“Edhe banesë, edhe biznes”, si shpëtoi i pandehuri nga akuza e shpërndarjes së kokainës

Disa objekte në lokalin në pronësi të tij u gjetën me mbetje të kokainës, ndërsa në një qese u sekuestruan edhe 0.2 gram të të njëjtës lëndë, por Gjykata e Tiranës vlerësoi se Besri Kollari nuk e shiste drogën, por kishte përshtatur lokalin që 3 miq të tij ta përdornin atë.

58-vjeçari u hetua që prej janarit 2021 nga Prokuroria nën dyshimin e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike, si dhe përshtatjes së lokalit për përdorimin e saj, por gjatë shqyrtimit, Gjykata thotë se në asnjë nga aktet e dosjes, Prokuroria nuk ka prova për të vërtetuar se Besri Kollari, shiste në këmbim të vlerave monetare kokainë.

Gjykata gjithashtu, argumenton se kjo sasi e gjetur të pandehurit ishte në banesën e tij, pasi banesa dhe lokali ishin i njëjti objekt, i përshtatur edhe si biznes. Duke u nisur nga ky fakt, por edhe sasia shumë e vogël, Gjykata pushoi akuzën e shpërndarjes së kokainës.

Ndërkohë, akuza e përshtatjes së lokalit si ambient për përdorimin e drogës, për gjykatën është e vërtetuar nga mbetjet e kokainës, të gjetura në  9 qese, disa tuba që përdoren për thithje të kokainës, apo edhe në një enë që shërben për mbajtje sheqeri.

Besri Kollari, 58 vjeç, u dënua më 8 muaj burg, dënim që iu konvertua në 16 muaj shërbim prove, me kushtin e Gjykatës që të mos përfshihet gjatë kësaj kohe në aktivitet kriminal e të mos shoqërohet me persona të inkriminuar.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin