Prokuroria e Posaçme hetoi për një vit kreun e Bashkisë Lushnjë nën dyshimin e “Korrupsionit”, “Shkeljes së barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, duke i ngritur akuzë vetëm për këtë të fundit. Fatos Tushe u arrestua bashkë me 4 zyrtarë mëngjesin e kësaj të marte, ndërsa në “Arrest shtëpie” do të qëndrojnë 4 punonjës të tjerë të Bashkisë të akuzuar të gjithë për “Shkelje të barazisë në tenderë”.
Dyshohet se zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës, Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Blerta Turku dhe 4 zyrtarë të tjerë, të gjithë pranë Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, kanë shpallur fitues të tenderit një kompani për rehabilitimin e një kanali ujitës në kundërshtim me parashikimet ligjore, pasi nuk plotesonte kriteret.
Ndërkohë administratori i kompanisë fituese Bujar Murati, dyshohet se ka falsifikuar dokumente në funksion të fitimit të tenderit.
Tenderi kapte vlerën e 24 milionë lekëve, ndërsa fituese dyshohet se është shpallur kompania me ofertën më të lartë për kryerjen e punimeve. SPAK me anë të një komunikimi zyrtar tha se gjatë hetimeve për këtë dosje, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi që konsistojnë në përgjime dhe vëzhgime.