Hetimi i drogës, më shumë se gjysma e të dyshuarve nuk shohin derën e Gjykatës

Një nga krimet më të shpeshta me të cilat hasen autoritetet tona janë ato në fushën e narkotikëve. Pothuajse përditë, në Tiranë, ka persona të arrestuar e proceduar në gjendje të lirë që kapen me sasi të ndryshme të lëndës narkotike.

Por çfarë  ndodh me këta persona?! Sipas një monitorimi 6-mujor të qendrës “Fol”, 51% të referimeve në Prokurori përfundojnë me mosfillim hetimi.

“Ndaj 327 rasteve ose 51% organi procedues ka përmbyllur fazën e hetimeve paraprake duke marrë vendim mosfillimi të procedimit penal, ndërkohë që vendim për pushimin e çështjes ose akuzës rezulton të jetë disponuar vetëm në 2 raste”, shkruhet në raportin e monitorimit.

Sipas të njëjtit raport, në 6 muajt e fundit, në kryeqytet janë proceduar penalisht dhe janë kapur me lëndë narkotike apo duke kultivuar, 640 persona. Pjesa më e madhe, konkretisht  449 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

 

Në disa raste, veprat penale që lidhen me drogat janë të kryera në formën e grupit kriminal. “Nga 640 raste të proceduara penalisht rezulton se 19 raste ose rreth 3% janë hetuar, proceduar dhe gjykuar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Në mbi dhjetra raste, format e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike, apo edhe e kultivimit të saj, shoqërohen me rrethana rënduese, duke çuar në burg 191 persona, të cilët shpesh janë edhe përsëritës të veprës penale.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin