Arrestimet me ʻbujëʻ për zyrtarët, kurse dënimet konvertohen me shërbim prove

Nga Ermal Vija

Ditën që Leonard Palushi u shpall fajtor, dënimi i tij nuk ishte për shpërdorim detyre, por për korrupsion në cilësinë e një oficeri që dyshohet se ishte blerë nga një individ i botës së krimit me dhurata. Kjo mënyrë falenderimi i Erjon Alibej duke i falur policit të Elbasanit automjete dhe duke e ndihmuar me kamerat për sigurinë e lokalit u vlerësua si korrupsion. Por dosja hetimore e monitoruar nga Qendra FOL, tregon gjithashtu se nuk u arrit të shkohej tek policët e tjerë të dyshuar e të lidhur me Palushin, i cili e ka kundërshtuar dënimin në një shkallë më të lartë.

Qendra FOL monitoroi dënimin e 32 policëve të pikës kufitare Morinë në Shqipëri  që u konsideruan fajtorë , për akuza nga shpërdorimi deri në korrupsion për shkelje që favorizonin shtetas të ndryshëm për kalime të paligjshme dhe kontrabandë. Të gjithë oficerët morën dënime jo më të larta se 2 vjet e tetë muaj burg dhe që në përfundim dënimet u konvertuan në shërbim prove. Dënim lehtësues u dha edhe për policët Viktor Buca dhe Gëzim Lluka , të hetuar gjatë kohës kur për arrestimin e një të kërkuari i ‘ vunë gjobë’ duke i kërkuar 10 mijë euro në shkëmbim të heqjes së prangave. Gjykata e Posacme urdhëroi dënimin plotësues për heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vitet e ardhshme e po ashtu vuajtje të dënimit me nga 2 vjet e 4 muaj burg në një institucion të sigurisë së zakonshme. Të dy ish policët e akuzuar për korrupsion pasiv përfituan nga gjykimi i shkurtuar, sikurse edhe personi që ofroi paratë për shërbimin e paligjshëm. Fajtorë u konsideruan edhe dy shtetas të denoncuar nga një emision investigativ dhe që tregon fenomenin e pagesës për të marrë një shërbim. Hetimi i bazuar mbi denoncimin publik tregon se si një inspektor i Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve kërkoi një shumë prej 1 mijë euro për të mos bllokuar telefonin e një të burgosuri. Gjykata e Posacme e dënoi Rendinel Koritën me dy vjet burgim dhe në përfundim urdhëroi vënien e tij në provë për katër vitet e ardhshme. Edhe të bashkëpandehurit në të njëjtën dosje Nazmi Totrakut rezulton se ju dha e  njëjta tolerancë, duke ja zbutur dënimin me shërbim prove. Në dy vendime të mëpasshme ndaj zyrtarëve të nivelit të ulët në Kadastër vërehet nga monitorimi i Qendrës FOL se nëpunësit që nxirrnin dokumenta pronash dhe që ranë në përgjime teksa mburreshin ‘ kam edhe gurin edhe arrën në dorë” , nuk fituan që të gjithë shërbim prove . Por vetëm aplikim të gjykimit të shkurtuar.  Admir Burri u dënua me 4 vite burgim, Gazmend Canaj me 2 vite e 4 muaj, Neritan Bablusha me 2 vjet , Panol At Nikolla me 4 vite burgim dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funnksione për pesë vjet, Gëzim Bazha me 8 muaj burgim, Ilir Ahmeti me një vit shërbim prove, Besnik Hyka me 1 vit e tetë muaj shërbim prove, Ivi Cico me një vit e 4 muaj shërbim prove e po ashtu edhe Shpëtim Bakiu dhe Bedri Halili.

Si gjykohet korrupsioni?

Në 19 dhjetor të vitit 2019-të, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi të funksionojë, me besimin se do luftonte një nga problemet më të mëdha të shoqërisë tonë, korrupsionin. Zyrtarët e lartë, të përfshirë në korrupsion, por edhe krimi i organizuar ishin synimi i kësaj Strukture të Posaçme. Në 3 vite të punës së të cilës, dhjetëra zyrtarë të kapur në shkelje të detyrës, u morën nën hetim dhe dolën të pandehur para gjykatës. Përballë gjykatës dolën gjithashtu edhe aktorë të vetë sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë, të cilët, tentuan të bënin drejtësinë duke u ndikuar nga vlerat monetare. Dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, janë ata që më shumë nga të gjithë funksionarët e tjerë publikë, përfunduan të dënuar për korrupsion. Sipas monitorimit të Qendrës “FOL”, hetimet e tjera, për zyrtarë të administratës, që edhe pse u nisën nën dyshimet e korrupsionit, u arrit të provoheshin akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Referuar të dhënave zyrtare që Qendra “FOL” ka siguruar aktualisht në Gjykatën e Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin po gjykohen 61 çështje vetëm 11 prej tyre lidhen me veprat penale të “Korrupsionit aktiv” dhe “Korrupsionit Pasiv”. Gjatë vitit që lamë pas, sa i takon dënimeve për korrupsion, shkalla e parë ka dhënë 6 vendime, 4 prej të cilave lidhen me njerëzit e drejtësisë dhe 2 të tjerë ndaj zyrtarëve publikë siç është ish-kryetari i bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe dhe ish-zëvëndës Ministrja e Brendshme Rovena Voda. Sipas vendimit të siguruar nga Qendra “FOL”, rezulton se ish-drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Edmond Karriqi i dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ka marrë rryshfet 2 mijë euro për të liruar një të arrestuar për trafik të lëndëve narkotike. Bashkë me Karriqin u dënuan edhe 3 persona të tjerë që u gjetën fajtor nga gjykata pasi i dhanë një shumë prej 2 mijë euro Karriqit për të liruar të afërmin e tyre. Kjo provohet nga vëzhgimet dhe përgjimet e agjentëve të policisë ndaj personave të marrë të pandehur.

Rezulton se i pandehuri Dritan Dedja në bisedat me babain e tij Rrahman Dedja konfirmon se ka biseduar me prokurorin. Në vijim, ka takime të shtetasve Emirjan Beu dhe Dritan Dedja me shtetasin Isuf Gega dhe të këtij të fundit me prokurorin Edmond Kariqi. Nga përgjimet telefonike të subjekteve rezulton se i pandehuri Dritan Dedja bisedon në telefon me shtetasin Rrahim Dedja të cilit i thotë se “të hënën do ja çojmë, përderisa ka kërkuar të hënën, të martën mund ti qisi ata.”… “thashë të hënën, do çojmë, me çu lekë.” … “ti mbledhim ata të tjerët”. Shtetasi Rrahim Dedja i komunikon se lekët janë gati”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tetorin e kaluar, gjyqtarët e apelit të posaçëm Engert Pëllumbi, Daniela Shirka dhe Saida Dollani ndryshuan vendimin e shkallës së parë, që pezulloi dënimin me burg dhe vendosi Edmond Karriqin në shërbim prove. Ish-drejtuesi i prokurorisë së Kukësit u lirua nga ambientet e paraburgimit në muajin maj të  vitit të kaluar, por pas këtij vendimi u rikthye në qeli për të vuajtur edhe 6 muaj burg. Për 3 të dënuarit e tjerë në shkallën e parë, Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, apeli la të pandryshuar dënimet.

Gjatë fazës së gjykimit dhe hetimit Karriqi është shprehur se ka zbatuar vetëm ligjin dhe në asnjë moment nuk ka marrë rryshfet nga personat e gjetur fajtor nga të dyja shkallët e gjykimit. Për këtë ai i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë.

Në lidhje me dënimet e dhënë nga Gjykata e Posaçme si dhe ajo e Apelit, juristi Hoxha pretendon se dënimit janë dhënë vetëm mbi bazën e indicieve dhe pa patur asnjë provë.

Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit ka dhënë disa dënime për gjyqtarë e prokurorë në kundërshtim me provat e administruara, por vetëm mbi bazën e indicieve sipas nenit 152/2 të Kodit Penal. Pavarësisht se ka patur vëzhgime apo përgjime nuk është bërë i mundur arrestimi në flagrancë kur pretendohet se janë dhënë këto shuma parash, pasi nuk është konstatuar nga oficerët e policisë gjyqësore kur janë dhënë shumat e parave. Jo vetëm për rastin e Karriqit dhe Dritan Dedjas por edhe në raste të ngashme kështu ka ndodhur”.

Akuza më të forta në drejtim të Gjykatës dhe prokurorisë ka lëshuar ish-gjyqtarja e Apelit të Korçës Mimoza Margjeka, që u dënua dhjetorin e kaluar për korrupsion, me dyshimin se mori 6 mijë euro për të liruar një të arrestuar. Pas dhënies së vendimit nga shkalla e pare, Margjeka tha se vendimi për dënimin e saj është i porositur.

Nuk ju besoj më institucioneve. Unë e di që këta njerëz sot kanë qenë të impresionuar dhe të porositur. Më vjen keq për ta. Për mua familja ime do e gjejë një zgjidhje. Nuk u përmbys bota. Më dënuan mua, s’është fundi i botës.”

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme rezulton se bashkëshorti i Mimoza Margjekës, Arben Cara ka marrë ryshfet një shumë prej 6 mijë euro për të ndryshuar një vendim. Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.

Në datën 29.07.2020 ora 12:32 Nejtoni bisedon me të ëmën dhe sqaron se ka arritur 99% , në këtë formë 6 mijë euro ia ka dhënë atyre ta nxjerrin sot, duhen 5 mln lekë garanci pasurore. Ajo gjykata 5 mln lekë kur të mbarojë çështja i tërhiqen mbrapsht. E kanë lënë 6 mijë, jo 7 e 500, nuk e ka prerë në besë. Në vijim bisedojnë me të ëmën se ku do ti gjejnë lekët e garancisë. Nejtoni i thotë se sot do i paguajnë lekët miqtë e Skënderit dhe nesër duhet t’ia çojnë paratë ose mund të vijnë e ti marrin në Tiranë. Me eurot ka mbaruar punë, por do i japin lekwt shqiptare për garanci. Skënderi i ka thënë se 99% këtë punw e ka të mbaruar, pastaj nëse e hanë në llaf gjyqtarwt do të kenë punë me të pasi i ka dhënë lekët që mbrëmë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata e shkallës së parë ka dënuar me 4 vite heqje lirie edhe bashkëshortin e Margjekës, Arben Cara që akuzohet se mori paratë me qëllim dhënien e vendimit. Po kështu me tre vite burg u dënua edhe Klaudjo Zhilla. Ndërsa avokati Skënder Demiraj u dënua me 3 vite burg, por dënimi u konvertua në 3 vite shërbim prove. Nejton Bali, personi që ndërhyri për të liruar të afërmin e tij, u dënua me 2 vite e katër muaj shërbim prove.

 

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin