Ushtaraku Abdulla Gega duhet të ishte një individ i besueshëm e me certifikatë sigurie nga shteti, por rezultoi se merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit.
I vënë në prangat e Policisë dhe lënë nga dy Shkallët e gjyqësorit në masë sigurimi “Arrest në burg”, Gega nuk ka dhënë shumë shpjegime para hetuesve.
Sipas monitorimit të qendrës “Fol”, Abdulla Gega është arrestuar mbrëmjen e 26 Majit, teksa ishte duke lëvizur me makinë në rrugën “Pjetër Arbnori”, pas informacioneve në rrugë operative se merrej me shpërndarje të kokainës në doza të vogla.
Gjatë kontrollit, Gegës i është gjetur në makinë lëndë narkotike kokainë në kutinë e një çokollate, ndërsa në banesë iu gjetën në një qese të paktimit të orizit 32.8 gramë lëndë narkotike bimore, si dhe një peshore elektronike me mbetje të lëndës narkotike të kokainës.
Prej dy muajsh, ushtaraku është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, ndërsa Gjykatat nuk kanë pranuar të zbusin masën e sigurisë me argumentin e rrezikshmërisë së veprës penale.