Vetëm në kryeqytet, 303 shtetas u konstatuan nga shërbimet policore me doza droge kryesisht hashash dhe kokainë. Pjesa dërrmuese e tyre deklarohen menjëherë si përdorues, ndërsa një fakt të tillë e kanë konfirmuar më pas edhe analizat toksikologjike në funksion të hetimeve të hapura nga akuza e Tiranës. Për 202 prej shtetasve të shoqëruar gjatë kësaj periudhe në ambjentet policore, Prokuroria ka vendosur më tej mos fillimin e hetimeve bazuar në sasinë e vogël të lëndës narkotike të gjetur në trup si dhe evidentimit të këtyre personave si përdorues. Kjo shifër përfshin 67 përqind të të referuarve në total që ju dorëzuan Prokurorisë nga autoritetet policore të referuar në gjendje të lirë. Të rinjtë e kapur nga patrullat policore, u zbuluan me sasira droge nga kontrollet rutinore në zona të frekuentuara dhe të populluara, por edhe në zona të tjera të kthyera si vendet e preferuara për të konsumuar bimën narkotike të tilla si zona e Lapidarit në Mjull Bathore, zona e Liqenit të Thatë dhe rotondo pranë një qendre tregtare. Qasja e prokurorisë për shtetasit e referuar me sasira te vogla droge përveç mosfillimit të hetimeve ka qenë tolerante edhe në masat e kërkuara në gjykatë. Ndërsa Gjykata ka shpallur vendime arresti kryesisht për ata persona që veç dozave të drogës janë vendosur nën hetim dhe për vepra të tjera si armëmbajtja, vjedhja dhe dhuna në familje.

Këto të dhëna i përkasin harkut kohor nga muaji nëntor 2020 deri – janar 2021 sipas një monitorimi bazuar në platformën e Qëndrës, që po ndjek qasjen e institucioneve për disa vepra penale të kryera në qarkun e Tiranës.

*Burimi i fotografive: Policia e Tiranës

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin