Emigrantët nga vendet e Lindjes, në duart e rrjeteve kriminale shqiptaro-greke

Të zhgënjyer nga qëndrimi disavjeçar në kampet greke, mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme përpiqen të shkojnë drejt vendeve të BE-së nëpërmjet Shqipërisë, duke e përdorur si rrugëkalim të paligjshëm. Ky “udhëtim shprese” i emigrantëve ka favorizuar krijimin e rrjeteve të përbashkëta kriminale mes Shqipërisë dhe Greqisë, që marrin përsipër transportin nga kampet greke deri në kufirin shqiptaro-grek e madje deri në Kukës apo Shkodër, që janë në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën.

Autor: Dhorjela Çule, Daniela Zisi, Aleksandër Marku dhe Katerina Tërpo

17-vjeçari Omid Resuli u kap nga policia në afërsi të fshatit Zëmblak, teksa po udhëtonte në këmbë përgjatë aksit nacional Kapshticë-Korçë së bashku me familjen e tij. Për dy prindërit, vëllain e tij më të madh dhe motrën 9-vjeçare kjo ishte tentativa e shtatë për të depërtuar në brendësi të territorit shqiptar dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Omid Resuli, 17-vjeçari, i kapur në afërsi të fshatit Zëmblak

Familja e 17-vjeçarit në përpjekjen e radhës për të shkuar drejt Tiranës u grabit nga taksisti, i cili më herët i kishte garantuar se do t’i transportonte drejt kryeqendrës së Shqipërisë e më pas përmes personave të tjerë drejt doganës së Murriqanit dhe Malit të Zi.

Jemi rrugëve prej 20 ditësh dhe u kapëm nga policia për herën e shtatë. Sot, teksa u nisëm për këtej, taksisti na vodhi të gjitha lekët dhe u largua. Të gjitha rrobat i kemi të lagura dhe tani na ka mbetur vetëm çadra. Siguruam një lokacion dhe po ndiqnim atë për të ecur përgjatë rrugës nacionale. Nëna ime është e sëmurë, u rrëzua 10 ditë më parë dhe tani nuk kemi më asgjë, madje taksisti na vodhi edhe telefonin e babait dhe nuk kemi mundësi për të komunikuar.

Prej dy vitesh prisnim në Greqi që të na jepnin dokumente, por na u refuzuan.

Taksistin nuk e njihja dhe kisha vetëm numrin e telefonit, por ai na kërcënoi me një thikë dhe me dru; na mori lekët dhe iku.

Na kërkoi 300 euro deri në Tiranë dhe, pasi na i mori lekët, nuk na la as të hipnim në makinë, por, duke na kërcënuar, u largua”, – i rrëfen Investigative Network Albania-s i pashpresë i riu.

Historia e të riut dhe familjes së tij është një prej shumë rasteve të emigrantëve të paligjshëm që bien viktima të mashtrimeve, grabitjeve dhe dhunës së personave të përfshirë në rrjetin e trafikut të organizuar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Si i ka shtrirë “rrjetat” krimi i organizuar

Krimi i organizuar në Greqi ka arritur të ndërtojë një rrjet me bashkëpunëtorë, jo vetëm mes dy vendeve fqinje, por edhe Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe më gjerë, ku emigrantët kalojnë dorë më dorë në formë stafete. Forma mizore të torturës, pengmarrjes, jo vetëm ndaj emigrantëve, por edhe familjarëve të tyre për t’i liruar në këmbim të shumave të mëdha janë dokumentuar nga policia greke, e cila në prill të këtij viti shkatërroi një organizatë kriminale, ndërkombëtare në qytetin e Selanikut.

Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Selanikut ka asgjësuar një organizatë ndërkombëtare, kriminale, anëtarët e së cilës janë përfshirë, jo vetëm në trafikimin e emigrantëve të huaj nga Greqia në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, por edhe në tortura ndaj tyre, si dhe në dy çështje rrëmbimi.

Operacioni është zhvilluar në disa shtëpi në lagjet Evosmos, Menemeni dhe në qendër të qytetit të dytë më të madh të vendit, ku janë gjetur dhe arrestuar 13 shtetas të huaj, të moshës nga 19 deri 26 vjeç. Ndaj tyre u ngrit akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, rrëmbime, zhvatje, dëmtime trupore, trafikim i paligjshëm, si dhe për posedim të paligjshëm të dokumenteve të palëve të treta”, – tha një zyrtar i policisë së Selanikut.

Gjatë operacionit policor janë gjetur dy shtetas të huaj, të moshës 16 dhe 21 vjeç, që mbaheshin peng me dhunë fizike dhe kërcënime ndaj jetës. Anëtarët e këtij rrjeti filmonin veten duke kërcënuar me hekur të nxehtë dhe duke i djegur shtetasit e huaj dhe më pas i çonin këto pamje te të afërmit e tyre, duke iu kërkuar shuma parash për t’i liruar”, – shton më tej zyrtari i policisë greke.

Grup emigrantësh, të cilët prej një jave qëndronin në vijën e gjelbër në fshatin Trestenik

Si janë kthyer në rrugëkalim të paligjshëm fshatrat kufitarë

Një tjetër emigrant tregoi se ishte dhunuar nga policia greke, në përpjekje për t’iu afruar kufirit me Shqipërinë, ndërsa një e re, që udhëtonte së bashku me grupin, theu këmbën, teksa vraponte për t’i shpëtuar policisë. Emigrantët nga Lindja e Mesme prej një jave qëndronin në kodrat e fshatit Trestenik, pak metra larg kufirit grek, duke u fshehur në anë të lumit, sa herë që ndienin zhurmat e mjeteve të policisë kufitare. Për të siguruar ushqime apo veshje zakonisht dy persona nga grupi prej më shumë se 20 anëtarësh zbrisnin brenda në fshat dhe blinin në dyqan atë çfarë iu nevojitej.

Banorët e Trestenikut tregojnë se për ta kalimi i emigrantëve është prej disa vitesh një rutinë që nuk është ndalur as gjatë vitit të vështirë të pandemisë, kur të gjitha vendet ishin në izolim të plotë. Madje vetë banorët, duke parë vështirësitë, me të cilat përballen këta emigrantë, shpesh iu kanë ofruar ndihmë në veshje dhe ushqime, por jo strehim.

Adem Medoni, banor i fshatit Trestenik, thotë se, edhe pse nga ana humane e kanë ndjerë të nevojshme t`iu hapin derën e shtëpisë, ashtu si grekët dikur ua hapën atyre, e kanë pasur të pamundur për shkak të penalizimit.

Në shtëpi nuk i merr asnjëri nga fshati, se kemi frikën e policisë, por bukë dhe rroba iu japim.

Ka nga ata që vijnë me foshnja, nuk ua kthejmë dot kurrizin. Zakonisht rrinë lart, te një kabinë që ka qenë e Postës Kufitare në anën e grekut. Këtu në fshat kalojnë në këmbë, pastaj andej nuk e dimë me çfarë ikin”, – përpiqet të shpjegohet ai.

Fshati Zvezdë ndodhet përgjatë rrugës dytësore që lidh aksin nacional Kapshticë-Korçë me Korçë-Pogradec dhe gjatë vitit të pandemisë u përdor në masë për kalimin e emigrantëve.

Kalonin mbi fshat në pjesën e fushave, sepse këtu patrullonte policia. Më andej i prisnin makinat, se ata nuk dalin aq hapur. Grupe të mëdha kalonin parcelave. Ishte një burrë me një fëmijë 4 vjeç në kurriz dhe me të shoqen. Nga Zvezda kalonin në Shën Gjergj dhe deri në Podgorie”, – tregoi një banore e fshatit Zvezdë.

Për emigrantët jetesa në shtetin grek është e vështirë, por edhe një qëndrim i përkohshëm, pasi përpjekjet e tyre për të hyrë në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër janë të vazhdueshme. Pavarësisht se disa prej tyre janë kapur nga policia dhe Frontex më shumë se një herë, duke u kthyer pas në tokën greke, familje ose grupe më të mëdha organizohen së bashku, duke shpenzuar deri në qindarkat e fundit për t’u transportuar me mjete nga fshatrat kufitarë të Devollit drejt qyteteve të tjera, ku i presin trafikantët që iu sigurojnë kalimin në kufijtë tokësorë dhe detarë.

Pas vendosjes së forcave të Frontex, të cilët monitorojnë kufirin e gjelbër edhe me kamera termike dhe mjete të tjera, të sofistikuara, udhërrëfyesit dhe transportuesit grekë dhe shqiptarë kanë shmangur itineraret e njohura, të përdorura prej vitesh, si Tresteniku, Vërniku, Rakicka etj., duke gjetur shtigje më pak të rrahura, si Grapshi, Arrëza, Sinica në Devoll, zona e Prespës dhe Dardha në Korçë.

Depërtimi në fshatrat kufitarë duket se është pjesa më e lehtë e udhëtimit të shpresës për emigrantët, të cilët rrezikun më të madh për t’u kapur nga policia e kanë gjatë udhëtimit me mjete të ndryshme në aksin Kapshticë-Qafëthanë apo Kapshticë-Gramsh dhe më pas në akset drejt qendrave të mëdha urbane.

Për t’iu shpëtuar kontrolleve të policisë apo mashtrimeve dhe grabitjeve të transportuesve, emigrantët nuk kalojnë në këto akse, por përdorin ato me më pak lëvizje, si rruga Maliq-Lozhan, të cilën e përshkojnë me biçikleta. Një prej shtigjeve më të reja është ai që lidh Voskopojën me Lozhanin, udhëtim që zgjat rreth 2 orë në një terren të vështirë malor.

Pasi arrijnë në Lozhan, emigrantët marrin me këmbë rrugën e Moglicës dhe ndalojnë në fshatrat e braktisur, si Krosnishti, Nikollara apo Popçishti. I orientojmë që të flenë nëpër shtëpitë e braktisura, derisa të gjendet momenti për t’i transportuar me mjete drejt Gramshit dhe Tiranës”, – tha një prej personave që shpesh iu shërben si udhërrëfyes emigrantëve.

Edhe pse udhëtimi në një territor të panjohur dhe me persona të panjohur, të cilëve emigrantët iu besojnë veten dhe familjet, duke paguar shuma të larta dhe shpeshherë të marra borxh, është i rrezikshëm, qëndrimi në kampet greke është akoma më i pamundur, pasi shumë prej tyre detyrohen të prostituojnë apo bien pre e abuzimit seksual pavarësisht moshës apo gjinisë.

Në disa raste emigrantët e ndaluar nga Policia Kufitare kanë rrëfyer se gjatë qëndrimit nëpër kampet e Greqisë janë abuzuar seksualisht, madje deri në detyrim për të prostituuar”, – tha një burim i Policisë Kufitare. Ai shtoi më tej se këto abuzime apo dhuna fizike dhe konfliktet mes grupeve janë arsyet kryesore që i detyrojnë emigrantët të largohen nga kampet me çdo mënyrë të mundshme, pavarësisht se rreziku është i madh.

Gjatë harkut kohor prill 2020-prill 2021 Policia e Korçës ka kryer 102 operacione ndaj personave që kanë organizuar dhe transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit. Në prangat e policisë gjatë këtyre operacioneve kanë rënë 214 persona.

Pjesë e rrjetit të trafikantëve, që marrin përsipër transportin e emigrantëve, janë edhe vetë këta të fundit, të cilët në bashkëpunim me grupe të ndryshme kriminale, kryesisht nga Korça, Elbasani, Tirana, Durrësi, Lezha, Shkodra, organizojnë udhëtimin nga territori grek deri në pikat kufitare me Kosovën, Malin e Zi apo portet e Vlorës dhe Durrësit.

Hetimet e policisë kanë zbuluar që një pjesë e emigrantëve të paligjshëm, pasi hyjnë transit në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit të gjelbër në zonën e Devollit me ndihmën e bashkëkombësve të tyre, që e kanë përshkuar më parë këtë itinerar, gjejnë numra kontakti të personave nga Korça dhe qarqe të tjera të vendit. I kontaktojnë ata në rrjete sociale dhe iu tregojnë vendndodhjet e tyre nëpërmjet lokacioneve. Transporti në shumicën e rasteve kryhet me automjete të marra me qira në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por ka edhe raste, kur shtetas nga vende të ndryshme të Lindjes, që janë rezidentë në Greqi, kanë organizuar transportin e emigrantëve nga Greqia në brendësi të territorit shqiptar”, – tha një zyrtar i Drejtorisë së Policisë së Korçës.

Për të udhëtuar kam gjetur informacion në një grup në Telegram që quhet “Emigrantët nga Greqia në Bosnjë”. Aty merret informacioni për rrugët, kufijtë, cilat shtigje janë më të sigurta dhe informacion për lokacionet”, – tha 17-vjeçari Omid Resuli.

Sfida e vështirë e shtetit me grupet kriminale

Megjithëse trafiku i emigrantëve është një aktivitet kriminal, fitimprurës në vlera marramendëse, ku grupet kriminale gjenerojnë shuma të mëdha parash, duke kërkuar për transportin pagesa që variojnë nga 300-1500 euro, policia lokale ende nuk ka arritur të zbulojë organizatorët e këtij trafiku, që në vendet e tjera të rajonit dhe Europës funksionojnë si grupe të mirëfillta, të strukturuara kriminale.

Një burim nga grupi i personave të pranishëm gjatë marrjes në pyetje të emigrantëve të paligjshëm pohoi se gjatë dhënies së deklarimeve emigrantët shpesh thonë se ata “bien në kontakt me trafikantët që në shtetin grek dhe janë këta të fundit që bëjnë koordinimin me trafikantë të tjerë në Shqipëri, duke rënë dakord për pagesën dhe detaje të tjera të udhëtimit”.

Kam folur unë me dikë që të mos na ngacmojë policia. E kemi rrugën e hapur, nuk do të na ndalojë dhe ndjekë askush nga polica, derisa të arrijmë në Tiranë. Më pas kam gjetur dikë tjetër që të vazhdoni rrugën për në kufirin me Malin e Zi”, – thuhet në deklarimet e një emigrant sirian, i cili u ndalua nga Policia Kufitare në muajin maj.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Korçë, gjatë periudhës prill 2020-prill 2021 janë ndaluar gjithsej 998 emigrantë gjatë transportimit në akse të ndryshme të qarkut të Korçës.

Nëse do të bëhej një përllogaritje e thjeshtë e përfitimit të siguruar nga trafikimi i emigrantëve në vlerën minimale që kërkohet nga trafikantët për një person, do të thotë se të paktën trafikantët kanë përfituar rreth 300 mijë euro. Kjo shumë minimale është siguruar vetëm nga personat e ndaluar pa përfshirë qindra të tjerë, të cilët kanë arritur të shkojnë në destinacionet e synuara duke i shpëtuar policisë.

Por burime konfidenciale nga Policia Kufitare thonë se gjatë së njëjtës periudhë janë kapur çdo ditë 10-250 emigrantë, shumica e të cilëve janë kthyer përsëri në Greqi.

Në rrëfimin e tij Naum Vasili, doktor te Mjeket e Botës deri në vitin 2017, tregon se gjatë punës së tij në kampe prezenca e trafikantëve ka qenë e vazhdueshme.

Në periudhën që ndodheshim në Eidhomeni, i shihnim thuajse ditë përditë trafikantët e emigrantëve, të cilët i çonin nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, madje kishte shumë edhe te kufijtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, – thotë ai.

Pasi ka përfunduar shërbimin e tij në kampet e refugjatëve, mjeku Vasili tani ushtron profesionin në spitalet e Kosturit dhe Kozanit, qytete greke pak kilometra larg doganës së Kapshticës.

Po ju them një histori personale, para një muaji, – vazhdon mjeku rrëfimin. – Isha për vizitë në Pteria, një fshat malor, pak para se të mbërrish në fshatin Ieropigji. U shfaq një grup prej pesë vetash dhe kërkuan në fillim pak ushqim e më pas të mbushnin celularët. Kuptohej që ishte një grup i madh, pasi për një moment sollën edhe celularë të tjerë për t`i mbushur. Vinin shpeshherë dhe kërkonin ujë, por nuk kërkonin një shishe për veten e tyre, por pesë apo dhjetë shishe. Pra, nuk ishte e vështirë të kuptoje që bëhej fjalë për një grup”.

Falë eksperiencës së punës në kampet e refugjatëve, doktori rrëfen se e ka të lehtë të dallojë edhe se cilët janë trafikantët e cilët janë ata që po trafikohen.

Ka raste që nuk i njohim menjëherë trafikantët, por këtë radhë i njoha, sepse mbanin unaza chevaliers, ato që i mbajnë në gishtin e vogël të dorës; me një gur, apo diçka të gdhendur lart, apo me shkronjë. Shumica e trafikantëve kanë unaza të tilla dhe mbajnë edhe atë shallin karakteristik arab. Flisnin, edhe arabisht, edhe pak greqisht, disa fjalë”, – përshkruan identikitin më të zakonshëm të trafikantëve doktor Vasili.

Pavarësisht numrit të lartë të personave të ndaluar dhe proceduar nga Policia e Korçës gjatë vitit 2020, Prokuroria e Korçës ka referuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë 48 kërkesa me objekt vlerësimi: Arrest në flagrancë; caktim masë sigurimi për veprën penale: “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal”.

Gjatë vitit 2020 në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë kanë përfunduar dhe është dhënë vendimi për 9 nga 14 dosje për nenin 298 të Kodit Penal, ku janë shpallur fajtorë 17 persona me marzhe dënimi që variojnë nga 2-25 vite burg.

Ashpërsimi i masave ligjore, i padrejtë

Për mbrojtësin ligjor, Esmerald Xhafa, rritja e numrit të personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm është pasojë e masave të pamjaftueshme, të marra nga autoritetet greke dhe shqiptare për të frenuar kalimin e emigrantëve nga vendet e Lindjes në kufirin mes dy shteteve.

Sipas tij, shumica e personave që ndodhen në paraburgimin e Korçës, akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, e cila është mbizotëruese.

Qasja e organeve të drejtësisë ka qenë shumë e egër, duke kërkuar në shumicën e rasteve nga ana e prokurorisë caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” dhe po ashtu nga gjykatat pranimin e kërkesës, edhe kur i arrestuari nuk ka qenë përsëritës.”

Duke interpretuar nenin 298 të Kodit Penal, Xhafa kërkon mundësinë e diskutimit të kësaj dispozite nga shkallët e tjera të gjyqësorit, me argumentin se personat e ndaluar kanë bërë thjesht transportin brenda territorit shqiptar dhe nuk iu kanë dhënë ndihmë për kalimin e kufirit.

Trendi në rritje i personave të proceduar nga policia për këtë vepër penale, sipas tij, po sjell kriminalizimin e shoqërisë, ndaj duhen gjetur instrumente për parandalimin e fluksit më tepër sesa ashpërsimi i dënimeve.

Masat e dënimit janë të rënda, pasi dispozita parashikon një masë dënimi nga 5 deri në 10 vite burgim dhe nga prokuroria kërkohen masa tepër të rënda dënimi. Nuk më duket me vend që duhet të ashpërsohen marzhet e dënimit, pasi ky fenomen nuk luftohet kështu. Emigrantët e shohin Shqipërinë si një pikë kalimi për në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe destinacion final kanë Francën, Anglinë apo Gjermaninë”, – përfundon arsyetimin mbrojtësi ligjor, Esmerald Xhafa.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin