Autor: Zylyftar Bregu
Bashkia e Tiranës po përdor pa efikasitet taksën e përkohshme të arsimit. Vetëm në tre vitet e para të aplikimit të saj, 2016-2018, bashkia e Tiranës ka arkëtuar rreth 2 mld lekë. Pavarësisht se i kishte paratë zgjodhi të mos i ndërtojë vetë, por t’i japë me koncension. Duke rrritur në mënyrë artificiale barrën fiskale që duhet ta paguajnë qytetarët dhe rritur dyshimet se po keqpërdor taksën e arsimit.
Ndërtimi i shkollave të reja, premtimi i pambajtur i bashkisë. Po keqmenaxhon taksën e arsimit, i kishte lekët kur nisi ndërtimin, por zgjodhi t’i japë me PPP
Kur po mbyllet viti i dytë i mandatit të dytë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj nuk ka përmbushur ende njërin nga premtimet më të rëndësishme që do të realizonte brenda mandatit të parë; ndërtimin e 17 shkollave të reja për ciklin parauniversitar.
Madje, në mes të mandatit të dytë të qeverisjes së kryeqytetit, Erjon Veliaj pranon se ka nisur vetëm gjysmën e shkollave të premtuara.
“Ju bëjmë me dije se kanë nisur 9 shkolla, ku 5 prej tyre janë drejt përfundimit, 4 shkollat e tjera do të mbyllen brenda vitit 2021 si dhe tetë shkollat e tjera janë në fazë prokurimi”, – shkruan Bashkia e Tiranës në përgjigjen e pjessshme që i bëri kërkesës për informacion nga ana jonë, mbi problemet e shumta që kanë shënuar këtë proces.
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në mbledhjen e zhvilluar ditën e fundit të vitit 2015, me vendimin nr.59, datë 30.12.2015 shtoi për qytetarët dhe bizneset e të gjitha formave në Tiranë, atë që quhet taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Argumenti ishte i fortë: Për të zgjidhur përfundimisht problemin e mësimit me dy turne si dhe të mbingarkesës me nxënës nëpër klasa.
Deri tani, Bashkia e Tiranës pranon se janë grumbullur më shumë se 3 miliard lekë nga kjo taksë. Por, është e pashpjegueshme pse për ndërtimin e shkollave është ndjekur forma e koncesionit PPP, duke detyruar qytetarët e Tiranës të paguajnë edhe interesin prej 6.28 përqind për koncesionarin që ka zgjedhur bashkia për të ndërtuar e mirëmbajtur shkollat. Kjo përqindje interesi konsiderohet nga ekspertët bankarë si shumë e madhe në raport me interesat që përdor banka për klientët e zakonshëm. Vetëm pagesat e interesit llogaritet të jenë rreth 10 milionë dollarë në shtatë vitet që bashkia ka parashikuar të shlyejë detyrimin ndaj koncesionarit (ndërtuesit dhe mirëmbajtësit të shkollave).
Premtimi mandatin e parë, fillimi i punës, mandatin e dytë
Shmangia e mësimit me dy turne dhe lehtësimi i klasave nga mbingarkesa e nxënësve ishte një nga elementët më të rëndësishëm të programit politik 2015-2019 të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Thuajse në çdo takim me banorët e Tiranës ai premtonte se do të ndërtonte 17 shkolla, nga të cilat 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. Numri i shkollave për t’u ndërtuar duket se ishte rezultat i “fotografimit” të situatës dhe gjendjes së arsimit parauniversitar në Bashkina e Tiranës, veçanërisht në qytetin e Tiranës.
Në një dokument të hartuar nga Bashkia e Tiranës në nëntor të vitit 2016, situata duket problematike dhe me pasoja të rënda për cilësinë dhe efikasitetin e shkollës.
“Nga llogaritjet e bëra për këtë studim fizibiliteti rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal, nga të cilat 10 janë të mesme të veçanta, 2 janë të mesme të bashkuara dhe 49 janë 9-vjecare. 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne, nga të cilat 3 të mesme të veçanta, 3 të mesme të bashkuara, 1 cikël i ulët dhe 50 shkolla 9-vjeçare. Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14 292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14 919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë”, shkruhet në dokumentin e studimit të fizibilitetit të infrastrukturës arsimore në Tiranë.
Po, në këtë dokument, shkruhet se është vërtetuar nga studime të ndryshme se zhvillimi i mësimit me dy turne është burim i një sërë problemesh, si: përqëndrimi i dobët i fëmijëve gjatë mësimit të zhvilluar në oraret e pasdites; Mundësia e limituar e prindërve për të shoqëruar fëmijët nëpër shkolla për shkak të përplasjes me oraret e punës; mbipërdorimi i shkollave dhe amortizimi i shpejtë i tyre etj,.
Në studimin e fizibilitetit ishin llogaritur edhe nevojat e Bashkisë së Tiranës për godinat e shkollave, sipas të cilit duheshin 10 shkolla nëntëvjeçare dhe 7 të mesme.
“Me ndërtimin e këtyre shkollave të reja, në Tiranë nuk do të ketë më shkolla të mbushura mbi kapacitetin e tyre normal apo shkolla që e zhvillojnë mësimin me dy turne”, shkruhej në dokumentin me titull “Përmirësimi i infrasrtukturave arsimore në Bashkinë Tiranë”, të nëntorit 2016.
Por, edhe pse Bashkia në pamje të parë nuk kishte asnjë pengesë për realizimin e këtij projekti, fillimi i ndërtimit të shkollave është vonuar plot katër vite.
Në 20 maj 2019, vetëm 40 ditë para përfundimit të mandatit të parë, dhe zgjedhjeve të 30 qershorit për pushtetin lokal, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj preu shiritin e fillimit të punimeve në kantierin e parë të ndërtimit të kompleksit arsimor në Don Bosko, ku është parashikuar ndërtimit i një kopështi, shkollës nëntëvjeçare “Vaçe Zela” dhe shkollës së mesme “Kristo Frashëri”.
Mbështetur në supin e deputetit socialist Ulsi Manja e në krah të ministres së arsimit, Besa Shahini, Erion Veliaj edhe pse thotë se në 30 qershor duhet të japë llogari për punët që ka bërë, nuk thotë asnjë fjalë për premtimin më të bujshëm të mandatit të tij të parë, ndërtimin e 17 shkollave.
Kontrata mes Bashkisë së Tiranës dhe koncesionarit për ndërtimin e këtyre dy shkollave është 18 muaj nga nisja e punës në terren. Nëse marrin në konsideratë që puna në terren ka nisur në 1 maj të vitit 2019, shkollat duhet të ishte gati në tetor të vitit 2020.
Mirëpo, në prill të vitit 2020, pra, 11 muaj më vonë, Erjon Veliaj shkon sërish në kantierin “Don Bosko”, tek shkolla “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Por, kësaj here, bashkë me kryeministrin Edi Rama, Në këtë vizitë, Erjon Veliaj premton se shkollat do të mbarojnë në 31 dhjetor 2020. Pak më pas, kryeministri Edi Rama pyet inxhinierin që e shoqëron, nëse shkollat do të mbarojnë në 31 dhjetor dhe inxhinieri përgjigjet. “Besoj se po”.
Pesë muaj më vonë, në 19 shtator të vitit 2020, Erion Veliaj bën inspektimin e radhës në të njëjtin kantier, atë të ndërtimin të shkollave “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Sapo shkel në kantier, Veliaj i entiziazmuar thotë: “Ej, po ju paskeni bërë namin. E pabesueshme. Ej, po ne këtu e kapim simestrin e dytë”, dhe jep direktivat për të koordinuar komunikimin me Drejtorinë Arsimore për të rekrutuar mësuesit e për të bërë listën e nxënësve që do të transferohen në këtë shkollë. Përballë entuziazmit të kryetarit të bashkisë, asnjë nga të pranishmit (të cilët vështirë të identifikohen për shkak të maskave) nuk i kujton afatet e parashikuara për punët e shumta deri në përfundimin e plotë.
Mirëpo në mars të vitit 2021, gjatë një vizite në terren, inxhinieri që drejton punimet për ndërtimin e këtyre dy shkollave na tregon se faza ndërtimore e godinës do të mbyllet në datën 30 prill. Koha nga prilli deri në gusht do të përdoret për të vendosur nëpër klasa bazën materiale. “Shkolla do të jetë gati në 1 shtator 2021”, – thotë drejtuesi i punimeve që nuk ka dëshirë të tregojë emrin.
Ai këmbëngul se punimet janë brenda afatit të parashikuar. Madje, kur i kujtojmë se afati në tabelë shënon 18 muaj, nxiton të “kapë mat” duke thënë se në tabelë nuk është koha e fillimit. Inxhinieri thotë se punimet janë vonuar se Bashkia ka pasur procese gjyqësore me pronarët e truallit. Por, kryetari i bashkisë së Tiranës, në vizitën e tij në 19 shtator në këtë kantier thotë se ky ishte një nga ato kantierët që nuk kemi pasur sherr, se ka qenë toka e Bashkisë.
Krahasuar me situatën te kantieri “Don Bosko”, ku do të ndërtohen shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, në kantierin tjetër në hyrje të Universitetit Bujqësor të Tiranës, punimet për ndërtimin e shkollave “Nënë Tereza” dhe “Kenedi”, janë më mbrapa. Edhe në këtë kantier do të ndërtohen së bashku, një kopësht, një shkollë nëntë vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Edhe në këtë kantier, njëlloj si tek “Don Bosko” investitori, është kujdesur që në tabelë të mos shënojë afatin e fillimit dhe mbarimit të punimeve. Ka shënuar vetëm koha e ndërtimit që është sërish 18 muaj. Por, për afatin e fillimit na ndihmojnë kronikat televizive të kohës. Në 5 prill të vitit 2019, studentët e universitetit Bujqësor të Kamzës dolën në protestë, pikërisht disa ditë pas rrethitmit të zonës ku do të ndërtohej shkolla. Llogaritë tregojnë se edhe kjo shkollë duhet të ishte gati më së paku në dhjetor të vitit 2020.
Mirëpo gjatë vëshgimi që në patëm në kantier, drejtuesit e punimeve në këtë shkollë nuk pranojnë të na takojnë. Nëpërmjet telefonit pretendojnë se punimet janë brenda afateve kontraktuale me Bashkinë, ndërsa premtojnë se shkolla do të jetë gati në shtator të këtij viti.
Shumë më pas janë punimet në tre kantierët e radhës. I treti për nga zhvillimi i punimeve është kantieri për shkollën “Andrea Stefani”, që ndodhet në afërsi të rreth rrotullimit “Shqiponja” në Tiranë. Gjatë inspektimit që kryetari i bashkisë bëri 14 gusht të vitit 2020, tha se shkolla do të ishte gati simestrin e dytë të vitit akademik 2020-2021. Por, gjatë vëzhgimit në terren, edhe këtu premtojnë se shkolla do të jetë gati në fillim të vitit akademik 2021-2022.
Në faqen zyrtare të projektuesit të përbashkët të këtyre tre kompleksve arsimore që është arkitekti italian Stefano Boeri, shkruhet se tek kompleksi arsimor afër “Shqiponjës”, veç shkollës “Andrea Stefani” do të ketë edhe një shkollë të mesme. Por, punëtorët aty thonë se janë duke ndërtuar vetëm shkollë nëntë vjeçare dhe kopësht.
Kantieri i radhës, është ai tek rruga 5 maji, ose njësia 8. Me një sipërfaqe të bollshme, anash një lulishteje atje do të ndërtohen sërish kopësht, shkollë nëntëvjeçare dhe shkollë e mesme. Sapo është mbyllur karabinaja për katin e parë. Madje në një pjesë të sipërfaqes, ende nuk janë mbushur kollonat mbajtëse me beton.
Në kantierin e katërt që ndodhet ngjitur me godinën numër 25 dhe 26 të vajzave në Qytetin Studenti, investitori që është kompania e njohur “Fusha” është duke pastruar zonën. Në këtë sipërfaqe ka qenë e vendosur kaldaja e qytetit “Studenti” dhe pastrimi kërkon kohë. Aty do të ndërtohet vetëm një kopësht dhe një shkollë nëntëvjeçare, e cila do të mbajë emrin “Bashkim Fino”, emër që ja vendosi Erion Veliaj, vetëm dy ditë pasi ndërroi jetë ish-kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, politikani socialist Bashkim Fino.
Pra, në total janë duke u ndërtuar vetëm tetë shkolla, jo nëntë që thotë Bashkia. Me sa duket Bashkia llogarit edhe shkollën tek ish-reparti ushtarak (ish-shërbimi informative i ushtrisë) ku aktualisht është Policia Bashkiake e Tiranës. Por, në datën 30 mars të këtij viti, në të ishte ende Policia Bashkiake. Pra, punimet ende nuk kanë nisur.
Duket se kjo situatë ka lënë në gjendjen e infrastrukturës arsimore në Tiranë, ashtu siç ishte para gjashtë vitesh, kur Erion Veliaj kërkonte të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Në dokumentin e Bashkisë së Tiranës të hartuar në vitin 2016 shkruhet se 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne nga të cilat 3 të mesme te vecanta, 3 të mesme të bashkuara, 1 cikël i ulët dhe 50 shkolla 9-vjecare.
Pesë vjet më pas, duket se situata ka ndryshuar shumë pak.
Ministria e Arsimit në përgjigje të kërkesës sonë, njofton se numri i shkollave në Tirane që zhvillojnë mësimin me turne për efekt të mungesës së ambienteve mësimore apo për efekt të transferimit për shkak të pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019 është si më poshtë; 41 shkolla 9- vjeçare publike; 6 shkolla të mesme gjimnaze publike. Pra, në total 47 shkolla. Vetëm në dhjetë prej shkollave të kryeqytetit që zhvillonin mësimin me dy turne, ky proces është normalizuar.
Në fakt Bashkia e Tiranës ka pranuar ofertat për të 17 shkollat e parashikuara, të ndara në katër lote. Por, për dy prej tyre nuk ka vlerësuarofertat e paraqitura. Kjo është një nga problemet që për tetë shkolla, punimet të mos kenë nisur fare.
Edhe taksë për ndërtimin e shkollës, edhe interes për ndërtuesit e tyre
Myslimi është 52 vjeç. Përveç kontratës familjare me ujësjellësin ai ka edhe dy mjedise të vogla shërbimi që i ka dhënë me qera, dhe një mjedis tjetër ku punon me bashkëshorten. Të gjitha me statusin biznes i vogël. Pavarësisht se nuk ka fëmijë, Myslimi paguan çdo vit, që nga 2016-ta rreth më shumë se 100 Euro (138 mijë lekë të vjetra) për Taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore të vendosur nga Bashkia e Tiranës. Për herë të parë kjo taksë u vendos në vitin 2016. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e fundit të vitit 2015, Këshilli Bashkiak i Tiranës me vendimin nr.59, datë 30.12.2015 ka miratuar sistemin e taksave dhe tarifave vendore për qytetin e Tiranës. Sipas këtij vendimi taksa që do të ishte në fuqi për një periudhë prej 7 vitesh e që përfshinte jo vetëm familjarët, por edhe bizneset, kishte këtë përshkallëzim:
Bashkia në dokumentat që argumentonte vendosjen e kësaj takse kishte bërë edhe parashikimet për tre vitet e para. Këto parashikime kanë qenë shumë afër realitetit. Në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, Bashkia deklaron se përgjatë pesë viteve të para të kësaj takse janë mbledhur më shumë se 3 miliard lekë.
Ndërkohë që për koncesionin e parë, që parashikonte ndërtimin e pesë objekteve arsimore në zonën Tirana 1, shuma e kontraktuar është 1.793.353.970 ( një miliard e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë) lekë pa TVSH.
Pra, siç shihet Bashkia i ka pasur lekët ende pa nisur ndërtimi i godinave arsimore.
Pavarësisht situatës së shëndetshme ekonomike, Bashkia ka pëlqyer të shlyejë investitorin me këste duke i llogaritur atij një interes vjetor prej 6.28 përqind. Këtë praktikë, këtë procedurë, e ka denoncuar publikisht Partia Demokratike. “Interesi që bashkia e Tiranës ju ka premtuar klientëve të vetë është 6.28 përqind, sa gjashtëfisishi që Bashkia e Tiranës do të paguante po të merrte vetë kredi bankare. Pra, ne do të paguajmë 14 milion dollarë pagesë shtesë”, është shprehur përfaqësuesi i kësaj force politike.
Sipas formulës së propozuar nga Bashkia, pra që shlyerja e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së shkollave për shtatë vjet, do të nisë të bëhët menjëherë sapo shkolla të nisë nga funksionimi e për një kohë prej 7 vitesh (aq sa është koha e mirëmbajtjes së këtyre shkollave) me një interes prej 6.28 përqind të shumës së mbetur, shifra që Bashkia duhet tu paguajë koncesioniarëve, e llogaritur nga një specialiste Bankare është e njëjtë me atë që ka denoncuar Partia Demokratike, 14 milionë dollar (me kursin aktual). Nëse marrim në konsideratë kostot me të cilat janë dhënë shkollat aktuale sipas formulës PPP, rezulton se me shumën e lekëve që do të paguhen interesa mund të ndërtohet më se paku edhe një shkollë e mesme dhe një shkollë nëntëvjeçare.