Gjyqe dhe kallëzime për tiu shmangur gjobës së ILDKPKI-së

Një kompani në Tiranë vendosi të kallëzojë përmbaruesin gjyqësor A.F., pas kërkesës që ky i fundit kishte bërë për ekzekutimin e një gjobe në shumën prej 100 mijë lekësh.

Gjoba ishte vendosur nga ILDKPKI për shkak se kompania, nuk kishte ngritur njësinë përgjegjëse, në bazë të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, që ka funksion denoncimin e rasteve korruptive në sektorin publik dhe privat.

Pas kësaj, kompania e identifikuar si N.N., e cila ushtron aktivitetin e saj në fushën e produkteve ushqimore ankimon gjobën në Gjykatën Administrative, ku kjo e fundit vendos që gjoba të ekzekutohet dhe rrëzon padinë e kompanisë.

Në bazë të këtij vendimi të Gjykatës, përmbaruesi gjyqësor A.F., bën lajmërimin për ekzekutimin vullnetar të kësaj gjobe.

Kompania nuk paguan gjobën, por zgjedh të zhvillojë një tjetër betejë me drejtësinë duke pretenduar se përmbaruesi, ka “shpërdoruar detyrën” pasi ka kërkuar ekzekutimin e një gjobë që kishte mospërputhje me datën, si dhe i ishte hequr licenca nga Ministria e Drejtësisë.

Por verifikimi i Prokurorisë së Tiranës tregoi të kundërtën. Në dokumentet që disponon qendra “Fol” në kuadër të projektit të monitorimit, rezulton se përmbaruesi ka kërkuar ekzekutimin e gjobës me datë e numër të vendimit të Gjykatës, si dhe ai vazhdon të jetë pjesë e Zyrës së Përmbarimit në Tiranë.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin