Drejtësia e munguar, vetëm 1 i dënuar me shërbim prove për 51 viktimat e tërmetit

Dy vite pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, duket se drejtësia ka dështuar për përgjegjësit e pasojave fatale. Nga 60 persona të arrestuar dhe të akuzuar për vepra që nga vrasja e deri te ndërtimi i paligjshëm, rezulton se deri më sot vetëm një qytetar nga Vora është dënuar nga drejtësia shqiptare “Për ndërtim të paligjshëm”. Edhe ai ka mundur t’i shpëtojë burgut, pasi dënimi i është konvertuar me shërbim prove.

Autorë: Aldo Mustafa, Ahmet Zani dhe Albinë Nipolli

Dorian Greku, 37 vjeç, natën fatale të tërmetit të 26 nëntorit humbi tre pjesëtarë të shtrenjtë të familjes: nënën, babanë dhe vëllain. Azilant në Francë, me të marrë vesh lajmin tragjik, braktisi gjithçka që kishte sakrifikuar dhe u nis drejt Thumanës, ku jetonte familja e tij. Fatkeqësisht, Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku mbetën nën rrënoja.

Dy vite pas tragjedisë Doriani ndihet si një humbës i shumëfishtë: i goditur rëndë nga fatkeqësia natyrore, por njësoj edhe nga neglizhenca shtetërore.

Së fundmi u detyrua të shesë edhe makinën, pasi rruga drejt varrezave të Thumanës u bë e shpeshtë. Çdo ditë, sapo e merrte malli për familjarët e humbur, udhëtonte nga Tirana drejt vendit ku ata prehen në përjetësi.

“Më merr malli për çdo gjë, për familjen, për Thumanën, pasi jam rritur e jam bërë 35 vjeç në atë vend. Kam mall për komshinjtë, viktima të tjera të tërmetit, që ishin edhe shokë të mi. Nuk humbëm vetëm familjarë, humbëm shumë më shumë”, – tregon Doriani, i cili që prej tërmetit të 26 nëntorit jeton në një banesë në Shkozë, të ofruar nga shteti.

I zhgënjyer nga neglizhenca e qeverisë, ai thotë se premtimet janë shumë larg realitetit të hidhur që iu duhet të përballojnë çdo ditë familjarët e viktimave.

“Shteti nuk na ka ndihmuar për asgjë. Na ka dhënë nga një banesë sociale në Shkozë dhe ato pak shpenzime të funeralit. Kaq ishte ndihma. Megjithëse shumë u premtua nga kryeministri, Edi Rama, e kryebashkiaku, Artur Bushi, ky i fundit as pension për fëmijët s’më ka lidhur, që ma premtoi. Sot jetoj me 40 mijë lekë të reja”, – rrëfen braktisjen nga shteti Doriani për INA MEDIA-n.

Tragjedia e Thumanës, e paralajmëruar

Për Dorianin tragjedia e Thumanës ishte e paralajmëruar. Ai e ka të pamundur të gjejë paqe, sa kohë nuk ka ende asnjë përgjegjës për këtë fatkeqësi.

 Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, në Thumanë, në Mamurras, në Durrës e në Tiranë e mijëra të plagosur, por drejtësia ka dështuar të gjejë fajtorët e kësaj tragjedie.

Ndonëse në dosjet voluminoze ka të dhëna që dëshmojnë se nuk janë respektuar rregullat e projektimit, që është shkelur leja e ndërtimit, është ndërhyrë në kolona apo nuk është përdorur sasia e duhur e hekurit, sërish përgjegjësit nuk janë gjetur.

Të dhënat e hulumtuara nga INA MEDIA tregojnë se nga 60 persona të arrestuar nga policia, të cilët u akuzuan fillimisht për vrasje apo ndërtime të paligjshme, 48 kanë përfunduar në gjykatë. Por, deri më tani vetëm 1 person është dënuar për pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, edhe ai me shërbim prove.

 Shembja e tri pallateve në Thumanë shkaktoi vdekjen e 25 personave. Të ndërtuara në kohën e regjimit komunist me punë vullnetare, banorët thonë se që nga viti 2019 ishin vlerësuar nga autoritetet në rrezik rënieje, por kjo nuk u pranua asnjëherë nga autoritetet lokale.

Njësoj si shumë banorë të fatkeqësisë në Thumanë, Doriani tregon për Investigative Network Albania se dëmtimet në banesën e tyre kishin ndodhur që në shtator të vitit 2019.

Plasaritjet dhe gropat i mbylli me stuko vetë babai, Pëllumbi”, – rrëfen ai.

Kjo ndodhi pas inspektimit të Bashkisë së Krujës, ku kjo e fundit pa një shkresë zyrtare, por në mënyrë verbale iu tha se këto pallate ishin të banueshme.

Ai akuzon se përgjegjësit e kësaj tragjedie dihen dhe, nëse shteti do të ishte sjellë ndryshe, atëherë ajo do të ishte shmangur.

“Nëse shteti do të ishte sjellë ndryshe, normal që kjo tragjedi do të ishte evituar. Por s’bënë asgjë për ne, as atëherë, as para dy vitesh, as tani”, – thotë ai.

I zhgënjyer, ai nuk beson se do të ketë drejtësi për viktimat e tërmetit.

 “Drejtësia për ato viktima nuk do të vijë kurrë. Asnjë nuk është arrestuar, as punonjësi i bashkisë, që bëri ekspertimin e pallateve të Thumanës pas tërmetit të shtatorit 2019. U neglizhua shumë e gjitha dhe drejtësia nuk do të vijë ndonjëherë për këtë ngjarje. Do të lihet në heshtje, derisa të harrohet, në mos ata e kanë harruar tanimë”, – shprehet i zhgënjyer ai.

 “Ne si familjarë duhet të na kishin bërë transparencë lidhur me procesin e drejtësisë. S’u mor vesh, a u arrestuan këta persona apo jo!”, – përfundon ai.

Megjithëse ka pasur akuza publike për tri pallatet e shembura në Thumanë, se ishin neglizhuar pas tërmetit të shtatorit, sipas të dhënave të Investigative Network Albania, të mbërritura nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata e Krujës, rezulton se në këtë zonë nuk është arrestuar asnjë person për pasojat e tërmetit.

Konkretisht, sipas të dhënave nga Prokuroria e Krujës janë regjistruar 11 procedime penale, por ende nuk ka asnjë emër, ndërkohë që këto procedime kryesisht janë për shpërdorim detyre, ndërkohë që Prokuroria e Krujës nuk ka dhënë asnjë detaj mbi këto çështje.

E vetmja çështje që është dërguar në gjykatë, rezulton ajo për shembjen e shkollës së Thumanës, por ende nuk ka asnjë të dënuar, pasi çështja vazhdon në proces gjyqësor.

Sipas vendimit të Gjykatës së Krujës, “më datë 25.12.2020 është dhënë masa e sigurimit personal për 5 persona për punimet e kryera në shkollën “Ramazan Jangozi”, në Thumanë”, e cila u shemb gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Aktualisht çështja është në gjykim dhe ende nuk ka një vendim”, – shprehet Gjykata e Krujës.

Personat në gjykim janë inxhinierë, kolaudatorë, administratorë dhe funksionarë të Bashkisë së Krujës. Bashkia e Krujës mori në dorëzim objektin e shkollës, që ishte mbyllur pas tërmetit të 21 shtatorit, pak ditë para tërmetit të 26 nëntorit. Mbyllja ishte bërë me arsyetimin e riparimit dhe forcimit të strukturës së shkollës.

Durrës, 24 viktima, ende asnjë fajtor

Një vilë dhe 6 pallate u shembën në Durrës, duke shkaktuar 24 viktima. Në vilën katërkatëshe të familjes Lala humbën jetën tetë anëtarë të kësaj familjeje.

Serjan Mazrreku, asokohe administrator i Njësisë Administrative nr. 6 në Bashkinë e Durrësit, ishte ndër personat e pyetur nga ana e grupeve hetimore si person në dijeni për situatën pas tërmetit të shtatorit 2019, si dhe për vendosjen e familjes Lala në atë njësi.

                              Serjan Mazrreku, administratori i Njësisë nr. 6 në Bashkinë e Durrësit, ku u shemb banesa e familjes Lala

Në prokurori dëshmova se nga inspektorët e njësisë në këtë banesë nuk rezultoi të konstatoheshin dëmtime pas tërmetit të 21 shtatorit 2019. Zona e ish-kënetës ka qenë parcela më e goditur në këtë njësi, pasi pranë banesës së familjes Lala janë dëmtuar dhe shembur nga tërmeti rreth 7 banesa të tjera. Çuditërisht, më herët, në shtator, ishin rreth 5 objekte në këtë zonë, të cilat u dëmtuan dhe më pas u shembën, ndërkohë objekti i kësaj familjeje nuk kishte dëmtime të rënda”, – rrëfen Serjan Mazrreku për Investigative Network Albania.

Për këtë banesë u akuzuan dy punonjës të legalizimeve, por ata ia hodhën, me faktin se dokumentacioni tekniko-ligjor kërkohet vetëm për ndërtime mbi 4 kate, kështu që faji iu mbeti vetë familjarëve Lala.

Referuar dosjes hetimore në Prokurorinë e Durrësit, kati i parë i godinës ishte ndërtuar pa leje në vitet 1997-1999.

Në vitet më pas u shtuan edhe kate të tjera për të strehuar anëtarët e tjerë të po asaj familjeje dhe ndërtesa mbërriti në katër kate, por themelet në këtë rast ishin projektuar vetëm për një kat dhe ndërtesa u shemb si pasojë e peshës së madhe.

Pallati i Konomëve, pranë ish-Kryqit të Kuq, në lagjen nr. 18, në Durrës, i mori jetën 7 personave, mes të cilëve u shua edhe familja Reçi.

Pallati 5 kate+1 papafingo ishte ndërtuar vetëm për familjen e Perikli Konomit në vitet 1994-1996. Në të banonte familja Konomi dhe tri familje që kishin marrë me qira tri apartamente. Perikli Konomi kishte marrë leje ndërtimi për një kat shtesë nëpërmjet Këshillit të Rrethit Durrës.

Nga matjet e grupit të ekspertëve në terren është konstatuar ndryshim midis projektit dhe zbatimit të ndërtesës, gjithashtu nga shtetasi i mbijetuar Ajet Meçja është pretenduar se në katin e parë, ku ndodhej Ice Club, janë bërë punime, duke hequr mure, duke zgjeruar lokalin dhe duke bërë fabrikë akulli një pjesë të parkimit.

Sipas dosjes hetimore, pavarësisht ndërhyrjeve, grupi i ekspertëve është shprehur se, shkaqet kryesore që sollën shembjen e kësaj godine, kanë qenë mosrespektimi i projektit konstruktiv gjatë zbatimit të objektit 5-katësh.

Veçanërisht sasia e pamjaftueshme e armaturës së hekurit në kolonat e katit përdhe dhe kati shtesë (me leje ndërtimi) është projektuar për t’u ndërtuar mbi një strukturë që nuk ishte llogaritur për të përballuar ngarkesa shtesë vertikale.

Nga hetimet u akuzuan tre inxhinierë për këto shkelje, mirëpo nga verifikimet e kryera të tre shtetasit rezultojnë të kenë ndërruar jetë dhe si pasojë hetimet për shkaktarët e tragjedisë në këtë pallat janë pushuar.

“Fajtorë” nuk ka as për shembjen e hotelit “Tropikal”, që i mori jetën dy shtetasve kosovarë, vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi. Të dëmtuar rëndë mbetën dhe pronarët e hotelit, Abdulla Osmani dhe bashkëshortja e tij.

Hoteli “Tropikal” para tërmetit të 26 nëntorit, foto e marrë nga Google Maps, Maj 2016

Sipas dosjes së prokurorisë, objekti në fjalë është ndërtuar në mënyrë individuale nga investitori Abdulla Osmani, fillimisht me plan-projekt 4 kate+1 papafingo dhe më vonë në vitin 2006 është ndryshuar kati i papafingos, duke u kthyer në një kat të plotë dhe mbi të kati i gjashtë si papafingo (5+1). Shtesë kjo, për të cilën nuk janë përllogaritur përforcimet e nevojshme në strukturë. Kjo ndërhyrje është gjetur si shkaku që çoi në shembjen e godinës.

Abdulla Osmani, në cilësinë e investitorit dhe inxhinieri Lefter Shuka u hetuan për “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Shpërdorim detyre”, por çështja ndaj tyre u pushua, për shkak se vepra penale kishte ndodhur mbi 10 vite para ngjarjes dhe ishte parashkruar.

As për dy jetët e humbura nën rrënojat e hotelit “Mira Mare” nuk ka shkuar askush para drejtësisë. Sipas dosjes hetimore, ky hotel kishte plotësuar formularin për legalizim në vitin 2005, por ishte legalizuar vetëm në vitin 2019.

 “Studimi, projektimi, zbatimi dhe kolaudimi i godinës “Hotel Mira Mare” nuk është kryer sipas standardit, kushtit teknik kombëtar për ndërtimin në fuqi në RSh në kohën e kryerjes së ndërtimit, si pasojë e të cilëve ka ardhur edhe shembja”, – ka qenë ky përfundimi i grupit që ka kryer ekspertizën teknike.

Por, edhe në këtë rast ekzekutimi i masës ka qenë i pamundur, pasi inxhinieri, i cili kishte kryer ekspertizën e qëndrueshmërisë së godinës, kishte ndërruar jetë.

Faksimile e dosjes së prokurorisë për shembjen e hotelit “Mira Mare”, në Durrës

Nga tërmeti u shemb edhe një tjetër 6-katësh, i cili i mori jetën dy personave. Sipas hetimeve rezulton se “shkaku që çoi në rënien e godinës, ishte cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit dhe konkretisht betonit, që ka rezultuar 50% më e vogël se ajo e specifikuar në projekt”.

Faksimile e dosjes së prokurorisë për shembjen e pallatit 6-katësh në Durrës

Por, pavarësisht kësaj të dhëne shumë të rëndësishme, edhe në këtë rast askush nuk u gjet përgjegjës.

Përgjegjës nuk ka as për shembjen e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, nën rrënojat e së cilës humbi jetën oficeri Bajram Hajdarmetaj.

I vetmi ndaj të cilit u ngrit akuzë nga prokuroria, ishte Kujtim Hasa, shef i shërbimeve në këtë godinë, por edhe në këtë rast akuza nuk kishte të bënte me shkakun e rënies së godinës, por Hasa u akuzua për “Shpërdorim detyre”, pasi, sipas rregullores, duhej të organizonte dhe të kontrollonte qëndrimin e personave në ambientet përkatëse.

Shembja e hotelit “Vila Palma” i mori jetën shtetasit Sadik Qato dhe u bë e mundur nxjerrja me sukses nga rrënojat e nipit të tij, Klajdi Qato, djali i Dëshira dhe Arben Qatos.

Rrënojat e hotelit “Vila Palma”

Për këto ngjarje tragjike policia dhe prokuroria nisën hetimet për 18 persona, ku 8 prej tyre u arrestuan, ndërsa 10 të tjerë u shpallën në kërkim, duke u kapur më vonë.

Nga 18 personat e arrestuar, 12 prej tyre ishin me detyrë inxhinierë pranë ALUIZNI-t, 5 ndërtues dhe 1 projektues.

Dy vite pas tërmetit familjarët e viktimave ende janë në pritje të drejtësisë.

Vetë Prokuroria e Durrësit thotë se ka ngritur akuzë për 15 prej tyre dhe aktualisht është në pritje të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Menjëherë pas rënies së tërmetit Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Durrës filloi kryesisht procedimin penal dhe pas një viti intensiv hetimesh, grupi hetimor nëntorin e vitit të kaluar (2020), vendosi të dërgojë për gjykim procedimin penal në ngarkim të 16 të pandehurve, të akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vrasjes nga pakujdesia”, “Ndërtimit të paligjshëm”, “Falsifikimit të dokumenteve”. Gjyqtari i seancës paraprake vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes për gjykim, me një ndryshim të vetëm, pushimin e çështjes për njërin prej të pandehurve. Aktualisht ky procedim penal është në fazën e gjykimit në themel të çështjes dhe jemi në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës”, – shprehet për Investigative Network Albania drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Durrës, Anita Jella.

Anita Jella, kryeprokurorja e Durrësit

Por, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Durrësit, më datë 02.02.2020 u vendos pushimi i hetimeve për 5 prej tyre, duke çuar për gjykim 13 prej të akuzuarve.

Konkretisht, hetimet u pushuan për Abdulla Osmanin, pronarin e hotelit “Tropikal”, i akuzuar për “Vrasje nga pakujdesia”, për shkak të vdekjes së tij; për Artur Terziun, në cilësinë e pronarit të lokalit në katin e parë të objektit 6-katësh, i akuzuar për “Falsifikim të dokumenteve”, pasi në kohën e ndodhjes së faktit, fakti nuk parashikohej nga ligji si vepër penale; për Arben Isakun, në cilësinë e drejtuesit të ALUIZNI-t, për hotelin “Vila Palma”, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”, pasi fakti nuk parashikohej nga ligji si vepër penale; për Dëfrim Celamin, në cilësinë e inxhinierit për objektin 6-katësh, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”, pasi rezultoi të mos e ketë kryer veprën penale dhe për Ahmet Dodën, në cilësinë e drejtuesit pranë “Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme”, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”, pasi nuk është provuar vepra penale.

Më tej në vendimin e radhës, në datë 19.07.2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Durrës ka vendosur deklarimin Të pafajshëm, pasi janë shqyrtuar provat, për të pandehurit: Artur Çela, Kryeinspektor në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Durrës; Flamur Gjuzi, Drejtor i zyrës së ALUIZNI-t, Durrës; Helio Huqi, Specialist i Matjeve në Terren; Skerdi Bello, Specialist në sektorin e Legalizimeve pranë ALUIZNI-t; Arben Qato, inxhinier, të gjithë të akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”.

Po ashtu, nga akuzat u çlirua edhe Nevjana Isufi, eksperte topografe, e akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”; Dëshira Qato, investitore, e akuzuar për “Vrasje nga pakujdesia”; duke lënë në gjykim vetëm 6 nga 18 të akuzuarit, për të cilët gjykata ende nuk është shprehur me vendim, konkretisht për të pandehurit: Ruzhdi Xheka, Aldo Dakoveli, Klajdi Lame, Albrend Qetka, Artenis Malko dhe Kujtim Hasa.

Deklarata e Vasil Gjonit, sipas të cilit Nevjana Isufi i ka falsifikuar firmën

Tiranë, një viktimë, por rekord akuzash

Megjithëse në Tiranë pati vetëm një viktimë, Prokuroria e Tiranës ngriti akuza më shumë se prokuroritë e Durrësit dhe të Krujës bashkë për pasojat e tërmetit.

Më 15 janar të vitit 2020, Prokuroria e Tiranës doli në një komunikatë për mediat, duke deklaruar se ka lëshuar 42 urdhra arresti, ku 31 prej tyre ishin ekzekutuar.

Mes të arrestuarve ishte dhe prangosja e dy ish-kryetarëve të komunave, ndërsa prokuroria pretendoi se hetimet kanë zbuluar skandalin me ndërtimet, nga cilësia e dobët e materialeve deri te ndryshimet në projekte, si dhe mungesën e studimeve sizmologjike.

Por, edhe në Tiranë dosja e bujshme e tërmetit u zbeh gjatë rrugës. Nga 42 të arrestuar, 30 prej tyre janë dërguar në gjykatë, ndërsa për 12 të tjerë nuk u arrit të dokumentohet vepra penale.

Në gjykatë kanë ardhur me kërkesë të prokurorisë 30 persona nën statusin e personit nën hetim për vepra të ndryshme penale, që lidhen me pasojat e tërmetit. Nga këta persona, prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushimin e procedimit penal për dy prej tyre dhe gjykata është shprehur me vendim themeli vetëm për një person”, – sqaron Gjykata e Tiranës në një përgjigje zyrtare për Investigative Network Albania.

Shifrat u shfrynë gjatë rrugës dhe dy vite pas tërmetit rezulton se vetëm një person është dënuar, i cili është pronari i një furre buke në Vorë, ndërkohë që për 27 të tjerë ende nuk ka një vendim të Gjykatës së Tiranës.

Në datën 17.12.2020, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit N. Sh., për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” me 2 vjet burgim. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit, Naim Shehi, në provë për një periudhë prej 4 vjetësh, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”, – thotë Gjykata e Tiranës në përgjigjen e saj.

Ekspertët, skeptikë si u zhvilluan hetimet

Ndryshe nga organet e drejtësisë, që nuk kanë mundur t`i gjejnë përgjegjësit për bilancin tragjik të tërmetit të 26 nëntorit, ekspertët e kanë të qartë përgjegjësinë.

Sipas tyre, jo vetëm që kjo tragjedi ka emra konkretë, por njësoj fajtore janë edhe strukturat shtetërore.

Pjesa më e padrejtë e pasojave të kësaj tragjedie është fakti që nuk u regjistrua asnjëherë një hetim për zyrtarët përgjegjës, që duhet të konstatonin gjendjen e ndërtesave të post-tërmetit të shtatorit 2019, të cilat më tej u shembën përfundimisht në nëntor të po këtij viti dhe sollën humbjen e jetës së dhjetëra njerëzve. Këto jetë mund të ishin shpëtuar në rast veprimi të shtetit”, – deklaron për INA MEDIA-n Ledio Braho, avokat.

Pesimiste për thellimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësve është edhe avokatja Merita Dakovelli.

Sipas saj, organi i akuzës është mjaftuar vetëm me të dhëna sipërfaqësore dhe nuk është thelluar në hetime.

Në qoftë se është pranuar gjykimi i shkurtuar, dihet që ky gjykim në tërësinë e vet ka vetëm aktet e dosjes, pra ti nuk thellohesh në hetime, merren aktet e dosjes, siç janë. Nuk mendoj që do ketë hetime të mëtejshme”, – shprehet Dakovelli.

Gazmend Oketa, inxhinier ndërtimi, apelon se po përsëritet i njëjti gabim dhe në Durrës po “rindërtohet” pa leje. Ai akuzon se shteti, në vend që t`i lehtësonte procedurat, ka krijuar barriera burokratike dhe korruptive.

Këta qytetarë janë detyruar që për shkak të indiferencës apo burokracisë shtetërore të rindërtojnë një strehë për fëmijët apo prindërit e tyre. Ta kërcënosh këtë kategori me burg, është krejtësisht e pamoralshme dhe e padobishme. Ka plot ndërtime korruptive nën pretekstin e rindërtimit”, – hedh akuza Oketa.

Gazmend Oketa akuzon se edhe me rindërtimin gjërat nuk po bëhen si duhet.

Fatkeqësisht, në gjykimin tim, procesi i rindërtimit është përdorur, qoftë në mënyrë selektive, qoftë në mënyrë abuzive, por, pse jo, edhe në mënyrë korruptive. Mjafton p.sh., që të përmendim faktin që vetëm për procesin e projektimit të godinave, të cilat klasifikoheshin si të dëmtuara në shkallën DS4 në Durrës, u bë një procedurë prokurimi, duke përqendruar gjithçka në një dorë të vetme dhe në terma praktikë, për ne që merremi me projektim, është e pamundur që një kompani e vetme të bëjë një punë cilësore”, – shprehet pesimist Oketa.

Ndërsa inxhinieri i njohur Arben Meçe, firmën e të cilit mbajnë një pjesë e akt-ekspertizave të tërmetit, ngre një tjetër shqetësim. Sipas tij, edhe pas asaj fatkeqësie të rëndë, që goditi vendin tonë, qeveria nuk ka mësuar dhe nuk ka ndërmarrë hapa ligjorë për të vendosur kriteret e projektimit.

Inxhinieri Meçe ngre alarmin se godinat e dëmtuara në Tiranë janë një “patate e nxehtë” dhe pasojat mund të jenë sërish fatale, nëse nuk ndërhyhet.

Në momentin që flasim, Tirana ka dhjetëra objekte të klasifikuara si të shkatërruara, por janë me njerëz brenda, që do të thotë se potencialisht këto objekte janë ekuivalente me ato të Thumanës. Nëse atëherë pyesnim, pse shteti i la njerëzit në Thumanë pas tërmetit të shtatorit, sot dihet se ku janë këta të Tiranës. Nëse sot kemi këtë situatë në Tiranë, ekuivalente me Thumanën dhe nuk ndërhyn shteti, do të thotë që shteti nuk ka arritur të ndërtojë metodikë se si ta menaxhojë këtë situatë post-tërmeti”, – ngre shqetësimin Meçe.

Madje, inxhinierët shkojnë më tej, duke vënë theksin se amullia e ndërtimeve të pakontrolluara vazhdon, duke qenë një rrezik i vazhdueshëm për jetën e qytetarëve, sidomos në ndërtimet që ende nuk janë legalizuar.

Çdo material kalon një cikël lodhjeje, ka marrë një goditje relativisht të madhe, atëherë duhet t`i shohim, t’i certifikojmë këto objekte, nëse kanë garanci për vazhdimin dhe përballimin e një tërmeti të ngjashëm”, – shprehet ekspertja e një laboratori materialesh, Entela Kapllani, duke iu referuar ndërtimeve pa leje që janë në proces legalizimi.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS