Projektet për ndërtimin e centraleve eolike shenjëstrojnë zonën e mbrojtur të Gadishullit të Karaburunit

Autor: Ola Mitre – All Green Center

Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e kryeministrisë në qershor të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Enegjisë njoftoi hapjen e një ankandi hibrid për ndërtimin e parqeve të prodhimit të energjisë nga era. Përveç publikimit të termave ekonomikë dhe të mbështetjes, në ndihmë të zhvilluesve u vendos edhe një studim i porositur nga MIE dhe i mbështetur nga qeveria zvicerane, që tregonte zonat e ndaluara për zhvillimin e këtyre projekteve, duke theksuar se asnjë prej tyre nuk do të lejohet brenda këtyre kufijve. “Ne kemi zhvilluar një studim të mirëfilltë, i cili sot do të vendoset në dispozicion të të gjitha kompanive të cilat do të duan të investojnë në sektorin e energjisë eolike dhe do të marrin pjesë në këtë ankand.

Ky studim jep në mënyrë të qartë të gjitha zonat e mbrojtura në të cilat nuk mund të ndërtohen parqet eolike”, – deklaroi ministrja Belinda Balluku në atë kohë. Por, pavarësisht studimit dhe qëndrimeve për të ndaluar zhvillimin e këtyre projekteve që në fazën e aplikimit, të dhënat e mbledhura nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pajisur me Miratim Paraprak një sërë projektesh për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga era në zonën e Gadishullit të Karaburunit, që gëzon statusin “Rezervat Natyror i Menaxhuar” e ku zhvillimi i këtyre projekteve është i ndaluar. Ndërkohë që, edhe studimi i realizuar nga vetë MIE e klasifikon Gadishullin e Karaburunit si zonë të ndaluar për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era. Në këto kushte, ekspertët flasin për rrezikun që i kanoset vlerave natyrore të zonës, por edhe krijimin e një precedenti të rrezikshëm për imazhin e energjisë së erës, që gjithsesi është domosdoshmëri për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.

Miratime, në shkelje të ligjit

Era është një burim i pashfrytëzuar ende në vendin tonë për gjenerimin e energjisë, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, mbi 97% e energjisë prodhohet nga hidrocentralet. Varësia e lartë nga uji bën që në periudha thatësirash të shpenzohen miliona euro për blerjen e energjisë nga importi, ndaj prej kohësh kërkohet diversifikimi i burimeve të rinovueshme për prodhimin të energjisë, ku përfshihen centralet fotovoltaike dhe ato eolike. Këto alternativa përkrahen edhe nga ekspertët e mjedisit, të cilët i shikojnë si një formë edhe për ruajtjen e lumunjve, që aktualisht janë të mbishfrytëzuar për hidrocentrale.

Besjana Guri, Eksperte mjedisi, EcoAlbania

“Në fakt, ne kemi kohë që si shoqëri civile kërkojmë diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Duke parë që sot Shqipëria varet 100% nga hidroenergjia, gjithmonë ne kemi kërkuar që të zhvillohen edhe alternativat e tjera”, -thotë Besjana Guri, nga organizata EcoAlbania.

Aktualisht, ekzistojnë një sërë aktesh ligjore, që synojnë stimulimin e investitorëve në fushën e energjisë së erës, teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka intensifikuar fushatat promovuese, çka është reflektuar edhe në një numër të konsiderueshëm aplikimesh nga ana e kompanive të interesuara. Sipas të dhënave zyrtare nga MIE, në 5 vitet e fundit pranë këtij dikasteri janë bërë rreth 30 kërkesa, ndërkohë që për 21 prej tyre kanë vijuar procedurat për pajisjen me Miratimet Paraprake dhe Përfundimtare. Por, të dhënat e vëna në dispozicion të “EkoSkaner” nga ky dikaster tregojnë se 7 projekte, me fuqi totale të instaluar prej 35 MË, që kanë marrë Miratimet Paraprake ndodhen brenda “Rezervatit Natyror të Menaxhuar” të Gadishullit të Karaburunit, ku zhvillimi i tyre është i ndaluar.

Sipas ligjit “Për zonat e mbrojtura”, në zonat që gëzojnë këtë kategori mbrojtjeje nuk lejohet shfrytëzimi dhe zënia e zonës me aktivitete që bien ndesh me qëllimet për të cilat ajo është marrë në mbrojtje apo aktivitete që sjellin ndryshimet e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore.

“Projektet infrastrukturore që quhen infrastrukturë gri ose infrastrukturë solide, që përfshijnë përdorimin e materialeve të përhershme, janë të ndaluara në çdo lloj kategorie të zonës së mbrojtur. Qoftë kjo kategoria VI, që është “Rezerva e Resurseve”, qoftë kategoria e parë që është ‘Rezervati strikt’”,- shpjegon eksperti i mjedisit nga PPNEA, Aleksandër Trajçe. “Në të gjitha këto zona të mbrojtura, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit, që ka një procedurë shumë të thelluar dhe të avancuar, ku ti nuk mund të ndërtosh infrastruktura gri, ku përfshihen rrugë, autostrada, aeroporte, ndërtesa, çdo lloj strukture solide që është e përhershme dhe jo e përkohshme”,-shton më tej ai.

Gadishulli i Karaburunit

Por përveç ligjit, edhe vetë studimi i realizuar nga MIE, e klasifikon këtë zonë si të ndaluar për zhvillimin e centraleve eolike. Sipas dokumentit, është bërë një analizë e përgjithshme e territorit shqiptar për të treguar zonat e përshtatshme si dhe zonat e papranueshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së erës të përcaktuara si “të kufizuara” ose “zona të ndaluara”. Një prej dimensioneve të analizuara në këtë studim është edhe ai mjedisor, përmes një grupi indikatorësh që përmbledh karakteristika dhe vlera të ndryshme mjedisore që gjenden në zonën e studimit. Por, të paktën në 5 prej tyre, që janë: shpendët, zonat e mbrojtura, habitatet kritike, kufizimi me zonat e mbrojtura, por edhe gjeorreziqet, Gadishulli i Karaburunit përfshihet te zonat e ndaluara.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i tha “EkoSkaner” se “Miratimi Paraprak”, jep vetëm të drejtën për të bërë matje dhe studime më të thelluara në zonë dhe për plotësimin e gjithë dokumentacionit të nevojshëm ligjor. “Sqarojmë se projektet eolike në Karaburun janë të pajisur vetëm me Miratim Paraprak nga MIE dhe këto subjekte kanë të drejtë vetëm të bëjnë studime më të thelluara përsa i përket potencialit energjetik, që nuk përfshin asnjë punim ndërtimor. Këto subjekte nuk do pajisen me Miratim Përfundimtar, nëse nuk paraqesin një dokumentacion mjedisor të miratuar nga institucionet përgjegjëse mjedisore në vend”,-thuhet në përgjigjen e MIE.

Gjithsesi mbetet e paqartë se përse këto subjekte duhet të realizojnë studime të mëtejshme dhe të vijojnë pajisjen me lejet e nevojshme, përsa kohë kjo zonë është klasifikuar si e ndaluar për ndërtimin e impianteve eolike.

“Është për të ardhur keq që pavarësisht faktit që edhe kur kemi dokumente shumë të mirë gjithmonë çalojmë tek pjesa e zbatimit dhe kjo na e bën jetën më të vështirë ne si shoqëri civile, ekspertëve , njerëzve, banorëve pasi ne nuk mund të kundërshtojmë qoftë me anë të protestave, qoftë me anë të proceseve gjyqësore për çdo projekt, që shkon në kundërshtim me ligjin”,- thotë Guri. “Pra këto projekte thjesht nuk duhet të planifikohen, nuk duhet të ndodhin dhe ne të na vendosin para një pozite kaq të vështirë që të jemi në kundërshtim të projekteve që quhen zhvillimore, por që në të njëjtën kohë bien në kundërshtim me vetë rregullat që institucionet kanë vendosur dhe ligji përcakton”,-shton më tej ajo.

Vlerat natyrore të Karaburunit

Gadishulli i Karaburunit, mori statusin “Rezervat Natyror i Menaxhuar”, në vitet ’90, ndërsa sipas ekspertëve është një nga zonat më të vjetra të mbrojtura në vendin tonë. “Parku i Karaburunit është ndoshta nga zonat e fundit të mbrojtura, që ndodhet në zonën e bregdetit, e cila është pothuajse tërësisht e virgjër. Është zonë ku mungojnë thuajse komplet ndërtimet urbane, ndërtimet me beton, me struktura solide dhe është një zonë që ndër shekuj ka qenë e përdorur vetëm në mënyra tradicionale nga banorët e zonës, kryesisht për aktivitetin e blegtorisë. Kjo gjë ka krijuar një ekosistem të jashtëzakonshëm, ku ndërthuren habitatet kodrinore-malore, me pjesën e habitateve detare dhe bregdetare”, – thotë Trajçe. ”Më tej, në vitin 2010, përtej vlerave tokësore të Karaburunit, është shpallur edhe parku detar Karaburun-Sazan, i cili është parku i vetëm që ne sot kemi dhe ka statusin e Parkut Kombëtar dhe së bashku me Parkun Kombëtar të Llogarasë, Rezervatin Natyror të Menaxhuar dhe Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan përbëjnë një nga komplekset e zonave te mbrojtura më të mira të vendit tonë”,-shton ai.

Aleksandër Trajçe, Ekspert mjedisi, PPNEA

Ndërkaq, prof. Ferdinand Bego nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës thotë se aktualisht ekzistojnë plane që synojnë krijimin e një parku tokësor më të madh. “Për momentin Llogaraja është Park Kombëtar, ndërkohë që Karaburuni ka statusin ‘Park Natyror i Menxhuar’ dhe ne kemi kërkuar që kjo njësi gjeografike të vendoset brenda të njëjtit status dhe të unifikohet me Parkun Kombëtar Detar të Sazan-Karaburunit”,-thotë profesori.

Prof. Ferdinand Bego, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Por, ekspertët thonë se impakti nga ndërtimi i centraleve të erës në këtë zonë do të jetë i madh.

“Ndërtimi i parqeve eolike, edhe pse në pamje të parë mund të mos duket si me ndonjë një impakt madhor, ka në fakt një impakt të jashtëzakoshëm sidomos në pjesën e shpendëve. Karaburuni ndodhet në mes të kanalit të shtegtimit të Adriatikut lindor ku si në pranverë, dhe në vjeshtë aty fluturojnë me mijëra shpendë në pjesën e rrugëtimit të tyre për në jug apo për në veri, respektivisht sipas stinës së migrimit dhe vendosja e mullinjve të vazhdueshëm të erës do të përbënte një barrierë të jashtëzakoshme për këtë rrugë migrimi”, – thotë Trajçe. “Por, nuk është vetëm kaq! Që të ndërtohen ato mullinj me erë nevojitet që të zihet një sipërfaqe e caktuar toke, pra hiqen habitate natyrore dhe kthehen në habitate me ndërtime permanente solide. Që të çohen ato mullinj te kreshtat e maleve duhen hapur rrugë të reja dhe pjesa e rrugëve të reja është një impakt tjetër i jashtëzakonshëm që shkaktohet në zonë”, shton më tej ai.

Gjitahshtu, sipas ekspertit hapja e rrugëve të reja lehtëson edhe aksesin e zonës nga gjuetarët e paligjshëm të shpendëve apo prerësve ilegalë të pyjeve. “Pra, është një impakt kumulativ i jashtëzakoshëm, i cili duhet të ndodhë në zona, në të cilat ky impakt është sa më minimal. Në zona të mbrojtura nuk duhet të ndodhë një zhvillim i tillë”, – shton ai.

Por përveç këtyre impakteve negative, ekspertët paralajmërojnë krijimin e një precedenti të rrezikshëm për imazhin e energjisë së erës, që është domosdoshmëri për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë në vendin tonë.

“Energjia e erës në vetvete konsiderohet si një energji e mirë, e rinovueshme dhe ne e promovojmë fuqizimin e kësaj energjie në prodhimin e përgjithshëm të energjisë në vendin tonë. Megjithatë, duhet bërë një kujdes i jashtëzakonshëm se ku ndërtohen këto parqe. Nëse ne i vendosim mullinjtë e erës në zona të mbrojtura, ti ke rregulluar nga njëri aspekt, duke rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme, por ke prishur nga aspekti i ruajtjes së natyrës. Ndaj duhet bërë shumë kujdes se ku ndërtohen këto parqe, në mënyrë që ato gjëra që ne mund t’i promovojmë si të mira, të energjisë të erës, të mos shkaktojnë dëme në aspekte të tjera”,-thotë Trajçe. “Është vërtet për të ardhur keq dhe në mendimin tonë i gabuar dhe që përbën një precedent të rrezikshëm edhe për imazhin e energjisë së erës në vendin tonë. Nëse njerëzit fillojnë e perceptojnë energjinë e erës si rregulluese nga një aspekt, por dëmtuese të natyrës do jetë bërë një hap jashtëzakonisht i keq në imazhin publik të kësaj forme të energjisë së rinovueshme”, -shton më tej ai.

Në të njëjtën linjë është edhe prof. Bego. “S’ka dyshim që ne jemi për një diversifikim të burimeve të prodhimit të energjisë. Shëipëria ka nevojë për ta bërë një gjë të tillë, kemi dekada që flasim për një gjë të tillë dhe ka ardhur pikërisht momenti që tashmë Shqipëria të zhvillojë edhe këtë pjesë të energjisë, sikurse janë parqet eolike dhe ato diellore, me qëllim që të balancojë nga njëra anë resurset për energjinë elektrike dhe për të gjetur nga ana tjetër balancën e duhur midis asaj që themi të përdorim, të zhvillojmë dhe asaj që duam të ruajmë”, – thotë profesori. “Por, në qoftë se ata e kanë marrë vendimin dhe duan të ndërtojnë në Karaburun vërejtja ime e parë është: Po pse në Karaburun?! Sepse Karaburuni e ka një status ligjor dhe udhëzuesi parashikkon qartë që e para gjë që duhet bërë është shmangia e ndërtimit në një park të tillë pikërisht ku dëmton më shumë. Pra a është ky vendi më i përshtatshëm brenda asaj hapësire ku ne kemi plane për të ndërtuar ose për të ngritur aty një Park Kombëtar që do të njëhsohet me atë që quhet Park Kombëtar Detar Karaburun-Sazan?!”, -shton më tej prof. Bego.

Ndërkaq, ekspertët e mjedisit argumentojnë se kjo është një situatë e ngjashme me atë të ndërtimit të HEC-eve, ku investitorët shenjëstruan e më pas dëmtuan shumë zona të mbrojtura, përmës ndërtimit të këtyre veprave gjeneruese të energjisë.

“Në fakt, në gjithë Shqipërinë kemi rreth 700 hidrocentrale, të cilët praktikisht prekin çdo përrua apo çdo lumë dhe sigurisht që nuk i kanë shpëtuar edhe zonat e mbrojtura apo parqet kombëtare. Kemi rastin e Valbonës që është një nga rastet e dhimbshme për sa i përket ndikimit që HEC-et kanë patur në ekosistem. Pra, flitet për një hidrocentral brenda një Parku Kombëtar, një lumi që i jep jetë të gjithë zonës së Alpeve. Gjithashtu, kemi hidrocentralet në Parkun e Zall-Gjoçajt, Shebenik-Jabllanicë e shumë të tjera të cilët kanë një ndikim shumë të madh në mjedis, pra në këto ekosisteme që janë ekosisteme të brishta e që duhet të ruhen për unicitetin që kanë”, -thotë Guri. “Nga ana tjetër minojnë edhe potencialin për zhvillimin e turizmit në zonë. Minojnë edhe mënyrën e jetesës së banorëve të cilët e kanë lidhur jetën pranë atij lumi”, – shton më tej ajo.

Në këto kushte, ekspertët thonë se institucionet nuk duhet të bëjnë të njëjtët gabime, ndërsa nga ana tjetër duhet të zbatojnë ligjin. “Apeli është shumë i thjeshtë: Zbatoni ligjin! Ligji “Për zonat e mbrojtura” është shumë i qartë për atë çka lejon dhe atë çka nuk lejon të zhvillohet në zonat e mbrojtura”,-thotë Trajçe. “Duhet që të vendosen disa vija të kuqe dhe vija e parë e kuqe është që të mos përsërisim gabimet e mëparshme, që do të thotë jo në zonat e mbrojtura! Kjo më le të kuptoj që ende ndjeshmëria e qeverisë dhe e qeverive të mëparëshme shqiptare për mjedisin është shumë e ulët dhe ne nuk po kuptojmë ende pas kaq vitesh që të ndërtosh qoftë edhe energji të pastër nuk është se nuk ka ndikime në natyrë”, – përfundon prof. Bego.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin