vërtetë që këto vende pune paraqesin rrezikshmëri, por respektimi i rregullave të sigurimit teknik, përdorimi i mjeteve të duhura të punës, të punuarit në grup, por edhe respektimi nga ana e punonjësit i urdhrave të drejtë të eprorëve redukton në një masë shumë të madhe rrezikshmërinë e këtyre vendeve”, – përfundon institucioni vendor, përgjegjës lidhur me çështjen në fjalë.

Por, duket se kjo situatë ka ndryshuar vetëm në letra. Ndërsa administratori Molla flet për rregulloren e re, nga ana tjetër vetë Ujësjellës-Kanalizime, Shkodër pohon se ende nuk ka një rregullore.

Nuk ka një rregullore të përcaktuar”, – iu përgjigj Bashkia Shkodër pyetjes së INA MEDIA-s se “Çfarë mjetesh duhet të kenë, kur shkojnë në punë punonjësit”?

Neglizhenca duket edhe në përgjigjen që ky institucion jep për numrin e të aksidentuarve përgjatë 10 viteve të fundit dhe dëmshpërblimet.

Ju informojmë se nuk kemi pasur raste aksidentesh apo dëmtimesh në punë”, – përgjigjet në mënyrë të pashpjegueshme Ujësjellësi Shkodër, kur në fakt vetëm në vitin 2017 kanë pasur një viktimë dhe dy të plagosur.

Por, pavarësisht rregullores së re, në terren duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Të pyetur në kushtet e anonimatit, dy punonjës konfirmuan se ende nuk ka asnjë ndryshim në pajimet e tyre, pavarësisht rregullores së miratuar. Ata vazhdojnë të jenë në të njëjtat kushte si para vdekjes së Kleotos Çelikut.

Fatlum Nurja, ekspert i pushtetit vendor, thotë se përgjegjës në këto raste janë kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, që kanë në kompetencë miratimin dhe monitorimin e rregulloreve.

“Fatkeqësisht kjo ngjarje nuk është e vetme në sektorin e shërbimeve publike. Ne vijmë nga një regjim, që edhe një vend roje kishte rregullore pune dhe befas gjendemi, ku pothuajse asnjë bashki nuk ka rregullore se si ofrohet shërbimi X apo Y (me përjashtim të 1 apo 2 shërbimeve në shumë pak bashki). Megjithëse ligji 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” parashikon që këshillat bashkiakë duhet të miratojnë rregulloret e funksioneve, standardet, normat dhe rregullat e caktuara nuk janë gjëkundi. Për këtë gjej përgjegjëse të gjitha strukturat publike, por më shumë kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë”, – shprehet Nurja për INA MEDIA-n.

Bashkia Shkodër

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Shkodër, Brisela Kadija, ia pasoi topin kryebashkiakes, Voltana Ademi.

UKSh është një sh.a., që ka asamble vetë kryetaren e bashkisë. Kjo është një sh.a., së cilës as pasqyrat financiare nuk i kalojnë në KB”, – u shpreh shkurtimisht Kadija, duke nxjerrë në pah edhe njëherë pafuqinë e Këshillit Bashkiak.

Ndërsa eksperti i punës, Edison Hoxha, tregon se ka institucione publike që formalisht janë të pajisura me rregulloret përkatëse, por në praktikë zbatohen pak ose aspak.

“Në pjesën më të madhe të institucioneve publike nuk ekzistojnë fare strukturat që parashikon ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, edhe në ato pak sh.a., publike, ku formalisht janë ngritur, nuk funksionojnë siç duhet në praktikë. Ky mosfunksionim vjen edhe për faktin se inspektoratet përgjegjëse për kontrollin e funksionimit të tyre nuk realizojnë kontrolle dhe nuk i detyrojnë këto institucione t`i kenë funksionale këto struktura”, – thotë Hoxha, duke ngritur kështu një kambanë alarmi për sigurinë e një punonjësi sot.

Qindra aksidente në punë çdo vit

Kleotosi nuk është i vetmi që u aksidentua në vendin e punës. Shifrat e grumbulluara nga INA MEDIA tregojnë se qindra punonjës aksidentohen çdo vit në vendin e punës, një duzinë prej tyre fatkeqësisht humbin jetën.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në harkun kohor të tre viteve u regjistruan 437 ngjarje aksidentale, në të cilat mbetën të plagosur 463 punonjës. Konkretisht, në vitin 2017 janë regjistruar 115 raste, në vitin 2018 janë regjistruar 162 raste aksidentale dhe në vitin 2019 janë regjistruar 277 160 raste aksidentale në punë, ndërsa numri i të aksidentuarve nga këto ngjarje ka qenë 137 të aksidentuar në vitin 2017, në vitin 2018 kanë qenë 195 të aksidentuar dhe në vitin 2019 kanë qenë 131 të aksidentuar.

Ekspertët flasin për shifra alarmante të papërgjegjshmërisë nga ana e punëdhënësve, që në fund përpiqen të ngarkojnë me faj viktimën.

“Në qoftë se nuk do jetë vetë personi i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, por t`i linte situatat në dorë të punëdhënësit, institucioneve dhe strukturave ligjore, që duhet t`i garantojnë sigurinë në punë, një vend pune në Shqipëri do të ishte pak ose aspak i sigurt. Papërgjegjshmëria e institucioneve dhe punëdhënësit për t’ia ngarkuar punonjësit fajin për aksidentet, është në nivele alarmante”, – thotë Edison Hoxha, drejtues i Qendrës për të Drejtat në Punë.

Më 25 korrik 2019, Gjergji Sula, punëtor i OST, humbi jetën nga një shpërthim i fuqishëm i një transformatori elektrik në një objekt në ndërtim në autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë ngjarje u plagosën Fari dhe Sari Çollaku, po në krye të detyrës.

Ndërsa më 5 maj 2021, një tjetër ngjarje e rëndë i mori jetën elektricistit 56-vjeçar, Karafil Pupe, punonjës i OSHEE-së, si pasojë e kontaktit me korrentin. Ngjarja ndodhi në fshatin Nepravishtë, Libohovë, gjatë një defekti në shtyllën e tensionit në shkollën e fshatit.

INA MEDIA kontaktoi me familjen e këtij të fundit, e cila jeton jashtë vendit, por nuk deshën të prononcoheshin.

Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua më 25 mars 2021, në landfill-in e Bushatit në Shkodër, ku 61-vjeçarja Katrine Binaku është zënë nga makineritë, teksa po kryente diferencimin e mbetjeve urbane dhe ka humbur jetën.

Nikolin Binaku, djali i 61-vjeçares, rrëfen për INA MEDIA-n se nuk ka fituar asgjë nga Bashkia e Shkodrës për vdekjen aksidentale të nënës së tij në landfill-in e Bushatit.

Neglizhencë totale nga shteti! Çështja, me sa di unë, është në proces hetimi dhe s’është marrë vendim, por ime më kishte më shumë se 20 vite që punonte në sektorin e pastrimit në landfill dhe, kur ndodhi ngjarja, kishte edhe sigurime. Po e ndjekim me avokat, por me këtë çështje më së shumti merret babi”, – rrëfen ai, teksa tregon se në momentin që ka ndodhur aksidenti, që i mori jetën nënës së tij, ai vetë ndodhej në Greqi.

Edhe familjarët e Katrine Binakut apelojnë për drejtësi, pasi, edhe pse kanë kaluar tetë muaj, ende nuk ka një drite jeshile për procesin dhe për ata si familjarë.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, i pyetur nga INA MEDIA sa i takon rasteve të mësipërme, sqaron se për aksidentet në OSHEE, institucioni, i cili kontrollon nëpërmjet legjislacionit specifik sigurinë e instalimeve elektrike, është ISHTI (Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial).

Edhe ky institucion pranon se nga verifikimet është gjetur se këto institucione kanë mangësi me pajisjet mbrojtëse dhe janë lënë detyra për përmirësimin e tyre.

“Është evidentuar: mungesa e një vlerësimi të rreziqeve, mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse, individuale, moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, mungesa e pajisjeve mbrojtëse, individuale, mungesa e informimit të punëmarrësve”, – shprehet ky institucion pas një kërkese për informacion nga INA MEDIA, duke vënë theksin se rastet e referuara në këtë inspektorat janë në rritje, kjo edhe si pasojë e ndërgjegjësimit shoqëror.

Edison Hoxha, drejtues i Qendrës për të Drejtat në Punë, thotë se përgjegjësia është e qartë dhe se vetë institucioni duhet të mbajë përgjegjësi për punonjësit e aksidentuar.

“Në rastet fatale duhet ta kërkojnë të drejtën e tyre duke iu drejtuar gjykatës, qoftë duke ndjekur proceset e nisura penale, për të nxjerrë përgjegjësinë dhe sidomos nëpërmjet padive civile, për të kërkuar dëmshpërblimet përkatëse, që nuk janë në vlera të vogla për këto raste. Edhe pse ka një ndërgjegjësim më të madh vitet e fundit, përsëri pak raste ndiqen, siç duhet, për shkak të mosbesimit te drejtësia, tejzgjatjes së proceseve apo për shkak të kostove gjyqësore”, – dëshmon Hoxha lidhur me rastet e trajtuara më lart.

Hoxha e vë theksin te roli që duhet të luajë Inspektorati i Punës dhe ai Shëndetësor në këtë drejtim, por ai pranon se situata nuk është optimiste, nisur nga rastet e shumta të aksidenteve fatale në punë.

“Inspektoratet, sidomos ai i Punës dhe ai Shëndetësor, kanë një rol parësor në këtë drejtim, pasi ato janë institucione ligjzbatuese, që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve nëpërmjet garantimit të zbatimit të ligjit në praktikë. Nisur nga situata vitet e fundit, ku aksidentet në punë me pasoja fatale janë të larta, duket se jemi ende larg kësaj situate, sa i përket monitorimit apo më larg akoma sa i përket parandalimit”, – shprehet eksperti i punës.

Për juristin Adriatik Lapaj Kodi i Punës është shumë i qartë për përgjegjësinë e aksidenteve në punë. Mjafton që ai të zbatohet me përpikëri.

“Në kuadër të mbrojtjes në punë të punëmarrësve, punëdhënësi ka detyrimin që të marrë masa të gjithanshme, efektive të mbrojtjes në punë, në mënyrë që të parandalohen të gjitha ngjarjet eventuale që mund të prekin jetën ose shëndetin e punëmarrësve. Në nenin 39 të Kodit të Punës parashikohet: 1. Punëdhënësi, për të parandaluar aksidentet dhe sëmundjet profesionale, duhet të përcaktojë qartë rregullat e sigurimit teknik. 2. Punëdhënësi duhet të paguajë diferencën midis dëmit dhe shpërblimit, që merr punëmarrësi nga sigurimet shoqërore, kur aksidenti ose sëmundja profesionale është pasojë e fajësisë së rëndë të punëdhënësit”, – shprehet Lapaj.

Pavarësisht përmirësimeve të kuadrit ligjor, ekspertët flasin për shifra alarmante të papërgjegjshmërisë në punë e sidomos në sektorë specifikë, ku edhe siguria është më e vogël.

“Ne, si qendër, kemi ndjekur disa raste në sektorin e naftës, të minierave, atë fason dhe atë të përpunimit, duke i asistuar punonjësit e dëmtuar në të gjitha proceset përpara institucioneve administrative, prokurorisë dhe në hapjen e proceseve gjyqësore, civile për dëmshpërblim. Përgjithësisht kanë besim të ulët te sistemi i drejtësisë, për shkak të vonesave që hasin dhe për shkak të kostos që ka ndjekja e proceseve gjyqësore, civile”, – përfundon eksperti i punës, Edison Hoxha.

Ndërsa Kolë Nikolla, president i Konfederatës së Sindikatave, u shpreh se aktualisht në vendin tonë, ashtu si shumë procese politike apo dhe ekonomike, edhe çështja e SSHP është një proces çalaman, me dritëhijet e tij.

Në vendin tonë mungon organizimi dhe monitorimi i veprimtarisë së SSHP në shumë subjekte private e shtetërore, sidomos ato me risk të lartë. Kemi mungesë apo ngadalësi në hetimet e aksidenteve në punë, por, edhe kur hetohen, shpesh kemi formalizim dhe gjithmonë faji iu ka mbetur viktimave. Nga konstatimet tona në terren na rezulton se nuk mbahen në rregull dhe nuk përpilohen dokumentet nga punëdhënësit, që lidhen me zbatimin e ligjit, si raportet periodike, vlerësimi i riskut, statistikat e aksidenteve, etj. Nuk funksionojnë Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në ndërmarrje, në kompani apo në institucione publike e private.”, – përfundoi ai.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS