Bilanci negativ i moratoriumit të gjuetisë, në 7 vite armët u shkrepën më shumë mbi kafshët

Autor: Maringlen Mërtiri

Drejt zhdukjes kafshët dhe shpendët autoktonë, vetëm vitin e fundit u shitën 150 mijë fishekë 

Maratoriumi i gjuetisë, po shkon drejt mbylljes me një bilanc negativ. Me dhjetra kafshë endemike rrezikojnë zhdukjen, ndërsa një pjesë të tyre i gjen edhe në menutë e restoranteve. Gjatë kësaj ndalese ligjore u regjistruan edhe tre viktima në radhët e gjuetarëve të paligjshëm, ndërsa ka vijuar të importohen rregullisht armë e të shiten fishekë.  Ekspertët janë të paqartë se si do të zhvillohet gjuetia, pas përfundimit të moratoriumit, në muajin qershor.

Hasan Basha prej 27 nëntorit të 2020 po kërkon drejtësi për djalin e vrarë. 22-vjeçari Elidon Basha punonte çdo ditë në minierë, ndërsa fundjavave shkonte për gjah me shokun e tij, Klodian Kolën në Malin e Bardhë në Fushë-Bulqizë, edhe pse zyrtarisht Shqipëria ndodhet në moratorium. Aksidentalisht, gjatë rrugës për në mal, ai u qëllua nga shoku i tij me armë automatike dhe humbi jetën.

“Me Klodianin, thoshte, jemi shokë dhe dilnin bashkë të dy. Armë nuk kishte me vete. E pyesja “a ka leje Klodiani për armën e gjahut?”  “Ka” më thoshte. Unë e di se kishte armë gjahu, por djali më është vrarë me armë automatike.” – thotë Hasan Basha

Largësia nga fshati dhe nata ishin në disfavor të 22-vjeçarit Basha. Ai nuk mundi t’i mbijetonte plagës së marrë në krahë nga arma automatike. Klodian Kola, i tronditur nga ngjarja dha disa versione për vrasjen, derisa vendosi të flasë të vërtetën përfundimisht para prokurorit.

“Unë kam pasur armën e gjahut në krah ndërsa Elidoni ka patur një automatik krah-qafë.  Pasi zbritëm nga motori, kemi parë një lepur që kaloi. Elidoni lëshoi armën automatike në tokë, e cila ka qenë e mbushur dhe më mori mua çiften për të qëlluar lepurin. Unë u ula dhe mora automatikun në dorë dhe pa dashje kam shkela me gisht këmbëzën e automatikut. Arma qëlloi.” -deklaroi Klodian Kola para prokurorit pas ngjarjes.

Hasan Basha, babai i Elidon Bashës, që mbeti i vrarë në gjueti nga shoku i tij

Kjo ngjarje e rëndë do të pasohej nga një tjetër vrasje po në gjueti, në zonën e Shupenzës në Bulqizë. 27-vjeçari Gentian Kosiqi u qëllua me armë gjahu për vdekje në “Malet e Obokut” nga shoku i tij Rifat Xhelishi, 18 vjeç.

Zona e Bulqizës, me terrenin e thyer, me larmishmërinë e natyrës është kthyer në parajsën e gjuetarëve të paligjshëm. Banorët e zonës tregojnë se në Malin e Bardhë vijnë ekspedita gjuetarësh të organizuar nga zonat e tjera, pavarësisht moratoriumit që është në fuqi.

“Para vitit të ri këtu kanë gjuajtur matjanë. Vijnë me fuoristrada sepse ëhstë rrugë e keqe. Gjuajnë lepurin dhe derrin kryesisht. I kanë prishur ligjet e shtetit, dalin edhe me pushkë”, – deklaron një banor i Fushë-Bulqizës

Mjaft specie të rralla në zonën e Bulqizës po shkojnë drejt zhdukjes, pasi paligjshmëria në vrasjen e kafshëve në këtë zonë ka dalë jashtë kontrollit.

“Po na zhdukin lepurin, thëllezën e malit, thëllëza e fushës është shkatërruar dhe nuk kemi fare. Gjuajnë derrin, por edhe kaprollin që është i ndaluar rreptësisht” – thotë gjuetari dhe sekretari i shoqatës së gjuetarëve në Bulqizë, Arben Dema.  

Në këtë situatë dramatike, gjuetarët e rregullt dhe të demotivuar nga moratoriumi, janë të vetmit që përpiqen të ndalojnë ata që po gjuajnë pa kriter dhe pa mëshirë. Arben Dema është i zhgënjyer nga angazhiimi i vakët i autoriteteve. Gjuetarët profesionistë, akuzojnë se në disa raste, edhe vetë përfaqësues të policisë apo administratës pyjore janë përfshirë në gjueti të paligjshme.

“Janë drejtues të mëdhenj që vijnë nga Tirana, Shkodra dhe Vlora. Banorët e fshatrave na njoftojnë që kanë shkuar njerëz që nuk i njohin. Kemi raportuar mbi 100 herë, por askush nuk është marrë. Na thonë do shkojmë, nuk shkojnë, na japin numër telefoni dhe pastaj nuk përgjigjen. Moratorimi jo vetëm nuk i shtoi, por i shfarosi më shumë kafshët. E vërteta është se gjuetarët i mbrojnë me shumë kafshët sesa moratoriumi” –shtoi Arben Dema, sekretar i shoqatës së Bulqizës.

Ai Kulla, një gjuetar i vjetër i Bulqizës, nuk ka shumë shpresa se do të mund të shkojë sërish në mal për të ushtruar aktivitetin e gjuetisë. Përkundër bindjes së tij ndaj moratoriumit ai ngre shqetësimin se çdo ditë vriten kafshë të rralla për zonën.

“Gjuajnë gjithë natën dhe vrasin derra, kaproll, lepuj. Të dalë dikusht të thotë se e ka gjobitur pyjorja apo policia. Unë të dal tani me armë gjahu në mal, të marrësh policinë në telefon, nuk të vjen” – sqaron për “INA”, gjuetari Kulla

Bulqiza është vetëm njëra nga zonat e Shqipërisë, e cila e ka përjetuar më rëndë paligjshmërinë nga gjuetia duke shënuar edhe humbje jete të dy të rinjve. Kur jemi në fund të moratoriumit 7 vjeçar, banorët e zonave të gjuetisë, shoqatat mjedisore dhe gjuetarët e konsiderojnë si një ligj i rreptë në letër, por që nuk po zbatohet.

Moratoriumi i përkohshëm i gjuetisë, u vendos nga Ministria e Mjedisit më 2014 si një emergjencë, pasi masakra mbi kafshët ishte e dukshme. Gjuetia ishte kthyer në një joshje edhe për turistët e huaj, të cilët e ushtronin në vendin tonë kundrejt shumave të mëdha të parave, duke e kthyer gjuetinë e paligjshme në një industri mjaft fitimprurëse për pak njerëz me lidhje dhe njohje me pushtetin. Por pas përfundimit të afatit 2-vjeçar, moratorimi u shty edhe për 5 vite të tjera.

Zytarisht moratoriumi përfundon në qershor 2021, por grupet e interesit janë të shqetësuar nëse kanë pikëpyetje për mënyrës se si do të menaxhohet situata e re.

“Sa të aftë jemi ne dhe shteti që të menaxhojmë me rregulla gjuetinë, pasi sipas kalendarit gjuetia duhet të hapet më 15 Gusht. Edhe nëse moratoriumi pushon se egzistuari, ne duam kohë për të reformuar veten, duke filluar me seleksionim të gjuetarëve dhe rithemelim të shoqatave të gjuetarëve -deklaron kreu i Federatës së Gjuetisë, Themi Perri.

Aleksandër Trajce, drejtuesi i organzatës “PPNEA”

Aleksandër Trajce, drejtuesi i organizatës “PPNEA”, që lobon per mbrojtjen dhe shtimin e kafshëve të rralla në vend, deklaron se moratoriumi është një ligj i dështuar që ka humbur efektet. Sipas tij është kjo arsyeja që moratorium nuk mbështete më as nga ruajtësit e kafshëve apo të natyrës.

“Jemi pothuajse në të njëtën situatë ligjore si para shpalljes së moratoriumit. Nëse moratoriumi do të mbaronte në këtë moment, mund të rriskojmë një gjueti të pa kontrolluar dhe rikthimin e një situate, e cila mund të jetë më e dëmshme se deri tani” – tha Trajce.

