Një nga krimet më të shpeshta me të cilat hasen autoritetet tona janë ato në fushën e narkotikëve. Pothuajse përditë, në Tiranë, ka persona të arrestuar e proceduar në gjendje të lirë që kapen me sasi të ndryshme të lëndës narkotike.
Por çfarë ndodh me këta persona?! Sipas një monitorimi 6-mujor të qendrës “Fol”, 51% të referimeve në Prokurori përfundojnë me mosfillim hetimi.
“Ndaj 327 rasteve ose 51% organi procedues ka përmbyllur fazën e hetimeve paraprake duke marrë vendim mosfillimi të procedimit penal, ndërkohë që vendim për pushimin e çështjes ose akuzës rezulton të jetë disponuar vetëm në 2 raste”, shkruhet në raportin e monitorimit.
Sipas të njëjtit raport, në 6 muajt e fundit, në kryeqytet janë proceduar penalisht dhe janë kapur me lëndë narkotike apo duke kultivuar, 640 persona. Pjesa më e madhe, konkretisht 449 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në disa raste, veprat penale që lidhen me drogat janë të kryera në formën e grupit kriminal. “Nga 640 raste të proceduara penalisht rezulton se 19 raste ose rreth 3% janë hetuar, proceduar dhe gjykuar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Në mbi dhjetra raste, format e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike, apo edhe e kultivimit të saj, shoqërohen me rrethana rënduese, duke çuar në burg 191 persona, të cilët shpesh janë edhe përsëritës të veprës penale.