20 milionë euro në vit për trajnime të administratës përfundojnë në “kosh”, për shkak të largimeve të padrejta nga puna

Milionat e hedhura nga ndërkombëtarët për të trajnuar administratën publike, nuk mjaftojnë për të mbajtur një vend pune. Largimet e padrejta nga puna janë shkaku kryesor që nëpunësit publikë në vendin tonë vijojnë të kenë një performancë të dobët, duke krijuar institucione edhe më të dobëta. Mesatarisht çdo vit shpenzohet 20 milionë euro për trajnime, thuajse dy herë më shumë sesa fondi i ndihmës sociale.

Autor: Anxhelo Haruni

Kampionët e financimit të programeve të trajnimit për punonjësit shtetërorë janë institucionet e huaja, që, si në rastin e Bankës Botërore, preferojnë që “në vend që të ndreqin tubacionet, të ndreqin institucionet, që duhet të ndreqin tubacionet“, duke iu referuar reformës së ujit.

Vetëm për projektet aktive, sipas të dhënave të vetë BB, shuma e zotuar për Shqipërinë arrin në 502 milionë dollarë. Projektet për administratën publike llogariten në 21.45 milionë dollarë, të cilat për një kohëzgjatje maksimale prej 9 vitesh përkthehen në së paku 2.4 milionë dollarë në vit. Këtu nuk përfshihen projektet e përcaktuara në fusha të tjera, që gjithashtu kanë buxhetet përkatëse për trajnimet e stafeve. INA MEDIA iu është referuar vetëm 14 projekteve, që janë aktualisht aktive, më i hershmi ka nisur në vitin 2015 dhe në këtë faturë nuk janë përfshirë trajnimet e administratës përpara vitit 2015.

Bashkimi Europian është donatori më i madh në Shqipëri. Thuajse në çdo projekt që mbështet ka edhe një zë për “ndërtimin e kapaciteteve”. Qëllimi është që vendi të ketë punonjës sa më të kualifikuar, që edhe fondet të përdoren me sa më shumë efikasitet.

Sipas detajeve nga projektet e zbatuara me financimin e BE në Shqipëri, rezulton se dedikuar administratës publike, programeve për trajnimin e stafit të 61 bashkive, luftës kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, programit të bursave për nëpunësit e rinj, civilë etj., fondet arrijnë në 125 milionë euro. Të mesatarizuara për një periudhë maksimalisht 9-vjeçare, kontributi llogaritet në 13.8 milionë euro në vit vetëm nga BE. Edhe në këtë rast INA MEDIA i referohet vetëm 11 projekteve, më i hershmi nisur në vitin 2013, ku përfshihen: “Sector Reform Contract for Public Administration Reform”; “Implementation of Civil Service Reform across the Public Administration”; “Young Civil Servants Scholarship Scheme”; “EU Support for the Effective Management of Green and Blue Borders in Albania”; “Sector Reform Contract for Public Finance Management”; “Strengthening national capacity in nature protection – preparation for Natura 2000 Network”; “Sector Reform Contract for the Fight Against Corruption in Albania”, “Municipalities For Europe”; “EU for Justice Reform”; “Support to Territorial and Administrative Reform Star 2”, si dhe projekti “Capacity Building for Public Private Partnership (PPP) and Management Skills Development in the Albanian Transport Sector”.

Përveç ndërkombëtarëve në vendin tonë prej vitit 2000 ofron trajnime falas dhe me pagesë për nëpunësit e administratës Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA). Ky institucion ka një buxhet vjetor prej 50.8 milionë lekësh apo rreth 425 mijë euro. Vitin e shkuar, 2021, ndihmoi në trajnimin e 6,728 individëve në lidhje me tema të ndryshme.

Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, funksioni i së cilës vetë-përshkruhet në titull, ka të planifikuar një buxhet vjetor prej 17.3 milionë lekësh apo 144 mijë eurosh.

Ndërsa trajnime të tjera organizohen nga vetë institucionet, donatorë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe me ftesa të institucioneve të huaja, homologe drejt kolegëve shqiptarë.

“Albcontrol” është institucioni që vendos rekord për specializimet, trajnimet, udhëtimet dhe dietat përkatëse të nëpunësve të tij, me gati 2 milionë euro në vitin 2019, i fundit para pandemisë dhe më i lartë se në vitin 2020, kur të gjitha trajnimet u kryen online. Ky nivel justifikohet me statusin e veçantë të institucionit, i cili në një vit nuk mund të dalë me fitim dhe është i detyruar të rrisë shpenzimet: nga pagat, te bonuset etj.

Të mbledhura së bashku, në total kostot për trajnime dhe të gjitha shpenzimet e tjera të lidhura me to arrijnë në mesatarisht 20 milionë euro në vit. Për një administratë prej mbi 183 mijë personash është një shumë prej gati 110 eurosh për person, por e konsiderueshme, nëse kemi parasysh se buxheti për pagesën e papunësisë është vetëm 7.5 milionë euro apo fondi për bonusin e bebes llogaritet në 18.4 milionë euro.

Pavarësisht shumës së majme të hedhur për trajnime, kualifikimi i stafeve është një element i domosdoshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe politikave që ndërmerr një shtet, por në vendin tonë këto miliona euro përfundojnë në “kosh”, për shkak të rotacionit që pëson administrata, sa herë ndryshon pushteti politik, por edhe kur një pjesë e fondeve, që shkojnë për trajnime, shpenzohen në mënyrë fiktive.

Largimet e padrejta

Fenomeni i largimeve të padrejta në administratë është përmirësuar përgjatë viteve të fundit, bazuar në çështjet gjyqësore, të regjistruara vit pas viti, megjithatë mbetet një problem shqetësues, siç e pohojnë vetë institucionet shtetërore. Në raportin vjetor për vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se “spastrimet” në administratë po prodhojnë, krahas kostove njerëzore, edhe kosto financiare.

“Vijon keqmenaxhimi në përdorimin e fondeve të burimeve njerëzore si pasojë e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve, gjë e cila ka rezultuar shpesh në pagesa penalitetesh, komisionesh dhe tarifash angazhimi përmbarimore”, – citon raporti i KLSH-së.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, arsyeja e shkarkimeve lidhet kryesisht me politikën.

“Fenomeni i spastrimit për shkak të bindjeve politike është arsyeja më e zakonshme, mbi të cilën merren vendimet për largimet dhe zëvendësimet e punonjësve të administratës. Tashmë, u bë disa kohë që nuk kemi pasur rotacion politik, por nuk besoj se gjërat kanë ndryshuar dhe në rotacionin e parë, që do të vijë, gjërat do të përsëriten nga e para”, – deklaron Soko.

Diskriminimi për bindjet politike konsiderohet nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi si argumenti kryesor i ankesave që kanë të bëjnë me punësimin, të ngritura pranë këtij institucioni. Ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, i sheh shkarkimet dhe emërimet politike në administratë si shkaktarët kryesorë të nivelit të ulët të nëpunësve publikë, të cilëve nuk iu hyn në punë përvoja, por njohjet.

“Procesi i karrierës brenda kësaj administrate nuk ka lidhje me dijen, përvojën e akumuluar, shkollimin, por ka të bëjë me militantizmin partiak dhe të qenit pjesë e rrjeteve nepotike. Kjo duket edhe nga fakti se pesha e individëve të shkolluar në universitete perëndimore është simbolike, thuajse jo-ekzistuese. Nga ana tjetër, një numër i madh punonjësish vijnë sot nga universitete, të cilave iu është hequr licenca”, – thotë Preçi.

“Edhe pas qeverisjes për më shumë se 1 dekade të qeverisë Rama, sërish pesha e pagesave, që institucionet iu detyrohen personave të larguar padrejtësisht nga puna sipas gjykatave, vazhdon të mbetet e lartë”, – shton ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, detyrimet e pashlyera për vendimet gjyqësore të institucioneve dhe bashkive arrijnë në 3.8 miliardë lekë, nga ku pjesa dërrmuese i përkasin vendimeve për largim të padrejtë nga puna.

Ndër vite fatura e këtyre shkarkimeve kap vlerën e të paktën 13.3 miliardë lekëve apo rreth 108 milionë eurove (me kursin në momentin e shlyerjes), të paguara nga institucionet shtetërore përgjatë periudhës 2014-2021. Sipas një investigimi të INA
M
EDIA-s, kjo kosto lidhet me pushimin e thuajse 14,500 punonjësve, por, si numri i të larguarve, ashtu edhe shuma, është sot më e lartë, referuar vendimeve të reja të gjykatave dhe shlyerjes në Thesar të detyrimeve nga ana e institucioneve.

Dëmi në cilësi

B.H. është një ish-punonjës i Kontrollit Tatimor, i cili u largua nga shërbimi civil në vitin 2017. Pas kalvarit ligjor në shkallët e drejtësisë, në vitin 2020 atij iu dha e drejta e dëmshpërblimit dhe u caktua detyrimi për rikthimin në punë. Prej më shumë se një viti ai ndodhet në listën e pritjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me argumentin se pozicioni i tij është zënë gjatë ndryshimeve strukturore.

“Ishim disa punonjës që u pushuam njëkohësisht dhe zgjodhëm t’i drejtohemi gjykatës për të marrë të drejtën tonë. Pres të rikthehem në shtet, për shkak se kam investuar shumë gjatë qëndrimit tim atje”, – shprehet ai, duke iu referuar trajnimeve të ndryshme, të ndjekura, si dhe eksperiencës së grumbulluar përgjatë viteve. Si ai janë me dhjetëra punonjës të administratës të shkarkuar padrejtësisht dhe që gjykata iu ka dhënë të drejtën të rikthehen në punë.

Një situatë e tillë, me largimin e qindra punonjësve përgjatë pak viteve, ka krijuar atë që Fondi Monetar Ndërkombëtar e quan një administratë tatimore të dobët.

“Niveli i aftësive teknike dhe kompetencave në forcën e punës duhet të përmirësohet ndjeshëm – në mënyrë më kritike në fushën e auditimit të taksave, analizimit të të dhënave, mbledhjes së borxhit tatimor, në funksionet e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe në interpretimin e ligjeve tatimore”, – shkruan FMN në raport.

Dëmi në cilësi, sipas Sokos, është i pashmangshëm. “Natyrisht, zëvendësimet e shpeshta të administratës kanë ndikuar në cilësinë e saj, të ulët, pasi, sa më shpesh ndryshohen stafet, aq më pak stabilitet kanë ato në kuadër të cilësisë dhe të eksperiencës. Miliona dollarë financime shqiptare, të huaja, kredi apo donacione për kualifikimin e stafit të administratës publike janë hedhur në kosh të plehrave, në momentin që këto stafe janë zëvendësuar, për arsye rotacioni politik etj.”, – argumenton ai.

Drejtori pa staf

Që prej marrjes së detyrës si kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba është ankuar për mangësitë profesionale, që vite të tëra largimesh kanë krijuar në këtë institucion. Në një bisedë me INA MEDIA-n, ai deklaron se stafi i tij nuk është në lartësinë e hetimeve komplekse në tregje të ndryshme. Sipas tij, për një pjesë të punonjësve puna pranë Autoritetit të Konkurrencës është puna e tyre, e parë ose vijnë nga eksperienca si menaxherë lokali. Të gjithë “të aftët”, të trajnuar për miliona lekë përgjatë viteve, janë larguar. Këtë problem ai e paraqet edhe përpara parlamentit. Nga ky institucion kyç janë larguar 21 punonjës nga puna, të cilët ishin trajnuar për vite me radhë.

“Nëse shikoni vitin 2017, ne kemi qenë 39 punonjës. Këtu duhet të keni parasysh se në këtë numër përfshihen 5 anëtarët e Komisionit, Sekretarja e Përgjithshme e Komisionit, e cila është historike në atë Komision, dhe punonjësit mbështetës. Pra, praktikisht shkojnë rreth 32 punonjës të administratës, nga të cilët 21 janë larguar për arsye nga më të ndryshmet, për dalje në pension, për të kaluar në detyra të tjera apo të shkarkuar me masa disiplinore. Pra, nga viti 2017 vetëm 18 punonjës mbetën. Një pjesë e personelit ka një periudhë kohore në Autoritet prej vetëm 2-3 vjetësh, gjë që deri diku lë për të dëshiruar”, – ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me lëvizjen e stafit Denar Biba.

Problemin Biba ia adreson pjesërisht edhe nivelit të ulët të pagave, veçanërisht për profesione të kërkuara nga tregu, si IT. Kjo bën që raportet e punës në këtë institucion të lëvizin në zyrë me USB nga mungesa e një rrjeti të brendshëm.

Institucionet me rekord largimesh

Për harresën institucionale flet edhe kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj.

“Në sektorin e bujqësisë: në Ministrinë e Bujqësisë, në AZHBR dhe në institucionet e tjera që kanë punë me fermerët, mund të them se ka humbur kujtesa. Shumë pak prej individëve, me të cilët kemi pasur marrëdhënie në të shkuarën, kanë mbetur në këto institucione dhe për bujqësinë humbja e kujtesës është një shqetësim i madh, që nuk na lejon që t`i zgjidhim problemet dhe të avancojmë me planet, që kemi diskutuar përgjatë gjithë këtyre viteve”, – thotë Rrapaj.

Pas kërkesave drejtuar disa institucioneve në lidhje me stafet e tyre, rezulton se përgjatë vitit 2021 ka pasur një numër të madh punonjësish të larguar: jo vetëm për shkarkime, por edhe në mënyrë vullnetare apo për arsye të tjera.

Përgjigjet e tyre zyrtare, të mbërritura për INA MEDIA-n, nxjerrin fakte tronditëse, se si institucione me mbi 100 punonjës mund të ndërrojnë mbi 1/5 e tyre brenda një viti.

Konkretisht, në Avokaturën e Shtetit dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit përqindja e punonjësve të larguar brenda një viti është 21%. Shifra është e lartë edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar (14%) dhe Ministrinë e Turizmit (13.7%). Të gjitha këto institucione kanë patur ndryshime të drejtuesve përgjatë vitit të shkuar.

Gjendje më e keqe te bashkitë

Nëse mungesa e rotacionit politik ka ndihmuar në stabilizimin e largimeve të padrejta në administratën qendrore, situata në pushtetin vendor shihet ende si problematike.

“Mbetet problem serioz. Pse ndodh kjo? Pasi i tërë sistemi ynë është shumë i politizuar. Politika është e pranishme me ndërhyrjet e saj kudo. Dhe aty ku nuk duhet, largohen nga puna specialistë me statusin e shërbimit civil dhe me kontratë me Kod Pune”, – deklaron Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Sipas tij, aktualisht 12% e borxhit prej 6.6 miliardë lekësh, që kanë grumbulluar bashkitë, i përket gjyqeve për largim të padrejtë nga puna. Partnerët ndërkombëtarë dhe OJF-të, sipas tij, shpenzojnë për të trajnuar stafet vendore, në një kohë kur bashkitë nuk investojnë nga fondet e tyre në burimet njerëzore. Largimi i atyre pak që trajnohen dhe atyre me eksperiencë të gjatë pune, sipas Haxhimalit, ka krijuar impakt edhe te shërbimet që marrin qytetarët.

“Është dëm i madh në shumë aspekte. Humbet shërbimi sasior dhe cilësor ndaj qytetarit, humbet memoria institucionale, bie efektiviteti i shërbimeve, krijohet një kulturë mosbesimi nga punëdhënësi dhe reputacioni i bashkisë bie”, – deklaron ai.

Pagat e ulëta

Një tjetër fushë e shumë-financuar për trajnime është ajo e rendit. Nga Policia e Shtetit, te njësi të veçanta, krahas kurseve që ofrohen në Akademinë e Sigurisë, kryhen edhe shumë trajnime të tjera, si programet PAMECA, programe të veçanta për antiterrorin, luftën ndaj krimit financiar etj. Nëse shumë institucione vuajnë sot nga shkarkimet e padrejta, për kreun e Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, problemi i largimeve nga policia lidhet me një faktor tjetër: pagën.

“Vitet e fundit mund të them që është stabilizuar pjesa e shkarkimeve, por tani kemi një tjetër problem me largimet vullnetare. Kjo ka të bëjë në mënyrë kryesore me pagën, por edhe me kushtet e punës. Edhe atëherë kur iu takon me ligj, nuk jepen shpërblimet për punën jashtë orarit. Ato nëndeklarohen, pasi nuk lejohet më shumë se 200 orë punë shtesë në vit, por janë nën kapacitet dhe ndodh të bëjnë 45-50 orë shtesë në muaj, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur nuk arrijnë as të mbulojnë njëri-tjetrin për pushime”, – deklaron Fishta.

Kjo, sipas tij, e ka bërë policinë jotërheqëse për të rinjtë dhe kërkon politika të tilla, si suplementi i pensionit dhe zbatimi rigoroz i kontratave të punës.

Largimet për kushte më të mira, veçanërisht për pagën, janë të zakonta edhe mes bluzave të bardha. Për profesionistë të tillë, për ekspertin Preçi, shoqëria në të vërtetë nuk humbet, kur ata kalojnë në privat, ashtu sikurse për një jurist, ekonomist etj.

“Kosto është më e madhe sesa thjesht largimet. Nëse një person i trajnuar është i kualifikuar mjaftueshëm dhe zhvendoset drejt sektorit privat, shoqëria në tërësi nuk humbet diçka të madhe. Por, një pjesë e madhe e këtyre trajnimeve kryhen në mënyrë formale, për të shpenzuar parà; modulet e trajnimeve nuk gjenden në uebfaqet e institucioneve dhe procesi nuk është konkurrues, pra nuk ka akumulim të dijeve, që mund të përdoren në ushtrimin e funksioneve të ndryshme të drejtimit të shtetit”, – argumenton Zef Preçi.

Si mund të zgjidhet situata

Për Komisionin Europian reforma në administratën publike, inkurajimi i meritokracisë në të gjitha nivelet e shërbimit civil dhe politika e pagave janë faktorë kyç në krijimin e një administrate shqiptare, të depolitizuar dhe të fortë.

“Kjo situatë kërkon një politikë pagash favorizuese, pasi elementët më të mirë sot për sot thithen nga privati, pasi pagat e shtetit janë shumë larg tregut të ekspertizës”, – shprehet Soko.

Për ekspertët edhe thjesht zbatimi i ligjit do të ishte i mjaftueshëm për të ndryshuar kurs, ndërsa thonë edhe se duhet t’iu jemi falënderues ndërkombëtarëve, që sërish vazhdojnë të paguajnë për të trajnuar të larguarit e radhës.

“Për sa kohë emërimet diktohen nga politika, cilësia e shërbimeve, që marrim nga administrata, nuk mund të mos përkeqësohet”, – deklaron Zef Preçi.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin