Fshati i vreshtave me “Shesh të bardhë” dhe “Shesh të Zi”, por i lënë në harresë

Sheshi është vetëm 20 kilometra larg nga Tirana, po aq larg ka edhe Durrësin. Por, pozita e favorshme gjeografike e këtij fshati mes dy qyteteve më të mëdha të vendit ose ndryshe në atë që ndryshe është konsideruar si “zemra ekonomike” e Shqipërisë, nuk i shërben për pothuajse asgjë banorëve të zonës. Këta banorë i kanë të cunguara edhe shërbimet më bazike, si rruga automobilistike, uji i pijshëm, apo edhe rryma e fortë e energjisë elektrike.

Ky fshat, u përfshi gjithashtu dhe në projektin qeveritar të quajtur “100 fshatrat” i cili synonte rigjallërimin e 100 fshatrave shqiptarë, duke ndikuar në përmirësimin e ekonomisë lokale. Projekti parashikonte investime të ndryshme në infrastrukturë si dhe restaurime të objekteve të trashëgimisë kulturore për të rivitalizuar jetën sociale.

Ashtu si Ndroqi që origjinën e emrit ia lidhin me një perandor Romak (Andronicus), edhe Sheshi e e ka një histori për emrin. Nga ky fshat thuhet se kanë origjinën dy varietete autoktone dhe shumë të njohura rrushi, si “Shesh i Bardhë” e “Shesh i Zi”. Nuk është shumë e qartë nëse ka qenë fshati që iu dha emrin dy llojeve të rrushit, apo llojet e rrushit i dhanë emrit këtij fshati në kodrat e Ndroqit në perëndim të Tiranës.

Afrim Ozuni-Njësia Administrative Ndroq

Përveç rrushit, që lidhjen me fshatin duket se e ka të fortë dhe të qartë, në Shesh banorët i kanë kushtuar vëmendje të veçantë edhe bujqësisë, blegtorisë, serave dhe sigurisht kultivimit të ullirit. Në Shesh banorët e thonë me krenari se kur shtrohen tavolinat për dreka apo darka, krahas verës e rakisë, nuk mungon asnjëherë as vaji i ullirit e as mishi i gjingjit.

“Ndroqi është një zonë rurale e cila nuk është më shumë se 17 kilometra nga Tirana. Në lidhje me mundësinë për ta parë Ndroqin si pikë turistike, ne e shikojmë se mund të nisë që nga historia e vjetër e krijimit të Ndroqit e cila daton qysh në vitet 1400. Si vend historik, Ndroqi futet në kurorën e zonave historike të Tiranës bashkë me disa pika të tjera përreth”, tregon Afrim Azuni i cili punon në njësinë administrative Ndroq (Bashkia Tiranë) për Community Reporters, duke theksuar dhe rëndësinë historike të Kalasë së Ndroqit e cila lidhet me dy kala të tjera të rëndësishme atë të Petrelës dhe Prezës. Për në kalanë e Ndroqit mund të shkosh shumë pranë majës së kodrës me veturë, pasi rruga është e asfaltuar së fundi.

Afrim Azuni përmend gjithashtu dhe një pikë tjetër të rëndësishme të zonës së Ndroqit: Varri i Ashikut, i cili është dëmtuar gjatë periudhës komuniste dhe ende nuk ka një investim. “Presim për një promovim apo restaurim”, thotë ai për Community Reporters.

Me një shtrirje të gjerë gjeografike prej 71 kilometra katrorë sipërfaqe dhe me rreth 9700 banorë, zoti Azuni e quan “sukses” faktin që numri i popullsisë në zone nuk është ulur, si pak zona rurale të tjera të Shqipërisë. Sipas tij investime janë bërë në institucionet arsimore dhe ato shëndetësore, por vë theksin te mangësitë që ka infrastuktura rrugore në gjithë zonën. “Në lidhje me infrastrukturën, kemi përparime dhe jemi goxha mirë në lidhje me infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore, por aktualisht në lidhje me infrastrukturën rrugore ka goxha probleme të cilat ndoshta e bëjnë dhe më pak të aksesueshëm fshatrat në periferi të Ndroqit ose në zonën e kurorës së Ndroqit” pohoi ai për Community Reporters. Siç duket ndërtimi i autostradës Tiranë-Durrës, ka lënë jashtë vëmendjes aksin e vjetër Tiranë- Durrës dhe ata që e kanë pësuar më tepër janë banorët e zonës së Ndroqit.

Investimet

Duke pasur parasysh se “100 fshatrat” është një projekt që ofrohej si mundësi ndryshimi rrënjësor për 100 fshatra për t’i kthyer ata në pika turistike dhe për të përmiresuar jetën e banorëve të tyre, Community Reporters Albania iu drejtua Bashkisë Tiranë me anë të një kërkese për informacion për të mësuar më tepër mbi projektet e zhvilluara gjatë viteve të fundit në këtë zonë.

Pyetjes se cilat ishin investimet e bëra nga viti 2018 deri në 2021, Bashkia Tiranë iu përgjigj me anë të një tabele në të cilën përmenden emrat e 8 projekteve të realizuara të cilat lidhen kryesisht me ndërtime dhe rikonstruksione rrugësh në Ndroq dhe në Pezë. Mirëpo është e paqartë në dokumentin e dërguar nga bashkia Tiranë, nëse këto projekte janë realizuar të gjitha posaçërisht në kuadër të projektit të madh qeveritar “100 fshatrat”, apo janë investime të bëra në kuadër të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019.

“Për sa i përket restaurim/rikonstruksion i objekteve me rëndësi të veçantë, sqarojmë se, nuk kemi informacion pasi nuk jemi institucioni përgjegjës për këtë” tha Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj Community Reporters Albania. “Lidhur me zhvillimin e këtyre zonave (Fshati Shesh dhe Fshati Pezë), ato janë pjesë e projektit “100 fshatrat”, i cili ka të bëjë me zhvillimin e tyre lidhur me turizmin dhe kulturën bujqësore”, vazhdon përgjigja e bashkisë.

Community Reporters Albania shkoi në Shesh për t’i parë nga afër investimet dhe impaktin e tyre në jetën e banorëve. Asfaltimi i rrugës që lidh qendrën e vjetër të fshatit Shesh me rrugën nacionale Tiranë-Durrës, nuk është kompletuar tërësisht. Punimet e kryera në muajt e parë të këtij viti kanë bërë të mundur asfaltimin e vetëm një pjesë të aksit. Përtej pjesës së asfaltuar të rrugës, kalimi me veturë bëhet një mision i vështirë në mos i pamundur, dhe duket qartë që ka vite që nuk është vënë dorë.

Por në janar të këtij viti, Belind Këlliçi, kreu i FRPD (Forumi Rinor i Partisë Demokratike) bëri një denoncim në rrjetet e tij sociale për mungesën e investimeve në fshatin Shesh, duke thënë se realiteti në këtë zonë është shumë ndryshe nga çfarë pretendohet nga institucionet. “Këtu do të gjeni hipizmin, bankomatin, telefonin, internetin, tualetin, restorantin, hotelin, parkimin, informacionin, do ngjiteni në mal, do të bëni çiklizëm malor, do të bëni qejf dhe do t’ia kaloni mirë siç do të shihni dhe keni parë gjatë këtyre kohëve suksese imagjinare të kësaj qeverie. Sepse gjithçka që i ofrohet qytetarit është farsë, gënjeshtër, fasadë dhe propagandë. Shiheni vetë, ju lutem shiheni këtej nuk ka asgjë, është qendra e fshatit” denonconte kryetari i FRPD.

“Nuk arritëm të gjenim asgjë nga ajo çka pasqyrohej në 2 tabelat informative në hyrje dhe në qendër të fshatit. I vetmi atraksion turistik që gjetëm në fund të fshatit është kjo shtëpi plotësisht e rrënuar, nuk kryen asnjë funksion dhe që një banore e zonës që nuk donte të identifikohej, na tha se ka vite që nuk është funksionale”, vazhdoi Belind Këlliçi.

Përveç rrugës së mbetur në gjysmë me asfalt, edhe uji i pijshëm është një mangësi që ende pret zgjidhje në fshatin Shesh. Gjithashtu edhe investimet në drejtim të gjallërimit të jetës kulturore dhe sociale nuk janë lehtë të dallueshme, pasi vetë infrastruktura e vështirëson organizimin e aktiviteteve të tilla. Organizimi i “Bio-Fest Ndroq”, ka krijuar mbresa pozitive në të gjitha zonën, por sërish pa mundur dot që të sjellë “bumin” e turistëve për të cilin këto fshatra kanë nevojë në mënyrë që është edhe jeta ekonomike të mos varet veçse nga bujqësia, vreshtat dhe ullinjtë. Sipas planeve të bashkisë, ky aktivitet u konceptua si një panair produktesh bujqësore e blegtorale të zonës me qëllimin e kthimit në traditë për promovimin dhe nxitjen e agro turizmit në këtë zonë shumë të pasur me produkte bio duke e bërë Ndroqin mikpritës të dhjetëra qytetarëve nga Tirana dhe zonat përreth.

Jeta në Shesh…

Por si është jeta e banorëve të thjesht të Sheshit? Cilat janë aktivitetet me të cilat ata kalojnë kohën e lirë? Cilat janë punët që ata bëjnë më së shumti? Community Reporters shkoi në Shesh dhe foli me banorët e kësaj zone për të mësuar nëse implementimi i projektit “100 fshatrat” ka ndikuar në përmirësimin e jetës së tyre.

Banor i fshatit Shesh

Një rrugë e lënë përgjysëm për në fshat i ka irrituar banorët e tij. E pyetëm një banor se pse kjo rrugë është e lënë përgjysëm dhe përgjigja e tij na befasoi jo pak: “Nuk e di, u ankova te ai i njësisë bashkiake, e ai më thotë: sdua ta bëj”.

Ai tregon se ka disa toka me ullinj dhe i duhet rreth 1 orë e gjysëm për të arritur deri atje. “Transport publik nuk kemi, ku të bëhet transporti publik këtu me këtë rrugë?” thotë ai duke treguar se përdorin linjën kryesore Ndroq – Pezë për të udhëtuar. “Po ça të bëjmë, deri aty… behreqaves”…thotë një tjetër banor i zonës referuar rrugës së lënë përgjysëm.

Ndërsa një tjetër banor i Sheshit e shikon gotën gjysmë plot. “Mirë do të ishte të shtrohej…po sipas fondit… gradualisht do bëhen gjërat, nuk do bëhen të gjitha për njëherë…”

Banorët janë krenar për fshatin dhe me dëshirë për të bujqësi, vreshtari apo edhe sera, por ende nuk kanë parë investime të mëdha për ta kthyer këtë zonë në një qendër tursitike.  “Po nuk u bë rruga, nuk bëhet llaf që ai vend të rregullohet”, na tregoi një banor që e takuam teksa kthehej nga tokat e tij në kodër.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS