Pesë vjet më parë, një oficer i policisë në Elbasan do ulej në tryezën e punës dhe duke besuar informatorin konfidencial do të shkruante rrethana kompromentuese ndaj disa zyrtarëve në burgje të asaj kohe, mbi dyshimet se kishin rekrutuar si policë njerëz me të shkuar kriminale. Me dyshimet se njëri ndër ta me detyrë përgjegjës i burimeve njerëzore në I.E.V.P Elbasan identifikuar si A.R., ishte përfshirë në veprimtari korruptive oficeri e referoi dosjen në atë kohë në prokurorinë e Elbasanit. Por fashikulli u pasua nga prokuroria në prokurori dhe hapi një betejë mes gjyqësorit dhe akuzës, ku kjo e fundit ngrinte duart lart duke u shprehur se nuk kishte vend për hetime dhe se nuk gjeti shpërdorues detyre. Dy gjykata nga monitorimi i Qendrës FOL rezulton se e kundërshtuan pushimin e hetimeve dhe urdhëruan prokurorinë e kryeqytetit të gjejë se cilët janë ish zyrtarët në burgje që kryen rekrutimin e dyshimtë për një polic në burgje që kishte dyshime se i përkiste botës së krimit dhe që sakaq u caktua me detyrë të ruante në burgun e Bradasheshit të burgosurit. Ky kapërcim paradoksal nga njëri kamp në tjetrin u krye pa administruar një certifikatë besueshmërie në dukje të pa rëndësishme, por që për policinë e burgjeve është e domososhme
Sa e vështirë për prokurorinë të gjejë shpërdoruesit e detyrës.
Oficeri i policisë gjyqësore midis të tjerave përpilonte në referimin e bërë gati prokurorisë se “ gjatë periudhës që shtetasi A. R. ka ushtruar këtë detyrë ka punësuar disa kriminelë”. Personi i përmendur si njeriu me të shkuar të errët ishte identifikuar shtetasi A.P , që sipas një urdhëri numër 988, datë 2 shkurt 2016 veshi uniformën e policit në burgje. Detyra që mbajti nga kjo datë deri në 25 shtator 2017 i jepte gradën e nëninspektorit dhe të policit të rrethimit të jashtëm në burgun e Bradasheshit.“Ka të dhëna se në ngarkim të shtetasit A.P. të rregjistruara në kartotekën kriminale të drejtorisë vendore të Policisë, se ky shtetas është rregjistruar në kartotekë dhe si i tillë ka pengesë për tu pajisur me vërtetim personaliteti si punonjës i I.E.V.P , Bradashesh, Elbasan”. Ajo që u kuptua më pas, nga një hetim i fshehtë në burgje dhe më pas në prokurori ishte një shkresë e akuzës së kryeqytetit që shpresonte të siguronte prova përmes pyetjes ; ‘ A është kryer apo jo vërtetimi i përshtatshmërisë dhe besueshmërisë për punonjësin e policisë së burgjeve përpara se të emërohej në detyrë?”. E vërteta ishte se gjatë rekrutimit të policit të burgjeve në atë kohë, ky institucion nuk e kishte kërkuar një shkresë të tillë, dhe se kjo detyrë i përkiste burimeve njerëzore. Ish polici u mor në pyetje nga prokurorët që e besuan kur tha se nuk mbante mend si u punësua.
“ Ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk më kujtohet se si jam vënë në dijeni të faktit për të aplikuar për punë në IEVP Elbasan.Pas dorëzimit të dokumentave jam njoftuar që më kishte ardhur urdhëri për të filluar punë. Kam bërë një trajnim rreth 1.5 muaj dhe më pas kam filluar punë.Vërtetim personaliteti nuk më është kërkuar. Shtetasin A.R e kam njohur pasi kam hyrë në punë. Shtetasin E. S. e kam djalë lagjeje dhe kur kam filluar punë e kisha drejtor. Asnjë person nuk ma ka premtuar , as favorizuar.”- shprehet gjatë hetimit ish polici.
Midis të pyeturve në atë kohë ishte edhe ish drejtori i burgut të Elbasanit, Eugert Salla që shpjegon përtej kësaj se pjesa dërmuese e emërimeve ishin kryer drejtpërdrejt nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. “Unë nuk jam personi përgjegjës për administrimin e dokumentave. Propozimin në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve e bënte titullari i institucionit , por që në pak raste është marrë për bazë. Arsyeja ka qenë se unë kam qenë titullar i propozuar nga Partia Socialiste, ndërsa gjithë struktura e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve , Ministria e Drejtësisë i përkisnin forcës së LSI, pra ne nuk na pyesnin pasi bënin vetë emërimet sipas përkatësisë.Propozimin e kam bërë unë, ndërsa verifikimin e dokumentacionit e ka bërë shefi i personelit” thotë ish drejtori i burgut të Bradasheshit. Por duke refuzuar prokurorinë që nuk gjeti se kush e rekrutoi ish policin , gjykata e apelit në Tiranë thekson “se prokuroria nuk ka kryer hetime të plota sa kohë një ish polic është punësuar në kundërshtim me ligjin dhe pa verifikuar nëse ishte apo jo i përshtatshëm. Prokuroria nuk ka verifikuar se cilët janë personat që duhet të trajtonin praktikën e rekrutimit, jo vetëm të ish policit në fjalë, por edhe të rasteve të tjera ku nuk është marrë dokumentacioni i detyrueshëm”.