Bunkerizimi i bashkive, pushteti vendor fsheh të dhënat, Komisioneri mbyll sytë

Hermetik dhe jotransparent pushteti lokal iu “mbyll” dyert qytetarëve, nuk i konsulton vendimet me ta e as iu jep llogari se si i shpenzon taksat. Ndonëse PNUD dha 7.2 milionë euro për rritjen e transparencës, tre vite pas miratimit të këtij programi vetëm 3 bashki në vend e bëjnë publik çdo vendim që marrin.

Autor: Elsa Dautaj

Nuk është hera e parë që M. D., shkon në dyert e Bashkisë së Elbasanit. Lagjja, ku ai jeton, prej vitesh noton në ujëra zeza. 22-vjeçari i është drejtuar disa herë institucionit me kërkesa për pastrim, sikurse edhe me kërkesën për t’u informuar mbi projektet e bashkisë për të ndërhyrë në sistemin e kanalizimeve. Numri i kontaktit, i vënë në dispozicion të qytetarëve nga bashkia, nuk funksionon, ndaj ai është i detyruar të shkojë personalisht në godinë.

“Pusetat janë një problem i madh, në pallatin ku unë jetoj, – rrëfen ai. – Bllokohen shpejt, sidomos kur bie shi. Sa herë që më duhet t’i thërras, më duhet të shkoj në bashki, pasi numri i telefonit nuk funksionon. Në dimër duhet të shkoj çdo javë, në verë 2 ose 3 herë në muaj. Hera e fundit që kam bërë kërkesë, është më 7 maj 2021”, – rrëfen ecejaket në dyert e bashkisë 22-vjeçari.

Nëse do të zbatohej ligji, qytetari M. D., nuk ka se përse të shkojë të trokasë në derën e bashkisë, kur e gjitha duhet të ishte vetëm një telefonatë larg.

Por thuajse të gjitha bashkitë në vend “refuzojnë” t`i bëjnë publike vendimet e tyre dhe pëlqejnë t’i sorollatin qytetarët.

Ligji për “Vetëqeverisjen vendore” i detyron bashkitë të miratojnë dhe të zbatojnë programin e transparencës, duke e bërë publike veprimtarinë e fondeve dhe të punës së tyre, ligje, akte nënligjore, politika, procedura prokurimi apo plane shpenzimi.

Referuar të njëjtit ligj, organet vendore duhet të japin llogari, duke i publikuar të gjitha aktet në faqet e tyre të internetit dhe t’i vendosin ato në vende të posaçme për shpalljet publike.

Por një monitorim i Investigative Network Albania, i kryer në 61 bashki të vendit gjatë periudhës 29 mars-6 maj 2021, tregon se këto institucione janë kthyer në “bunker”. Monitorimi zbuloi se pushteti lokal nuk i informon qytetarët, nuk i konsulton projektet me ta, nuk i njofton se kur ka mbledhje të Këshillit Bashkiak dhe as e bën publike vendimmarrjen e tij, duke e bërë kështu nul ligjin për rritjen e transparencës.

Sidorela, një nënë e re, e divorcuar, e mori vesh rastësisht se Bashkia e Tiranës kishte disa programe strehimi, nga të cilat mund të përfitonte edhe ajo.

“Kur shkova në Gjendjen Civile për të bërë divorcin, aty mora vesh se ekzistonte programi i bonusit të qirasë, të cilin unë mund ta përfitoja. Faqja e Bashkisë së Tiranës është e bombarduar me aktivitete të ndryshme, kulturore apo edhe me mbjelljen e pemëve nga bashkia, por nuk e gjen asgjëkundi këtë informacion. Mua më është dashur të shkoj disa herë në zyrat e minibashkisë për të marrë vesh se çfarë dokumentesh duhet të plotësoj, ku duhet t`i plotësoj… Kështu, on-line apo me telefon nuk do të kisha mbaruar punë kurrë”, – i thotë Investigative Network Albania-s Sidorela, e cila pas dy vjet përpjekjesh tashmë është përfituese e bonusit të qerasë.

Neni 10, Ligji Nr. 119/2014 për “Vetëqeverisjen vendore”, detyron ndër të tjera çdo bashki të caktojë një koordinator për të Drejtën e Informimit, me qëllim qasjen e qytetarëve drejt informacionit publik, duke synuar kështu rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së bashkive drejt taksapagueseve, por, nëse i mban shpresat te ligji, atëherë vështirë se do të mund të zgjidhësh punë. (https://drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/08/Ligj_119_2014_18.09.2014.pdf )

Transparenca, vetëm 3 bashki e zbatojnë

Është pikërisht neni 15 i Ligjit 139/2015 për “Transparencën e veprimtarisë së njësive të vetëqeverisjes vendore” që i detyron bashkitë të miratojnë dhe të zbatojnë Programin e Transparencës, duke e bërë publike veprimtarinë e fondeve dhe të punës së tyre.

Në të njëjtën kohë, urdhri i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale detyron bashkitë që programi i dedikuar i transparencës të publikohet në faqen zyrtare të bashkisë dhe të jetë i plotësuar në çdo pikë të tij me informacionin përkatës. Po ashtu, ligji parashikon që programi i transparencës të rishikohet çdo 5 vjet.

Tre vjet nga miratimi, rezulton se ky urdhër zbatohet nga vetëm tri bashki, Dropull, Shkodër dhe Lezhë. 48 bashki, mes tyre dhe bashkia më e madhe, ajo e Tiranës, nuk e kanë nisur zbatimin e programit dhe 5 bashki vazhdojnë të mos e kenë të publikuar në website as si format programin e transparencës. Bashkitë, që nuk e kishin zbatuar programin e transparencës për vitin 2020 dhe 2021, kanë shumë problematika në arritjen e informacionit si: linqe që nuk aksesohen, vetëm publikim i programit dhe jo zbatimi i tij, dhe informacione të paplotësuara.

Me gjithë numrin e lartë të bashkive që nuk kanë respektuar detyrimin ligjor për transparencën, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është treguar i mefshtë me masat ndëshkuese.

“Zyra e Komisionerit ka dhënë 3 vendime me sanksion gjobë, konkretisht Bashkia Ura Vajgurore; Bashkia Rrogozhinë dhe Bashkia Bulqizë”, – i sqaron INA MEDIA-s, në përgjigjen zyrtare Komisioneri.

Referuar ligjit “Për të drejtën e informimit” mosvënia në zbatim e Programit të Transparencës brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të nenit 4 të këtij ligji dënohet me 50.000-100.000 lekë.

Pavarësisht gjobës, të dhënat tregojnë se këto bashki kanë vijuar me publikimin e programit, por jo me zbatimin e tij, të plotë.

Por, ndërsa institucionet “përtojnë” të respektojnë ligjin për transparencën, paradoksalisht, për të rritur transparencën e bashkive, donatorët kanë harxhuar miliona euro.

Për periudhën korrik 2016-mars 2020 UNDP dha përmes programit STAR 2 plot 7.2 milionë euro për mbështetjen e bashkive në rritjen e transparencës dhe sistemimin e arkivave.

“Një program për ndërtimin e kapaciteteve për miratimin dhe zbatimin e Programit Standard të Transparencës u zhvillua dhe iu dorëzua 122 zyrtarëve lokalë nga 61 bashki. Kurrikulat e trajnimit janë hartuar në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, partnerët e projektit dhe stafi i trajnuar për secilën bashki janë certifikuar nga ASPA (Shkolla e Administratës Publike)”, – shpjegon Silva Malaj, lidere në implementimin e programit STAR2.

Për ekspertët, transparenca e cunguar i ka rrënjët te mungesa e një vullneti politik..

“Kjo është çështje e vullnetit politik më shumë sesa aftësi e punonjësve”, – thotë Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv për Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë.

Bashkitë “fshehin” të dhënat se si i shpenzojnë taksat e qytetarëve

Publikimi i buxhetit të njësive të qeverisjes vendore është një nga elementet kryesore për transparencë, por bashkitë e fshehin mënyrën se si kanë vendosur t`i shpenzojnë taksat e mbledhura nga qytetarët.

Nga monitorimi i kryer rezulton që vetëm 22 bashki e kanë publikuar buxhetin për vitin 2021 në website-n e tyre; 38 bashki nuk e kanë publikuar dhe 1 bashki nuk ka website.

Info mbi publikimin e buxheteve bashkiake

Sipas ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 18, pika 3, çdo vendim i Këshillit Bashkiak duhet të jetë i publikuar në faqen zyrtare të bashkisë.

Edhe pse jemi në muajin korrik 2021, në platformën e krijuar për të publikuar të gjitha vendimet e bashkive, Vendime.al, rezultojnë vendimet e 2 viteve më parë. Publikimi i vendimeve si çdo element tjetër i monitoruar ka shumë problematika. Vendimet nuk kanë një koherencë të caktuar, kur publikohen, pasi rezulton që vendimet e vitit 2020 janë të publikuara në vitin 2021 ose vendimet më të fundit i përkasin vitit 2019. Për vitin 2021 rezulton se 7 bashki i kanë publikuar vendimet deri në prill 2021; 26 bashki nuk kanë asnjë vendim të publikuar; 28 bashki i kanë të publikuara pjesërisht, që do të thotë deri në një muaj të caktuar, jo deri në prill dhe 4 bashki vendimet e fundit i kanë të vitit 2019 dhe 1 bashki të vitit 2018.

Info mbi publikimin e VKB në website-t përkatëse

Në rregulloren e funksionimit të Këshillit Bashkiak, Neni 13, pika 4, thuhet se: “Thirrja për mbledhjen e Këshillit bëhet nga kryetari i Këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet si rregull jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës”.

Pasqyrimi i njoftimeve për mbledhjet e Këshillit Bashkiak

Të dhënat tregojnë se informimi për mbledhjet e Këshillit në website pothuajse nuk ndodh, duke nisur që me Bashkinë e Tiranës dhe duke pasuar edhe me qytetet e tjera.

Për vitin 2021, 13 bashki i kanë njoftuar qytetarët për mbledhjet e Këshillit Bashkiak; 44 bashki nuk kanë njoftuar dhe 3 bashki i kanë të publikuara pjesërisht njoftimet për mbledhjet e Këshillit Bashkiak, që do të thotë deri në një muaj të caktuar, jo për të gjithë muajt e vitit.

Një raport i IDM konstaton se njoftimet e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak janë të plota vetëm në bashkitë Durrës, Lezhë dhe Fier, ndërsa në të gjitha bashkitë e tjera ky informacion mungon ose është i paplotë.

“Mosinformimi për mbledhjet e Këshillit është shkelje e ligjit. Ka nevojë për transparencë të përmirësuar në proceset e vendimmarrjes lokale. Kjo do të garantonte pjesëmarrjen e publikut në këto procese, do të rriste ndërveprimin ndërmjet qeverisjes vendore dhe qytetarëve dhe në fund fare do të ndikonte në besueshmërinë e publikut të qeverisja vendore”, – shprehet Evelina Azizaj, menaxhere programi për Qeverisjen Lokale dhe Zhvillimin e Integruar në IDM.

Njoftimet për mbledhje e Këshillit Bashkiak

Gert Bogdani, i cili ka drejtuar për dy vite Njësinë Administrative nr. 10 dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, nënvizon se fshehja e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak është shkelje flagrante e ligjit.

“Kostoja e kësaj “fshehjeje” në radhë të parë është shkelja flagrante e ligjit. Në radhë të dytë është pa diskutim mungesa e transparencës, e cila për rrjedhojë sjell mungesë mirëqeverisjeje dhe vendime, jo në shërbim të publikut, por në dëm të publikut; kosto këto, të cilat në fund të ditës rëndojnë dhe vështirësojnë jetën e qytetarit”, – thotë ai.

I tillë, sipas tij, ishte edhe vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Tiranës për heqjen e aboneve të përgjithshme për një periudhë tremujore. Ai konsideron se ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme, pa asnjë konsultim me publikun dhe pa patur parasysh dëmin ekonomik që i shkakton qytetarëve që ishin përdorues të këtij shërbimi.

“Kosto mujore e një qytetar/i/eje pas vendimit të Bashkisë së Tiranës është minimalisht 3,200 lekë në muaj për të përdorur transportin publik, përkundrejt 1,600 lekëve që është çmimi i abonesë së përgjithshme. Mungesa e transparencës është hapi i parë drejt mosqeverisjes së mirë. Nëse do të kishte transparencë në këtë vendimmarrje dhe konsultim me publikun e gjerë, mund të ishin gjetur zgjidhje të tjera, të cilat nuk do ta rëndonin qytetarin”, – shprehet Bogdani.

Alo, bashkia ime…

Email-i, telefoni ose koordinatori për të Drejtën e Informimit janë tri rrugët që lidhin qytetarin me bashkinë. Investigative Network Albania kontaktoi 61 bashkitë nëpërmjet email-it të koordinatorit për të Drejtën e Informimit dhe numrit të telefonit të bashkisë, të vendosur në website.

Sipas këtij monitorimi, rezulton se 32 bashki kanë një numër telefoni zyrtar, dedikuar bashkisë dhe 28 bashki nuk kanë një numër telefoni zyrtar. Bashkitë që kanë një numër telefoni, u kontaktuan për dy ditë me radhë dhe rezulton se: 18 numra nuk ekzistonin, nuk ishin të saktë ose ishin jashtë shërbimit;

8 numra u përgjigjen; 6 numra, edhe pse u kontaktuan për 2 ditë, nuk u përgjigjën.

Të 61 bashkive, nëpërmjet email-it zyrtar të bashkisë dhe email-it të koordinatorit për të Drejtën e Informimit, iu dërgua një kërkesë për informacion dhe rezultoi: 21 bashki u përgjigjën brenda afatit kohor, 10 ditë; 4 bashki u përgjigjën jashtë afatit kohor; 30 bashki nuk u përgjigjën; 6 bashki nuk kanë një adresë zyrtare email-i; 6 bashki adresën zyrtare të email-it e kanë gabim; 2 email-e të koordinatorëve për të Drejtën e Informimit janë të pasaktë dhe 11 bashki nuk kanë një koordinator për të Drejtën e Informimit. Edhe numrat e celularit dhe email-i i koordinatorit për të Drejtën e Informimit rezulton i paaksesueshëm për një seri bashkish.

Mundësia e komunikimit me telefon me zyrat e bashkive

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bën me dije se, “Vendosja e të dhënave të koordinatorit për të Drejtën e Informimit, së bashku me numrin e telefonit dhe adresën e email-it, ashtu si dhe kontaktet e Autoritetit Publik, janë pjesë e informacionit proaktiv që duhet të publikohet në Programin e Transparencës nga ana e Autoritetit Publik. Ligji nr. 119/2014 nuk parashikon sanksione për ato raste kur nuk është publikuar informacioni mbi koordinatorin për të Drejtën për Informim”.

Mungesa e transparencës për qytetarët, sidomos për bashkitë e vogla, ngrihet si shqetësim serioz edhe nga vetë Shoqatat e Bashkive të Shqipërisë.

“Nuk mendoj se ne sot kemi transparencë të mjaftueshme. Vihet re mungesë kulture për të komunikuar dhe për të bërë transparencë me rregulla dhe standarde, edhe pse kohët e fundit ka një progres në këtë drejtim. Transparenca është qëllim, strategji e mekanizëm për t`iu treguar të vërtetën taksapaguesve”, – thotë për Investigative Network Albania Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

“Vihet re mungesë e gjetjes së rrugëve të duhura dhe efektive për të informuar publikun rreth shërbimeve, planeve edhe projekteve bashkiake, si dhe për të përfshirë më tej qytetarët në vendimmarrjen e qeverisë vendore”, – deklaron Adelina Farrici, drejtuesja e Shoqatës për Autonominë Vendore. Megjithatë, ajo shton se “në krahasim me vitet e kaluara ka një përmirësim të transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore”.

Transparenca, që ka të bëjnë me projektet se si do të zhvillohet qyteti, ka sjellë shpesh konflikte të ashpra mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Të mbuluara me mjegullnajë, këto projekte kalojnë mes procedurave të dyshimta, sidomos kur bëhet fjalë për konsultime me publikun. Ato bëhen të qarta për syrin e opinionit, vetëm kur nis zbatimi.

Sipas Flamur Kuçit, ekspert në fushën e urbanistikës, kuadri ligjor e detyron pushtetin vendor që të sigurojë një transparencë konstante përgjatë gjithë procesit të planifikimit dhe në çdo fazë të tij presupozohet që publiku të jetë i informuar.

“Çdo vonesë në këtë drejtim krijon efekte në terren, padrejtësi të mundshme dhe për rrjedhojë keqqeverisje. Publiku, jo vetëm duhet informuar, por duhet konsultuar, në mënyrë që vendimmarrja të jetë në përputhje me objektivat dhe aspiratat e komunitetit, si dhe për të krijuar një barazi të mundësive për zhvillim të të gjithë qytetarëve”, – thotë Flamur Kuçi, i cili ka rezerva për transparencën që shoqëron këtë sektor me ndjeshmëri të lartë.

Programet e transparencës të publikuara në website të bashkive në rang vendi

Në faqen e parë të bashkive mund të aksesohen lehtësisht lajmet propagandistike, por programin e transparencës është shumë e vështirë ta gjesh.

Thuajse të gjitha bashkitë ndjekin të njëjtën strategji, duke e “fshehur” programin e transparencës në një segment thuajse të padukshëm.

Vështirësi për të gjetur programin e transparencës

Nevoja për të zbatuar parashikimet ligjore pranohet edhe nga Saimir Plaku, drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. “Puna vazhdon në drejtim të zbatimit të planit të masave të transparencës vendore, po ashtu edhe për koordinimin ndërinstitucional apo midis pushteteve qendrore dhe atij vendor”, – shprehet ai.

Kuadri ligjor, sikurse evidentohet, si nga përfaqësuesit e shoqatave të bashkive, institucionet shtetërore, por edhe organizata të shoqërisë civile, i mundëson pushtetit vendor të hedhë dritë mbi aktivitetin e tij. Bashkitë, me sa duket, kanë zgjedhur të jenë “derë e kyçur e informacionit” dhe kjo arriti kulmin veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë Covid19.

Në kushtet kur transparenca është minimale, edhe pse kuadri ligjor është i plotësuar, ekspertët mendojnë se ngërçi qëndron në mënyrën se si ai zbatohet.

“Ligjet janë për t`i bërë institucionet sa më funksionale, por, nëse nuk japin rezultat, sigurisht duhen riparë”, – thekson Agron Haxhimali nga shoqata e bashkive.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin