RRËFE – Episodi 2: “Nuk kanë para për avokat, divorci kryeson kërkesat për ndihmë juridike falas nga gratë
Reth 90% e grave, viktima të dhunës në familje, që i drejtohen skemës së ndihmës juridike falas e bëjnë këtë për të nisur ose për të përballuar procesin e divorcit. Të dhënat u bënë të ditura në episodin e dytë të podcastit “RRËFE” nga Patricia Pogaçe, drejtoreshë e ndihmës juridike falas, një mekanizëm publik nën varësinë e ministrisë së Drejtësisë. Kjo shifër dëshmon për varësinë e madhe financiare që shpesh i shoqëron këto martesat problematike. Për shumë prej tyre, pamundësia për të paguar një avokat privat do të thotë edhe “heshtje” apo heqje dorë nga lufta për të shkëputur zinxhirin e dhunës. Në këtë rast, ndihma juridike falas, është një mekanizëm thelbësor, që u jep grave të dhunuara mundësinë të ndërmarrin hapa ligjorë pa u penguar nga pamundësia ekonomike.
Pogaçe, në një bisedë informuese dhe praktike me gazetaren Anila Hoxha, shpjegon se si funksionon sistemi i ndihmës juridike falas në Shqipëri dhe se cilët janë hapat që duhet të ndjekin qytetarët për ta përfituar atë.
Podcasti ndalet në dy format kryesore të ndihmës juridike. Ndihma parësore përfshin këshillim ligjor, orientim dhe asistencë për plotësimin e dokumenteve, ndërsa ndihma dytësore ofron përfaqësim me avokat falas në gjykatë si dhe, në rastet kur plotësohen kushtet, mbulim të shpenzimeve gjyqësore. Kjo do të thotë se qytetarët jo vetëm marrin këshillë profesionale, por edhe mbështetje konkrete gjatë procesit gjyqësor.
Gjatë intervistës, theksohet se ndihma juridike falas është një e drejtë e garantuar me ligj dhe synon të sigurojë akses të barabartë në drejtësi për të gjithë. Ky shërbim u ofrohet personave që nuk kanë mundësi financiare për të paguar një avokat privat, por edhe kategorive të caktuara që konsiderohen të cenueshme, si viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit, të miturit dhe persona të tjerë në nevojë sociale.
Për më shumë ndiqni intervistën e plotë në linkun:
https://www.youtube.com/watch?v=GskZpI5DAys&t=288s
@EEAS
@Scidev
@#SMSFACILITY #Media #Albania