Masakra mbi kafshët e egra në moratorium

Në zonën e Fierit, gjuetarët me imitues gjuajnë shpendët ditën dhe natën. Fenomeni nuk ka kursyer as zonat e mbrojtura, status të cilin e gëzon 18% e territorit.

Vend strehimet e gjuetarëve brenda zonave të mbrojtura digjen shpeshherë nga inspektorët e mjedisit, por pa mundur të frenojnë gjuetinë e ndaluar.

Themi Perri, kreu i Federatës së Gjuetarëve denoncon masakrat mbi kafshët e egra dhe sidomos atyre autoktonë. Ai e cilëson një dështim moratoriumin për sa kohë askush nuk ka mundur të mbrojë kafshët e listuara si më të rrezikuara që bëjnë pjesë tek lista e kuqe.

“Moratorimi ishte një lajthitje, faktet tregojnë se dështoi. Fatkeqësi, por gjatë 7 viteve janë vrarë kafshët dhe shpendët autoktonë që janë në listën e kuqe. Mungojnë shumë kafshë, por do veçoja ariun, dhinë e egër, e cila është gjuajtur masivisht, po ashtu edhe kaprolli është gjuajtur masivisht.” – deklaron Themi Perri.

Ata akuzojnë Ministrinë e Mjedisit, se nuk mundi të shpëtojë as parkun e Karavastisë, të cilin po e përdor si flamur “marketingu”.

“Në Divjakë që e trumpetojnë si një sukses menaxhues i një zone të mbrojtur, mungon thëllëza e fushës, fazani, lopa e egër etj. Ndërsa në zonën po të mbrojtur në Kune – Vain ngrihen armët çdo ditë ndaj çdo gjallese, pa përjashtim”, – deklaroi Perri.

Për të treguar përmasën e vërtetë të dështimit të marotoriumit, ai i referohet asaj që po ndodh në restorante, të cilët servirin kafshë të egra. Dhe gjithçka ndodh nën hundën e ligjit.

“Kontrabandisti që vret derrin dhe sorkadhen, e dërgon mishin në lokale duke e kthyer gjuetinë në një biznes,” – pohon Perri.

Harta e paligjshmërisë gjatë 7 viteve moratorium shtrihet nga veriu në jug të vendit. Kjo referuar edhe rasteve që policia e shtetit ka faktuar si në shkelje me ligjin. Në një reagim për “INA’ Policia e Shtetit deklaron se në 7 vite janë referuar në prokurori vetëm 32 raste të kapura në kushtet e flagrancës, “gjueti në moratorium”, ndërsa në total ky numër regjistron 261 shkelës të ligjit për “gjueti të paligjshme”.

Armët e gjahut rekord shitjesh edhe në moratorium

Shqipëria renditet si vendet me armë gjahu të regjistruara dhe pa regjistruara më të lartat në Europë krahasuar me numrin e popullsisë. Referuar Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin janë 109 mijë armë gjahu me leje. Por këto shifra të policisë duhet marrë me rezerva.  Kjo pasi nuk ka inventarizim të saktë, ndaj konsiderohet shumë e ulët krahasuar me armët e poseduara si trashëgimi apo të paregjistruara. Ndaj Policia e Shtetit prej disa muajsh ka filluar procesin e riregjistrimit të këtyre armëve dhe deri më sot janë regjistruar zyrtarisht rreth 61% e tyre.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka një tjetër bilanc për parandalimin e gjuetisë brenda këtyre hapësirave. Në katër vite janë sekuestruar vetëm 13 armë gjahu.

 “Janë kryer 3029 inspektime nga AKZM, ku janë asgjësuar 119 copë struktura vendstrehimi për gjueti të paligjshme të shpendëve dhe janë sekuestruar 71 copë mjete mashtrimi (aparate zë ndjellëse ose imitues tingujsh) – deklaron AKZM.

Paradoksalisht, edhe pse jemi në kushtet e një moratoriumi dhe armët e gjahut mund të mblidheshin ose dylloseshin, çdo vit janë blerë qindra armë gjahu të reja. Referuar të dhënave të Drejtorisë së Doganave, pas vitit 2013 kur edhe u vendos moratorium, më shumë armë gjahu kanë hyrë në Shqipëri është viti 2019, konkretisht me 857 armë.

Që moratoriumi nuk ka funksionuar e tregon edhe tregu në rritje I shitjes së fishekëve. Vetëm përgjatë vitit 2020, dyqanet e armëve të gjahut kanë mundur të zhdoganojnë në mënyrë ligjore, mbi 150 mijë fishekë.

Ardjan Dedja, menaxhuesi i një dyqani armësh në zonën e Shijakut deklaron se biznesi i tij është në faliment. Ndryshe nga viti 2014, kur biznesi i armëve të gjahut ishte mjaft fitimprurës. Ai ankohet se vendosja e moratoriumit ka bërë që klientët e tij të reduktohen masivisht. Megjithëkëtë ai pranon se gjatë ndalesës ligjore, gjuetarët e paligjshëm e kanë ushtruar aktivitetin e tyre, pasi fishekët kanë “fluturuar”.

“Vijnë blejnë fishekë sepse kjo nuk ndalohet. Zakonisht më shumë fishekë gjatë moratoriumit janë shitur për rosa dhe shpendë migratorë. Gjuetarët e paligjshëm nuk i ndalon dot askush, janë pa leje arme dhe dalin e gjuajnë”, – deklaroi Ardjan Dedja.

Ardjan dedja, Menaxher i dyqanit të armëve, Shijak

Aktualisht biznesi i tij është thuajse i mbyllur. Ardiani, si shumë kolegë të tij që operojnë në këtë biznes, u kthye në vendin e tij për të bërë biznes, por tashmë po rimendon emigracion. Sipas tij, nëse moratoriumi do të zgjatet sërish, atëherë këto biznese falimentojnë.

Asnjë fermë për kafshëve autoktone dhe asnjë census krahasues

Vendosja e moratoriumit solli si detyrim ligjor të Ministrisë së Mjedisit edhe ngritjen e fermave mbarështuese të kafshëve autoktone të rralla. Madje hartoi edhe një listë të kafshëve e shpendëve vendase që janë në rrezik për tu zhdukur. Por ky detyrim mbeti vetëm në letër. Interesimit të “INA” për identifikimin e një fermë të vetme në vend ministria nuk mundi dot t’i japë përgjigje.

Këtë dështim të shtimit të kafshëve të kërcënuara seriozisht me zhdukje e pranojnë edhe organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve të egra, që ishin edhe lobueset më të mëdha që të vendosej moratoriumi. Por me kalimin e viteve ato janë kthyer në kritikët më të mëdha. Sipas tyre moratoriumi vrau kafshët e rralla që ishte investuar aq shumë që të ruheshin dhe shumoheshin.

“Në fillim e mbështetëm edhe ne moratoriumin, por sot mund të themi se moratoriumi egziston vetëm në letër. Nga raportimet që kemi, në terren gjuetia vazhdon e shfrenuar duke mos kursyer as kafshë të mbrojtura dhe të rrezikuara si ariu i murrmë, dhia e egër dhe rrëqebulli i Ballkanit. Kjo na bëri të kuptojmë që moratoriumi nuk ishte dhe nuk është më efektiv.” – deklaron Aleksandër Trajce, kreu i PPNEA

Si një nga shoqatat që ka zbuluar dhe lobuar për mbrojtjen e një nga kafshët më të rralla në vend, rrëqebullin e Ballkanit, Aleksandër Trajce tregon se edhe ata pak individë të gjetur në malësinë shqiptare të Shebenik-Jabllanicës po shfarrosen nga gjuetarët e paligjshëm.

“Një rrëqebull u vra në Malësinë e Elbasanit në Qershor 2020. Ne e denoncuam në prokurori, por rasti mbeti pezull dhe nuk po ndiqet konkretisht. Rasti në Elbasan na u raportua nga një bashkëpuntori ynë, i cili na tha se është gjetur nje rrëqebull i balsamosur në një lokal. Pas investigimit dhe ekspertizës tonë rezultoi se individi i balsamosur ishte një rrëqebull i filmuar nga kamerat kurth mes Elbasanit-Librazhdit dhe Gramshit” -tha Trajce

Ministria e Mjedisit nuk ju përgjigj as pyetjes se si është gjendja e kafshave të egra autoktone pas vitit 2014 kur u vendos moratoriumi krahasuar me vitet para 2013-ës. U mjaftua vetëm me disa të dhëna të dyshimta për vitin 2020 pa bërë transparencën e nevojshme dhe sa të besueshme janë metodat e përdorura.

“Është shumë e vështirë të bëjmë një vlerësim për suksesin e moratoriumit pasi ky akt nuk u shoqërua me një investigim të gjendjes së faunës në terren”, – shtoi Trajce.  

Dështimin e moratoriumit e fakton edhe federata sportive “Pëllumbat e Postës”. Çdo vit ajo organizon gara me pëllumba, të cilët lëshohen nga mijëra kilometra jashtë vendit për t’u rikthyer në kafazet e tyre. Por sipas sekretarit të kësaj shoqate, Arjan Kristani, shumë prej pëllumbave garues nuk arrijnë ta përfundojnë dot garën për shkak të armëve që ngrihen ndaj tyre. Më problematike situata është në zonën e Kune-Vainit, në Fushë-Krujë dhe Fier pranë bregut të detit, gjuetarët e papërgjegjshëm i gjuajnë duke i plagosur me saçme.

“Në zonën e Milotit, sapo lëshuam pëllumbat, nga një tarracë aty pranë, një person qëlloi me çifte duke vrarë disa prej tyre. Njoftuam policinë për këtë akt, por oficerëve ju duk qesharak argumenti se përse i thirrëm. E shoqëruan personin në fjalë sa për ta parë ne që denoncuam rastin.” – deklaroi Kristani.

 

Inspektorët e mjedisit si viktima të paligjshmërisë

Moratoriumi nuk zbatohet as nga vetë strukturat monitoruese dhe kontrolluese të Ministrisë së Mjedisit. Shpesh janë vetë specialistët apo inspektorët e pyjeve që kryejnë edhe vetë gjueti të paligjshme. Një rast flagrant është edhe rasti i inspektorit në Elbasan, Andi Bodurri, 36 vjeç, i cili u vra aksidentalisht në gjueti natën nga një i afërm i tij në dhjetor të vitit 2018.

“Rreth orës 23.00, në fshatin Shelcan në një zonë të pyllëzuar është vrarë me armë gjahu shtetasi A. B., 36 vjeç. Nga veprimet e para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan dhe ata të Komisariatit të Policisë rezultoi se viktima së bashku me autorin dhe tre persona të tjerë kishin lidhje fisnore dhe krushqie me njëri-tjetrin. Me një mjet tip ‘Fuoristradë’ me targa AA721EF kanë dalë për gjueti dhe në momentin që ka gjuajtur gjahun, shtetasi P.Z aksidentalisht ka vrarë shtetasin A.B”- informon policia e Elbasanit.

Nga hetimet rezultoi se viktima, me automjetin e agjencisë së zonave të mbrojtur ushtronte gjueti të paligjshme me prozhektorë natën në kundërshtim të ligjit të moratoriumit.

“Inspektori ishte me leje arme, por nuk ishte gjuetar. Pa dashje shoku tjetër e vrau, ndërkohë që ishin në gjueti të paligjshme. Dilnin natën me makinë, me prozhektor, panë lepurin, shoku i doli para dhe e qëlloi me armë. Në kohën kur është mbyllur gjuetia këto ngjarje kanë ndodhur më shpesh” – deklaroi Genci Panganika, sekretar i shoqatës së gjuetarëve të Elbasanit.

Për denoncimet e këtyre rasteve flagrante se si shkelet ligji nga vetë kontrolluesit e tij, kreu i Federatës së Gjuetarëve kërkon marrjen e përgjegjësive për raste të tilla kaq flagrante. Krejt ndryshe, Themi Perri e kërkon përgjegjësinë tek Ministria e Mjedisit, e cila dha urdhër për vrasjen e dhelprës së tërbuar nga inspektorët e mjedisit, të cilët nuk janë të specializuar dhe as të certifikuar për përdorimin e armëve të gjahut.

“Një inspektor mjedisi është vrarë me urdhër. Sepse inspektori nuk mund të gjuajë dhelprën, dhe u vra natën. A mbajti njeri përgjegjësi për këtë skandal?”– përfundon Themi Perri.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin